| E hene, 13.09.2021, 07:21 PM |
FILIZA POETIK ME RRËNJE TE EPOSI
…ose
stili poetik i Puntorie Muça Ziba
Nga
Timo Mërkuri
Në një nga
vizitat në Galerinë e Arteve Tiranë në vitin 1976 një skulpturë në mermer e Bajram Currit më
tërhoqi vëmëndjen kaq shumë sa që ftova edhe shokët e mi studentë të shpërndarë
nëpër ambientet e Galerisë që afroheshin e ta shikonin. Shpresoja ta shikonin
me syrin tim dhe të përjetonin emocionet e mia, por çuditërisht jo të gjithë
shokët çfaqën të njëjtin entusiazm.
I- Figurën e
Bajram Currit ishim mësuar ta shihnim në përmasat e statujës së tij në Tropojë,
madje edhe nga pozicioni poshtë- lart që e lartësonte edhe më tepër heroin.
Përkundër kësaj, skulptura në ambientet
e Galerisë ishte e vogël, afërsisht një metër e gjysëm a diçka më pak,
shkurtësi kjo që binte në kontrast me “madhështinë hierëndë” që na ishte
rrënjosur në vetëdijen tonë. Nuk mjaftonte kjo, por sikur të donin të na
përmbysnin përfytyrimin për heroin, punonjësit e galerisë nuk e kishin vendosur statujën mbi ndonjë bazament dhe për këtë shkak ne e shihnim Bajram Currin nga “lart-poshtë”,
gjë që ishte goditje ndaj madhështisë së heroit në gjykimin e shokëve të mi.
E vërteta
është që unë nuk i pashë fare këto elementë dhe u befasova kur shokët m’i vunë
në dukje në bisedat gjatë kthimit për në konvikt. Realisht unë për veten time
pashë në galeri një shkëmb (… një shkëmb të Dragobisë) prej nga po “dilte” Bajram Curri, madje edhe trupi i tij
pjesërisht kishte “dalur” nga shkëmbi. Kishte dalur gjoksi dhe koka, ndërsa
shpina ishte akoma pjesë e shkëmbit, kishte dalur dora që mbante pushkën, madje
dallohej tyta ndërkohë që pjesa e qytës gjer te këmbëza ende ishin ende pjesë shkëmbi, ku sa ishin ravijëzuar. Heroi
kishte hedhur një këmbë përpara në një ecje të nxituar, në një kohë që këmba
tjetër vetëm sa ishte gdhëndur në shkëmb. Ishte një gjysëm shkëmb-gjysëm njeri
që të kujtonte çastet e lindjes,
momentin kur fëmija ka nxjerrë gjysmën e trupit. Në ndërgjegjen time
këtë skulpturë e emërova “shkëmbi nga del heroi”, ndonëse në mendimet e mia
vërtiteshin dhe emërtimet “heroi shkëmb” apo “shkëmbi hero”.
Rrodhën vitet
por nga kujtesa ime nuk u largua parafytyrim i daljes së heroit nga shkëmbi, i
krijuar nga
pamja e asaj skulpture të cilës nuk i mësova as autorin dhe as fatin e
mëtejshëm.Koha nuk e fshiu dot këtë parafytyrim ndonëse e zbehu dhe çvendosi në
një cep të largët të kujtesës, si në një depo shtëpie ku vendosen materialet që
nuk përdoren shpesh, në pritje të ndonjë nevoje apo kujtese momenti.
II-Çdo mënyrë
kujtimi e kësaj skulpture do ishte e natyrëshme, por kursesi nuk mund të
mëndoja se do t’a rikujtoja pas leximit të një poezie të Puntorie Muça Ziba me
titullin “Armiku im” në datën 11 Nëntor 2020 në fb e cila më befasoi qysh në
fillim me stilin epik të vargjeve:
ARMIKU IM
në dalsh në
atë fush mejdani
s’ke me pa
dregëza n’plagë
mua s’më
thonë Gjergj Elez Alia
as ti s’je
Bajlozi i dalë nga deti,
unë jam
Puntoria që ta ngjeth mishtë
që ta pjek
mishtë...
Të lidhi si
bollë
me flokët e
gjata,
t’vë verige
me fjalët e thukëta
t’plasi si
thi shkurresh
t’i djeg
hundët
me germat e
mia t’athëta.
Unë jam mal
zemërak
me një det
llafe t’helmoj
n’krahnor
mëkatet t’i vulos
që
t’pështyjnë zanat e maleve
sapo
t’murosin historinë
që s’mehet
për ty...
Fryma epike e
poezisë, stili i vargjeve si i marrë nga eposi,
madje edhe mënyra e trajtimit e temës të krijonte mënjëherë përshtypjen
e një poezie “që po del nga eposi” si Bajram Curri nga shkëmbi, ndaj m’u kujtua
skulptura e mësipërme madje gjer në hollësi. Nuk më kishte rastisur të gjej në
poezinë bashkëkohore vargje të shkruara me stil të tillë, ndaj te komenti i shkruajta
pak a shumë diçka si: Një poezi brilante prej nga flet Puntorie Gjergj Elez
Ziba…Pas kësaj, kurioziteti mbi krijimtarinë e kësaj poeteje më shtyu të lexoja
dy poezi të tjera që ishin secila befasi më vete, ndonëse me tematikë krejt
tjetër:
PËRSËRI BIE BORË
Se ç’ke ra, e
ma ke zbardhë blozën n’sy
se ç’ke ra, e
rreth e m’rreth ke shtru bardhësi,
ti ke ra, e
bardhësinë ma fute n’gji.
Ah, s’muj me
u ndje ngijshëm me një kupë qiell bardhësi,
se çke ra, e
kanë me t’mblu kristale drite, përmbi
se çke ardhë,
o moj e bardhë
e n’tokë teme
ardhsh gjithnji
n’paqe
bardhësie, kockat tuj m’i shkri.
BRITMË
Kur ta lëshon
shpirti njat haramin e oxhakut
nga marazi që
mba për sytë e bukur të tokës madhe,
unë s'kam me
ba za
as prifti, as
hoxha n'minare ska me i këndu,
n'emën të
atit
as unë skam
me qa
as s'kam me
thirrë vajtojca n'konaqe
as vaji me
gjëmë s'do dëgjohet n'mëhalla t'epërme
as
varrmihësit s'do bëjnë punë kote
as turma, as
paria që s’mundi me i lidh krye
sdo
rreshtohet n’kortezh t'përmortshëm,
as dheut ska
me i ardh rand n'kurriz, kamba e tij.
Eh, oi,oi do
të lind dielli e do të qesh hëna n'sy t’pranverës,
do t'i thuri
këngë tokës teme
se kjo jetë
në këta vargmale të hijshme
nuk është e
rreme, oi, oi...
… ku poezia e
parë të sjell ndërmënd një këngë të
kënduar me lahutë ndërsaa e dyta të rrënqeth me ngjashmërinë me vajtimet me
ligje. Por do vinte kënga e Tanushës me
titullin “KËNGA E PËRNDRITUR” me vargjet befasuese që do më shtangte:
Unë jam
njëmijë vjet më e re se ti, Tanushë
lulëkuqe me
katër petale:
kam sy zogu
kam flatra
zogu
jam
flokargjend,
përngjaj me
mollë bejlegu
edhe hundën e
kam me kurriz.
Ti je njëmijë
vjet më e vjetër, Tanushë
gjithë nahia
të kishin lakmi
gjithë rinisë
i shkrepte mendimi
se vashë më
të bukur s’kishte lind në atë diell.
Ah, vetulla
yte si fiskajë
balli si
gjysmëhënë
syri si
kokërr qershie
goja e vogël,
gonxhe që shpërthen
edhe hundën e
kishe me kurriz.
..që më
krijuan ndjesinë e tre degë lisi zgjatur nga eposi i kreshnikëve në kohën tonë
dhe që më bindën plotësisht se kemi të bëjmë me një stil të ri poetik, ardhur miturak nga këngët epike
e rritur në poezinë e kohës sonë si një poezi origjinale, tipike, shqiptare.
III- Në krijimin e stilit
të veçantë poetik të Puntorie Muçaj-Ziba sigurisht që ka ndikuar origjina
familjare, arsimimi dhe kultura e poetes
si dhe situate politike e shqiptarëve, dje në Jugosllavi dhe sot në Republikën
e Maqedonisë së Veriut. Lindur në
Strugë në vitin 1954, e diplomuar në Akademinë Pedagogjike, dega Gjuhë dhe
Letërsi shqipe në Shkup poetja ka përjetuar repersionin serbo-sllav ndaj
shqiptarëve gjatë jetës së saj. Shpërbërja e Jugosllavisë dhe mosbashkimi i
shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut me shqiptarët e Kosovë në një shtet,mungesa
e një uniteti politik të shqiptarëve në R.M.V. gjë që ka bërë që ata të jenë
gjithmon minorancë politike dhe administrative ndonëse janë komunitet dominues
janë faktorë që kanë krijuar një gjëndje shpirtërore të trazuar te poetja. Si
intelektuale ajo e njeh mirë artin oral shqiptar në trevat shqiptare të Veriut,
në Kosovë dhe vendet e tjera të banuara nga shqiptarët.Ajo i njeh mire këngët
epike, baladat dhe legjendat, e njeh forcën e tyre identifikuese, rezistuese
dhe frymëzuese, e njeh artin e tyre rrezëllitës. Literatura serbo-sllave ka
synuar gjithmon mohimin e artit gojor shqiptar ndaj dhe këngëve epike, baladave
dhe legjendave shqiptare u kanë dhënë
një“pasaportë” serbo-sllave (1). Më shumë
se vjedhje kjo është mohim, një mohim i identitetit të tyre shqiptar në një
kohë që pikërisht te këto balada, legjenda dhe këngë epike qëndronte jo vetëm
identiteti shqiptar, por edhe historia e kombit dhe frymëzimi popullor për
rezistencë. Te këto lisa këngësh epike u mbështet Puntorie Muça-Ziba, aty gjeti
metaforën e poezisë, gjeti formën dhe “veshjen“e artit poetik dhe me erën që
frynte nëpër “lisat” e eposit i dha forcë fjalës së saj artistike.
IV-Duke
lexuar poezinë e Puntorie Muça-Ziba të duket se jeton në këngët epike.Nuk kemi
të bëjmë me imitim, nuk kemi të bëjmë me kopjim. Ajo “mori” ca bistakë lisash
dhe pasi i rriti si filiza në “farishten” e talentit të saj poetik, i mbolli në
lisnajën epike, ku marin të njëjtin ushqim me lisat, ku i lëkund e i përkund e
njëjta erë. Dhe fidani i lisit rritet vetëm si lis.
Qysh në
librin e saj të parë me titull “Rruga e mjellmës”botuar në vitin 1987 duket që
autorja po na flet nga lisat e një pyll të ri poetik, i ngjashëm apo pranë pyllit epik. Ndryshe nga
sa duket, lisat poetik të Puntorie
Muça-Zyba nuk janë identikë me lisat e
eposit. Këta janë lisa të rinj, të gjelbër, me degë të reja e trungje të fortë
në rritje ndërkohë që lisat e eposit
janë ca zgërboja stërshekullore me trungje kufo (bosh) nga brenda, me shumë degë të thara ku nuk vijnë më zogj
të ndërtojnë folenë e të këndojnë sepse pranvera e ka haruar rrugën për tek to.
Ndryshe nga
shumë poetë shqiptarë që kanë malet si pikë referimi apo ekuilibri, Puntorie
Muça-Ziba ka epikën si referim, ekuilibër dhe mbështetje. Në ndryshim nga
poetët e tjerë që malet nuk i “rinovojnë”, nuk i bëjnë të rinj, nuk u heqin
madje as dëborën kur vjen pranvera, Puntoria
jo vetëm që e bën Tanushën vetëm “njëmijë vjet të vjetër” (duke e
“rinuar” disa epoka dhe shekuj) “Ti je njëmijë vjet më e vjetër,
Tanushë/gjithë nahia të kishin lakmi/gjithë rinisë i shkrepte mendimi/se vashë
më të bukur s’kishte lind në atë diell..., por e aktualizon temën : Unë jam
njëmijë vjet më e re, Tanushë/ përngjaj me detin që oshëtin/shëmbëllej me malin
që rënkon/...Ti do të kuvendosh/ do të më pyesësh/fije e për pe:/në kam frikë
nga fisi/në kam frikë nga hija ime/në kam frikë nga ëndërrimet /në kam frikë
nga kënga e vrugët/në kanë mbet skllevër rrashtë djegur/në ka mbetur burrni në
vatër/në ka mbetur dyfek n’dollap...A nuk ju duket kjo poezi si një botë
poetike e zbritur nga lahuta ku ende jehon kënga epike. Kjo poezi është një
poezi e shtrirë në dy kohë, me epoka larg njera tjetrës por që kanë të njëjtën
frymëmarje, të njëjtin shpirt dhe që për ti lexuar duhet të “dish” te lexosh.
V- Pse poetja
preferoi stilin me vargje e frymë epike në poezinë e saj bashkëkohore? Arsyeja është
shumë e thjeshtë: poetja e jeton diskriminimin etnik të bashkëkombasve të vetë
në R.M.V.vuajtjen sociale, kanunorekështu që ajo dëshiron ta ndryshojë këtë gjëndje
dhe ta kthejë nënormalitet. Për këtë duhen ndërgjegjësuar së pari ata, të
diskriminuarit, të vuajturit.Fjala që dëgjojnë (në kuptimin që i binden), e
respektojnë dhe e besojnë shqiptarëtështë së pari fjala e epikës,e baladave dhe
legjendave dhe më pas fjala e kanunit.Fjala e ligjit dëgjohet me pahir, me
detyrim ndërsa fjala e femrës rrallë dëgjohet. Puntorie Muça-Ziba është kaq e
ditur sat ë kuptonte se si femër edhe duke folur me gjuhën e artit dhe poezisë të kohës së sotme, pakkush do e dëgjonte,
prandaj ajo zgjodhi që idetë dhe mendimet e saj t’i shprehte me gjuhën që dëgjohet
e respektohet më së shumti ndër shqiptarët, me gjuhën e epeve. Dhe unë ju them
se jaka dalur më së miri në këtë mënyrë.
Duke sjellur
frymën e eposit në poezitë e saj, ajo sjell te bashkëkombasit kujtimin e kohës
së tij plot kurajë, kushtrim e triumfe përballë armiqve dhe koncepteve negative
të jetës (dashuria e Halilit me Tanushën), kohë me solidaritet, besë e
mbështetje ndaj njeri tjetrit dhe dëshiron që këto cilësi dhe virtute të jenë
pjesë e jetës së bashkëkombasve të saj. Ndaj i ka vënë vetes misionin të flasë
poetikisht eposisht:Rroj me ju dëftue ca
andrra t’pathinjura. /Kam frikë t’mos mbeten t’pathana/e mund t’mi lëshoni
nëmët nëpër këmbë.(Rroj me ju dëftue) e ndërgjegjëshme që vargu dhe mendimi
i saj është i ri, i kohës sonë, problemet dhe shqetësimet e të cilës sjell me
fjalën e saj: Fjala ime/ sot kam dashur
me të dëgjue/ një botë e tërë/se një shekull të kam heshtë/ ./Dil fjalë
nga del shpirti/dil nga makthet/ se për kokë të shkronjave/hesht e
përtyp/Mos bëlbëlzo/çirru, le të dëgjojnë shtatë kupë qiej/se dem baba dem këtu
le…dhe shpirti shpërthen si geizer: kur
trazojnë plagët e shkronjave/të Manastirit/ më vjen sikur/../mi prenë kokat/e
profetëve të mi. (Për kokë të shkronjave). Është hera e parë që e dëgjoj
betimin “Për kokë të shkronjave” dhe ju siguroj se për poetët betim më
të shenjtë nuk ka. Qysh në vargjet e para e dallon se kjo është një poezi e
kohës moderne si në temë, në strukturën poetike dhe në ide pavarësisht fjalorit
tingëllues huazuar nga eposi, me synim.
VI-Puntorie
Muça-Ziba është një poete moderne që
mori nga epet frymën kushtrim për të rizgjuar shpirtin e bashkëkombasve për
ndryshimet që kërkon koha e tashme:
a)-në drejtim
aspiratave kombëtare: “Armiku im,/kur po do me dal/n’at atë fushë të
hapur /n’at mejdan shkallë ngritun/me ta pa dhimtën/me ta pa të zezën e
synit/të zezën e namit,/me të mbikëqyrur në skuqesh a zverdhesh/a, e ha turpin”
(N’dalsh në atë mejdan)…Le të shohim si ballafaqon dy kohë,
pasqyrim real i një "kohe" përmbys përballë një kohe të lavdishme
“heronjsh që vdesin me kullat në krah”.:“Vdiqën martirët therorisht/
vdiqën duke i mbajt kullat në krah,/./Vajtojcat ndukin faqet/qajnë nën
zë/anjtin sytë/mbyllin veshët/../t’mos shohin:/si hiqen zvarrë për një
monedhë/shtirakët lidhur kapistre /nga zogori bajlozësh” (Shkelje betimesh), kohë që poetja vajton
me ngashërime si grua, si nënë, si motër: “Ah, kur më vjen vaji i thekshëm
/kur më vjen/s’më shëmtohet as syri, as buza././Më mirë se gjithë gjindja,
qaj/se tokës i bie erë kërmë”(Ngashërime).
b)- në
drejtim të lirisë dhe barazisë së gruas: “Amanet
o shtegëtarë t’maleve/ n’ardhshi nadje kësaj zallishte/këngën me e ndal/vajin
me e ndal/se halli madh na ka zanë./O ju trima /kah veroni/kah dimëroni/kah
mjeroni/bjeshkë më bjeshkë/e vrri më vrri/kullë më kullë e shpi më ship/në i
zënçi pa trimni /në i pafshi pa burrni/mallkim të rëndë t’lëshon grania:/u
mykllofshin e u nxishin sarajet e tyre/bollë e nepërkë/paçin motër e vëlla”.
Duke përdoru vargun epikte kjo poezi poetja paraqet forcën e kërkesës për
emacipim e barazi shoqëroretë femrës. Asnjë formë tjetër poetike nuk e paraqet
më të plotë dëshirën e femrës që martesa
të mos bëhet sipas normave të kanunit port ë bëhet thjeshstë me dashurinë e
ndërsjelltë mes çiftit.. Vargjet “në i
zënçi pa trimni/në i pafshi pa burrni” vetëm formën kanë huazuar nga
eposi se në thelb kanë ide bashkë- kohore.Ka edhe një këndvështrim tjetër kjo
poezi dhe vargjet “në i zënçi pa
trimni/në i pafshi pa burrni”.Në konfliktet shqiptaro serbo-sllave
qofshin ato në Kosovë apo në R.M.V. gratë kanë qënë gjithmon objekt sulmesh
imorale nga paramilitarët serbë apo policia maqedonase. Shëmbulli i njohur i
Kosovës me mbi 20.000 dhunime grash e vajzash nga paramilitarët serbë më shumë
se dëshmi është një ulërimëshpirti që mbart mallkimin e grave dhe vajzave për dhunuesinserbo-sllav,
por që vala goditëse e saj kapte dhe bashkëshortët, të fejuarit apo të dashurit
e tyre që nuk bënë asgjë për ti mbrojtur nga kjo gjëmë. Poetja këtu lëshon
kushtrimin që së pari të vihen gratë dhe vajzat nën mbrojtjen e dhunës
militare-policore dhe këtë mbrojtje duhet ta sigurojnë prindërit, bashkëshortët,
të fejuarit dhe të dashurit e tyre. Duke mbrojtur gratë dhe vajzat mbrohet
kombi. Ju kujtoj se në folklorin shqiptar të këtyre trevave vajza e quan të
dashurin, të fejuarin dhe bashkëshortin e saj tëri me emërtimin “trimi im”
sepse ai së pari është një trim që i siguron mbrojtjen vajzës dhe gruas “me
trimni”. Kjo është detyra e parë e tij dhe në qoftë se ai nuk i siguron
paprekshmërinë vajzës, të fejuarës apo bashkëshortes së re atëherë “mallkim të rëndë t’lëshon grania:/ u
mykllofshin e u nxishin sarajet e tyre/bollë e nepërkë/paçin motër e vëlla”.
Ata nuk mund të jenë më “trima” dhe “burra” në sytë e vajzave që i dashurojnë,
të vajzave të fejuara me ta apo të nuseve të tyre të reja. Ato gjithë jetën do
kujtojnë që “trimi” i tyre, “buri” i tyre nuk ka as trimni dhe as burni dhe ata
s’kanë sy e faqe tu dalin përpara e jo më t’u kërkojnë dashurinë e shpirtit dhe
të trupit.
Me këtë rast
më lejoni t’ju kujtoj se asnjë poete shqiptare në Kosovë apo R.M.V nuk e ka
trajtuar me kaq forcë dhe artistikisht këtë dhimbje që fjalën e shndron në një
mallkim, mallkim që përhapet si valët rrethore në syprinën e liqenit kur hedh
në mes tij një gur.
Te poezia
tjetër (Në fron) godet brutalitetin bashkëshortornë familjet patriarkale
shqiptare ndaj grave: Ti je burrë/me
shtatë thasë sedër/./Ti je bajlozi i dalë nga dallga/ti je burri/ti je sedra/e,
ne nuk mbyllim sy/duke pritur/të zbresësh nga fuqia/të mbetesh pa kapistër/të
mbetesh pa fron.(Në fron).
Nga epika
Puntoria ka marë fjalën dhe stilin e përdorimit të saj : Të shitoftë orëliga/ që mi le shqisat hapur/gojë e sy shkrumb zunë/./Si
duhmë rrufeje/ pleqëria ti kishte hapërdarë/ flokët e thinjura (Pritja)… dhe lutet vetëm për një gjë: Ma lerni vjershën dhe lirinë/se do mbetem
cung/po mi morët të dyja/ (Psalm)
dhe flet dhimbshëm: Ç’mu duk korb
vetja/mua të gjorës/sikur mijra gishtrinj ma ndukën lëkurën….(Kur putha
sytë e një qyteti) për të vajtuar me fjalë: Të
shitoi zëri i vajit si kambanëz/ e të la me dy gisht fytyrë/.. /as hëna e
hënuar/as dielli i diellzuar... (Vaj për trungun) a për të vajtuar me
klithmë: Eh, oi,oi do të lind dielli e do
të qesh hëna n'sy t’pranverës/do t'i thuri këngë tokës teme/se kjo jetë në këta
vargmale të hijshme/ nuk është e rreme, oi, oi...(Britmë).
VII-Puntorie
Muça Ziba është e vetmja poete që lëvron poezinë moderne me vargjet epike, duke
na sjellur në kujtesë eposin, këtë pasuri të pamasë shpirtërore të kombit tonë,
duke dëshmuar se eposi nuk “i përket të kaluarës”, nuk është “mbyllur në
shpellë” bashkë me Mujin e Halilin, por është pjesë e jetës sonë në kulturën
familjare e shoqërore, në mendime e veprime.
Eposi nuk
është larguar prej nesh, disa nga ne janë larguar prej tij dhe për pasojë dhe
prej atdheut, ndërkohë që Puntorie Muça-Ziba i këndon Shqipërisë :O copëz Shqipëri/o copëz dritë,/o copëz
nur.../o moj hyjnore/mbi relievin e elozheve tua/më daltë njaj shpirt.. me
vargje poetike që ngjasojnë më së shumti me kurora luleshqerash thurur lëndinave
nga çupkat e vogla që i vendosin në krye gjatë valles së tyre miturake dhe më
pas i varin në degët e lisave aty pranë sepse është “Koha e qershive” dhe “Kur
ne të jemi në kohët e qershive do të jemi të gjithë në festë” shkruante Jean-Baptiste
Clément në një nga poezitë e tij,që Yves Montand do e bënte të pavdekshme në
këngën “Le temps de cerises”, Kohët e Qershive, ndonëse “është fare e
shkurtër koha
e qershive”(2) por mjafton që poetja të mbjellë
ëndrat poetikë.
Sarandë, shtator
2021
1-Mund të përmëndim variantet serbe të baladës së
murimit të Shkodrës, Këngët Kreshnike, Gjergj Elez Alia etj të mara nga
folklori shqiptar dhe të përkthyera apo përshtatura në serbo-sllavisht..
2- “është fare e shkurtër koha e qershive/si varëse koralesh që mblidhen nëëndra”
varg i fundit i poezisë së Jean-Baptiste Clément