| E enjte, 09.09.2021, 06:21 PM |
Cila është epoka e
ndryshimit!?
Shkruan:
Florim Zeqa
Padyshim
se përgjatë epokave historike, kemi figura të shquara nga fusha e politikës,
shkencës, letërsisë, artit apo sportit që me veprat e tyre madhore kanë lënë
gjurmë të pashlyera në kujtesën popullore dhe historike.
Epoka e Viteve të
Krenarisë Kombëtare
Kohëve
të fundit nga analist të ndryshëm politikë, kemi dëgjuar duke i ndarë
padrejtësisht epokat e zhvillimeve politike dhe shoqërore të këtyre tri
dekadave të fundit në vendin tonë: Epoka e Ibrahim Rugovës, Epoka e Hashim
Thaçit dhe Epoka e Albin Kurtit, duke aluduar në një qeverisje të gjatë të
këtij të fundit!
Epokën
e Ibrahim Rugovës do ta quaja ndryshe si epokën e rezistencës paqësore dhe
shtetformimit, epokën e luftës çlirimtare dhe të shtetndërtimit.
Vetëm
pas përmbylljes së një epoke apo cikli jetësorë të një politikani mund të
nxjerren konkludime logjike dhe përfundimtare. Andaj, pas shkuarjes në amshim
të presidentit historik, me të drejtë mund ta quajmë Epoka e Ibrahim Rugovës
apo Epoka e Viteve të Krenarisë Kombëtare, epokë kjo në të cilën ndodhi
homogjenizimi ynë më i madh dhe i papaparë ndonjëherë gjatë historisë, ku
ndodhi mrekullia e faljes masive të gjaqeve dhe ngatërresave, e cila kishte
prodhuar frikë dhe pasiguri tek regjimi okupues i Serbisë.
Thënë
ndryshe, në këtë epokë u vunë themelet e shtetit të Kosovës: Deklarata
Kushtetuese e 2 Korrikut 1990 para dyerëve të Kuvendit në Prishtinë, Kushtetuta
e Republikës së Kosovës e 7 shtatorit e po të njëjtit vit, e mbajtur në
Kaçanikun legjendar, Referendumi gjithëpopullor për Kosovën shtet sovran dhe të
pavarur të mbajtur prej 26-30 shtator 1991, dhe zgjedhjet e para të lira
pluraliste për Kuvendin e Republikës së Kosovës të mbajtura më 24 maj 1992, më
ç'rast zgjidhet edhe kryetari i parë i Republikës së Kosovës (Ibrahim Rugova)
më mandatin e Kushtetutës së Kaçanikut.
Pa
këto dokumente të rëndësishme historike, Kosova nuk do të arrinte dot as të
zhvillimet tjera të më vonshme që u kurorëzuan më luftën çlirimtare, e madje as
në 17 shkurtin e 2008-s, që shënon fillimin e njohjes formale ndërkombëtare të
Republikës së Kosovës, kërkesë kjo që i rrodhi nga goja presidentit historik
Ibrahim Rugova deri në frymën e tij të fundit.
Republika
e Kosovës për popullin shumicë të saj ekziston që nga 2 Korriku i vitit 1990.
Ekziston jo vetëm në kujtesën e popullit, por në të gjitha dokumentet e
shkruara zyrtare gjatë periudhës së funksionimit të shtetit paralel në
rrethanat okupuese e deri në ditët e sotme.
Ishte
përkrahja e madhe morale e materiale e mbarë popullatës (mërgatës) shqiptare,
ajo që e kishte bërë funksionale Republiken
e Kosovës në të gjitha nivelet, gjë e cila kishte çuar në shkëputjën
totale të institucioneve tona shtetërore nga institucionet e sistemit okupues
të Serbisë.
Në pritje të zhvillimeve
epokale
Sa
i përket “epokës” së personalitetit të dytë, Hashim Thaçit, as që ia vlenë të
ndalemi në vlerësime, për shkak se Ai nuk i krijojë, por ishte produkt i
rrethanave politike kombëtare dhe ndërkombëtare, ashtu siq ishte 17 shkurti i
vitit 2008.
Roli
i Hashim Thaçit në ngjarjen e 17 shkurtit 2008, nuk është më pak dhe as më
shumë sesa një lexues i nivelit mesatar i “Deklaratës së Pavarësisë, e pasuar
me hymn dhe simbole shtetërore, ndryshe nga ato të projektuara nga arkitekti i
shtetit të Kosovës, presidenti historik Ibrahim Rugova!
Nuk
dëshirojë të ndalem tani në të arriturat dhe dështimet politike të Hashim
Thaqit në 12 vjetët e qeverisjes së tij, për shkak se të gjitha janë të
arkivuara në mediat e shkruara dhe elektronike dhe të skalitura në kujtesën popullore.
Se
vërtetë Hashim Thaçi nuk ishte personalitet që e përcaktoi dhe e solli 17
shkurtin 2008 po ua dëshmojë me një argument të fuqishëm. Tetë ditë para se të
shpallej Deklarata e Pavarësisë së 17 shkurtit 2008, kur në Kosovë liderët
partiakë dhe shtetërorë bënin garë me njëri-tjetrin, se cili e “dinin” më mirë
ditën e shpalljes, në një takim zyrtar të “La Rete Interistituzionale” në
Cordignano (TV-Itali), në prezencën e qindra pjesëmarrësve, këshilltari komunal
i këtij qyteti, De Carlo Guido më urojë publikisht lindjen e shtetit më të ri
në Ballkan (Republikës së Kosovës), duke ua bërë të ditur të pranishmëve, se më
17 shkurt do të ndryshon harta gjeopolitike e kësaj pjese të Evropës.
Ndryshe,
për personalitetin e tretë, atë të kryeministrit aktual, Albin Kurti, është
herët për t’u dhënë vlerësime, për shkak të ndryshimit më shumë të
personalitetit të tij sesa të rrethanave politike në vend.
Se
a do të jetë vërtetë qeverisja e Albin Kurtit epokë e ndryshimit apo e
dështimit politik, mbetët të shihet në muajt apo vitet në vazhdim. E kaluara ka
ikur, e tashmja lenë pakë për të dëshiruar, të nesërmës ia kemi frikën…!
Lutem
për të ardhmen e ndritshme dhe prosperuese të vendit tim!