| E enjte, 09.09.2021, 06:55 PM |
Misioni i vështirë i ne demokratëve në stinën e re politike
Nga
Lediana Fratari
Nesër
hapet legjislatura e re parlamentare. Unë garova, por nuk ia dola të isha pjesë
e këtij parlamenti, pjesë e grupit parlamentar të PD-së, që fatkeqsisht, do të
duhet të vazhdojë të bëjë opozitën.
Megjithatë
unë do të vazhdoj të jem një demokrate aktive. Sepse unë jam një politikane e
re, që politikën e shikoj si mision dhe jo si vend pune. Sepse unë jam një
qytetare që mendon se qeveria e socialistëve nuk është thjeshtë e korruptuar,
por ajo është një e keqe e madhe për Shqipërinë dhe shqiptarët. Për këtë arsye
unë do të vazhdoj të jem një opozitare aktive.
Ne
demokratëve, nuk na duhet të bëjë vetëm opozitën e fortë dhe të pakompromis.
Por do na duhet të punojmë po aq fort për tu bërë një alternativë e besueshme,
me një projekt ekonomik dhe politik më të mirë. Sepse nuk mjafton që “ata” janë
të këqinj, që “ne” të jemi të mirë.
Sot
PD nuk është në gjendjen më të mirë që ka patur ndonjëherë. Zgjedhjet për
forumet drejtuese dhe riorganizimi, mesaduket nuk prodhuan një parti më
demokratike e më solide, por i dhanë krahë kontestimeve dhe kritikave. Ndërkohë
që Ambasada e SHBA, kërkon me këmbëngulje që një prej figurave emblematike të
saj, Sali Berisha, të mos shkojë në parlament.
Zgjidhjet
nuk janë të lehta. Por unë mendoj se lidershipi e ka pjekurinë e duhur politike
për të marrë vendime apo për ta orientuar partinë drejt zgjidhjeve të duhura.
Unë
mendoj se PD-së nuk i nevojitet një kurs përplasjeje me diplomacinë amerikane.
Sepse partneriteti politik dhe moral me këtë aleat të madh e të rëndësishëm
duhet të jetë i pandryshueshëm.
Unë
vij nga shtresa e ish të përndjekurve politikë. Ashtu si në fushatë elektorale,
unë premtoj se do të jem në çdo kohë me ta dhe për ta, në mbështetje të të
drejtave dhe interesave të tyre. Por unë jam e keqardhur që kjo shtresë është
kaq modestisht e përfaqësur në PD, edhe pse është një nga mbështetjet më solide
dhe më konservatore e saj.
Brenda
dhe jashtë parlamentit, të gjithë ne demokratët kemi tashmë një mision: Të
bëjmë një opozitë të fortë dhe reale, të denoncojmë qeverinë në aferat e saj që
po sigurojnë vjedhjen e buxhetit edhe për dekadat e ardhëshme, si dhe të
përgatisim Partinë Demokratike për zgjedhjet e radhës.
Duhet
ta dimë të gjithë se fakti që qeveria e socialistëve është e korruptuar nuk
mjafton që populli të na besojë neve drejtimin e vendit. Do të na duhet të
ndreqim shumë gjera edhe brenda vetes deri atëherë.
Historia
nuk do të na e falë nëse do të presim zgjedhjet me mendimin se “më në fund na
ka ardhur radha të vijmë në pushtet”.
https://www.facebook.com/fratarilediana/