Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Kastriot Dervishi: U burgos 16 vjeç, doli nga burgu 47 vjeç

| E premte, 03.09.2021, 08:50 PM |


U burgos 16 vjeç, doli nga burgu 47 vjeç

Nga Kastriot Dervishi

Unë nuk besoj se Mandela, që e marrin shembull të kohëgjatësisë së vuajtjes së dënimit, do dilte gjallë nga kampet dhe burgjet e regjimit komunist në Shqipëri. Ne kemi heronjtë tanë dhe nuk kemi nevojë për shembuj ndërkombëtarë. Prej kohësh kam evidentuar deri tani 1 mijë të dënuar që kanë vuajtur 15-38 vjet privim lirie. Njëri ndër ta është edhe Kujtim Rustem Aliaj (1940-1995), nga Çorrushi i Mallakastrës i cili vuajti 31 vjet, 4 muaj, 15 ditë, burgim të pandërprerë. U arrestua më 28.6.1956 në përpjekje për arratisje në sektorin e Kakavijës. U dënua me 5 vjet burgim. U ridënua me 25 vjet në vitin 1958 kur vuante dënimin në kampburgun e Punëtorisë së Artizanatit në Tiranë. Tentoi të arratisej nga Reparti nr.309 Rubik, në vitin 1963, së bashku me Ahmet Manxhar Hoxha (nga Kolonja e Gjirokastrës, pushkatuar në vitin 1979) Demir Sinan Shkoza (nga Priska e Madhe Tiranë, dënuar me vdekje). U dënua sërish me 25 vjet heqje lirie. U lirua nga burgimi më 13.11.1987.

(Nga disa dëshmia të marra, fotografia bashkëlidhur, në të cilën është Kujtimi në moshën 23 vjeçare, besohet se është bërë në prag të arratisjes së tij në vitin 1963 në Repartin nr.309 Rubik, sepse në këtë repart janë bërë nga një fotograf edhe foto të tjera për të dënuarit e reparteve 307 dhe 309, të cilat u janë dhënë të burgosurve. I shpreh mirënjohjen z .Eduart Aranitasi që pati mirësinë të ma dërgojë).