| E merkure, 01.09.2021, 09:26 PM |
A ISHTE VRASJA E MILLADIN POPOVIQIT NË PRISHTINË E ORGANIZUAR SIKURSE RASTI "PANDA" NË PEJË ?
Nga Ryzhdi
Baloku
Në
kohën e fundit është ri-aktualizuar çështja e vrasjes së komunistit Milladin
Popoviq, përmes shkrimeve të publikuara nëpër disa portale, artikuj këta që
pasqyrojnë këndvështrime dhe pikëpamje të ndryshme, se kush e vrau këtë
personalitet.
Si
dikur edhe tash mbisundon mendimi i një pjese të artikullshkruesve, se personi
që e vrau Milladinin ishte mësuesi Haki Taha. Mirëpo, edhe në anën tjetër kemi
një pjese të atyre që mendojnë të kundërtën, se atë e vranë shokët e tij të
luftës, mendim ky që vjen si rezultat aksiomës së njohur se pas fitores
"Revolucioni i ha bijtë e vet".
Për
ta brumosur më mirë përmbajtjen e këtij shkrimi, po i prezantojmë disa të dhëna
në trajtë nekrologjie nga e kaluara e afërt historike për këtë personalitet dhe
atentatorin hipotetik të tij, mësuesin Haki Taha.
Sipas
disa shënimeve, Milladin Popoviqi u lind me 23 maj të vitit 1910 në Mal të Zi,
nga nëna Stana Radonjiq (1889-1955) e fisit Kuq dhe babai Jevrem Popoviq
(1875-1958), i cili ishte oficer i ushtrisë malazeze dhe pjesëmarrës i luftës
së viteve 1912-1913, kohë kjo kur shtetet ballkanike luftonin për zaptimin e
tokave shqiptare.
Kur
ishte fëmijë, familja e tij u shpërngul në Pejë, ngase pushteti okupues i asaj
kohe u krijonte kushte të mira jetese familjeve malazeze e serbe të cilat vinin
për të jetuar në këtë vend.
Si
nxënës i shkollës së mesme ai i ndoqi mësimet në gjimnazin e Pejës, të
Prizrenit dhe të Prishtinës. Me përfundimin e shkollimit të mesëm, nisi
studimet në Fakultetin e Drejtësisë në Beograd.
Milladin
Popoviqi ishte anëtar i Partisë Komuniste të Jugosllavisë që nga viti 1934. Në
korrik të vitit1936, organizon demonstrata në Pejë kundër qeverisë së Millan
Stojadinoviqit. Në vitin 1937 themelon konferencën krahinore të Partisë
Komuniste të Jugosllavisë për Kosovë (e Metohi), ku edhe zgjedhet sekretar i
saj. Nga shtatori i vitit 1939 ishte komisar politik i Komitetit Rajonal për
Kosovën. Me 11 maj të vitit 1940 organizon demonstratat antifashiste në Pejë.
Në muajin gusht të vitit 1940 zgjedhet anëtar i Komitetit Krahinor i Partisë
Komuniste të Jugosllavisë për Malin e Zi, Bokën, Sanxhakun dhe Kosovën. Në
tetor të vitit 1941, sipas vendimit të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste
të Jugosllavisë, caktohet me detyrë partiake në Shqipëri, së bashku me Dushan
Mugoshën. Në shtator të vitit 1944 caktohet në postin e sekretarit politik të
Komitetit Rajonal të Partisë për Kosovë, me vendim të Komitetit Qendror të
Partisë Komuniste të Jugosllavisë.
Gjatë
luftës Milladini njihet me nofkën Ali Peja, Ali Gostivari etj.
Pas
arrestimit dhe dërgimit të tij në kampin e përqendrimit, lirohet pas një kohe
me ndihmën e komunistëve të Shqipërisë.
Milladin
Popoviqi vdes me 13 mars të vitit 1945 në Prishtinë, pas një atentati të kryer
ndaj tij, ndërsa me 12 mars të vitit 1946 shpallet hero i popullit të
Jugosllavisë.
Sa
i përket biografisë së mësuesit dhe poetit Haki Taha, sipas shënimeve që kemi
në dispozicion thuhet se u lind në vitin 1913 në Gjakovë. Shkollën fillore e
nisi në vendlindje, ndërsa e kreu në Krumë të Hasit në Shqipëri. Gjimnazin e
ulët e kreu në Shkodër, ndërsa shkollën "Normale" në Elbasan, në
vitin 1939, kur edhe u emërua mësues në Shënavlash të Shqipërisë. Në vitin
1941, erdhi në vendlindje me grupin e parë të mësuesve, të cilët kishin ardhur
në Kosovë, me vendimin e qeverisë së shtetit shqiptar.
Ndonëse
Haki Taha ishte antifashist për nga bindja, gjatë tërë kohës së luftës, nuk iu
bashkua Lëvizjes Nacionalçlirimtare, për arsye se kishte mosbesim ndaj
bashkëpunimit me serbë e malazezë. Megjithëkëtë, ai njëherazi as nuk u hodh në
luftë të kundër kësaj Lëvizjeje. Pra, gjatë tërë kohës së luftës, Haki Taha
mbeti vetëm mësues, pa hyrë në shërbim të askujt.
Në
vitin 1942, kur Kosovën e vizitoi kryeministri i atëhershëm i shtetit shqiptar
Mustafa Kruja, Haki Taha ishte njëri nga ata që i organizoi të rinjtë e
Gjakovës që me flamur kombëtar e pa shenjat fashiste t'i dilnin përpara dhe të
kërkonin nga ai që në Gjakovë të hapej Shkolla Normale e jo ajo tregtare, siç
kishte vendosur qeveria e tij. Këtë kërkesë, në emër të të rinjve gjakovarë e
kishte parashtruar përmes fjalimit të tij Vehap Shita, asokohe nxënës i
Gjimnazit të Prishtinës. Kështu, pas vizitës së cekur të kryeministrit, hapet
dega e Shkollës Normale pranë Institutit Tregtar në Gjakovë, me drejtor Zekeria
Rexhën, kurse dega e tregtisë pranë këtij Instituti thuaja se u shua fare.
Sipas
disa shkrimeve thuhet se Haki Taha bëri vetëvrasje në mars të vitit 1945 në
Prishtinë, me qëllim që OZN-ës jugosllave mos t'i bie në dorë, pas vrasjes së
Milladin Popoviqit.
Një
numër i atyre që janë marrë me këtë çështje deklarojnë se e vërteta e ngjarjes
lidhur me vrasjen e Milladin Popoviqit dhe vetëvrasjen apo vrasjen e vetë Haki
Tahës, konsiderohet si ende e pandriçuar sa duhet. Mirëpo, për më shumë se pesëdhjetë
vjet Enver Hoxha ishte i bindur, se “Miladin Popoviqin e vranë prapa krahëve
njerëzit e UDB-ës, sepse ishte shprehur për të drejtën e popullsisë shqiptare
të Kosovës për vetëvendosje ”, e që me një rast tjetër mu për këtë ngjarje ai
thotë: "Haki Taha në fund të jetës u përdor si kamikaz i UDB-ës për t'ia
shuar jetën një jugosllavi më pro-shqiptar". Në këtë kontekst, mendimin
pak më ndryshe e gjejmë në një artikull të publikuar për këtë ngjarje, ku në
mes tjerash shkruan se në pyetjen që i ishte parashtruar Fadil Hoxhës (i cili
ka qenë shok shkolle me Haki Tahën) në prezencë të shefit të kabinetit të tij,
Masar Murtezait, me citim paraprak të një deklarimi, se akademiku, historiani
dhe publicisti Vlladimir Dedier, i cili për çdo gjë që ka shkruar, është
mbështetur në dokumente konkrete, ndërsa lidhur me atentatin ndaj Milladinit ka
thënë: "Dosjen për vrasjen e Milladin Popoviqit nuk e kam parë kurrë, por,
siç më kanë thënë, atë e ka vrarë Haki Taha…" ? Pas këtij parafrazimi të
mendimit të Dedierit, Fadil Hoxha me atë rast pasi ishte menduar pak kishte
thënë: "Edhe unë mendoj, se Haki Taha e ka vrarë Milladinin. Ai ka qenë
nacionalist i madh dhe me këtë ka dashur që të mbetet në histori".
Në
një artikull tjetër lidhur me këtë ngjarje shkruan se pishtari i arsimit Mehmet
Gjevori kishte deklaruar: Kur erdhi në punë Minush Lipoveci, tregoi se e kishte
pasur në konak Haki Tahën disa ditë më parë, kur ishte në udhëtim e sipër për
në Prishtinë. Ai tha se Hakiu ishte shumë i sëmurë, i zhgënjyer dhe i shqetësuar.
Po interesohej për të shkuar ndokund për mjekim. Megjithatë, në ndarje i kishte
thënë Minushit: "Ke për të dëgjuar për mua dhe për veprën time!"
Këtij i ishin bërë merak ato fjalë dhe sjellja e shqetësimi që e kishte kapluar
Hakiun. Shpejt pas kësaj u dëgjua për vrasjen e Milladin Popoviqit në
Prishtinë, e më vonë edhe për vrasjen apo vetëvrasjen e Haki Tahës.
Përkundër
këtyre dy deklarimeve, ekzistojnë mendime të kundërta lidhur me këtë atentat,
të cilët e analizojnë atë ngjarje si vijon: "Nëse pesë rojat partizane që
ruanin komandantin e qarkut të Kosovës, në 15 marsin e vitit 1945 bënin një
lojë të vërtetë shahu, apo një lëvizje të detyruar filash, kjo ka mbetur një
enigmë më vetvete. Por, e sigurt është se vëmendja e tyre u shqetësua pak nga
figura e gjatë e një djaloshi 28-vjeçar, që s’u foli dhe drejtoi sytë e gjelbër
nga hyrja e ndërtesës së Komitetit Krahinor të Kosovës. Pak minuta më vonë, po
këta sy paksa më të turbullt iu drejtuan daljes, përsëri pa tërhequr vëmendjen
dhe pa shqetësuar lojën e partizanëve jugosllavë. Në çastin që Milladin
Popoviqi do të gjendej i ekzekutuar me tre plumba, dy në gjoks e një në kokë,
mbi tryezën e tij të punës, sipas një versioni ballkanik të “herostratit”, me
fishekët e mbetur të 15-shes, gjakovari Haki Taha do të vriste veten publikisht
në qendër të Prishtinës".
Në
bazë të shkrimeve të deritashme për këtë ngjarje, ekzistojnë tri versione:
-
Versioni të cilin e lansoi pushteti sllavo-komunist dhe organet e sigurimit
shtetëror jugosllav, se Haki Taha është "vrasës i paskrupull" i
Milladin Popoviqit,
-
Versioni që qarkullon në opinionin e gjerë dhe ndër të afërmit e Haki Tahës se
këtë atentat vërtet e bëri Haki Taha, por me vetëdije të plotë dhe me
paramendim si vepër patriotike e gjest heroik, i cili mund të krahasohet me atë
të atdhetarit Avni Rrustemi kur e vrau në Paris tradhtarin më të madh shqiptar
të të gjitha kohëve - Esad Pashë Toptanin, dhe
-
Versioni të cilin e përkrahin edhe disa historianë shqiptarë, se Haki Taha
është vetëm viktimë e lojës së ndytë e OZN-ës jugosllave, për t'i fshehur
vrasësit e vërtetë të Milladinit.
Ndoshta
vlen për të cekur në këtë shkrim lidhur me këtë ngjarje se, qysh në moshën e
fëmijërisë kisha dëgjuar lidhur me thënien e nënës së Milladinit, e cila në
praninë e një numri të njerëzve në Pejë kishte deklaruar se djalin e saj nuk ia
kanë vrarë shqiptarët. Mirëpo përkundër këtij deklarimi, popullata nuk ka
guxuar ta komentojnë në kurrfarë rrethane atë mohim lidhur me vrasësin e birit
të saj, të cilin e kishte pikasur pushteti.
Meqë
im vëlla Remziu, tashmë i ndjerë, qysh si i ri ishte kyçur në lëvizjen ilegale
NDSH e më vonë edhe si themelues i Organizatës BTSH dhe kishte njohuri të
mjaftueshme për shumë ngjarje, e kam pyetur dhe biseduar disa here lidhur me
çështjen e kësaj vrasjeje, pas daljes së tij nga burgu në vitet e shtatëdhjeta.
Gjatë asaj bisede më pat thënë se sipas njohurive që kishte, Milladinin e ka
vra Vasa Bogdanoviqi me direktivë dhe organizim nga OZN-a.
Lidhur
me këtë temë, tash vonë pas luftës së fundit, një mik imi i letrave nisi të
shkruajë në një portal, lidhur me vrasjen e Milladinit, duke ngulmuar në
heroizmin e Haki Tahës si atentator i tij. Kur pas atyre shkrimeve i komentova
në rubrikën përkatëse të "facebook-ut" se vrasja e Milladinit mund të
ishte e njëjtë si Rasti "Panda" në Pejë, ku babai i njërit prej
viktimave, Dragi Stanojeviqi u ishte përgjigjur kolegëve të punës se djalin e
tij nuk ia kanë vrarë shqiptarët, mu ashtu siç kishte deklaruar dikur edhe nëna
e Milladinit, Stana, ai gati u çmend, nuk zgjodhi fjalë për të m'u kundërvënë,
fjalë këto që nuk i prisja nga ai, ngase njiheshim prej kohësh, si bashkëvendës
i im.
Si
përfundim po e rrumbullakoj këtë shkrim me shpresë që një ditë do të fryjë era
e demokracisë edhe në Serbi dhe do të hapen arkivat e shtetit në Beograd, me
ç'rast do të shpalosen në detaje faktet rreth organizimit të vrasjes së
Milladinit dhe shumë ngjarjeve të tjera enigmatike që janë sajuar dhe
organizuar nga shërbimet sekrete serbe, e të cilat deri tash kanë mbetur të pa
sqaruara sa duhet.