| E merkure, 01.09.2021, 05:27 PM |
SHERIF MERDANI - ASKUSH NUK DO TË KTHEHET NË VENDIN E FATKEQËSISË
Nga
Sadik Bejko
Sherif
Merdani u nda nga jeta më 29 gusht 2021. 81 vjeç. Ai ishte një nga zërat më të
bukur të muzikës së lehtë në Shqipërinë e viteve ‘60-‘70 të shekullit që shkoi.
Ai bëri 16 vjet burg se këndonte bukur këngët e muzikës së lehtë shqiptare dhe
këngë të Al Banos, të Tom Xhons etj.
Për
atë u bënë kallëzime nga njerëz të vënë prej Sigurimit. Ata e denonconin në
fshehtësi për mendimet që Sherifi shprehte në bisedat me ta, mendime që i pëlqenin
autorët e njohur botërorë të muzikës së lehtë. Që nuk i pëlqente muzika me
curle e me daulle e fshatrave të Shipërisë, etj. Këto ishin “krimet” e Sherifit
për të cilat më 1973 u dënua me 8 vjet burg.
Sherifi
në ato vite të suksesit ishte i ri, i pashëm, bojë gruri në fytyrën me sy të
mëdhenj në një blu plot shkëlqim. E donin vajzat. E donte jetën. Ishte i
kënaqur nga që e kishin lejuar të këndonte, të dëgjohej në skena, në festivale,
në Radio-televizion. Sherifi nuk kishte ndërmend të dilte kundër shtetit.
Kundër rendit apo ligjeve të kohës.
Sherifi
vërtet që as nuk e shkonte ndërmend një përplasje me shtetin, por shteti atij i
ishte vënë pas me spiunë, me sekretarë partie, me mbledhje të fshehta gjer në
mesnatë, mbledhje në Librazhd, në Lidhjen e Shkrimtarëve dhe të Artistëve, në
Radiotelevizion, mbledhje me relacione vrasëse, sekrete, që shkonin deri në
kupolën më të lartë të Partisë. Shteti po kërkonte kokën e artistëve dhe të
shkrimtarëve, i kishte shpallur armiq dhe i kishte hedhur ata në thonjtë e
zyrtarëve të pashpirt, në duart e partiakëve të mykur, të sigurimsave dhe të
gjyqtarëve të cilët vërtet kujtonin se me këngë, me poezi, me drama mund të
rrëzohej pushteti i tyre. Këtyre zyrtarëve u erdhi dita t’u vinin hakut
artistëve, të cilët ishin aq hundëpërpjetë e të paespektueshëm me ta ngaqë
i donte e çmendej për ta publiku.
Me
Sherifin shteti i kohës kishte dhe një armiqësi të fshehtë, armiqësi që nuk
buronte nga mospëlqimi i tij për këngët e barinjve dhe të bujqve, apo nga
pëlqimi i tij për bitëllsat dhe grupet më të njojhura muzikore të viteve ‘70.
Ku duket kjo? Te ajo që nuk u mjaftuan me dënimin me 8 vjet burg, shoqëruar me
punë të rëndë nëntoke në Spaç që ia dhanë më 1973. Atje në burg atë e ridënuan
edhe me 10 vjet të tjerë se nuk pranoi të bëhej spiun i Sigurimit.
Cila
ishte kjo arsye e fshehtë?
Sherif
Merdani ishte me origjinë nga një familje e pasur korçare. Me këtë prejardhje
familjare ai nuk mund të merrte arsim të lartë, ... por diçka ndryshoi.
Me
ardhjen e Hrushovit në pushtet u hoq lufta e klasave për brezin e dytë dhe të
tretë të familjeve “me biografi të keqe”. Fëmijtë me prejardhje pronarësh e
tregtarësh do të lejoheshin të vazhdonin universitetin dhe më pas të
punësoheshin në administratën e shtetit. Nga kjo zbutje e luftës së klasave
përfituan fëmijët e familjeve korçare të Fundove, të Merdanëve, të Hysenbegasve
etj.
Më
pas shteti shqiptar do të pendohej për këtë lëshim politik. Disa nga këta bij
të të pasurve të dikurshëm do të pushoheshin nga puna për shkak të origjinës së
familjeve të tyre. Disa do të bëheshin shembull për keq e do të degdiseshin zi
e më zi burgjeve, internimeve sa të mos ngrinin më kokë.
Në
narativën e gjithë së majtës botërore përmendet F. G. Lorka si poeti i vrarë e
i dhunuar nga fashizmi.
Nuk
dua të vë shenjë barazimi me Lorkën, ai e pagoi për bindjet e tij të majta, por
komunizmi shqiptar dënoi me eliminim të talentit artistik poetë, piktorë,
shkrimtarë, këngëtarë. Stavri Rafael, Llukë Kaçaj, Sherif Merdani janë disa nga
zërat e bukur të skenave shqiptare që u kalbën burgjeve, me një urrejtje ndaj
tyre sa ata duhet të dënoheshin e ridënoheshin derisa të vdisnin edhe
fizikisht, të mbeteshin burgjeve. Këta u dënuan me etiketa politike, por në
fakt ishin thjesht artistë të papërshtatshëm me shijet e shtetit për artin.
Vetëm kaq.
Në
Shqipëri përmendet me shenjën e negativitetit maksimal togfjalëshat
"terrori fashist", "fushatë fashiste", "fashizmi i
zi" etj. Po nuk thuhet "komunizmi i zi" (Libri i zi i
Komunizmit), "terrorizëm komunist", . .. Antikomunizmi u përdor në
politikë nga klani i ish-komunistëve në pushtet kundër klanit tjetër po
komunist, por në opozitë.
Nuk
di sa shembuj të një politike të tillë mund të ketë në botë. Për dje dhe për
sot. Këtu tek ne komunizmi (i zi) vazhdon të mbetet i bardhë. Dalëngadalë
pinjollët e familjeve të mëdha komuniste erdhën në pushtet. I ke edhe sot. Disa
nga ata që denoncuan Sherifin apo Lukë Kaçajn u dekoruan si Mjeshtra të
mëdhenj, si Nder i Kombit.
Sherifi
dhe shokët e tij duhet të kërkonin punë për të jetuar te pushtetarët e rinj, të
cilët ishin bij të etërve që Sherifin e patën ndëshkuar. Bota e pasburgut pak
kishte ndryshuar.
Burgu
i gjatë, puna e detyruar, përndjekjeja e verbër, kjo situatë mosndëshkimi, bënë
atë që tek disa prej artistëve si Sherifi u vra nervi për të urryer të keqen,
për të protestuar kundër saj.
Sherifi
nuk denoncoi asnjeri, nuk kërkoi drejtësi, nuk kërkoi që të evidenconte ato
vlera që ai dhe një brez artistësh si ai, i ngritën në një lartësi që nuk
kishin qenë më parë. Disa si Justina Aliaj etj, ikën jashtë vendit. Këta
artistë të shquar që e pësuan, nuk bën koncerte retrospektive që të rikëndonin
këngët e tyre dhe të autorëve botërorë të kohës së tyre, këngë për të cilat dhe
u dënuan dhe e paguan keq. Ata duhet ta tregonin veten dhe duhet t’i afishonin
vlerat që mbeten të tilla edhe sot. Vlera që, së paku, mbeten të pashlyera në
vijën historike të artit muzikor shqiptar.
Por
komunizmi dhe burgjet ata i vranë edhe pas burgut. Nuk u kthyen te vlerat e
dikurshme, mbase se askush nuk do të kthehet në vendin, në kohën e fatkeqësisë.
Nuk do të vihet në rrethanat, në shoqëritë ndër njerëzit ende mbartës të
shenjave të fatkeqësisë.
E
ftova, po nuk më erdhi në koncertin tim recital, tha Justina Aliaj.
Këta
ishin autorë që i ikën, iu fshehën historisë. Mbase ata nuk besonin më tek ajo.
Historia i kishte braktisur dikur dhe tani ajo nuk mund të ishte një zonjë te e
cila mund të kesh besim dhe prej së cilës mund të shpaguhesh me drejtësi.
Shumë
nga këta autorë e panë se ishin zbuar me fshesë nga skena dhe provuan të
jetojnë të vetmuar, në fshehtësi, të zgjidhin halle të jetës së përditshme, t’u
përulen gëzimeve të vogla jetike, të ulin kokat që mos t’i shohin kur jetojnë
si të harruar e të mallkuar nga ajo jetë, nga jeta artistike së cilës dikur i
besuan dhe i dhanë aq shumë talent, energji.
https://www.facebook.com/sadik.bejko.3