| E enjte, 26.08.2021, 07:14 PM |
Blerim
Latifi:
Ishte
viti 1910. Vilajeti i Kosovës vlonte nga trazirat dhe kryengritjet. Perandoria
Osmane po numëronte ditët e saj të fundit në territoret etnike shqiptare dhe
shtetet ballkanike po bëheshin gati t'i ndanin mes vete ato.Shqiptarët,
ndërkaq, ndodheshin në udhëkryqin e historisë, të dezorientuar dhe pa vizion të
qartë se nga duhej të ecnin. Në ato ditë, në Shkup, do të lindej Gonxhe
Bojaxhiu, vajza shqiptare që më pas do të bëhej Nëna Terezë. Gjatë shekullit
XX, shekull të cilin historiani i njohur britanik Eric Hobsbawm me të drejtë e
quajti "Epoka e Ekstremeve", Nëna Terezë do t'ia kushtoj gjithë jetën
e saj kauzës së humanizmit e solidaritetit me viktimat e kësaj epoke.
Në
shtatorin e vitit 2016 pata rastin të marrë pjesë në ceremoninë e shenjtrimit
të saj, e cila u zhvillua në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan. Kurrë nuk do ta
harroj momentin kur derisa Sekretari i Papës po lexonte biografinë e Nënë
Terezës dhe origjinën e saj shqiptare, dikush, nga masa e mbledhur aty, e
ngriti lart një flamur kuq e zi. U ndjeva krenar që i takoja kombit i cili i
kishte dhënë botës shenjtorën më të madhe të kohëve moderne.