| E enjte, 19.08.2021, 06:20 PM |
LIBËR QË SJELL NJË PËRVOJË TË RE NË TRADITËN TONË
Si
mjeshtër i ngjyrave dhe i tonaliteteve që dalin prej tyre, Gani Bytyçi ka ditur
të nxjerrë një portret, pak a shumë të
panjohur, por tepër të ngrohtë e njerëzor, të prof. Anton Nikë Berishës. Atij i
është dashur të ndjekë disa linja rrëfimi për të sistemuar gjithë “armaturën”
në shtyllat kryesore mbi të cilat qëndron ky libër.
Nga
Emin AZEMI
E
kisha lexuar dikur më herët, dhe nuk e di pse më kishte mbetur në një skutë të
kujtesës, një thënie e shkrimtares dhe eseistes kroate Dubravka
Ugreshiq: “Të prodhosh libra, s’do të thotë të prodhosh letërsi”.
Mirëpo, derisa e lexoja dorëshkrimin e Gani Bytyçit “Kuvendim i pambaruar me
Anton Nikë Berishën”, që për mua nuk ishte ndonjë e papritur, pasi që në
njëfarë mënyrë edhe vetë isha bërë bashkëpjesëmarrës i tërthortë në procesin e
këtij libër-bërjeje, megjithatë m’u desh t’i bëja një përshtatje thënies së
shkrimtares kroate.
“Disa
tema e ide kishin kaluar nëpër një proces krijues, edhe pa u bërë ende libra”.
Ky
do të ishte, afërsisht, varianti i përmbysur i thënies së Ugreshiqit, që do t’i
shkonte pak a shumë natyrës së krijimit të këtij libri, dhe nuk do të them
asgjë të re nëse zbuloj, tashmë kur ai ndodhet në duart e lexuesit, pra edhe në
duart e kryeprotagonistit tonë – prof. Anton Nikë Berishës, se kam
lundruar nëpër një ndjeshmëri të ngrohtë e tepër miqësore në momentin kur
shkrimtari dhe piktori, Gani Bytyçi, kishte vendosur të ndante me mua një
fshehtësi, që duhej ta dinim vetëm unë dhe ai.
Pra,
ishim marrë vesh me Ganiun që të thyejmë një rutinë në traditën e shënimit të
ditëlindjes së studiuesit, shkrimtarit e mikut tonë të dashur, prof. Anton Nikë
Berishës, duke i dhuruar atij një libër dedikues për ditëlindjen e tij, i cili
do të ndërtohej mbi një proces të natyrshëm bashkëbisedimi në mes tij dhe
Ganiut. Pra, kjo ishte ajo “dhurata” (torta) në formë libri me të cilin ne
donim disi të ndërhynim, pak a shumë, në mënyrën e tryezës së një feste, që
njeriu e shënon një herë në vit.
Ndoshta,
fillimisht, edhe Ganiu nuk e ka pasë idenë se bashkëbisedimi me prof. Antonin,
mund të të nxirrte në një vokacion shkrimi që krejt pahetueshëm të grishë të
bësh libër, prandaj isha munduar që ta inkurajoj, që sipas një ritmi dhe ecurie
jo të rëndomtë, të fillojë ta ndërtojë strukturën e librit të tij, bazuar në
ato detaje që atij do t’i bënin përshtypje nga bisedat telefonike me prof.
Antonin, e që ende, për shkaqe objektive, nuk e ka përmbyllur harkun e plotë
përmbajtësor.
Mbase
krejt kjo ide u ngjiz duke ia bërë një “tradhti” të vogël prof. Antonit:
ai nuk po e dinte se bashkëbisedimi me të do të shndërrohej në një materie të
strukturuar tekstore që do të futej brenda kopertinave të një libri.
Nuk
është hera e parë që libra të tillë bëheshin mbi modele të ngjashme
bashkëbisedimi, por rrallë herë kishte ndodhur që bashkëbiseduesi të mos dinte
se po bëhej subjekt i një libri. Pra, prof. Antoni jo vetëm që nuk e dinte se
Ganiu me të po bënte një “xhiro të gjatë shëtitjesh” nëpër tema e
ide, nëpër vepra e autorë, nëpër kohë e hapësirë, që nga Aristoteli e deri te
Mikelangjeloja, që nga Antika deri te Renesanca, që nga De Rada deri te Anton
Pashku, por ai as që mund ta merrte me mend se në një distancë disa mijëra
kilometërshe, përmes telefonit, po jepte “leksione falas”
nga çështje të studimit të letërsisë, nga estetika, nga filozofia e
arti. Dhe, Ganiu, si një “student i përkushtuar” po shënonte në
shiritin e kujtesës dukuritë më të qenësishme të bashkëbisedimit për arsye se
çdo imtësi, çdo ndërhyrje dhe çdo mikrongjarje atij do t’i hynte pastaj në punë
për të ngritur në këmbë atë krijesë që më vonë do të merrte formën e librit.
Gjithsesi,
ky bashkëbisedim nuk do të mund të ishte kreativ e intelektalisht i mbathur
mirë për nga përmbajtja dhe stili, sikur të mos ekzistonte që në thelb të
gjakimit edhe një prirje e vetë autorit për të nxitur e shkoqitur tema e ide që
atij i janë dukur më me vlerë e më të rëndësishme.
Mund
ta marrim me mend se si para çdo bashkëbisedimi, atij i është dashur të sistemojë
në kutinë magjike të laboratorit krijues dijet teorike dhe përvojën e tij
krijuese, në mënyrë që biseda të plotësonte disa nga kriteret për t’u
konsideruar të denjë për t’u përfshirë e për të bërë pastaj një libër.
Meqë
e kam ndier nga afër drithërimën e asaj që prodhonte ngacmime tek autori pas
çdo bashkëbisedimi me prof. Antonin, nuk e kam pasur vështirë ta distancoj për
pak çaste Ganiun nga qarku i ngushtë i subjektivizmit që krijon miqësia,
dhe ta krahasoj me një Cvajg, Kapuçinski, Falaçi etj. të cilët gjatë procesit
të ndërtimit të subjekteve e profileve njerëzore në reportazhet e tyre
brilante, kishin përdorur letërsinë si një “daltë” pa të cilën nuk do të
formësoheshin disa nga pasazhet brilante të rrëfimit. Edhe tek Ganiu, ngjashëm,
letërsia u përdor si një “daltë” për të nxjerrë nga shiriti i gjatë i
bashkëbisedimit bërthamat më të pastra fabulore, që u modeluan sipas një
arkitekture të menduar mirë tekstore.
Metodologjia
e bërjes së këtij libri është bazuar në formën e një ditari që autori e thurte
për çdo ditë, duke krijuar një pëlhurë të gjerë rrëfimi. Si mjeshtër i ngjyrave
dhe i tonaliteteve që dalin prej tyre, Gani Bytyçi ka ditur të nxjerrë
një portret, pak a shumë të panjohur, por tepër të ngrohtë e njerëzor,
të prof. Anton Nikë Berishës. Atij i është dashur të ndjekë disa linja
rrëfimi për të sistemuar gjithë “armaturën” në shtyllat kryesore mbi të
cilat qëndron ky libër.
Një
prej atyre shtyllave, sipas Ganiut, ka qenë ideja që përmes bashkëbisedimit me
njërin nga studiuesit dhe shkrimtarët më të shquar bashkëkohor të letrave
shqipe, Anton Nikë Berishën, të përçojë tek lexuesi disa nga përvojat krijuese
dhe dijet teorike letrare të tij. Kjo del pahetueshëm edhe nga qëllimi i
autorit që bashkëbiseduesin e tij ta quaj një “enciklopedi e gjallë letrare”, i
cili në tryezën e punës mbante shkrimtarët e preferuar, ose “mbretërinë e
tij letrare”.
I
rrethuar nga kjo mbretëri, prof. Antoni në sytë e Gani Bytyçit dilte një
eruditi për arsye se “sa herë të flasësh me të, ai nxjerr një detaj nga
jeta, një varg nga poezia, një nuancë nga kuptimi”.
Një
shtyllë tjetër mbi të cilën rëndon pesha e përsiatjes filozofik e estetik
të këtij libri, është ideja e autorit që përmes bashkëbisedimit kreativ me
prof. Antonin të depërtohet edhe në vet procesin e ndërlikuar të krijimit. Ky
mbase është edhe një përfitim mjaft domethënës edhe për letrarët e rinj, të
cilët do të mund të mësonin detaje të panjohura nga përvoja krijuese e
hulumtuese e prof. Antonit, sepse ai gjatë bashkëbisedimit kishte nxjerrë disa
nga “sekretet” e tij të të shkruarit, por dhe të autorëve që ai i
kishte njohur personalisht.
Një
përfitues i kësaj “shkolle krijimi” del të jetë edhe vet autori i këtij libri,
Gani Bytyçi, i cili edhe e pranon se gjatë bisedës me
Profesorin (gjithkund në libër e shkruar me germë të madhe), ai kishte
mësuar gjëra me vlerë që do t’i shërbenin në përvojën e mëpastajme krijuese, po
njëherit edhe vetë e dëshmon një dije e aftësi për t’i thënë e shtruar gjërat.
Ky
libër, që përmban në vete elemente të kronologjisë dhe ditarit, i shkruar me
pasionin e autorit që është tepër kureshtar për fshehtësitë e padukshme të
artit dhe të gjithë asaj që e bën një vepër të plotë për nga përmbajtja, ideja,
teknika e krijimit, do të shënojë edhe një sukses në eseistiken tonë bashkëkohore.
“Sa
herë që bisedoja me Profesorin, doja që ai të fliste më shumë”. E thotë këtë
autori i librit, teksa depërton në shtresat më komplekse të problematikave që
ai i mbarështonte gjatë bashkëbisedimit, duke i dhënë prof. Antonit edhe një
atribut me plot meritë – atë të “ciceronit” në eksplikimin e
hapësirave të paana të letërsisë, të artit, të estetikës e të filozofisë.
Pra, autori dëshironte që “Profesori të fliste më shumë”, ndonëse, siç e
thotë ai, “kur flasim me Profesorin, asnjëherë nuk e dimë se kur fillonte
biseda dhe kur mbaronte”.
Gani
Bytyçi, përmes këtij libri, sjell një përvojë të re tekstore, që do t’u
shërbejë edhe autorëve të tjerë për t’i shndërruar komunikimet e tyre me
krijuesit në testamente shpirtërore.
Këtë
angazhim intelektual e krijues të autorit, Gani Bytyçit, do duhej kuptuar edhe
si mirënjohje për përkushtimin e pareshtur dhe punën e madhe të Anton Nikë
Berishës, në fushën e krijimtarisë dhe të studimeve letrare. Them kështu edhe
për faktin se mos vëmendja shoqërore e institucionale ndaj njerëzve të dijes
është shndërruar në një ‘infarkt’ të ndërgjegjes sonë kolektive, e cila assesi
nuk mund të shërohet nëse nuk fillojmë ta bëjmë mirënjohjen pjesë të mendësisë
sonë civile. Pra, me të drejtë Gani Bytyçi, nxjerr një klithmë njeriu të shqetësuar,
në formë të dilemës intelektuale se “përse ne sikur kemi frikë nga
mirënjohja dhe nga ndriçimi i punës së të tjerëve?”
Në
përmbyllje do të doja të shpreh edhe njëherë kënaqësinë e të qenit tërthorazi
pjesë e një procesi krijues, të cilin autori me shumë sukses e kurorëzoi, duke
na sjellë një kontribut me vlerë në kulturën e respektit dhe konsideratave ndaj
prof. dr. Anton Nikë Berishës.