| E marte, 17.08.2021, 07:38 PM |
Udhëtimi Theth-Valbonë, një aventurë e këndshme
(Ekspoze
përshkruese)
Nga
Frrok Vukaj - studiues
Mbase
për shumkënd, ky titull çalon pak, por për moshatarët e mi, që janë pothuajse
në mesin e dekadës së tetë, mendoj se nuk ka të sharë. Këto dy qendra ndër më
të banuarat e të vizituarat, janë e mbeten synimi i çdo vizitori, pa harruar se
Alpet e Shqipërisë, akoma të pastudiuara sa duhet, kudo kanë bukuri
marramendëse, që befasojnë, klimë të shëndetshme e shumë burime ujë.
Popullimi,
veçanërisht kur natyra vesh petkun e blertë, është i konsiderueshëm, lëvizjet e
komunikimet e ndërsjella mes rajonave e krahinave fshatare e qytezave, lartësia
e pllajave të buta bjeshkës e vrrinit, janë një dukuri e zakonshme, ku
mbizotëron komunikimi ndaj izolimit.
Qafat,
luginat, shtigjet, e ngushta e më të gjëra, të fshehura e më të hapura, të
ditura e të paditura, të gjetura e të pagjetura, të zbuluara e të pazbuluara,
shumë rrugë këmbësore, por edhe automobilistike, ndonjë e asfaltuar, krijojnë
lehtësi ndërtimi e befasi të këndshme aventure e relaks, për çdo udhëtar a
turist, para atij misteri akoma të pandriçuar që shtrihet në veri të Drinit, e
deri jasht kufinjve të sotëm shtetëror të Shqipërisë.
Duhet
ta kesh shëtitur e parë disa herë, të jesh i paisur me dhunti e njohuri shkencore, gjeograf e gjeolog, biolog e
historian, inxhinier e arkeolog, për të përshkruar si duhet Bjeshkët e Namuna,
(të bekuara), Malësinë e Madhe, Jezercën, Radohimën, Luginën e Shalës e të
Shoshit, të Vermoshit, të Cemit, Prroin e Thatë, të Valbonës, Currajt e Nikaj
–Mërturit, Lumin e Gashit e Tropojës, pyjet shekullore, liqenet akullnajore në lartësi
të mëdha, e sa e sa pasuri të tjera nën e mbitokësore.
Nga
çdo anë që të fillosh, nga Kopliku e Boga, nga lugina e Malësisë së Gjakovës,
apo nga Fusha e Shtojt e Kiri, maja është e butë dhe e ëmbël, e si me magji,
joshja sa vjen e shtohet, madje kthehet në ankth, e padurim, ndonëse në çdo
kilometër që kalon, rritet lartësia mbi nivelin e detit e vështirësia sa vjen e
shtohet. Lëvizja me makinë, për t’iu afruar deri në portat e kësaj parajse, të
krijon lehtësi e mbështetje.
Këtë
herë, nisja ime ishte nga Vraka, pas detyrimesh që pata për disa raste gëzimi e
hidhërimi të ndodhura muajt e fundit, kur unë isha jasht vendit. Gjatë rrugës,
në të dy anët e deri ku fillon Lugina e Bogës, shohim ndërtime të shumta,
lokale private e objekte social-kulturore, ara e livadhe, vreshta e pemtore,
rrugë e rrugica të shtruara, oborre e lulishte me shije që nuk kanë të sharë
edhe në fshatrat më të zhvilluara të Evropës. Nuk ka dyshim se mendjet e fryma
civilizuese, e këtyre malësorëve, me mundin dhe djersën e tyre, ua ndërruan
pamjen këtyre mjediseve, e vetë qytetit të Koplikut, përballë edhe ndonjë
mendimi dashakeq e të zmadhuar se lulëzoi korrupsioni e kontrabanda në këto
vite tranzicioni. Ndonëse është e disata herë, unë prap se prap, nuk ngopem së
shikuari atë pamje e atë natyrë, plot diversitet: Toka pjellore, sipërfaqe të
tëra me vreshta e pemëtore në prodhim, livadhe e jonxha për kullota, por dhe të
tjera të pashfrytëzuara. “Shpërthime”interesante shkëmbinjësh të mbirë nga toka
rrethuar me pyje e gjelbërim, male e kreshta malesh, ultësira e lugina, gropa
tektonike, kodrina të zhveshura e toka joproduktive, që ua lëshojnë vendin
përsëri tokave pjellore, prozhmeve me lajthi,
arra e gështenjë. Pa dashje m’u kujtua shprehja: “Nuk ka toka të këqija,
por ka bujq të këqinj”.
I
përhumbur e i kalamendur, nanurisur nga lëvizjet e makinës e ajri i freskët i
mëngjesit, me rrezet e diellit jetdhënës, majtas sapo lamë pikën turistike me
famë “Razmën”e vazhdojmë në rrugën e ngushtë, të shtruar me asfalt, që të çon
drejt Bogës.
Retrospektivë dhe
nostalgji
Para
11 vitesh, këtë rrugë për Dukagjin-Theth-Shkodër, e kam përshkruar, por me kah
të kundërt nëpër Kir-Gur i kuq-Qafë Mali i Shoshit-Breg Lumi-Theth-Shkodër.(Më
vijnë në ndihmë edhe shënimet e ditarit të datës 10.08.2010 të cilave po ju
përmbahem 100% me ndonjë pasurim apo redaktim të pjesshëm). Po përdor
digresionin : Shkodër –Kir-Dukagjin. Me furgonin e linjës, u nisëm në orën
7.00, me shofer Petrit Koçekun. Të parin udhëtim për në pedagogjiken e Shkodrës
“Shejnaze Juka” e pata në shtator 1963, me babain tim usht tre ditë rrugë nga
vendlindja).
Rasti
tjetër dhe më dramatik: Shkodër-Kir-Brashtë e Shoshit- Bricë, për një rast
fatkeqësie , kur një shokut tonë iu aksidentua vëllau në Dajice (1972). Hera e
parafundit: Lekbibaj-Breg Lumi-Theth-Kampi i Pushimit të punëtorëve, atëherë
kur një grup artistik i Nikaj-Mërturit, dha një program artistik në disa qendra
banimi. Kiri i ngushtë, me pak tokë e ujë, në të shterrur gjatë verës, shuaji
përfytyrimet e përshtypjet fëminore, se kishte më shumë hapësirë, por jo. Në
Breglumi Shalë, qëndrova afërsisht 3 orë e pimë kafe me shokun tim të
pedagogjikes Gjelosh Çardakun.
Sot
në fushën e Thethit, funksionojnë disa kampe shtëpi me turistë në rritje, por
jo dhe aq shumë si para viteve 90-të, (asnjë e tillë).
Masive
të mëdha shkëmbinjsh gëlqerorë të thepisur, reflektojnë ndjeshëm në rritjen e
temperaturës në diell. Burime të shumta ujore nga shpatet anësore, e lumi
dydegësh me ujin kristal, na freskojnë e hijeshojnë gjithë luginën. Në ato
hapësira që të zë syri, përveç shkëmbinjëve relativisht të lartë, e deri tek
ata të përzier me retë, po të vresh me kujdes, zbulon lehtë skuta me livadhe të
fshehura të bukura e me hije, me sipërfaqe të konsiderueshme.
Në
Ultësirën e Shalës, buzë përrenjve e lumit, më shumë pashë shkurre, frashër e
shkozë, lajthi e shqeme; sa më në lartësi, masive me ahishte, pishë e bardhë.
Sa më shumë ngjitesh e ndjen veten më të përshtatshëm, por zotëruese, mbeten
padyshim majat e kreshtat e larta, madhështore e hijerënda, dashje padashje të
shkaktojnë në thellësi edhe një ndjenjë të lehtë frike, veçanërisht kur shikon
honet e thella e të errëta poshtë Qafë Tërthores, ato kanionet e Kaprrejt e
Ndërlysës Ndërlumas. Të impresionon e të drithëron 1 km rrugë e ngushtë. Mbasi
kalon një makinë e vogël, me gomat anësore buzë
shkëmbit të thiktë, e të lugtë, e poshtë tij qindra e më shumë metra
humnerë e frikshme,, hijerëndë, e mistershme, drithëruese, por e bukur e
madhështore, pse jo dhe me histori tragjike të njohura. Dramacitetin e rrënqethjen
na e shton dhe më shumë, kur shofer Lushi, kthen kokën pas e bisedon me plot
pasion.
Në
krahun e majtë, shtrihet ky mister i pashoq me kreshta të mrroluna, të
thepisura e të ashpra, me hone, guva e kanione, me rrasa qindra metra katorë,
të lugëta e të mysëta, me mjedise të errëta, ku rrallë fort hyn dielli(apo
fare), ku nuk shkel këmba e robit, të ngjajnë me Malet e Himalajës gjigante,
mister që shihet nga Kiri e Cukali dhe në Qafë Pejë e Qafë Valbonë, prapa të
cilave fshihen mistere e madhështi të
tjera të pazakonta.
Lugina
e Bogës, shumë e bukur, zbret ëmbël nga kreu Qafë Tërthore, deri në fund.
Mespërmes, rruga e makinës, përgjithësisht e mirëmbajtur shumë më e mirë se
rruga tjetër Shkodër –Mali i Shoshit- Theth. Në uljen në krahun e djathtë një
pllajë e bukur shumë, me një gjelbërim të dukshëm, por edhe shkëmbinj
relativisht të lartë, e të thepisur, mes tyre lëndina e pllaja jo të thyera, të
shtruara e të ëmbla, ku mund të kalojnë lirshëm njerëzit e gjëja e gjallë.
Unë
u befasova me gjelbrimin e mugulluar, sidomos të shpateve, sepse është
pothuajse mesi i gushtit, “Kanë ra gjatë gjithë verës, riga shiu- më shpjegoi
një bashkëbisedues” Një ndjesi negative nga trungjet e prerë pa kriter në
shpatet e maleve, sigurisht për tregëti dhe ngrohje. I gjithë krahu i majtë i
luginës, në pjesën dërmuese, kishte pyje të dendura të paanë, që degradonin në shkurre, e më
poshtë në fusha, në bar. Të tërhiqte
vëmendjen një kreshtë imponuese, që rrinte varur gati për të rënë poshtë. Sa më
në jug, këto pllaja mbuloheshin me shkurre, e diku-diku qilimi i blertë i
livadheve zbehet për t’ua lënë përsëri vendin hapësirave pjellore të Malësisë
së Mbishkodrës. Këto hapësira janë të bukura sa nuk thuhet, por duhen më shumë
investime, nga organet shtetërore e sektori privat, sidomos për ujin e pijshëm
e vaditës, çka do të ndikonte shumë në rritjen e turizmit, e rritjen e
prodhimeve bujqësore e blegtorale.
Theth-Valbonë, perlat e
Alpeve (sprova e ditës)
Ky
udhëtim i sotëm, i 7 gushtit 2021, si i thonë për kokërr të qefit, më ngjan me
një simfoni, të bukur muzikore, me një dasëm në të parin e Kreshnikëve, në një
shëtitje relaks, por dhe me një sprovë djaloshare, në moshë pleqërie, si një
aventurë pasioni për natyrën.
Gjin
Logu, punon prej 29 vitesh shofer i linjës Shkodër-Theth, pothuajse pa asnjë
ndërprerje, përjashtuar rastet kur rruga bllokohet nga stuhitë e borës. I
lindur e i rritur në Theth, injeh mirë këto bjeshkë, e flet me aq siguri e
saktësi, si për rrugicat e shtëpitë e lagjes. Sa më shumë e ngacmoj në biseda,
më ngjan me një enciklobedist për krahinën. I kërkoj e ai flet pa nda për
gjithçka e pyes, madje siguria e pasioni e ndjekin edhe jashtë pyetjeve e interesit tim. Ai flet e unë regjistroj me
sa mundem, në mendje e në bllokun e dorës, shënime me shkrim të deformuar prej
tronditjeve të makinës, në atë rrugë të ngushtë me asfalt, deri diku të
degraduar nga vitet e agjentët atmosferikë.
Veçoj
Majen e Helmit, të Troshanit, të Dobranës, Shtegun e Dhenve, Gropën e Bortës.
Ndërpritet biseda se mu buzë rrugës, shohim një befasi të këndshme e të
pazakontë për kohën; mbetjet e një ortegu bore. Vazhdon Gjini e unë me sa
mundem, përpij sa më shumë informacion e shijoj ato pamje përrallore, hijerënda
e madhështore. Qafa e Tërthores, më e larta qafë në Shqipëri, e lidhur me rrugë
makine (1766m mbi nivelin e detit). Nga gropa e Bortës, rrugë këmbësore për tek
Gryka e Shtegut të Dhenve, për në Theth.; kjo është rruga e hershme, më majtas
rruga tjetër për Radohimë që del në Vuthaj e Nikç. Tashti nuk ndjejmë më
rrëqethje mishi, as drithërima frikësuese, kur kalojmë në atë rrugë shumë të
ngushtë e problematike, sepse është zgjeruar bollshëm, punimet e përgatitjet vazhdojnë edhe për
hedhjen e asfaltit, por me sa kuptova, ende ka shumë punë. Sidoqoftë, ajo do të
përfundojë, e kjo është një sukses i merituar e i vonuar për këtë trase rruge të hapur që në vitin 1938.
Një
ndalesë e nderim domethënës pranë memorialit të zonjës së nderuar Edith Durham,
për veprën e saj e të shumë eksploruesve të tjerë, që shkruan me aq dashuri,
për këtë popull fisnik me rrënjë ilire të pacënuara. Si kushdo, edhe unë,
kërkoj me sy, ish kampin e famshëm të Thethit, i vetmi në krahinë para viteve
90-të, por disi u zhgënjeva, se nuk m’u duk në nivelin e emrin e dikurshëm.
Megjithë digresionet e ndërprerjet e bisedës, gjeografia mbetet tema kryesore,
ndaj përpiqem për të fiksuar e saktësuar shtrirjen e Jezercës, Radohimës, Majen
e Arapit, Gropën e Pejës e të Valbonës, Qafën e Detzave (detë), që lidhen me
Curraj të Epërm e Kaki, tej në horizont Maja e Hekurave, Biga e Gimajve,
mbuluar me borë etj.
Në
këto ditë të nxehta korriku, ku qielli është pasqyrë e gjelbërimi jetdhënës i
paanë e i plotpushtetshëm, në çdo qelizë të jetës, madhështia e këtij mjedisi
është imponuese, hijerëndë, madhështore, me të gjitha ngjyrat e ylberit, por
edhe me një zymtësi të letueshme në kanionet dhe guvat e thella, në brendësi të
ahishteve, në faqet anësore e rrëzë shkëmbinjve, si vampir ku nuk hyn drita e
diellit as e hënës, është rritur numri i turistëve dhe ndërtimeve. Gjini e
vëllai Ndreka janë në valë pune
Nga
ora 10, mbaron pjesa hyrëse e këtij udhëtimi, ajo më e lehtë e më relaksuesja,
si një ndjenjë shkriftuese, para një derbi të fuqishëm futbolli. Pasi u
përshëndeta me shoferin dhe me disa pasagjerë, fillova rrugën disi ëmbël e
qetë. Pas pak minutash, në një nyje ndarëse, sinjalistika tregon të njejtën
shifër kilometrazhi me Qafën e Pejës. Ajo nisje e butë, shpejt u zëvendësua me
një të përpjetë të thekshme, me kthesa, zikzake këndore fare të vogla që nuk të
lejonin as me u mbush me frymë plotësisht. Cicërimat e zogjve dhe shushurimat e
mbytura të një përroi me shumë ujë për kohën, më shoqëruan për disa kilometra
rrugë, por së fundi bashkudhëtarët e mi, ishin gjinkallat me këngën e tyre
monotone, edhe pse lartësia mbi nivelin e detit, po rritej dukshëm. Në ato të
përpjeta pothuajse të thikëta, me ca thyerje të pjerrëta e rrallë ca metra në
rrugë të rrafshët, megjithë lodhjen e gufosjen, kisha mundësi për meditime e
relaks në ndonjë lëndinë, në hijen e lehtë e shplodhëse të aheve e më në
lartësi, të pishave interesante. Sinjalistika ishte e qartë e nuk kishte
ndjenjën e pasigurisë se ngatërron rrugën apo të mungon koha, se shumë orë na
ndanin me muzgun e mbrëmjes.
Nuk
e ndjeva frikën as vetminë, se krijova një marrëdhënie të ngrohtë e
komunikuese, një ekuilibër të gjithanshëm me natyrën e meditimet e mija të
pafund, madje bëja edhe një lloj enumeracioni, një inventar në mendje, për
gjeografinë, historinë, për bëma e personazhe real e mistik, për luftra e
ekspedita, për heronj e heroina, për qëndresë e mbijetesë shekullore të këtyre
trevave. Një simbiozë e çuditshme në malësi me grykat e qafat. Qafa, shpesh
herë një portë ferri, nga kanë sulmuar pabesisht, ushtri të shumta pushtuese,
por dhe një istikam qëndrese, një kala e pathyeshme, ku kanë thyer qafën e lënë
kockat, ushtri të shumta gjakatare, osmane e
serbo- malazeze. Mbijetesë e vështirë e këtij populli e qëndresë
titanike, përballë ekspeditave ndëshkuese e shfarosëse, të huaja, por dhe vitet
e diktaturës, një sprovë e rëndë. Shuk Kola, nga kjo qafë arratiset, për një
jetë më të mirë në Amerikë, me dhimbjen e pashuar për vendlindjen, për trojet e
të parëve, len peng një pjesë të zemrës, sofrën e shtruar e ibrikun me raki.
Bujarinë e traditat më fisnike të krahinës ikën dhe sot familjarisht janë në
kontinentin e largët. Edhe fantazia më e guximshme, nuk rrok dot çka ka ndodhë
në këto hapësira: Kode e tradita të shkëlqyera për mikun, për besën, për
lirinë, për nderin, për qëndresën e paepur ndaj çdo agresori, por edhe mendësi
frenuese e barbare, duke ngrënë kokat e njëri-tjetrit mes fisit e lagjeve. Sa
energji e shekuj të shkuar dëm!
Nuk
e mendoja se do të takoj kaq shumë turistë, në këtë udhëtim të vetmuar, mbase
mbi 100, që vinin nga Valbona dhe flisnin shumë gjuhë
U
befasuan një çift francez, kur në mes ahishtes shekullore, thirra me të madhe
“Bushun”, një ndër fjalët e pakta që dija. U hodhën përpjetë nga gëzimi e u
ngazëllyen shumë, por shpejt e kuptuan mangësinë time. Mangësi do të ishte edhe
mospërmendja e Okolit, Gjelajve, Gjeçajve, Syrit të Kaltër, Vaskave, Ujëvarës
Grunas vepër natyrore e krijuar ndër shekuj.
Kilometrat
e fundit për në Qafë Valbonë, 1800m mbi nivelin e detit ishte sprova më e
vështirë. Edhe në ato lartësi, tashmë disi të zhveshura, me rrasa e me
shkëmbinj gëlqerorë, temperatura qe e lartë. Ca pisha si kaçube, e ndonjë
shkurre e përkeqësuar, e dëshmuar nga ortiqet, ku nuk mund të fshihte kokën
asnjë fëmijë i vogël, patjetër se duhej kaluar me vullnet e këmbëngulje, kjo e
përpjetë e fundit. Dalja në atë qafë, në atë pikëndarje interesante, të ngjan
si një triumf e fitore, që të shumfishon forcat e energjitë, aq më tepër kur
para syve, shpërfaqen pamje përrallore, të paimagjinueshme as në fantazitë më
të guximshme. Ato që lashë pas shpine, të shijuara gjatë rrugës, por më së shumti nga largësi të
mëdha, më ngjanin si guidë irreale, ndërsa këto i kam mu përpara syve, i shkela
me këmbë e i preka me dorë ortigjet e shumta të borës, lëndinat me barë,
currila ujë gjysëm të ngrirë, nën hijen e shkëmbinjëve supergjigandë, kullotat
alpine, monopate e shtigje shumë të ngushtë e pak më të gjërë, shkallë e
shkallare të denja edhe për alpinistët e sprovuar, sheshe të vogla e humnera,
hulli bore e zhavorri të përzier, pisha e bredha të thyer e të rrëzuar, dëshmi
e betejave të ashpra të dimrave të egër, ( ky dimër me reshje të mëdha bore),
Ndonëse kishte kaluar mesi i ditës, nën hijen e shpellave gjigande, bora e
shndërruar si në akull, pothuajse nuk lotonte fare. Duke u ulur luginës, të
zgjerohet horizonti deri poshtë në rrjedhën e Valbonës e aq më shumë ortigje
gjithfarësh, shihje sa nuk mund t’i numroje. Aq shumë masive me pisha e bredha
e aq shumë shkëmbinj gjigandë me kilometra të gjatë, sa mendon sikur je në një
botë tjetër, në legjenda e mite të papërfytyrueshme, me qenie mitologjike, me
kuçedra e dragonj, me Vapir e Vampir, me orë e zana, me shtojzovalle të
hijeshme e të gjata të veshura me vello bore. Për një moment sikur u
shpërfytyrova, truri i dehur u paralizua, e projektoi ca si pamje të fanepsura
e të pazakonta, mbi rrasa guri disi të pjerrëta: shumë turistë në rroba banjo,
po ngroheshin e merrnin rrezet e diellit, pranë ortigjeve me borë. Zbritja jonë
qe shumë më e lehtë e përshendetjet e dhjetra turistëve , ma bënë rrugën edhe
më emocionuese. Mbase humba edhe të qenit realist, nga dehja romantike me
natyrën, por shpejt rashë aty ku zë fill burimi i Valbonës, ëndërr e çdo
turisti apo ëndërrimtari pasiv apo aktiv.
Rreth
e rrotull, me dhjetra turistë të tjerë, freskoheshin në ujët e akullt, lëviznin
hareshëm, këndonin e bënin fotografi, Janë skena të papërsëritshme që nguliten
në memorie e nuk harrohen. Valbona e Nikë Shytanit, siç e thërrasin vendasit,
është unikale për shumë tregues: lartësitë e mëdha ku burojnë dy degë ujë të
konsiderueshme që pasurohen nga të tjera gjatë rrjedhës; ujëvara interesante,
kaltërsia e ftohtësia e ujit, mjedisi brilant rrethuar me pisha e ahe, tokë
humusore përzier me gurë gëlqerorë, ortigjet e bora ushqyese, ajri jetdhënës,
hiejet çlodhëse, luginat e vogla e gurët e ngritur për të pushuar e vrojtuar,
njerëzit e mrekullueshëm vendas dhe të huaj, rragamas e valbonas, për të cilët
do të flas më vonë. Nuk dua të shkëpus fillin e mendimeve, as t’i largohem
momentit pikant emocional. Kjo pikë e thjeshtë turistike në natyrë, ku mblidhen
shumë turistë, udhëtarë, qejflinj e hallexhinj, quhet “Simoni kafe”me pronar
Pjetër Gjelaj e vëllezërit e tij (Arbeni e Gjovalini), biznes familjar i hapur
që më 2011, pasardhësit e Nikë Shytanit, nga Gjelajt e Thethit, autoktonë në
tokat e të parëve.
Është
folur e shkruar shumë për këtë luginë e rrethinat e saj, për të cilat kam
shkruar edhe më parë unë, ndaj nuk po zgjatem për këto mjedise në kufinjtë e të pabesueshmes, nuk po flas për Majen e
Krasniqes, të Valbonës, Rragamit, Papllukës, Rosit, Majën e Thatë, Kollatën,
Majën e Valit, e pas tyre hapsira të tjera të paana deri në Kosovë, e Mal të
Zi, por për heronjtë e bjeshkëve..
Fisnikëri e mbijetesë-
binom, i pandar
Zhvillimet
e fundit sikur na kanë ftohur zemrat diku-diku të bëra akull, kur pasuria u ka
errur sytë. Por jo kudo është kështu:Tek
njeriu i thjeshtë ka aq shumë vlera sa ata me pak ose hiq vlera nuk mund t’i
shohin.
Nostalgjitë
e kujtimet e mia për Shkodrën nuk shuhen, Aty ku kam kaluar vitet më të bukura
të jetës:Studimet e mesme e të larta. Sa herë vij, është balsam për mua. Rastet
e gëzimit, kafet e bisedat, pritjet e ngrohta tek dajallarët, kushrinjtë shokët
dhe miqtë e shumtë. Të përmendësh emra është vështirë, por disa mbiemra po i
shënoj:Vukaj, Kroni, Përvataj, Thermosi, Piniqi, Palnikaj, Hasanaj, Kolpepaj,
Kolbuçaj, Camaj etj. Si gjithnjë, pranë meje i gjindshëm e buzagaz, Sokol
Palnikaj me të cilin kalojnë orët pa u ndjerë, me diskutime të gjata e
cilësore, në shumë fusha: kështu mendoj unë.
-Sonte
të pres në shtëpi, jemi lirshëm, të shoqëroj unë me makinë.
Telegrafisht
në oborrin e shtëpisë në Vrakë, përshëndetem me Bardhën, bashkëshorten e
Sokolit, ish nxënësja ime, e bija e Pal Mirashit, të Palçit, infermiere
pasionante dhe e përkushtuar prej vitesh. Kafen e mbrëmjes me Sokolin e pijmë
në një lokal cilësor me emrin “Havana”.
Bije
zilja. Bardha pyet nëse duam për darkë peshk apo mish. Mëngjesin tjetër po aty.
Sokoli më prezanton me shoferin e pronotuar për udhëtim e më uron rrugë të
mbarë. (Nuk harron të më marrë disa herë gjatë rrugës). Më bije në sy ai lokali
në Bogë, i pronares e cila nuk u zhvat me zor lekë klientëve, mikpritja e
sjellja dashamirëse, por i këshillon të pushojnë edhe po nuk morën gjë, ndonëse
ka xhiro fare të vogël. Si padashje, kujtohet puna prodhuese e vitit 1972, në
Bajzë kur isha student, e sjellja bujare e çdo fshatari, nganjëherë merrnim
fiq, rrush, a ndonjë pemë tjetër. Rreth një orë para se të arrija pikën më të
lartë të ngjitjes, u ndala në stanin e Dedë Rrgallës, më shumë për të pushuar
se sa për kafe. E zonja e lokalit, një meso grua, që shërbente, na shikon disi
me interes e na pyet nga jam.
Pasi
u përgjigja, u shpreh në gjuhën karakteristike vendase “Uuuu qyqja! Po unë të
kam pas mësues e drejtor, mezi të njohta”. Sigurisht se vitet e bëjnë punën e
vet. Mire Gjon Rrgalla, e bija e Nikoll Gjonit të Perajve, shërbente me
mirësjellje për të gjithë, ndihmuar nga e bija, Valentina, nxënëse në gjimnazin
“Oso Kuka” Shkodër. Më erdhi mirë, kur pashë se ishin të përkushtuara sidomos
për vajzën, se një pjesë e mirë e brezit të ri, po e përbuzin punën. Megjithë
këmbënguljen time, nuk pranuan të paguaja për sa kisha konsumuar. Kuptova se e
bënin si respekt e mirënjohje për shkollën, për ish mësuesin dhe shoqërinë
me babain e ndjerë.
Edhe
një herë po kthehem tek burimi i Valbonës, tek Pjetër Gjelaj, pa qenë i njohur
me të, në bisedë e sipër, u miqësuam, e ndejëm gjatë ; 9 vite kishte qëndruar
në Njy-Jork, shumë i afrueshëm e komunikues, Rreth e rrotull tij me dhjetra
turistë, udhëtarë e shoqërues. Shërbente thjeshtë e me dashamirësi. Komunikonte
edhe në anglisht. Rreth tij, në atë lokal të hapur e ngritur me mjete
rrethanore, secili e ndjente veten, si në shtëpi të vet. Po veçoj grupin polak,
me të cilët qëndruam gjatë. Ne ecëm si udhëtarë me ta deri në Rragam, e ata për
Valbonë. Daniel Kobierski, Olek Mazur, Ala Potrava, Aleksandra Nabaglo, emra që
i shënuan vetë në bllokun tim.
Në
një hapsirë pushimi, Pjetrova më ftoi,
më e mira e më fisnikja, se në asnjë restorant modern. Më qerasi me një kokë
qengji me prodhime të tjera bio:Raki, djathë, kos, verë, ndonëse edhe unë ndera
në atë sofër bujare dhe ushqimet e paketuara nga nusja e Sokolit qysh herët në
mëngjes.
U
takova edhe me disa të rinj: Vëllezërit Dardan e David, Prekë Jubani e Mefat
Hysa, transportuesi i valixheve, shoqërues në atë rrugë të thyeshme e me shumë
pragje e shkallë, jo vetëm për mushkat e ngarkuara, por edhe për njerëzit. Me
bujari e këmbëngulje, më ftuan për në shtëpi, po kisha një planifikim tjetër.
Përveç punës që thamë, vëllezërit Jubani kishin edhe një ekonomi ndihmëse:70
dhi e 10 kuaj, 100 pula, tokë të mbjella me patate e prodhime të tjera, duke
qenë ndër të paktit dimërues, bashkë me prindërit. E ndjenin mosfunksionimin e
rrjetit telefonik, problemet me energjinë elektrike, mosmirëmbajtjen e rrugës
për të cilën kanë punuar privatisht e të tjera mangësi. Darka në shtëpinë e
Lulash e Dedë Zef Shelmishtës, një derë e përmendur në Tropojë e Dukagjin, qe e
ngrohtë dhe miqësore. Në buzëmbrëmje edhe vizitorë të tjerë për një kafe e
shkëmbyer biseda, një mënyrë për të thyer heshtjen e monotoninë, që kanë zonat
e thella, por edhe shprehje e mirëkuptimit e harmonisë.
Në
thellësi të Valbonës, në veri Rragami i Shalës magjik e i papërsëritshëm, por
me probleme aktuale e të trashëguara: Nuk ka biznese të mirëfillta, por shtëpi
që përpiqen të mbijetojnë, nuk kanë mundësi të bëjnë ndërtime të reja apo
rikonstruksione shtëpive të vjetruara, nga mosha e dimrat e egër, për pamundësi
ekonomike e ligjeve disi ektreme. Nën zë flitet se u bëjnë diferencime për
arsye konkurence. Edhe rruga është problematike afërsisht 5 km për në Fushën e
Gjësë, e populluar shumë gjatë verës, krijon vështirësi të tjera serioze.
Ai
zall gjigand i Thethit, e Valbonës, aluvionet me zhavorre masive e gurë të
mëdhenj, ja zbehin disi bukurinë këtyre perlave, ku duhet vënë dorë me fonde të
veçanta.
Një vizitë tjetër
mbresëlënëse në Valbonë edhe me 6 gusht 2021
Një
kafe më e këndshme se në çdo pallat mbretëror, me mësuesit nga Mirdita, Mark e
Davida Kalaj(Çoku), me djelmoshat shoferë Nor Hysa, Fred Vukaj e Dionis
Shelmehta, që tolrojnë edhe çmimet për bashkëqytetarë e të njohur. Bisedat
miqësore e të harlisura nga fresku i mbasdites, prekin edhe çeshtje sociale,
për një shërbim sa më të kulturuar e prodhime vërtetë bio, për sistemim e
trajtim rrugësh e ujërash të zeza, mirëmbajtjen e ruajtjen e Parkut me punonjës
vendas, për harmoninë mes fshatrash e krahinash, mes besimeve e divesitetit
politik, për vizitat e ndërsjella në raste festash etjera.
Hysaj,
me prejardhje të largët nga Kelmendi, kujton se gjyshi i tij Avdyl Brahimi, ka
qenë i vllazruar me Shan Bashën e Rragamit, se disa nga festat më të njohura, i
lutnin (festonin) edhe besimtarët myslimanë. Furnizimi edhe me kafshë e me
krahë për Rragamin, ka shumë pripeci e shpenzime. Ky fshat, një margaritar, mes
atij gjerdani perlash, të duket si i izoluar, i atrofizuar e neutralizuar në
kufijtë e krizës, pa përkrahjen e mbështetjen e duhur, që kanë umën e energjitë
e rezervat e fundit. Premtime e pritje të gjata, optimizëm e zhgënjime, dilema
e pesimizëm, mes braktisjes së vendlindjes apo mbijetesë e sforcuar. Ky popull
fisnik, i Alpeve, aspiron e meriton shumë më shumë. Don Zoti e ëndërrat bëhen
realitet.