| E marte, 17.08.2021, 07:36 PM |
Kosova do jetë aty, edhe nëse politikanët "hanë kokat e veta"!
Nga
Enver Bytyçi
Një
analist serb, Predrag Djokiç, ka publikuar një karikaturë në mbështetje të
talibanëve në Afganistan, më shënimin "Rradhën e ka Kosova"! D.m.th
se siç talibanët afganë pushtuan Kabulin, edhe Prishtinën do ta pushtojnë
talibanët serbë, pasi "të largohet" NATO prej Kosovës! Paralelizmi
është i qartë! Por optimizmi nga buron? Pa asnjë dyshim nga bashkpunimi i Edi
Ramës me Aleksandër Vuçiç!
Ekziston
një version, sipas të cilit Mehmet Shehun e "hëngrën" demonstratat e
pranverës së vitit 1981. Ka një mendim të përhapur, sipas të cilit ato
demonstrata futën në sherr kryeministrin me diktatorin Hoxha. Enver Hoxha e
fitoi betejën me ish-bashkëluftëtarin e tij për shkak të kultit të tij dhe
kontrollit të Sigurimit të Shtetit. Pra e çoi Mehmet Shehun në ferr. Pas pak
vitesh do shkonte gjithashtu vetë atje, por pa "vetëvrasje" me disa
plumba, siç ndodhi me ish-kryeministrin më jetëgjatë të Shqipërisë.
Një
analogji e tillë më vjen ndërmend në kohët e sotme. Asokohe konflikti midis
Enver Hoxhës e Mehmet Shehut sillej rreth idesë, nëse duhej apo jo të ndërhyhej
në rast konflikti të armatosur në Kosovë. Shefi i shtetit shqiptar ishte
kategorikisht kundër. Kryeminstri bënte planet e veta. Ai ishte edhe ministër i
Mbrojtjes. Urdhëroi transferimin e forcave në veri, sidomos në zonën e Hasit.
Edhe regjimentet e artilerisë.Por Mehmet
Sheun e vranë, diktatori vdiq dhe Kosova e vazhdoi luftën pa Shqipërinë e
përçarë në emër të saj!
Sot
në politikën shqiptare ndodh i njëjti polarizim. Sigurisht në rrethana krejt
tjera. Kosova është përsëri shkaku i ndarjes. Edi Rama, thuajse i vetëm, është
në rolin e diktatorit Hoxha dhe ka marrë përsipër të realizojë
"bashkim-vëllazërimin" shqiptaro-serb. Politikanët e tjerë, përfshirë
presidentin e Republikës, zotin Meta, janë kundër kësaj filozofie, së paku sa
kohë që Serbia nuk e njeh shtetësinë e Kosovës. Përplasja brenda politikës
shqiptare është e hapur, nuk fshihet nga asnjëra palë. Më së shumti e shpalos
atë kryeministri i Shqipërisë, i cili i kundërvihet me arrogancë jo vetëm çdo
politikani në Shqipëri, por edhe të gjithë politikanëve në Kosovë.
Për
herë të parë në Kosovë zgjidhet kryetari i ri i Partisë Demokratike dhe nuk
pritet nga Edi Rama në Tiranë. Memli Krasniqi nuk preferohet nga Edi Rama si
kryetar I PDK-së. Ai do të donte të ishte aty Vlora Çitaku, sepse aftësia e tij
manipuluese te gratë është e spikatur! E
përmenda këtë fakt për të kumtuar lajmin se Edi Rama e ka humbur mesa duket
partnerin e tij në Prishtinë, PDK-në e Thaçit, por për ta maskuar këtë ai
thërret Vlorën në ndonjë tavolinë për kafe. Kjo është me rëndësi. Enveristët e
Kosovës nuk shihnin te diktatori Hoxha tradhëtinë e tij për Kosovën dhe
marrosen ende sot me ndonjë fjalë apo fjali që ai ka përdorur për interesat e
tij të pushtetit për të. Janë të njëjtët, pra enveristët e Kosovës, që sot
preferojnë bashkëpunëtorin e Serbisë në krye të ekzekutivit shqiptar, në vend
të atdhetarëve dhe politikanëve të përkushtuar për Kosovën. Ata marrosen pas
një fjalie hipokrite të Edi Ramës se "Serbia duhet ta njohë Kosovën"!
Nëse
Edi Rama, apo asokohe Enver Hoxha, nuk do të kishin mbështetje ideologjike të
natyrës serbo-komuniste në Kosovë, nuk do të ndodhte që në tavolinën e
bisedimeve me Beogradin të vihej harta e Kosovës. Nuk do të ndodhte kjo edhe
nëse Serbia nuk do të bëhej me marrëveshjen e 2013-ës të Thaçit e 2015-ës të
Isa Mustafës aksionere në shtetësinë e Kosovës. Nuk do të ndodhte gjithashtu që
Aleksandër Vuçiç të promovonte në forma të ndryshme Jugosllavinë e Re deri te
Open Ballkan! Pa ndihmën e shqiptarëve si Edi rama e Hashim Thaçi, nuk kishte
shans që presidenti serb të rehabilitohej! Ndaj ekstremisti Djokiç bën
parashikimin dhe lutet që "pas Afganistanit, ta ketë radhën Kosova"!
Sigurisht që kjo nuk do të ndodhë. Për inat të Vuçiç e të Edi Ramës Kosova do
të bëhet brenda 5-6 viteve anëtare e NATO-s dhe kësisoj sovraniteti e shtetësia
e saj do të garantohet nga neni 5 i këtij Pakti. Kjo do të jetë rruga më e mirë
për të garantuar sigurinë e stabilitetin në Kosovë e në rajon!
Ndaj
shpresa e Djokiç është thjesht një ëndërr me sy hapur, edhe pwr faktin se
amerikanët me të arritur objektivin e tyre në Shqipëri do ta lëshojnë Edi
Ramën. Ata nuk kanë aleatë të përjetshëm, aq më tepër pseudoaleatë! Nuk dihet
se kush do ta marrë me vete mikun e vëllain e tij, Rama Vuçiçin apo Vuçiç
Ramën! Por një gjë është e sigurt: Të dy talibanët anti-Kosovë do të ikin nga
skena politike dhe Kosova do ta arrijë atë që meriton. Në këtë moment edhe
politika shqiptare në Shqipëri, Kosovë e madje në Maqedoni do të shpëtojë nga
kurthi me emrin Kosovë. Në fakt nga kurthi pro-serb i Edi Ramës. Deri atehërë
këta politikanë do ta vazhdojnë betejën për të ngrënë kokat e njëri-tjetrit, po
përsëri Kosovën nuk do të mund "ta hanë"! Ajo është aty dhe do të
jetë aty edhe më e fortë, më stabile, me shtet të sigurt dhe sovranitet të
garantuar!