| E hene, 16.08.2021, 08:43 PM |
Shqiptarët po mpaken, Shqipëria po tkurret!
Nga
Flutura Açka
Shqipëria
po mpaket përditë. Ikin shqiptarët nga atdheu që nuk u jep mundësinë të jetojnë
me dinjitet. Nga të rinjtë që enden kafeneve përditë dëgjon vetëm të ankohen
për papunësinë dhe mungesën e perspektivës. Pasiguria e së ardhmes i ka tutur
familjet e reja shqiptare për të patur fëmijë, mijëra të tjerë të rinj nuk e
shohin më atdheun e tyre si vendin për të ndërtuar familjen. Shifrat e
lindshmërisë së këtij viti, janë trishtuese dhe ndjekin fatin e viteve të
tjera; vetëm në tremujirin e dytë të 2021-shit, lindjet ranë me 10.6%.
Shqiptarët
po mpaken, Shqipëria po tkurret, por jo taksat për më të shumtët e tyre, që ua
kanë vështirësuar jetën. Shqipëria është parajsë fiskale vetëm për një pakicë
të zgjedhur të oligarkëve të oborrit rilindas, e cila gëzon bekimin e
qeverisjes së korruptuar dhe kontrollin mbi paratë dhe djersën e shqiptarëve.
Të gjitha premtimet për rritje pagash e pensionesh, mbetën në propagandën e
tetë viteve të pushtetit të socialistëve, ndërkohë që miqtë e Edi Ramës kanë
ekzkluzivitetin mbi përdorimin e pasurisë sonë kombëtare.
COVID-19
e zbuloi farsën e shërbimit shëndetësor falas, shkatërrimi i shkollave, mbyllja
e shumë degëve universitare, tregoi gjendjen e sistemit tonë arsimor. Edhe
siguria publike është në kushte të mjerueshme. Shqiptarët nuk kanë më besim te
shteti i tyre. Pasuritë publike nuk janë më e mira publike e përbashkët,
shqiptarëve u duhet të paguajnë për gjithçka dhe të mbajnë me punën e tyre një
grusht të pangopurish të zgjedhur të qeverisë. Ata administrojnë sot atdheun,
bashkë me levat e kontrolluara të qeverisjes. Shqipëria ësht? në ankandin e
madh të babëzisë.
Nuk
ka asgjë më kriminale se t’ua bësh të pamundur atdheun qytetarëve të tu, të
cilët i gënjen çdo ditë. Ndaj familja shqipare është sot më e goditura, më e pasigurta,
më e kërcënuara, më e zhbëra; jo nga luftërat dhe arsye të tjera, por nga
politika e përditshme armiqësore e pushtetit të vendit të vet, që i sheh
shqiptarët si të tepërt e tokës së tyre, duke shkaktuar në një dhjetëvjeçar një
zhbërje të frikshme të tij.
A
do ta lejojmë ende këtë erozion që po na ndodh? Kushdo që e ndien të jetë pjesë
e betejës për kthimi shpresës dhe
dinjitetit të familjes shqiptare, ka vetëm një mundësi: të bashkohet me
Opozitën në Platformën Qytetare për Demokracinë. Vetëm kështu do të mund ta
ndreqim demokracinë dhe t’ia kthejmë Shqipërinë shqiptarëve, e zënë peng nga
një pakicë e sponsorizuar nga regjimi që na ka pushtuar.
https://www.facebook.com/Flutura-A%C3%A7ka-101651992011214