| E merkure, 11.08.2021, 08:18 PM |
Mbi "tradhtarin Rama" dhe "kosovarët e paarsyeshëm"
Nga
Blerim Latifi
1
Njerëzve
u pëlqejnë analogjitë historike. Për shkakun se u duken qartësuese dhe
shpjeguese, por meqë ato, si rregull, e injorojnë kompleksitetin e situatave të
veçanta historike, në shumicën e rasteve rezultojnë të gabuara. Thënë me fjalë
të tjera: analogjitë janë njëlloj sporti
i dashur për dembelët në fushën e mendimit.
Edi
Rama nuk është Esat Pashë Toptani i viteve 1913- 1920. As Ahmet Zogu i vitit
1924. As Enver Hoxha i vitit 1946. As Sali Berisha i viteve '90. As Fatos Nano
i takimit të mitizuar të Kretës. Edi Rama nuk e ka zorin e tyre, që të ketë
nevojë të ecë rrugës së tyre. As Shqipëria e sotme nuk është në atë gjendje që
t’i thotë po secilës kërkesë që mund t'i bëhet nga ndonjë horr shovinist i
Beogradit.
Edi
Rama ka përpara një hall tjetër të madh dhe gabimi i tij është se ka zgjedhur
instrumente joefektive për ta trajtuar atë.
Cili
është ky hall i madh?
Është
fakti se Bashkimi Europian e ka stopuar, e ka ngrirë procesin e integrimit të
Shqipërisë, duke e lënduar rëndë kështu ëndrrën tridhjetë vjeçare të saj për
t'u bërë pjesë e këtij Bashkimi. Në këtë situatë, Rama po përpiqet të bëj diçka
alternative, sa për t'ua mbajtur gjallë shpresën shqiptarëve.Dhe këtu qëndron
gabimi i tij, sepse shpresa e vetme e shqiptarëve është integrimi europian dhe
ajo nuk mund të ushqehet me surrogatet ballkanike të tij.
Sfida
e pamerituar e "Closed Europe" nuk mund të kapërcehet me 'Open
Balkan". Aq më pak duke shpresuar në partneritetin e kriptofashistit të
Beogradit, Aleksandër Vuçiq.
2
Shqipëria
dhe Serbia nuk kanë probleme të drejtëpërdrejta me njëra tjetrën dhe këtu
qëndron shkaku pse Rama është i prirur t'i besojë Vuçiqit, ndërsa performimi i
një pevaçi të plakur serb në Korçë i duket krejtësisht normal.
Problemi
është se ne nuk mund t'i besojmë Vuçiqit, njësoj si Rama, jo vetëm për shkakun
e të kaluarës, por, mbase, më shumë edhe për shkakun e të sotmes, kur shteti i
Vuçiqit me të gjitha kapacitetet e tij mundohet ta minojë ekzistencën e shtetit
të Kosovës.
Nuk
mund të bësh poza normaliteti në një tryezë me njeriun që nuk lë gur pa lëvizur
për të të shkatërruar.
Dhjetë
vite më parë Kosova ishte bindur nga Bashkimi Evropian që të përfshihet në
dialog me Serbinë për normalizimin e marrëdhënieve, por duke lënë anash
çështjen e njohjes së pavarësisë.
Por
çfarë ndodhi nga ai proces dialogu? Robert Austin, njëri nga specialistët më të
mirë perëndimorë për çështjet e Europës Juglindore, e thotë në librin e tij të
fundit : "Rezultatet e këtij dialogu ishin një sërë hapash të vegjël që me
kohë e grryenin sovranitetin e Kosovës".
Pse
kjo grryerje? Sepse kemi pranuar të sillemi si joshtet edhe pas jemi bërë
shtet.
Tash
e njëjta gjë po na kërkohet : lëreni anash çështjen e njohjes, ejani të merremi
vesh për gjëra të vogla, se mbase një ditë Serbia bëhet e mirë dhe e njeh
Kosovën. Nuk kemi arsye për ta besuar këtë hamendje. Sepse, së paku, jemi në
gjendje të bëjmë dallimin midis dëshirave dhe fakteve.Dje Rama e përmendi
shprehjen popullore shqiptare "hajde babë t'i kallxoj arat". Kur
është puna te Serbia, askush s'mundet që të na e kallxoj Serbinë. Sepse askush
nuk e njeh më mirë se ne.