| E premte, 06.08.2021, 08:25 PM |
Lajthitja e Agollit dhe çetniku Bulatoviç
Nga
Blerim Latifi
Në
vitin 1988 në qytetin Bor të Serbisë ishte organizuar një takim i shkrimtarëve
të Ballkanit. Të gjithë ishin aty, përjashto shkrimtarët nga Kosova, të cilët
nuk ishin ftuar.Nga Shqipëria merrnin pjesë Dritëro Agolli dhe Ismail
Kadare.Gjatë zhvillimit të takimit kryetari i shoqatës së shkrimtarëve serbë,
Miodrag Bulatoviç, e ngriti në qiell vlerën e poezisë së Agollit dhe ky, siç
duket i prekur nga fjalët e tij, aty për aty i bëri ftesë Bulatovi?it që të
vizitonte Shqipërinë. Bulatoviçi e pranoi me kënaqësi ftesën.Ishte pikërisht ky
Bulatoviçi, i cili vetëm pak kohë më parë, gjatë grevave të minatorëve të
Trepçës, kishte kërkuar publikisht dërgimin e tankseve në Kosovë për të shtypur
shqiptarët, e madje kishte shprehur dëshirën që ai personalisht të drejtonte
njërën prej tyre. Vetëm kur u kthye në Tiranë, Agolli do të merrte vesh se
njeriu, me të cilin kishte kaluar aq mirë në Bor, ishte një nga nxitësit më të
mëdhenj publik të urrejtjes kundër shqiptarëve të Kosovës në Serbi. Kështu
vizita e tij në Shqipëri nuk u realizua kurrë dhe shkrimtarët e Shqipërisë nuk
udhëtuan kurrë më në takimet letrare të Borit.
M'u
kujtua kjo ngjarje, derisa po lexoja reagimin e Bashkisë së Korçës se nuk e kanë
ndërmend të anulojnë ftesën për Bregoviçin. Problemi është se në Shqipëri nuk e
njohin aq sa duhet Serbinë, ndërsa Serbia nuk ka probleme me pjesën e kombit
shqiptar brenda kufijve të Shqipërisë londineze.Problemi dhe obsesioni fashist
i Serbisë është si të mos lejojë që pjesa e kombit shqiptar që quhet Kosovë,
t'i përkas atij. Natyrisht, e gjithë kjo është paksa e randë për t'u kuptuar
nga mendja lokale e një drejtuesi bashkie në jug të Shqipërisë.