| E enjte, 05.08.2021, 07:14 PM |
Amerika, zëri i fortë i shqipes!
…….për
të shpëtuar Shqipërinë prej kthetrave të shovinistëve fqinjë. ” Ne mendojmë, –
shkruante Mit-hat Frashëri,- se Republika e madhe amerikane do të kryente një
shërbim të jashtëzakonshëm për njerëzimin, duke realizuar këtë mision”.
Shkruan
Fahri Xharra, Gjakovë
Marrëveshja
Tittoni-Venizellos, 29 korrik 1919, vendosi që Greqia të mbështeste kërkesat e
Italisë në Vlorë e Hinderland, dhe, gjithashtu, kërkesën e saj për të qenë
protektore e qeverisë myslimane shqiptare. Në këmbim të saj, Italia i jepte Greqisë
pjesën jugore të Shqipërisë, ose “Vorio-Epirin”, siç e quanin grekët. Por
Italia kërkonte edhe një pjesë të Sazanit, me qira, për 50 vjet, e cila do të
konsiderohej e lirë. Në shtypin grek, kjo u konsiderua si një arritje e madhe e
politikës greke.
Venizellos
u përpoq të bindë konferencën, se nuk duhet të jetë gjuha kriter. Faktin që
ushtrohej presion, ndaj shqipfolësve, për të mos dalë në prani të të huajve,
Venizellos e shtrembëron duke thënë se, meqenëse kombësia nxirrej nga gjuha
(sipas Komisionit të Kufirit), gratë që flisnin vetëm shqip, por që nuk e
konsideronin veten shqiptare, fshiheshin në shtëpitë e tyre për t’u shpëtuar
pyetjeve të komisionit”. Kështu, ai del plotësisht zbuluar në qëllimin e vet,
pasi kur gratë flasin shqip, do të thotë se e gjithë familja flet shqip. Burrat
flasin gjuhë të tjera edhe për shkak të kurbetit. Venizellos përpiqet të
numërojë edhe shkollat greke, në një kohë që dihet se ato janë hapur me dhunë,
nën kujdesin e Perandorisë Osmane dhe Patrikanës së Stambollit. Sipas të
dhënave të vitit 1878, në tre sanxhaqet: Vlorë, Berat, Gjirokastër, kishte 80
shkolla turke dhe 163 shkolla greke, por ende asnjë shkollë shqipe.
Shoqëria
kulturore e shqiptarëve të Rumanisë, në një letër drejtuar Konferencës së
Paqes, nënvizonte: “Në Shqipërinë e Jugut ka vetëm shqiptarë. Edhe gurët flasin
shqip në ato vise”.16
Delegati
shqiptar, në Konferencën e Paqes në Paris, Dr. Turtulli, deklaroi: “Dihet,
botërisht, se në trevat që grekët quajnë “Epiri i Veriut”,– kurse ne e quajmë
Shqipëria e Jugut, – nuk ka asnjë grek. Unë jam prej Korçe, ku kam ushtruar
mjekësinë. Jam një burrë plak dhe i ndershëm. Unë shpall këtu, në mënyrë të
preme, se nuk ka asnjë banor grek, as në qytet dhe as në rrethin e Korçës.
Grekët quajnë grekë, ata të fesë ortodokse. Unë jam ortodoks, por nuk jam grek.
Bullgarët dhe serbët janë ortodoksë, por nuk janë grekë. Shkollat greke janë,
vërtet, shkolla ortodokse shqiptare. Ngjarjet e vitit 1914, të cilat propaganda
greke i paraqiti si kryengritje të popullit të Shqipërisë së Jugut për t’u
bashkuar me Greqinë, u provokuan dhe u drejtuan nga oficerë grekë. Ata përdorën
si mjet andartët e Kretës dhe ushtarët grekë, që nuk kishin hequr as uniformat
e tyre”.
Patriotët
shqiptarë e shihnin rrezikun fare afër dhe reagonin me aq forcë sa kishin, por
prej tyre dihej fakti, që vendimet merreshin nga të mëdhenjtë. Mithat Frashëri,
si delegat i shoqërisë Panshqiptare “Vatra”, në SHBA, më 30 tetor 1919, ka
deklaruar: “Ata që mbajnë në duar fatet e popujve dhe që në këtë çast kanë zënë
vend në Konferencën e Paqes në Paris, duhet të binden, se kurrë paqja dhe
qetësia nuk mund të vendosen në Ballkan, në rast se nuk do të pranohen kërkesat
e shqiptarëve”.
Në
memorien drejtuar Presidentit amerikan Willson, ku i shpjegon përpjekjet e disa
Fuqive të Mëdha për copëtimin e Shqipërisë, në vijueshmëri, sidomos në vitet
1878, 1913 dhe sërish më 1919, i kërkon ndihmë, si një fuqi jo e interesuar në
Ballkan, për të shpëtuar Shqipërinë prej kthetrave të shovinistëve fqinjë. Ne
mendojmë, – shkruan ai,- se Republika e madhe amerikane do të kryente një
shërbim të jashtëzakonshëm për njerëzimin, duke realizuar këtë mision”. ( sipas
Shqipe, horizonti yt! )
Dhe
Amerika e bëri !