| E merkure, 04.08.2021, 06:01 PM |
ZHDËRVJELLTËSIMI ME TË PAMUNDURËN NË TË MUNDURËN E TRISHTË
(Recension
për veprën e parë të poetit të njohur në opinion, Qazim Thaçi, „A mund të dilet
nga vetja“, RL „Metafora“, Prizren 2008)
Nga
Brahim (Ibish) AVDYLI
Qazim
Thaçi vjen si një zë i thjeshtë dhe i kuptueshëm, por mjaft i
thuktë, prej vendlindjes sonë, Republika e Kosovës, nga fshati Landovicë, i
Prizrenit, i cili në këto vargje të botuara në “Revistën Letrare”, e cila është edhe shtëpi botimi „Metafora“, në Zvicër e në vendlindje, e
botuar prej Gëzim Ajgerajt, më 2008.
Ai na përshëndet, përmes pendës së tij të sinqertë e mikut, të cilin e kemi
pendë të spovuar të poezisë.
Kaherë është i njohur përmes vargjeve të tij, të botuara
nëpër rubrikat e gazetave të njohura, me tingëllimë të mesazheve të tij, por
edhe si një gazetar i përkryer i qëllimeve të lirisë e të bashkimit, si psh.: „Lajmëtari ekzluziv“, „Bota sot“, „Kosova sot“, „Gazeta e re“,
„Kosovapress“, „Java në Prizren“, e deri në SHBA, „Zëri i Ilirisë“, apo edhe në gazetat „Rilindja“, „Koha ditore“,
„Fjala“, „Epoka e re“, „Zëri“,
etj., deri „Metafora“ dhe në të
përditshmen e KFOR-it, „Ditët e shpresës“.
Qazim
Thaçin e konsideroj si një mik të veçantë të komunikimit në
gazetari e në poezi. Landovicën, ku ka lindur poeti e gazetari i Prizrenit, e
njoh në dy pikat e skajshme të një segmenti: të së padrejtës- që pat ardhur përmes dhunës shekullore të sundimit
turk e serbo-jugosllavë; dhe të së
drejtës së mirëfilltë- që ka mbetur kaherë si një ofshame e thellë shpirtit
dhe ëndërrës së bashkimit, me truallin amë, Shqipërinë, e cila është kthyer në një britje të ngrirë,
sepse Prizreni, përkundër të të gjitha përpjekjeve të Lidhjes së Prizrenit, u
kthye në një „kryeqytet multietnik“.
Sa herë shkoj e vi nëpër këtë pjesë të dhembjeve të mia, në Prizren, apo në
Prizren e në Kukës, sidomos në Prizren e në Suharekë (Therandë), ku i kam mjaft miq të mi, në mërgatë e
në Atdhe, e pakrahasimisht e kujtoj kthimin e babës sim, natës, nga tregu i
Prizenit, në Gjakovë e në Morinë të Malësisë së Gjakovës, dhe ofshaj papushim.
Si ka mundësi qyteti i vjetër ilir të shëndrohet në një
mishmash nacionalitetesh, që mbimrat i mbajnë të fiseve tona, si psh. „Gashiç“, e flasin gjuhë të huaja?! Në
të vërtetë, ne e dimë, por nuk e zëmë në gojë, se Lagja Arbëria ka qenë më parë
TURIA, prej kohës së mëparshme dhe kohës së Dioklecianit, e cila ishte ultësirë
me baltë, që shërbente për këmbësorinë e armatës ilire, që na quhet “TURIA”, si turinjtë, e cila është pjesa
e parë e ushtrisë që përplasej sy me sy, ballë për ballë, fytyrë me fytyrë, dhe
e cila në shqipo-ilirishten dialektore e gegërishte thuhej „turi për turi“, pra ballë për ballë. Prej këtuhit ka ardhur kjo
fjalë në Venedik dhe prej Venedikut në qytetin e Cyrihut, për t`ia dhënë edhe emrin:
Turia/Turikum, nga Turikum në Zuri(ch)kum. CH-ja është shenjë e Zvicrës. Vendasit,
të cilët kanë qenë brez pas brezi një popullatë e gjuhëve konceptuale edhe
konvertuale, ndërsa shqipo-ilirishtja ka qenë deri më sot një gjuhë simbolike,
nuk e kuptonin mirë këtë emër. Madje, këtë emër ata nuk dinë mirë që ta
analizojnë, sikuse emrat e tjerë nga shqipja simbolike, si Retija e Vogël, e
Komunës së Rahoveqit, prej të cilës është quajtur i tërë teritori i Zvicrës „Retia“. Jam ndalur sa kam pasur mundësi
në Retia Prima e Retia Seconda, të Zvirës, e cila është e përzier me romakët
dhe ka nxjerrur gjuhën e katërt zyrtare: reto-romanishten...
Nejse! Të mundurën na e bëjnë të pamundur lubitë dhe
poetët e gjallë, me një zë të trishtë, e na e kthejnë të pamundurën ireale në
të mundurën kaherë të ëndërruar. Kjo vuajtje e dhembje na zgjohet pikërisht në këto
vargje të rralla të poetit:
„Po
ikim nga vdekja e trishtë
Lagur
si zogjtë shtegtarë për të ardhur te shtëpia
E
për t`u dehur në dasmën e festës jubile
Malli
na zgjon me trokitjen e besëlidhjes Atdhé”
(Përkushtimi 135, faqe 17).
Përkushtimi i këtij autori vjen prej Prizrenit, që është edhe
vendlindja e tij, me të gjithë damarët e poezisë së pakënduar asnjëherë më
parë, derisa vetmia vetvritet nga vdekjet e trishta të këtyre vargjeve, duke
vringëlluar harresën deri në Çamëri. Katarza e vargjeve na lindë tmerrësisht në
simbiozën shpirtërore të këtij poeti, para besës së dhënë kaherë për çështjen e
madhe dhe ende të pazgjidhur kombëtare, ku gjithmonë zgjohet nga një grigjë lavësh të ujqërve mbi ne, gjatë lojës së pa
dritë, e cila vjen përherë me synimin e lirisë e bashkimit kombëtar gjithëshqiptar.
Nëpërmjet të poezive, të cilat kanë një simbiozë të
trishtë të ujkut me qenien tonë, rizgjohet ai me dhembjet e pashura të ATDHEUT,
e cila është një dhembje e thellë, e pashuar, e pashmangshme, por që e zgjon
kudoherë poetin të zbret deri në këngë apo e
fton të ikë në shenjtërine ILIRE. Nëpër katrahurat e fatit dhe të pafatit
apo fatkeqësisë nacionale, e zgjon përsëri në jetë poetin prej vitesh, me
agimet e zbehta, sepse askujt nuk i duhet dashuria pa atdheun simbolik, nëpër
furtunë dhembjesh.
Do të duhej të bashkohej Atdheu i ynë i shkapërderdhur, i
lirë e demokratik, por ujqërit e rrebtë, nga „pozitat“ e tyre, të cilat i kanë kurdoherë “të diskutuara” rrebtë e të
paqena, madje as që kanë ndonjë „arësye“
që të kenë „të drejtë“ mbi ne, e vikasin
e bërtasin kurdoherë kështu. Simbioza e trishtë e kësaj dhembje vie për „mos-bashkim“, si një dhembje mjaft
delikate:
„Tmerrësisht
sonte mund ta dua
Ujin
zjarrin e tokën
Tmerrësisht
sonte mund ta urrej
Ligjin
forcën e shkëlqimin
Ç`simbiozë
shpirtërore
E
diskedituar lirie
Kur
grigja grish llavë ujqërish
Në
lojë pa dritë…”
(Katarzë, faqe 22).
Të gjitha krijimet e këtij poeti, të përfshira këtu, në
këtë libër, të cilat herë e kapin një ngjarje, herë një furtunë drite, që është
një vetpohim prej më të largtes, e herë të tjera një përpjekje e zjarrtë për
lirinë, bashkimin e rilindjen kombëtare. Ajo është gjithmonë një përjetim, siç
na e thotë poeti "zemërbardhë";
një zgjim i përjetshëm në gurin e Atdheut. Të gjitha krijimet e këtij poeti dhe
të këtij libri nuk janë thjeshtë vargje, por poezi e mirëfilltë të një kohe të gjërë; janë një dëshmi e gjallë
dhe e dokumentuar për lirinë e vërtetë dhe bashkimin kombëtar.
Njëra nga këto, është edhe dashuria njerëzore. Njerëzit nuk e mendojnë se ajo është dashuri e
njeriut si qenie njerëzore ndaj dhuntisë së qiellit; të të dhënave të shenjta
të qiellit, tek njerëzit poshtë, si model i jetës së tyre qiellore; e zotrave
tanë, krijuesve të botës sonë; është edukata madhore e besimit tonë në jetën e
përjetshme dhe botës sonë njerëzore; e cila është e para nxitje e jona e dashurisë polivalente (të prindërve; të vëllezërve
dhe motrave; të afërmive; të gjerave jetësore e të truallit; të çdo gjëje të
veçantë, të cilën e mendojmë se na takon, e edhe ndaj një gruaje të vetme.
Dashuri nuk ka aspak pa Atdhé, thotë poeti, sepse:
„Mu
në mes të Urës së Milotit, zemra ndahet në dysh
Këtej
veriut mbetet historia dhe puthja e venitur
Tutje
Ilirisë shkruhet epitaf atdhetarie
Në
grykën e Sazanit, pikëllon kaltërsia….“
Kujt i duhet dashuria pa atdhé, faqe 29).
„Atdheu
i Bashkuar“, është dhembje e trishtë edhe e atyre bijve që lëngojnë
në dhé të baballarëve e të pa bashkuar, por edhe në tretdhé, nëpër botë; nëpër
tridhjet e tri shkrehje të vetetimave qiellit shkatërrues, në vend të bashkimit
e shenjtërisë, si ide parësore dhe qëllim jetësor. Pa atdheun e bashkuar e të
lirë, demokratik, të mirësisë e të edukimit të gjeneratave, në afrim të mirë
kah njëri-tjetri, në dashuri nga njëri-tjetri, nuk ka ndjenja të mirëfillta, pos shkatërrimit. Zemra ndahet më
dysh. Këtu vjen copëtimi, e jo bashkimi! Copëtohet zemra, ëndërrat zverdhen në
këtë ndjenjë. Tërhiqet zvarrë, me kokën e madhe të arbërisë, e cila nuk vdes, por
kurrë e harruar!
Kjo na shprehet në njëfarë forme edhe përmes vargjeve. Na
vjen thirrje e fuqishme që t`i ruhemi harrimit të shekujve, me të mbeturën
gjallë në jehonat e shekujve, se:
“Ruaju
harrimit se dhembjae ka një adresë
E
bota ka një derë nga e cila hyhet e nuk dilet
E
prap jemi bijtë e një harrimi vrastar
Për
të xixëlluar në derën e dashurisë.”
(Ruaju harrimit, faqe 34).
Ai i numëron të gjitha viset e kësaj simbioze të
dhimbshme: prej Pashtrikut e deri në Çamëri; prej Pashtrikut e deri në Alpet
zvicrrane, ku dy miqte tij të padyshimtë i mbesin atje, në Zvicrën gjermanike, unë
dhe Gëzim Ajgeraj; prej majes më të lartë në Republikën e Kosovës,
Pashtrikut, e deri në Hamburg të Gjermanisë, ku ati i tij, BABAI, prej të cilit
e ka një rrjedhë; sepse ai e kishte dhuntinë përmes dashurisë që të vazhdojë të
idhtën dhe madhështoren, te brezin e ri, I BIRI; madje tërë bota dhe e tërë
Evopa na lëkunden me dëshmitë poetike nëpër vargje.
Babai i tij, i vuajtur me mërgim punues e mbijetesë të
fëmijve të vet, sepse Kosova e Prizreni mbetej peng nga sebo-turqit, dhe në
Landovicë serbët e bënin kërdinë, e kishte ndërruar vendin e qëndrimit të tij
të vuajtjeve prej Hamburgut të Gjermanisë në Repartin Infektiv të Spitalit të
Prishtinës, pas katër dekadave (për 40 vjet!), me dëshirën e vetme që të
kujdesej pak për brezin e ri, për fëmijët e tij, për të dashurit e tij, prej të
cilëve, biri i tij, Qazim Thaçi,
poet e gazetar, i numronte me lot:
“...tri
dekada maste dashurinë e At-dheut
në
“Berlina platz” të Hamburgut
duke
numëruar kallot e duarve me dashurinë e fëmijve...”
(Im at, faqe 50).
Dashuria ka shumë lule të mbjellura në shpirtin e poetit,
e edhe të dashurisë së gjërë për viset e të parëve, që ai i thekson me “At-dheun” e babait të tij, brez mbas
brezi, e mbasi nuk e kishin kursesi atdheun e bashkuar, për të cilin kemi
vuajtur pjesa dërmuese e veçanërisht Kosova, deri sa erdhi në fuqi të brisht e
kundërta në Shqipëri dhe nuk na i njeh aspak dhembjet tona; edhe për DIJE dhe
DRITË, që do të ravijëzohen deri në fund të librit. Ai këndon edhe për të
dashurën e tij fatkeqe.
Në të vërtetë, i vie dashuria si përpjekje për të dalur
nga vetvetja, mjaft zëdhënëse, me fjalë të tjera, si zhdërvjelltësim deri te e
pamundura; përpjekja për të thënë të
vërtetën jetike, e cila mund të kthehet si “e mundur”, ndonëse e trishtë, kur
nuk janë të gjithë “të kuptuar” e
përkrahës të një at-dheu të ribashkuar, veçanërisht Shqipëria, të cilën e kemi dashur pa fund e si nënës
tonë, e ajo është kthyer t`ia zgjatë duart armikut më të urryer për ne, që
na ka grirë me pleq e me fëmijë.
Ne e thamë këtu se dashuria është njerëzore e
polivalente, në të cilën u drejtohet poeti lexuesve e opinionit të gjërë, të
cilët kanë ardhur në këtë botë, por nuk
e dinë se qëllimi kryesor është në të vërtetë dashuria gjithënjerëzore.
Poeti, në një poezi domethënëse, e ngreh zërin e tij për
dashnoren e vet, me pyetje:
“Sa
herë që të dua
Pyes
veten a dilet nga vetvetja?
Sa
herë të kujtoj
Pyes
veten a harrohet vetja?
E
di se shpirti Yt
Ka
zjarr dhe mall
E
di se sytë e tu
Kanë
frikë e dashuri...
Më
thuani si jetohet
Pa
sytë e saj?”
(A mund të dilet nga vetja, faqe 40).
Përkufizimi i thuktë e më me rafinesë është në poezinë “Dashuria”, të cilën nuk e shohim kështu
dikund tjetër, me shpalosje të thellë deri në kundështi e antitezë:
“Herë
si dhembje- herë si dëshirë
Herë
si flakë- herë si akull
Simbiozë
e krenarisë dhe poshtërimit...
Vetëm
qenia personale e ka dilemën
A
është realitet apo absurd kokor.”
(Dashuria, faqe 64).
Kështu na rrumbullaksohet e vërteta jetësore: dashuria, e
falur prej Zotit të Madh kaherë në jetën tonë të përkohshme, është ç`njerëzuar
deri në poshtërimin e njeriut në një makinë epshi, kur qenia personale lëviz
nëpër ndjenjat e rrejshme, duke mos e
patur dashurinë e shenjtë si shëmbëlltyre, ku ajo na lëviz nga realiteti në
një absud kohor. Pra, askush apo pakkush e di të vërtetën e hidhur...
Shkurt, edhe në qoftë se poezia e këtij poeti, që përbanë
një kohë të gjatë kohore, dhe të cilin e njohim shumë herët, na jipet një
përpljasje krijuese e pafund e këtij poeti. Ai nuk mund të dalë nga vetvetja,
por këndon me plot dritë, pa zhurmë e britma, për lirinë, për ribashkim, për
zgjidhjen e çështjes kombëtare gjithëshqiptare, sikurse ka qenë kurdoherë në të
gjitha përkushtimet e dhimbshme, por të gjalla, nëpër poezi. Pa ATDHE të
bashkuar, nuk ka DASHURI të mirëfilltë!
Kjo dashuri, nuk mund të vie e plotë pa në një truall të lirë e demokratik të ri-bashkuar dhe
vet libri i poetit e gazetarit të dëshmuar, Qazim Thaçi, është prova e parë apo e qartë e përkushtimit të tij[1]...
[1] Një fragment i shkurtër e këtij
recensioni, është dhënë në libër, me rastin e daljes së tij, në “Metafora”, në vitin 2008, me titullin e
përbashkët, “Fragment nga recensioni për
veprën e parë të Qazim Thaçit”, faqe 70-71.