| E hene, 02.08.2021, 08:00 PM |
Kur shkruan poezi, Delo Isufi e ngjyen penën në shpirtin e tij të bukur
-Mendime
për librin “Vajza e Manaferrave” të poetit Delo Isufi-
Nga
Fran GJOKA
Kur flet shpirti, gjërat bëhen
hyjnore dhe jeta të duket një magji, ku gjithçka lulëzon, gjallërohet dhe të
falë gëzim. Zakonisht janë poetët ata që krijojnë situata të tilla, që
ledhatojnë shpirtërat e njerëzve, që nxitin njeriun drejt zhvillimeve dhe
pasqyrimit të ndjenjave të holla e delikate, që lëvizin bashkë me gjakun dhe
krijojnë frymëzime dhe mendime të guximshme për jetën. Këto ndjesi i fitojmë
edhe duke lexuar libra të mirë poetikë, të frymëzuar, që na emocionojnë thellë
dhe na bëjnë më aktivë në veprimet tona.
Ndjesi të tilla krijova edhe
unë gjatë leximit të vëllimit poetik “Vajza e Manaferrave”, të poetit Delo
Isufi. Është një libër që lexohet me një frymë dhe, pasi e mbaron, ndihesh i
mbushur me më shumë dashuri për jetën, për stinën e bukur të pranverës, për
mirësinë dhe dashurinë, për marrëdhëniet mes njerëzve, harmoninë dhe ecjen më
të sigurtë në jetë, secili në drejtimin, pasionin dhe frymëzimin e tij. Siç shprehet në një artikull kushtuar këtij poeti,
shkrimtari i njohur Viron Kona: “Shpirti
krijues i Delos Isufit është i lidhur
ngushtë dhe i dashuruar me hapësirat e gjera e ku, veçmas, ai ka përjetuar e
dashuruar hapësirën e paanë qiellore, qysh atëherë, kur mjaft i ri në moshë
pilotonte avionët supersonikë, ditën dhe natën, e ku bashkudhëtarë e shokë të
pandarë kishte hënën vezulluese dhe yjet e ndritshëm...”
Autori nuk sjell personazhe
të nominuar në poezitë e tij, por ai sjellë “muzikën” e tigullimtë të vargut,
harmoninë unifikuese të dashurisë. Ai dashuron me pasion, nuk i trembet
dashurisë dhe forcës së saj sublime, sepse prej saj edhe vet jeta gjallërohet
dhe fiton impulse, nxitje e ritme të
reja e të vazhdueshme. Lexuesi i vëmendshëm gjen pozitivitet në çdo poezi të
Delo Isufit, gjen mrekullinë e ëndërruar, gjen joshjen, pasionin, gjen dritën
që ndriçon brenda shpirtit.
“Bashkë
kaluam këtë natë, / Zjarr e prush i mbuluam, / s’kish nevojë për dritë e flakë,
/ Me puthje qiellin ndriçuam...”.
Delo Isufi të përfshin si
pakuptuar në melodinë e poezive krejt natyrshëm, saqë, kur fillon t`i lexosh
ndjen dëshirën e brendshme t`i recitosh, madje t`i këndosh ato vargje që të
falin frymëzim, freski, ngjyrime dhe
dritë. Libri e ka si një specifikë të vetën ndezjen e ndjenjave të dashurisë,
“punët” dhe “lojërat” e shpirtit e të zemrave dashurore, përjetimet e thella që
zgjon dashuria. Ndihet në këtë libër poetik edhe forca e brendshme shpërthyese,
që e bënë të magjishme poezinë, metafora, mbretëresha e figurave aristike, e,
krahas saj, vargjet sjellin te lexuesi bukurinë e krahasimeve mbresëlënëse,
metonimive, simboleve, epiteteve, si dhe një kanistër plot me figura të tjera
poetike, që e bëjnë vëllimin krejt origjinal: “Pritmë, mike, në pranverë, /
T`jesh e bindur, aty jam, / Do të sjell lule me erë, / do t’i mbjell në
fustan.”
Fuqishëm shfaqet
ndjenja e zjarrtë e dashurisë edhe te vjersha “Mall për miken”, ku vargjet
duken sikur shkrihen me hapësirën dhe vijnë te lexuesi të stolisuar plot shije
dhe bukuri: “Fustanella fluturonte,/Xixa lëshonin patkonjtë,/Tek
jarania labi shkonte,/Që t`i puthte gush` e ftonjtë...
Sigurisht që nuk mund të mos
krijosh dhe të mos tërhiqesh drejt një “mikrobote” përjetimesh e ndjenjash të
bukura, kur të rrëmbejnë poezi kaq të
këndshme, të cilat sikur hedhin valle në
përfytyrimet e tua si lexues dhe
shpalosin para teje peizazhe të mbushura me cicërima, me “muzikë” burimesh e
përrenjsh, me gjelbërim, me freski e me gurgullimë shpirti. Kështu, me
ngjyrime, vjen poezia “Piktorja”, ku lirizmi pikon në shpirtin e poetit dhe ai shkruan: “Vajzën
piktore e takova vetëm një herë,/Gjithë zogjtë e qiellit atë ditë zbritën
aty,/Fytyra engjëllore, përherë pranverë,/Katër stinët e viti i reflektoheshin
në sy.”
Poeti është kundër tipareve
të këqija njerëzore, që shajnë, poshtërojnë, që mezi presin t’i shpallin armiq
njerëzit, që mendojnë ndryshe, apo ata ekzemplarë që, iu bën të mira dhe në
fund të “shpërblejnë” me mosmirënjohje etj., fenomene negative këto, të njohura
në marrëdhëniet dhe botën e rëndomtë, e me të cilat autori nuk pajtohet kurrë.
Libri ka ritëm, çdo poezi
sikur është ndërtuar si një kulm më vete, secila është, herë një bisk
pranveror, herë një gonxhe e sapoçelur, herë një trëndafil që spërkat me aromë
natyrën, duke iu gëzuar rrezeve të ëmbla dhe të ngrohta të diellit apo dritës
së Hënës dhe yjeve të ndritshëm. Besnik në erotikën e tij, Deloja shpalos
vazhdimisht dashurinë dhe respektin për krijimtarinë popullore, ndërkohë që
vargjet e tij frymëzojnë respekt dhe
dashuri për perlat e poezive tona popullore.
Te poezia “Poetja këngëtare”, ai derdh
vargjet: “Një indiane e nisi këngën,/Nuk ish këngë po cicërimë,/Unë e
ngatërrova me hënën,/Kur ajo shfaqi bukurinë./Pastaj këndova dhe unë,/Në gjuhën
tonë perëndie,/ “Vito ç`mu bëre në gjumë”,/Këngë e vjetër dashurie.”
Poeti Isufi, nuk lë mënjanë
“burimin” e dashurive të mëdha në jetë, figurën madhështore të nënës, duke e
imnizuar figurën e saj të shtrenjtë për të gjithë njerëzit e këtij planeti. “Unë
nuk dua asgjë tjetër, / Veç t’më thuash: -Si je nënë? / Se jam ligur, se jam
tretur, / Veç t’më thuash: - Si ke qenë? Se jam nënë e mbetëm nënë!”
Për Delo Isufin janë
shprehur shumë krijues, mes të cilëve Viron Kona, Agim Bajrami, Kadri Tarelli,
Bashkim Saliasi, Sejdo Harka etj., dhe, të gjithë kanë shkruar me respekt dhe entuziazëm për krijimtarinë e këtij
poeti. Me ata bashkoj edhe unë mendimin, duke vlerësuar te Deloja veçanërisht
gjuhën e zemrës dhe të shpirti të tij të bukur, botën e tij të pasur me
ndjenja, sinqeritetin, simpatinë dhe dëshirën për harmoni në jetën mes njerëzve dhe natyrës.
Leximi librit poetik “Vajza
e Manaferrave” të frymëzon, të sjell
paqe, qetësi shpirti dhe freski, ai nxit emancipim dhe dashuri, por edhe na
nxit kureshtjen të hulumtojmë pak më shumë edhe për poetin Delo Isufi, për
jetën dhe përvojat e tij, për vëllimet e tjera poetike që ai ka shkruar e
botuar: Mësojmë se Deloja Delo ka lindur në fshatin Brataj
të Vlorës, më 15 korrik të vitit 1944. Pasi mbaroi arsimin e mesëm, ndoqi
studimet në Akademinë e Forcave Ushtarake Ajrore, ku u diplomua “Pilot Gjuajtës
Bombardues”. Vitet e para si pilot shërbeu pedagog për fluturimin në Akademi,
ku mësoi pilotë të ardhshëm në teori dhe praktikë fluturimi. Fluturoi në të
gjitha kushtet e kohës dhe të motit, në re, natën, në muzg e agim për 26 vite
me aeroplan luftarak rekativ mbizanor, deri në vitin 1992 me detyrën
zv.komandant regjimenti apo kopmandant i fluturimeve, me gradën kolonel. Në
vitin 1974 mbaroi edhe Fakultetin e Shkencave politike juridike, dega Drejtësi,
në Universitetin Shtetëror të Tiranës, ku u diplomua Jurist. Prej vitit 1992 e
në vazhdim punon avokat. Nga viti 2002 e deri në vitin 2006, ka qënë Avokat i
Avokaturës së Përgjithshme të Shtetit Shqiptar, në periudhën e fundit, edhe
Avokat i Përgjithshëm i Shtetit, tani avokat privat.
Deloja ka botuar
shtatë libra: Një novelë: “Ndiej tek ikën”, 2008 dhe gjashtë vëllime poetike,
që janë: “Magjia e syve”, 1998, “Lulet e zemrës”, 2003, “Kur lahet hëna”, 2006,
“Ëndërr e grisur”, 2012, “Tavolina e rezervuar”, 2016, “Vajza e manaferrave”,
2019. Ndërkaq, Delo Isufi ka shqipëruar shumë poezi nga gjuhët Angleze, Ruse e
Frënge. Si poet, ka marrë pjesë dy herë në një festival të poetëve nga mbarë
bota në Indi. Për tre vite me radhë, poezitë e tij janë botuar në Antologjinë
Poetike Internacionale Shumëgjuhëse të Shtetit Andhra Pradesh, Indi.
Dëshiroj ta mbyll këtë
artikull me vlerësimin poetik, që i bënë poezive të Delo Isufit, redaktori i
librave të tij, shkrimtari Viron Kona, i cili vë në dukje se: “Kur shkruan
poezi, Delo Isufi e ngjyen penën në shpirtin e
tij të bukur.”