| E shtune, 31.07.2021, 01:22 PM |
KUJDES KUR BËJMË VËREJTJE PËR SHQIPTARËT E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
Nga
Gjokë Dabaj
Ndodh
shpesh që, këtu në Republikën e Shqipërisë, dëgjojmë vërejtje lidhur me të
folurit e shqiptarëvet të Republikës së Kosovës: “Këta e flasin më pastër sërbishten se shqipen!”
Puna arrin deri atje sa e ndërrojnë me përçmim kanalin
televiziv. Nuk duan të dëgjojnë as për çfarë flitet dhe as si flitet.
Nuk them se veprojnë kështu një shumicë apo një pakicë
shqiptarësh të këtushëm, sepse nuk e di. Por po e gjykoj thjeshtë si dukuri.
Është një nga dukuritë që e dëmton shumë kohezionin e
kombit tonë. Janë njerëz injorantë dhe mendjeshkurtër ata që u japin mend të
tjerëvet në këtë mënyrë! Injorantë, shpeshherë edhe me diploma fakultetesh!
S’e dinë që gjuha jonë letrare u sanksionua, së pari, në
Prishtinë dhe pastaj erdhi këtu në Tiranë ajka e inteligjencës sonë kombëtare
nga të gjithë viset që gjendeshin nën Jugosllavi dhe e miratoi këtë gjuhë
tonën, vërtet moderne.
S’e dinë që pikërisht nga Republika e Kosovës, atëherë
krahinë autonome me njëmijë halle, dolën disa nga personalitetet më të shquar
të kulturës sonë kombëtare! Jo vetëm në fushën e filologjisë, jo vetëm në
gjuhësi e letërsi, në mësimdhënie, në teatër, në këngë, muzikë e valle thjeshtë
shqiptare, por në të gjitha fushat sociale dhe ekonomike!
Dhe s’e dinë këta shqiptarë të Republikës së Shqipërisë,
shpeshherë me fakultete, që atyre shqiptarëve të atjeshëm ua dogji e shkatërroi
shtëpitë pushtuesi i ardhur nga Sërbia, por këtu i shkatërruam vetë, me dorën
tonë, të gjitha fabrikat, uzinat e kombinatet dhe i dhamë rrugët e botës më
shumë se gjysmës së popullsisë së këtij shteti!
Po e them edhe njëherë: Nuk flas për të gjithë shqiptarët
e këtushëm. Flas vetëm për atë pjesë që ka prirjen për t’i nënvleftësuar dhe
denigruar në mënyrë meskine shqiptarët e Republikës së Kosovës.
Këta denigrues e përbuzës të shqiptarëvet të Republikës
së Kosovës, se “nuk po ditkan të flasin
shqip!”,
nuk i dëgjojmë të bëjnë vërejtje asnjëherë për
bashkëkombasit e vet në Janinë, Prevezë, Filat e Konicë që, për njëqind vjet
s’qenë në gjendje të hapin as edhe një shkollë shqipe për fëmijët e vet!
Këta denigrues e pëbuzës të shqiptarëvet të Republikës së
Kosovës, se “nuk po folkan më pastër
sërbisht se shqip!”, nuk i dëgjojmë asnjëherë
të shprehin shqetësim: Pse disa miliona shqiptarë që jetojnë në Turqi, nuk po
hapin dot për fëmijët e vet qoftë edhe një shkollë fillore shqipe, në Stamboll,
në Izmir, në Ankara!!
Megjithëkëtë, s’kemi ç’të bëjmë tjetër, veçse ta shprehim
këtë indinjatë tonën, me shpresën që, në mos të gjithë, të paktën dikush do t’i
lexojë këto që po shkruajmë.
Problem shumë i madh yni është sot rivitalizimi i gjuhës
dhe kultures sonë në gjysmën e Shqipërisë Jugore, që e ka pushtuar Greqia, dhe
krijimi i institucionevet kulturoë e arsimorë kombëtarë në diasporë, kudo ku
jetojnë shqiptarët. Ky është problem! Jo të bëjmë vërejtje si po flet një
shqiptar i Prizrenit, Pejës apo Podujevës, duke mos denjuar as të dëgjojmë për
çfarë po flitet!