| E enjte, 29.07.2021, 08:00 PM |
Blerim Latifi:
Po
e nisi këtë tekst me një koincidencë historike e cila rastësisht m'u kujtua:
29
korrik 1913: Konferenca e Londrës e Fuqive të mëdha njeh shtetin shqiptar, por
duke lënë jashtë tij Kosovën, që i jepet shtetit serb, pasi ky e kishte
pushtuar me dhunë në vjeshtën e vitit 1912. Jashtë shtetit shqiptar mbetet edhe
qyteti më i madh shqiptar i asaj kohe, Shkupi.
29
korrik 2021: kryeministri i Shqipërisë dhe kryeministri i Serbisë nënshkruajnë
në Shkup, tani kryeqytet i një shteti sllav, iniciativën "Ballkani i
hapur" dhe bëjnë thirrje që e kaluara të lihet pas. E kaluara në këtë rast
nënkupton historinë e Kosovës nga viti 1912 deri në vitin 1999, e gjitha e
mbushur me terror e akte gjenocidale, të kryera nga shteti serb mbi gjysmën e
kombit shqiptar.
Pra,
na kërkohet që të lëmë pas këtë histori, ta harrojmë atë për hir të një
iniciative të kotë, e cila po bëhet thjesht dhe vetëm për të zëvendësuar në
mënyrë iluzore integrimin europian që tanimë duket aq i largët për shtetet e
Ballkanit perëndimor.
Na
kërkohet të lëmë pas të kaluarën, në kushtet kur shteti serb që është përgjegjësi
i krimeve të saj jo vetëm që i mohon ato, por çdo ditë kujdeset që të na tregoj
dëshirën e tij për t'u kthyer në vendin e krimit dhe nuk lë gjë pa bërë që ta
minojë ekzistencën e shtetit të Kosovës. Në këtë situatë është e pamoralshme të
na kërkohet t'i besojmë Serbisë dhe shefit të saj autoritarist.
Ne
mund të dukemi si jodiplomatikë, jopragmatistë, jokonstruktivë, joaktualë,
njerëz që shikojmë nga e kaluara ose që jetojmë diku në një univers paralel,
por në realitet ne vetëm po respektojmë diçka që është e pashmangshme dhe e
domosdoshme për qenien tonë: të vërtetën e vuajtjeve tona njëshekullore, mbi të
cilat mbështetet arsyeja e vetme pse Kosova e ka meritur lirinë dhe pavarësinë.
Solzhenjicin tek "Arkipelagu Gulag" e ka një shprehje të goditur:
Nëse jeton në të kaluarën e humbet njërin sy, por nëse e harron të kaluarën do
t'i humbësh të dy sytë!
Edhe
një gjë: unë nuk pajtohem hiç me ata që e quajnë Ramën kolaboracionist ose
proserb, e me të tjera epitete të ngjajshme. Rama nuk është i tillë. Nuk ka
nevojë të jetë ose të bëhet i tillë. Ai është thjesht një kryeministër i
Shqipërisë që nuk e njeh Serbinë, e as diktatorin e saj të ri. Ai është naiv në
raport me Serbinë dhe ky naivitet bazohet në bindjen e gabuar se në Serbi
njerëzit, politika dhe gjërat kanë ndryshuar për mirë.Serbia ndryshon veç
atëherë kur kombi shqiptar aftësohet për t'ia thyer dhëmbët çdo agresioni të
mundshëm serb mbi Kosovën. Por që t'ia arrijmë asaj dite, na duhen burrështetas
të vërtetë, e jo politikanë të cilëve mendja u punon veç për pushtetin e tyre
personal dhe të shpurës që u shkon pas.
__________
Bullgaria
e ka bllokuar Maqedoninë. Serbia hapur, ditën dhe natën, pa u ndalur kurrë,
punon kundër shtetit të Kosovës. Duke mos u mjaftuar me kaq, Serbia vazhdon të
fus hundët edhe në Mal të Zi dhe në Bosnjë, e cila sot i ka pothuajse të gjitha
tiparet e shtetit të dështuar. Greqia kartonin e kuq në Bruksel e mbanë në
gadishmëri për ta përdorur kundër Shqipërisë. Vetë Maqedonia e dobët me dekada
s'ka lënë gjë pa bërë që demografinë shqiptare atje ta defaktorizojë përmes
stimulimit të ndryshimit të identitetit të shqiptarëve nga një komunitet i
vjetër etnik në një komunitet të ri fetar, me orientim themelor oriental dhe
joeuropian.
Ky
pra është Ballkani sot: disa shtete që shfrytëzojnë përparësitë e tyre për t'ua
zënë frymën fqinjëve më të dobët. E këta tre, me këto fotografi që na i
servirin herë pas here, vazhdojnë të luajnë farsën e bashkëpunimit miqësor në
Ballkan.
___________
Dola
për një shetitje në freskinë e natës bregdetare. Nga larg vinte zhurma e
muzikës e lëshuar në ndonjërin nga ato restorantet verore që hapen në
plazhe.Nuk po u besoja veshëve: një kangë nga turbofolku serb ishte lëshuar në
volumin maksimal të zërimit.Pastaj papritur kanga u ndërpre. Pasuan disa sekonda
heshtjeje dhe ja nisi prapë muzika, veç tash kanga ishte shqip dhe ajo i
këndohej Qorr Ilazit. Mbase dikush nga klientët kosovarë kishte ndërhyrë tek
kujdestari i muzikës që jepej në restorant. Mbase pronari i tij ka pasur ndonjë
klient serb aty. Mbase është në pyetje fakti se në Shqipëri nuk e kanë
averzionin që ne në Kosovë e kemi ndaj muzikës serbe. Kush e di si është puna?
Një gjë megjithatë e kisha të qartë në ato momente: nëse kanga e Qorr Ilazit po
këndohej në versionin klasik, deri në mesin e natës nuk do të kishte nevojë për
t'u lëshuar ndonjë kangë tjetër.Kur pasi isha larguar aq sa kanga më nuk po
dëgjohej qartë, Qorri ende nuk e kishte kaluar kufirin në rrugën e tij drejt
Prishtinës ku do ta kryej heroizmin në stilin e Silvester Stalones.
___________
Qetësi
e plotë. Pastërtia në nivel të duhur. Deti dhe plazhi fantastik, në çdo
pikëpamje. Dhe një gjë tjetër esencialisht e nevojshme: anonimiteti i plotë.
Askënd s'po e njoh dhe askush s'po më njeh. Pra, liri e plotë nga detyrimet
rutinore të përshëndetjes me të njohurit. Të pushosh do të thotë të çlirohesh
përkohësisht nga diktatura e përditshmërisë jetësore. Tani edhe kamarieri e ka
mësuar llojin e kafes që pi dhe, sapo ulem në tavolinë, ma sjell pa fjalë
espresson e pashmangshme dhe largohet në punën e tij. E vetmja gjë që po më
pengon është ky telefon i mallkuar, të cilin s'po gjej forcë ta hedh tutje.
Telefoni, ky opium i ri për popullin!
___________
Se
njehi pushim pa u ngjitë n'male! Edhe atë n'pikë t'zhegut.