| E merkure, 28.07.2021, 06:00 PM |
JASTËKËT E NËNAVET, TË LARË ME LOT
Nga
Gjokë Dabaj
U
dha njoftimi që do të deportohen nga Mbretëria e Bashkuar, që disa i thonë
Angli e të tjerë Britani e Madhe, për në Republikën e Shqipërisë, 1400 të
burgosur shqiptarë. Njëmijë e katërqind!
Sigurisht që dhimbja e parë, thikë që ther në tru, do të shkojë, siç ka
shkuar që kur janë burgosur, te familjet e atyre të burgosurve.
Nënat,
në qoftë se i kanë gjallë, motrat, etërit, vëllezërit. Dhimbja e dytë, e rëndë,
do të jetë për ata vetë: Ç’ju desh, o djem, që u hytë atyre punëve?! Por mendja
e njeriut nuk ndalet aty. Ç’po bëhet me shtetin e madh, me nam në histori, që
quhet Mbretëri e Bashkuar?! Sepse dihet që atje nuk burgosen vetëm shqiptarët.
Shqiptarë të burgosur qenkan 1400! Mund të jenë proporcionalisht më shumë se të
kombevet të tjerë, por nuk është e mundur që burgjet e asaj Mbretërie të jenë
hapur dhe të funksionojnë vetëm për shqiptarët. Sa britanikë ka nëpër ata
burgje?! Sa irlandezë?! Sa indianë?! Sa egjiptianë?! Sa polakë?! Sa bullgarë?!
Sa rusë?! Sa sërbë?! Sa sirianë?! Sa egjiptianë?! Sa spanjollë?! Sa italianë?!
Sa gjermanë?! Sa rumunë?! Sa algjerianë?! Sa tunizianë?! Sa libianë?! Sa
nigerianë?! Sa afrikano-jugorë?! Sa kinezë?! Sa kolumbianë?! Sa argjentinas?!
Sa bolivianë?! Sa kubanë?! Sa shtetas të SHBA-së?! Sa kanadezë?! Sa
indonezianë?! Sa irakenë?! Sa ukrainas?! Sa bjellorusë?!
Kur
ka 1400 shqiptarë, të caktuar për deportim, nuk është e mundur të mos ketë edhe
të paktën nga kaq prej shtetevet të tjerë. Po edhe sikur sa gjysma e këtyre të
ketë prej secilit popull që i përmenda, përsëri burgu i Britanisë së Madhe do
ta meritonte plotësisht cilësimin "burg i kombevet". A është vetë
Mbretëria e Bashkuar burg i kombevet, në këtë kuptim që e thashë, apo s’është,
do të ish tepër e nevojshme që, kur të na thuhet se po deportohen 1400 të
burgosur shqiptarë, të na jepeshin edhe shifrat e të burgosurvet të tjerë. Sa
të burgosur të tjerë joshqiptarë ka në atë vend?! Sepse, përndryshe, ne
shqiptarët do ta ndjejmë veten tejet të poshtëruar.
Unë,
si pjesëtar i kombit shqiptar, e kërkoj një informim të tillë të plotë. Mos e
nxirrni kombin tonë si delen e zezë! Na thoni: Sa të tjerë keni rrasur nëpër
burgje në shtetin tuaj demokratik?!
E
tash, për të mos e lënë vetëm Mbretërinë e Bashkuar, unë po bëj edhe këto pyetje:
Sa të ngarkuar janë, përveçse me shtetas të vet, edhe me shtetas të huaj,
burgjet e Gjermanisë, Francës, Spanjës, Italisë, Greqisë, Zvicrës, Belgjikës,
Hollandës, Polonisë, Çekisë, Kroacisë, Sllovenisë, Sllovakisë, Hungarisë, a
cilitdo shtet tjetër të botës që ne e kemi ëndërr për t'u bërë të lumtur si
ata?!
Na
i thoni këto gjëra, që të mos mbetemi të painformuar dhe na e thoni shkoqur:
Bota e sotme, e prirë pikërisht nga ky Perendim Demokratik, a është botë e lirë
apo botë burgjesh?! Sepse, vetëm sonte, 1400 nëna shqiptare do t'i lajnë me lot
jastëkët e shtrojevet të tyre të mosfjetjes!