| E shtune, 24.07.2021, 03:55 PM |
“Zef Pllumi” i Sabri
Hamitit
Nga
Agron Gjekmarkaj
Libri
i parë për At Zef Pllumin (botim i “Albas”) vjen nga Kosova, nga Prishtina, nga
akademik Sabri Hamiti, i cili nuk ngurron që njohjen me Pllumin ta konsiderojë
“dhuratë nga Zoti”.
Pllumi
dhe Hamiti e kanë intensifikuar bashkëpunimin dhe miqësinë ndër vite, duke u
nisur nga një kontekst i përafërt mendimi dhe veprimi. Sabri Hamiti është
përfaqësues autentik i elitës shqiptare, që gjithë jetën i është dashur të bëje
rezistencë politike dhe kulturore në rrethanat e shtypjes kombëtare dhe të
okupacionit serb për të dëshmuar kulturën si identitet dhe identitetin si
qëndresë përballë dhunës dhe asimilimit.
At
Zef Pllumi është përfaqësues i elitës së përmbysur me terror, i cili
ka bërë rezistencë politike dhe kulturore në kushtet e një totalitarizmi
unik në Europë për lirinë, besimin, “giuhën
e nanës”, traditën kulturore së cilës i përkiste dhe amanetin “rrno
vetëm për me tregue”.
Kështu
ai ka dëshmuar moralin dhe modelin e qëndresës për të mbetur njeri, mendimtar,
klerik, kur individi shqiptar si tendencë ishte shndërruar në kafshë pune,
shërbëtor, hafije a dhunues. Kjo rezistencë, jetët e të dyve i çoi në skajet e
epërme të rrezikut, me burgun e gjatë apo atentatin e drejtpërdrejtë, ndaj i
shoh natyrshëm të bashkuar në këtë libër: njëri studiues e tjetri objekt
studimi. Së bashku aty “jo nga çasti e nga rasti”, por si përputhje fatlume e
idesë me njeriun, ku secili i jep tjetrit deri në identifikim.
Emërtimi
i librit ka dy kompozita, një emër dhe mbiemër, “Zef Pllumi”, të
vetëmjaftueshëm për të kumtuar veçanësi, rëndësi, autenticitet si autor dhe
autoritet. Vetëdijen personale që në kontaktin e parë Hamiti synon ta
shndërrojë në vetëdije të lexuesit. Sabri Hamiti bën një shpallje tejet të
rëndësishme në këtë tekst të tijin, i cili vjen pas njohjes së afërt dhe
kontakteve njerëzore që ka pasur ndër vite me Pllumin, pas një rileximi përimtues me integritet shkencor dhe etik të
rrallë të veprës-jetë e jetës-vepër, nga ku ndërton simbiozën e fenomenit
kulturor të bashkëkohësisë shqiptare.
Pse
Hamitit Pllumi i rezulton “fenomeni kulturor” shqiptar i bashkëkohësisë?
Po
rendis disa teza ose arsye që kam nxjerrë dhe perifrazuar nga libri “Zef
Pllumi”, të cilat të çojnë kah përcaktimi:
“Pllumi
ishte gjithmonë disident e asnjëherë defatist”, libri, liria dhe robnia rrinë
në mes këtyre dy koncepteve si gjendje shpirtërore dhe provë e kapacitetit
krijues, prandaj “Pllumi ishte një dhe duhet lexuar si i tillë”, sepse “vepra e
tij është edhe një dëshmi (dokument), edhe vlerësim (monument), dhe, në fillim
e në fund,një vepër autobiografike, si të gjitha veprat e tij, duke dëshmuar
përfundimisht që nuk është vetëm një shkrues (skriptor), por edhe krijues
(autor) i letërsisë shqipe”;
“Letërsia
e Pllumit është letërsi e ideve dhe vizioneve në udhën e veprimit”;
“Në
vështrimin e modelit krijues, Zef Pllumi është shkrimtar dokumentar, kurorëzues
i prozës dokumentare në shqip, në vështrimin e vlerës së veprës, sidomos me
veprën e parë, është themelues i letërsisë së burgut e të llogorit dhe
dëshmitari e kundërshtari i dhunës komuniste gjysmëshekullore mbi jetën e mbi
kulturën shqiptare”;
“At
Zef Pllumi është një staturë morale e kohës, një pikë e mbështetjes për të
matur vlerën e gjestit konkret apo qëndresën kah qëllimi”;
“Secila
kohë, secila kulturë, ka nevojë ta ketë një autoritet shpirtëror e moral tek i
cili gjen mbështetje në kohë të mira e të vështira. Thoshin latinet: historia
është mësuese e jetës. Dëshmon At Zef Pllumi: jeta është mësuese e historisë.
Në këtë këndvështrim, At Zef Pllumi është fenomen kulturor i kohës së tij”;
Një
rrëfim i paautorizuar i një bisede të Sabri Hamitit mes miqsh më bashkon
racionalitetin e analizës së librit me mistiken e miqësisë edhe përtej vdekjes.
Tek fliste një herë për At Zef Pllumin, më mbeti në mendje kjo frazë: Zefi,
edhe kur të mbushte një gotë raki, mënyra sesi e bënte e qysh ta jepte në dorë,
të dukej nji gjest sublim, sikur të shpëtonte jetën e shpeshherë më kujtonte
baben tim”.
E
risolla këtu këtë gjykim intim në mbështetje të asaj çka kam menduar gjatë
leximit të librit “Zef Pllumi” nga faqja e parë deri tek e mbramja, sepse libri
është shkruar me dashuri, një dashuri që bëhet udhërrëfyese për intelektin dhe
jo sugjestionuese e tij për të ndërtuar fizionominë intelektuale e morale të
“Zef Pllumit” të “tij”, të Zef Pllumit tonë si fenomen kulturor i
bashkëkohësisë. Sabri Hamiti e ka bërë këtë si askush tjetër, për një
personalitet të pangjashëm me askënd tjetër.
https://www.facebook.com/Agron-Gjekmarkaj-107905198041144