| E hene, 19.07.2021, 09:01 PM |
Edhe në BE do na fusë
Erdogani
Nga
Andi Bushati
Vetëm
dy ditë pasi kryeministri Rama bënte humor në Greqi, duke thënë se vendi ynë do
të pranohej në Europë, atëherë kur kryesimin e BE ta merrte Turqia, ambasadori
turk në Tiranë fliste nga parku i liqenit, për një ndërgjegjësim të
autoriteteve shqiptare për rezikshmërinë e gylenisëve.
Këto
dy episode, të shtrira në distancë të vogël kohore dhe gjeografike dëshmojnë në
thelb dy qasje të ndryshme për të njëjtin problem.
Gjithnjë
e më tepër, Turqia e Erdoganit po e trajton Shqipërinë si një nga vilajetet e
perandorisë, ku zbatimi i vullnetit të portës së lartë është i padiskutueshëm.
Këtë bëri edhe kryediplomati Yörük, para memorialit të çuditshëm të viktimave
të puçit të 15 korrikut, që shteti shqiptar ka ngritur bujarisht buzë liqenit
artificial. Konform me politikën zyrtare, ai ia mveshi edhe njëherë puçin e
verës së pesë viteve më parë idhtarëve të klerikut Gylen, shprehu keqardhjen
për faktin se organizata që Ankaraja e etiketon si FETO vijion të jetë prezente
këtu tek ne, por nënvizoi edhe ‘lajmin pozitiv’ se institucionet shqipëtare
tashmë janë ndërgjegjësuar për të.
Pikërisht
për të maskuar këtë ndërgjegjësim të imponuar nga neo-otomanët, Edi Rama sa
herë gjendet në perëndim, zgjedh mënyrën që ka përvetësuar më mirë, atë të
batutave dhe lojrave të flalëve, për të skicuar marëdhënien e vet okulte me
Erdoganin.
Problemi
thelbësor është ky: asnjë nga demokracitë perendimore nuk e ka pranuar si të
faktuar me prova rolin organizator të gylenistëve në grushtin e shtetit të 15
korrikut 2016. Ata i kanë dhënë mbrojtje, strehim politik apo kanë rrefuzuar ti
dorëzojnë në Turqi ata që regjimi islamo- konservator i ka etiketuar si
puçistë. Të gjithë shkrimtarët, profesorët, intelektualët, aktivistët që kanë
mundur të arratisen për ti shpëtuar qelive të një vendi ku ka vdekur shteti i
së drejtës, nuk konsiderohen si terroristë nga aleatët perendimorë të
Shqipërisë.
Dhë
këtu qëndron kontradikta që Edi Rama kërkon ta fshehë. Sepse brenda vendit, nën
thundrën e Erdoganit, ai ka zgjedhur një qëndrim të ndryshëm nga anëtarët e
tjerë të BE apo NATO-s.
Që
në pranverën e 2018, gjatë një interviste televizive, ai i cilësoi gylenistët
si një organizatë të rrezikshme që kërkoi të rrëzonte me dhunë dhe me armë një
pushtet të zgjedhur me votë. Dhë këtë bindje, dalë ngadalë e ka shndërruar në
politikë zyrtare të qeverisë së vet.
Shumë
shkolla që i përkisnin lëvizjes gyleniste janë detyruar të ndryshojnë pronar.
Nxënësit dhe punonjësit e kolegjit Mehmet Akif
janë dëshmitarë të disa raprezaljeve nga policia, nga autoritetet
financiare, madje edhe të persionit okult nga organet e drejtësisë për ti
mbyllur shkollat e tyre.
Jo
të paktë janë rastet e biznesmenëve të përjashtuar nga garat publike apo që u
janë anulluar tenderat e fituar, sepse nga Ankaraja ka ardhur për ta
karakteristika e keqe e të qenit idhtarë të Fehtulla Gylenit.
Edhe
më flagrant në këtë pikë është ekstradimi në kundërshtim me ligjet e shtetit
shqiptar, i një qytetari që iu mohua e drejta për azil politik, ndonëse në
vendin e tij i rrezikohej jeta. Në fillim të vitit 2020, Harun Çelik, iu
dorëzua në Rinas shërbimit sekret turk, kazus që u denoncua nga komisioneri për
të drejtat e njeriut në OKB, i cili ngriti shqetësimin se mes Tiranës dhe
Ankarasë ka një marveshje sekrete për këto lloj ekstradimesh.
Pra
mjaftojnë këto raste për të dëshmuar se Tirana zyrtare po aplikon nën presionin
e Erdoganit një standart të ndryshëm nga ai i vendeve perendimore ku funksionon
shteti i së drejtës.
Pak
rëndësi ka nëse Rama e bën këtë për të marrë ndonjë vaksinë më shumë, për të
nxjerrë fonde për ndonjë spital, për hir të linjës së përbashkët ajrore që ka
me Erdoganin, për ushqimin e delireve si ndërmjetës në diplomacinë globale që
pret ti vijë nga presidenti turk, apo thjeshtë se ky i fundit e ka kthyer në
zakon, çdo katër vite, ta mbështesë në zgjedhje.
E
vërteta është se nën thundrën e sulltanit, Shqipëria u detyrua të përdorë një
standart të dyfishtë të papranueshëm për partnerët e saj perendimorë. Dhe
pikërisht për këtë, ne detyrohemi që ti dëgjojmë të vërtetat e vrazhda nga
ambasadori turk në Tiranë. Sepse kur flet për Erdoganin, sidomos jashtë
kufinjve, kryeministri ynë është i obliguar të përdorë një gjuhë të komplikuar,
ku realiteti reket të fshihet pas humorit dhe batutave, si ajo për pranimin në
BE, kur atë ta kryesojë Turqia.
Lapsi.al