| E hene, 05.07.2021, 06:24 PM |
Modeli i pemës
Nga
Astrit Lulushi
Në
gjuhësinë historike, modeli i pemës është shprehje e evolucionit të gjuhëve, i
ngjashëm me konceptin e pemës biologjike të specieve - secila gjuhë supozohet
se ka evoluar nga një gjuhë amtare. Idea u popullarizuar nga gjuhëtari gjerman
August Schleicher në 1853. Sidoqoftë, kjo mbeti kryesisht vetëm ide, dhe
gjuhëtarët gjithmonë kanë theksuar rolin e madh që ka luajtur transmetimi
horizontal në zhvillimi e gjuhës.
Shën
Augustini (shek. V) supozoi që secili nga pasardhësit e Noes themeloi një komb
dhe secilit komb i ishte dhënë një gjuhë - Agustini identifikoi 72 kombe,
themelues fisnorë dhe gjuhë. Konfuzioni dhe shpërndarja ndodhën në kohën e
Pelegut që ishte biri i Heberit, ky bir i Semit, dhe ky bir i Noes. Augustini
pastaj paraqiti një hipotezë, jo ndryshe nga ato të gjuhëtarëve historikë të
mëvonshëm, se familja e Heberit e ruajti atë gjuhë që besohej se ishte gjuha e
përbashkët. Që nga ajo kohë gjuha mori emrin e Heberit ose Hebraisht. Shën
Augustini e zgjidhi këtë problem duke supozuar se Heberi, i cili jetoi 430
vjet, ishte ende gjallë kur Zoti caktoi gjuhën e parajsës që flitej nga Adami
dhe Eva në kopshtin e Edenit. Hipoteza e Shën Agustinit qëndroi për më shumë se
një mijë vjet. Pastaj, në vitin 1684, duke shprehur skepticizëm në lidhje me
besimet, veçanërisht Biblike, eruditi britanik Thomas Browne shkroi:
"Megjithëse
toka ishte shumë e populluar para përmbytjes është për të dyshuar, nëse, pas
një shpërndarjeje të madhe njerëzit mbajtën një gjuhë kaq uniforme.”
Deri
në atë kohë, zbulimi i Botës së Re dhe eksplorimi i Lindjes së Largët kishte
sjellë njohuri të gjuhëve të reja përtej 72 të llogaritura nga Shën Augustini.
Browne sugjeroi që ngatërrimi i gjuhëve në fillim ra vetëm mbi ata që ishin të
pranishëm në punimet e Kullës së Babelit. Për të tjerët rreth rrëzës së
kodrave, ku ndodhej arka, gjuha me kalimin e kohës u degëzua në disa pjesë të
Evropës dhe Azisë. Sipas pikëpamjes së Browne, thjeshtimi i gjuhës nga një
gjuhë më e madhe mund të llogaritet për ndryshimet e shumta në gjuhë. Ai
sugjeroi kinezishten e lashtë, nga e cila gjuhët e tjeta erdhën nga
"konfuzioni, përzierja dhe ndikimi".
Browne
flet mbi një numër aktivitetesh rindërtuese të gjuhëve; se një dialog mund të
hartohet në saksonisht, vetëm me fjalë që mund të nxirren nga greqishtja; ose
se anglishtja dhe holandishtja kishin të njëjtën prejardhje; apo gjuha skithëve
kalonte nëpër kombet e Evropës. Konfuzioni në Kullën e Babelit u hoq si
pengesë. Përpjekjet për të gjetur ngjashmëri në të gjitha gjuhët rezultuan në
zbulimin gradual të një gjuhe master antike nga e cila rrjedhin të gjitha
gjuhët e tjera.
Në
fund të viteve 1600, James Howell botoi “Epistolae Ho-Elianae”, letra pothuajse
imagjinare për persona të ndryshëm të rëndësishëm në fushën që përmbanin
informacione të vlefshme historike. Këtu ai sjell për herë të parë metaforën e
një peme gjuhësh.
"Unë
tani do të ngre vela drejt Hollandës, gjuha e së cilës është e njëjtë me
anglishten, të dyja rrjedhin nga holandishtja e lartë: Danishtja gjithashtu
është degë e së njëjtës peme. Gjuha e Lartë Hollandeze ose Teutonikia, është
një nga Gjuhët Amtare në Evropë; gjuha e Gotëve dhe Vandalëve vazhdon akoma në
pjesën më të madhe të Polonisë dhe Hungarisë, të cilët kanë një Dialekt për
gjuhën e të folurit të masave (vulgare). Disa nga shkrimtarët e saj do ta bënin
këtë botë të besonte se ajo ishte gjuha që flitej në parajsë".
Kërkimi
për "gjuhën e parajsës" përfshiu të gjithë gjuhëtarët. Ata që
shkruanin në latinisht e quanin lingua prima, lingua primaeva ose lingua
primigenia. Në anglisht ishte gjuha Adamike; në gjermanisht, Ursprache. Hendeku
midis familjeve gjerësisht divergjente të gjuhëve mbeti i pa mbyllur.
Indo-Evropianistët
e parë mendonin se
atdheu
i indo-evropianëve ishte Kazakistani perëndimor. Ata veçuan 7 grupe që u ndanë
nga gjuha mëmë proto-indo-evropiane dhe krijuan degët e tyre:
E
para ishte Anatolian, rreth 4000 pes.
Tokarian
e ndoqi në vitet 3500 pes.
Pas
pak, rreth vitit 3250, Proto-Italo-Celtic u nda, duke u bërë Proto-Italic dhe
Proto-Celtic rreth viteve 2500 pes. Rreth vitit 3000, Proto-Albano-Gjermanik u
nda, dhe u bënë Proto Shqipe dhe Proto-Gjermanike rreth vitit 2000 pes.
Rreth
viteve 3000 pes Proto-Greko-Armene u nda, duke u bërë Proto-Grek dhe
Proto-Armene në vitet 1800 pes. Balto-Sllavishtja u shfaq rreth viteve 2500,
duke u ndarë në Proto-Baltike dhe Proto-Slavike rreth viteve 1000 pes.
Më
2 Shkurt 1786, William Jones mbajti Diskursin në Shoqatën Aziatike si president
i saj me temën e Hindusëve. Në të ai aplikoi logjikën e modelit të pemës në tre
gjuhë: greke, latine dhe sanskrite, duke vërejtur "një prirje në rrënjët e
foljeve dhe gramatikave që e kishin burimin nga një gjuhë e përbashkët, e cila,
mbase, nuk ekziston më.”
Jones
nuk e zhvilloi më tej idenë, por ajo u mor nga gjuhëtarët e kohës. Në
1813-1814, Thomas Young botoi një përmbledhje të librit të Johann Christoph
Adelung, "Mithridates, ose një histori e përgjithshme e gjuhëve".
Vepra e Adelungut përshkruan rreth 500 gjuhë dhe dialekte dhe shtron idenë e
një prejardhje nga gjuha e parajsës, e vendosur në Kashmir, ku lloji
monosilabik është më antik dhe primitiv, dhe flitet në Azi, në lindje të
Edenit. Pastaj ai ofron një emër, "Indoeuropean", që është përdorimi
i parë gjuhësor i njohur i fjalës, por jo përdorimi i saj i parë i njohur.
Kompania Britanike e Indisë Lindore po përdorte "tregtinë
indo-evropiane" për të nënkuptuar tregtinë e mallrave midis Indisë dhe
Evropës. Të gjitha dëshmitë që citon Young për grupin e stërgjyshërve janë
fjalët më të ngjashme: mëma, ati, etj.
Young
nuk ndan entuziazmin e Adelungut për gjuhën e parajsës dhe e cilëson atë si
spekulative. Dhe propozime të tjera dolën midis 1810 dhe 1867: indo-germanique
(Conrad Malte-Brun, 1810); japetisk (Rasmus Christian Rask, 1815);
indo-germanisch (Julius Klaproth, 1823); indisch-teutsch (F. Schmitthenner,
1826); sanskritis (Wilhelm von Humboldt, 1827); indokeltisch (AF Pott, 1840);
arioeuropeo (Graziadio Isaia Ascoli; 1854), Arian (Max Müller, 1861); dhe
aryaque (H. Chavée, 1867). Këta burra ishin të gjithë poliglot. Klaproth,
autori i idesë Indo-Germanisch, i cili kritikoi Jones për metodën e tij, dinte
kinezisht, japonisht, tibetiane dhe një numër gjuhësh të tjera. Koncepti i një
gjuhe Biblike i pëlqente imagjinatës së tyre. Ndërsa shpresa për ta gjetur vdiq
gradualisht. Dhe vendin e zunë Neogramarianët që iu rikthyen idesë së William
Jones, Franz Bopp dhe August Schleicher. Koncepti i prejardhjes së gjuhëve nuk
ishte aspak i ri. Thomas Jefferson, vetë një gjuhëtar i devotshëm, kishte
propozuar që nevoja e vazhdueshme për neologjizma nënkupton që gjuhët duhet të
përparojnë. Në von?, Joseph Harold Greenberg, në një seri esesh më 1950, i dha
metaforës së pemës një kuptim të ri, duke e quajtur pemë filogjenetike, ku
gjuhët dhe dialektet janë si speciet dhe varietetet, gjithmon? në ndryshim.