| E hene, 05.07.2021, 07:07 PM |
Kujtimet e akrobates së cirkut “Mjeshtre e Madhe e Punës” dhe poetes, Vitore Sallaku:
Në
këtë situatë pandemie rroj me kujtimet, filmat, videot dhe intervistat e
Skënderit
Babë
Myslimi e kishte shok babanë, por Enveri nuk e dëgjoi, e pushkatoi
Nga
Albert Z. ZHOLI
Vitore
që në moshën 11-vjeçare ka qenë pjesëtare e trupës së cirkut, duke dhënë një
kontribut maksimal, si brenda edhe jashtë vendit. Pas shkëputjes nga skena, ajo
u bë ndër pedagoget e para të studios së Cirkut. Në shenjë mirënjohje të
aktivitetit të saj artistik në shërbim të artit, i janë akorduar Medalje dhe
Urdhëra Pune, gjithashtu edhe titujt “Artiste e Merituar” dhe “Mjeshtre e Madhe
e Punës”. Akrobate, por edhe krijuese. Ndoshta është ndër gratë e pakta që
qysh në vogëli mbante shënime. Në krijimtarinë e saj ajo numëron 6 libra, një
prej të cilit ia dedikon bashkëshortit të saj “Artistit të Popullit”, Skënder
Sallaku. Mban titujt “Artiste e Merituar” dhe “Mjeshtre e madhe e Punës”.
Takimet e mia me të janë të shpeshta dhe plot emocion.
- Më këtë situatë Pandemie, si ka kaluar
Vitorja? A të ka munguar Skënderi pasi tashmë u bënë mbi 7 vjet që ai është
ndarë nga jeta dhe mbi 4 vjt që ju botuat librin me kujtime për të, “Skënder
Sallaku”.
-Situata
e Pandemisë ka qenë pjesa më e vështirë e jetës sime. Ka qenë e tillë pasi u
largova nga shoqet nga të afërmit, pasi lëvizja ishte tepër e kufizuar. Gjithë
këto kohë shikoja të gjitha materialet e Skënderit, dorëshkrimet e tij,
fotografitë, intervistat e dhëna, filmat e tij. Me to kaloja kohën. Vetëm
kështu mendoja se e kisha në krah. E vetme, por në çdo moment me rolet, fotot,
gazetat, videot, dorëshkrimet e tij.
- Unë mbaj mend se gjithmonë ju shikoja bashkë. Edhe
në pazar, edhe në aktivitete edhe në takime të ndryshme. Si do ta komentonit
këtë lidhje kaq të fortë?
- Ju thatë një të vërtetë që ne nuk ndaheshim
kurrë, kurrë. Atëherë ne takoheshim thuajse çdo ditë bashkë me ju, në
aktivitete. Ne ishim aq të lidhur sa nuk e mendon askush. Në çdo rrugë,
lokal, teatër, cirk, operë, në çdo qoshe të Tiranës kemi kujtime të shumta.
Shumë kujtime. Ndaj në çdo moment më del përpara Skënderi dhe më duket se jemi
bashkë. Vetëm në ndonjë moment kur dua të marr ndonjë mendim, atëhere e ndjej
se më mungon. Jeta e Skënderit ishte e mbushur me batuta gazmore, të
papritura skenike, spektakle, turne, situata komike, përplasje ideore,
keqkuptime, xhirime, improvizime. Jetë e gjitha në lëvizje. Ndaj për asnjë
çast, edhe tani që po flasim, nuk e besoj se Skënder Sallaku është larguar nga
kjo jetë. Nuk besoj që nga ne është larguar e qeshura, humori, barsoletat,
gallata, shakatë, shoqëria e shumtë. Jo vetëm unë, por gjithë miqësia e
kujtojmë çdo ditë dhe qeshim… Për më tej, në tavolinën time të punës ndodhet
portreti i tij, që më shikon drejt në sy dhe më përcjell atë buzëqeshjen
e tij karakteristike. Ndoshta ishin shumë kujtime, shumë ngjarje që i
kisha të freskëta në mendje që u ula dhe shkrova një libër për të. Edhe
sot e qeshura e tij karakteristike duket sikur më thotë: a të them një të
fundit? Sikur dëgjoj fjalët plot humor dhe pas tyre të qeshurën e tij të fortë.
Sa shumë kemi qeshur! Jeta e tij është ashtu si ka thënë miku i tij Bujar
Kapexhiu: “Jeta e një njeriut të veçantë, që Zoti, si rrallëkujt, i dhuroi një
dhunti të çmuar: humorin, dëshirën e pasionin që në çdo moment, në çdo vend, në
çdo rrethanë t’u japë njerëzve buzëqeshje, të qeshurën, gëzimin. Këtë mision ai
e kreu me aq devotshmëri, përherë i gatshëm, i papërtuar, entuziast.
“Buzëqeshja është rruga më e shkurtër midis dy njerëzve”, e kam thënë këtë herë
pas here, sepse e besoj, dhe sepse kam parë përherë te Skënderi që me njerëzit
ai nuk kishte rrugë, nuk kishte distancë, qëndronte gjithnjë pranë tyre, duke
mos e kursyer buzëqeshjen, mirësinë, gazin dhe harmoninë, por duke i dhuruar
këto me shumë përzemërsi. Sa herë që Skënder Sallaku tregonte diçka gazmore, po
aq herë ai qeshte me gjithë shpirt dhe e qeshura e tij shpërthente akoma më
shumë kur bashkëbiseduesit ia shkrepnin gazit”.
-
Një jetë në cirk. Ditë dhe netë të paharrueshme. Si u lidhët me këtë profesion,
kush ju nxiti, kush ishte arsyeja dhe si e njohët Skënderin?
- Unë në radhë të
parë kisha fizikun të tillë, një fizik elastik të veçantë. Bëja lëvizje trupore
që të gjithë befasoheshin. Të tregosh se si më ka lindur
dëshira për cirkun është shumë e thjeshtë, sepse unë qysh fëmijë, kam qenë
shumë e dhënë mbas cirkut. Cirku për mua është art që unë e krahasoj me
poezinë. Si duhet të zgjidhet fraza në poezi, ashtu do të zgjidhet edhe në cirk
mënyra se si do të punosh dhe mënyrën se si do ta zgjidhësh vete punën. Duke
pasur lirësinë e shprehjes dhe talentin për të punuar arrin gjithçka. Im
atë, Lorenc Rasha, (professor, doktor në linguistikë), si intelektual që ishte,
e dinte se unë isha e talentuar për këtë profil që mora, si akrobate. Dëshira e
tij ishte që të më çonte në Austri, atje ku kishte mbaruar ai shkollën.
Megjithatë ngjarjet ndodhën që tim atë e pushkatuan, por kjo situatë nuk ndikoi
që unë ta largoja ëndrrën time. Ndërsa njohja me Skënderin është tjetër
histori…Njohja jonë është shumë e veçantë, shumë
specifike dhe e kujtoj me nostalgji. Vite të bukura, vite pune, vite sakrifice,
vite plot humor dhe intensitet. Unë me Skënderin jam njohur në Estradën e
Tiranës. Konkretisht kam qenë para Skënderit në estradë. Kur unë isha aty
Skënderi ishte ushtar, në Estradën e Kufirit. Sa mbaron ushtrinë me këtë Estradë,
Skënderin e emërojnë si aktor, në Estradën e Tiranës. Ju e keni intervistuar
shpesh herë dhe e dini shumë mirë se, Skënder
Sallaku, ishte akrobat, mundës, aktor humorist. Pikërisht në Estradë kemi punuar bashkë.
Aty filloi njohja jonë. Aty lulëzoi dashuria jonë. Në fillim ne kemi qenë bashkë të dy institucionet cirku dhe
estrada. Skënderi jepte shfaqje edhe në estradë, edhe në cirk. Ne punonim të
paktën 8 orë në ditë bashkë. Ka qenë puna ajo që ne na ka lidhur. Ne në Cirk kishim shumë vegla gjimnastikore, pasi me to
mbanim trupin në formë, apo bënin numra të ndryshme cirku. Skënderi nuk ishte
vetëm humorist, ndaj kur kishte kohë të lirë vinte në palestër dhe bënte
përgatitje fizike. Stërvitej. Madje mund të them se kjo stërvitje në
palestër i shërbente formës së tij trupore, pasi merrej edhe me pantomimë që
është pjesë e cirkut. Pantomima ka humorin në vetvete. Sa herë vinte, ne
qeshnim dhe e shikonim me shumë respekt. Nuk kishte njeri që nuk e donte
Skënderin. Shikoja që ndonjë herë më shikonte më gjatë dhe mundohej të më
afrohej më shumë, por as që e vija re, pasi ai ashtu sillej mirë me të gjithë.
Kështu disi normale vazhdoi miqësia jonë deri kur si trupë, shkuam në Kinë. Aty
filloi dhe dashuria jonë. U afruam shumë dhe flsinim për shumë gjëra. U lidhëm
vetvetiu, pa e ditur nuk mund të rrinim pa njeri-tjetrin. Por kurrë nuk
shprehëm ndjenjë dashurie të shprehur me shumë pompozitet. Thjesht, natyrshëm..
Kur u kthyem nga Kina u fejuam. Pra jemi njohur gjatë procesit të punës. Ishte
një afrimitet shpirtëror, i pastër, i natyrshëm, pa bujë! Kështu u martuam, u
lidhëm shumë, krijuam familje dhe lindëm fëmijë.
-Kur e ndjeje veten keq me Skënderin?
-Jo se ndjeja veten keq, por edhe mërzitesha, pasi atë e kërkonin
shumë, e ndalonin shumë por kishte dhe femra që e përqafonin dhe e puthnin
si miq, si artistë të një profesioni. Mua nuk më vinte mirë, por nuk e bëja
veten. Mbaj mend si sot se, kur Skënderi mbaronte shfaqjen,
e prisnin kushedi se sa vetë pas dere, vetëm për ta parë, për të folur, për ta
përqafuar, për të folur sadopak me të. Unë ndonjëherë mërzitesha dhe e kam
prishur ndonjë herë zemrën, duke i thënë pse e bëre këtë veprim, ose atë. Por
vetëm kaq. Por më e forta ishte kur shkonim në ndonjë dasmë dhe shumë vajza që
e adhuronin si aktor, vinin me turp dhe më thoshin, mund të puthim pak
Skënderin? (natyrisht miqësisht). Unë qeshja dhe u thoja: Po shqyejeni po
mundët (qesh). Ato skuqeshin dhe shkonin e takonin. Por dhe më bëhej qejfi që e
donin, e respektonin, e adhuronin. Kishte një emër të madh, por dhe sillej mirë
me të gjithë. Kishte raste që bënim dhe grindje të vogla. Nuk ka familje pa grindje. Po
të thuash që nuk jam zënë kjo është rrena më e madhe e vitit. Por, Skënderi ka
qenë gjithmonë pak xheloz, por unë jo.
-Po
pse e pushkatuan babanë tuaj?
-Ah,
unë nuk e dija shumë mirë në monizëm, por në demokraci m’u qartësuan gjërat. Im
atë Lorenc Rasha, ka qenë profesor dr. në linguistikë, ka qenë njohës i shumë
gjuhëve të huaja, ku shtatë gjuhë i ka pasur me diplomë. Ai kishte mbaruar
studimet në Fakultetin e Isbrukut në Austri, një nga fakultetet më të njohura
dhe me shumë emër, pra për linguistikë. Ka qenë drejtor i gjimnazit të Shkodrës
dhe drejtor i gjimnazit të Tiranës, tek është sot gjimnazi “Qemal Stafa”. Besoj
nga vitit 1922. Babai im ishte nacionalist. Gjatë fillimit të luftës vazhdonte
ende mësimin dhe në një moment shkon në Pezë, për të përfaqësuar nacionalistët.
Ishte viti 1942, kur në Pezë do të zhvillohej Konferenca e Pezës. Pra ishte 16
shtator i 1942. Ende në Shqipëri ishin trupat fashiste të Duçes. Në këtë
Konferencë babai ka mbajtur një fjalim që u mirëprit nga shumë njerëz. Madje
mund të them se pas fjalimit, atë e pritën në mënyrë të shkëlqyer shumë pezakë
të cilët i shkuan mbrapa dhe e pyesnin për shumë gjëra. Unë s’e di
çfarë tha babai fjalë për fjalë, por fjala e tij ishte krejt ndryshe nga e
Enverit. Ai kishte të tjera pikëpamje nacionaliste. Fjala e tij e çoroditi
Enverin, i cili as nuk e takoi. Por ajo që s’i ka ardhur më shumë për shtat
Enverit, ishte se babai fitoi simpatinë e shumë pjesëmarrësve, sidomos të
pezakëve. Këtu filloi mëria e Enverit me babanë tim. Enveri si duket e kishte
ndarë mendjen që me babanë tim do shpallte luftë. Më vonë ne kemi lexuar në
librin e tij “Gjithmonë vigjilentë”, volumi i parë, ku Enveri shkruante se ‘pse
ma lini të livadhisë i lirë në rrugët e Pezës, atë kundërshtarin tonë?!’ Në atë
kohë, duke parë reagimin e Enver Hoxhës, babë Myslimi i kishte thënë Enverit,
mos ma ngisni doktorin, se është miku im. Babait, kudo që e njihnin i
thërrisnin doktor. Për disa kohë Enveri u tërhoq nga komentet, por më vonë, e
arrestoi në Tiranë, në vitin 1944 dhe duke e cilësuar tradhëtar të ideve
të tij, dhe e çoi në Paraspur, në një fshat të thellë, në rrëzë të
Dajtit. Aty e pushkatoi. Një fshat i vogël me njerëz të mirë. Duhet thënë
se shumë ndihma që vinin në Shqipëri ku babain e merrnin si përkthyes, ai
ndërhynte dhe ua çonte pikërisht fshatarëve të këtyre zonave të thella të
rrëzës së Dajtit. Kishte lidhje me ato fshatra me kryepleqtë e tyre, ku
gjithmonë donte të ishte pranë njerëzve të varfër. Kur skuadra e pushkatimit e
nxori në një grykë për ta pushkatuar të gjithë fshatarët i thanë komandantit të
skuadrës, “mos e bëni këtë akt, pasi doktori na ka ndihmuar shumë. Ne duam ta
dimë përse e pushkatoni. Ai në ditët më të vështira na është gjendur afër.” Por
ata s’i morën parasysh këto fjalë, madje u thane: “ikni, se do t’ju pushkatojmë
edhe ju.” Fshatarët u larguan dhe ata pas pak e pushkatuan, duke i marrë dhe
këpucët. E lanë aty, vetëm me të brendshmet. As e varrosën, e lanë aty derisa e
gjeta në vitet e demokracisë. Aty e varrosi, njëri prej fshatarëve që
babai e kishte ndihmuar dikur, e mori dhe e varrosi në oborrin e vet, në
rrënjët e një ulliri, që ta mbante mend. Ai e mori tinëz që të mos e shihte njeri,
pasi atë kohë, spiunët ishin sheshit.
Si
rrodhën ngjarjet pas pushkatimit të babait?
Pas
pushkatimit të babait drejtori i Cirkut, më mësonte që të isha e kujdesshme në
këtë drejtim, sepse në atë kohë mund të përfundoje menjëherë në burg nëse gaboje
diku, nëse flisje diku, nëse bije pre e provokimeve diku. Por tashmë kisha dhe
një mbështetje të fortë, bashkëshortin tim, Skënderin, i cili ishte njeri më i
besuar, njeriu që bëri gjithçka për mua.
-Po
kush të futi në cirk para se të njiheshe me Skënderin? Si të morën me një
biografi të tillë që atë kohë të bënte të dalloheshe si delja e zezë?
Unë
kam filluar punë me urdhër të Ramiz Alisë. Në fillim që e vogël isha në
estradë, sepse aty bëheshin numra cirku. Në estradën e Tiranës ndenja dy vjet
pa rrogë. Nuk më hiqnin sepse s’kishte kush të më zëvendësonte, isha absolute.
Atëhere, duke parë se nuk më paguanin, më merr Telat Agolli për dore dhe më çon
në Komitetin Qendror. Më futi tek Ramiz Alia që përgjigjej për artin dhe
kulturën. Me njohjet e tij, Telati më dërgoi të vetme tek zyra e Ramiz Alisë.
Kur u futa, Ramiz Alia u habit. “Po ti moj vajzë e vogël, kush të solli këtu?”,
më thotë me dashamirësi. “E kujt je ti?” Unë ula kokën dhe i thashë, jam
vajza e doktor Lorenc Rashës. “Po përse keni ardhur këtu?” “Erdha pasi kam dy
vjet pa punë dhe nuk marr rrogë tek Estrada e Tiranës.” Tundi kokën dhe pa më
thënë asnjë fjalë më përcolli tek dera. “Suksese”, kaq më tha. Ika dhe sa ve
këmbën në Estradë, më thërret shefja e kuadrit. “Sot do marrësh dy rroga, -më
thotë, -dhe këtej e tutje do paguhesh rregullisht, sepse tashmë je
profesioniste”. Më vonë mora vesh se, Ramizi ka qenë nxënës i babait tim.
-Më
vonë duke u ndalur tek biografia, pasi u martuat, Skënderi nuk u vu para
përgjegjësisë për këtë martesë? Nuk e thirrën, nuk i bënë vërejtje?
Ah,
po. Skënderi vetë e fshiu nga memoria çështjen e biografisë sime. As nuk e
sillte në mend. U tregua burrë korrekt, i mençur, i dashur dhe largpamës. Ishte
një njeri që i kishte shokët e rrallë. Pasi u martuam njëherë e thërritën
Skënderin në organizatën e partisë dhe i thanë: “Çfarë do të bësh me Vitoren?
Ajo ka biografi të keqe nga babai?!” Ai u tha: “Ajo është gruaja ime, nëna e dy
fëmijëve. Urdhëroni teserën e Partisë, sepse ku të jetë ajo, do të jem dhe unë.
Nëse keni ndërmend që t’i bëni ndonjë gjë, ne jemi bashkë”.
-
Si e kujtoni hyrjen në cirk, atë masë gjigante me litarë, hekura, tavolina,
rrathë e shumë sende të tjera? A kishe emocione në numrin e parë dhe ishe
vetëm, apo numër të përbashkët?
-
Unë në shtëpi vetë bëja lloj-lloj numrash. Bëja çka mendoja vetë, pa hyrë
thellë në perfeksionin e cirkut. Ndërsa kur hyra si profesioniste e mbaj mend
si sot. Ka qenë viti 1952 dhe në numrin e parë e kam luajtur me mjeshtrin Ali
Xhixha. Konkretisht kam ecur mbi tel dhe bashkë me të kam bërë edhe ushtrime
plastike. Ai ushtrim ishte një art që unë e kisha të trashëguar. Pra ishte
konstrukti im që i kishte të gjithë të dhënat absolute që nuk ka mundësi t’i
ketë gjithkush. Me Aliun kam realizuar disa numra që bënë të më kërkonin
në Estradën e Shtetit. Nuk isha veçse 10-vjeç. Një fëmijë që kisha shumë
ëndrra. Zura vend të sigurt në Estradë si të domosdoshme ndaj më lidhën dhe
rrogë. Që në moshën 10 vjeç kam dhënë shfaqjeje dhe që në atë moshë unë jam
paguar me rrogë. Kjo ishte cilësi e artit të akrobacisë që në moshë të vogla
mund të paguhesh si të rriturit. Në Estradën e Shtetit kam ardhur në vitin
1956. Në vitin 1972 u nda cirku nga Estrada si një institucion më vete.
-Kemi
folur shpesh për shkuarjen tuaj në ish-BS, kur shkuat dhe pse shkuat?
-Atë
kohë cirku ynë ishte në fillimet e para dhe po ecte mirë, por ne nuk kishim një
histori cirku, një trashëgimi. Babai i cirkut tonë mbetet Telat Agolli. Ishte
një njeri i mirë, energjik, i talentuar që hodhi bazat e një cirku modern,
bashkëkohor. Kur kisha disa muaj që kisha filluar punë unë kam qenë për 4 muaj
me Telat Agollin në ish-BS. Aty pashë vërtet diçka tjetër. Në atë kohë cirku
rus ishte ndër më të mirët në botë. Kushtet ishin shumë të mira. Aty mësova
shumë gjëra nga ana teknike. Ishte një mrekulli që më shërbeu shumë. Mbas
specializimit kemi pasur zgjedhur dhe përgatitur artistë shumë të mirë. Kështu
filloi që cirku ynë të ecte para, duke qenë më i miri në Ballkan. Kemi pasur
artistë që kanë dhënë kontribut shumë të mire, duke filluar tek Telati,
Skënder Sallaku, Arjan Miluka. Kur u prish sistemi ai u largua nga
Shqipëria dhe shkoi në Belgjikë. Në Belgjikë mbas një periudhe njohje ai mori
pjesë në cirkun e Belgjikës dhe ai u bë një nga iniciatorët që cirku i
Belgjikës u bë famoz. Sot ai është një qytetar i nderuar në Belgjikë dhe është
edhe “Mjeshtër i madh i Punës”, siç jam edhe unë.