| E diele, 04.07.2021, 06:23 PM |
31-VJETORI I RRËNIMIT JURIDIK DHE FAKTIK TË AUTONOMISË SË KOSOVËS
Kronologjia e rrënimit
formal- juridik dhe real-praktik të autonomisë së Kosovës
Nga
Adil FETAHU
Në
vazhdën e politikës së Sërbisë, fillimisht për dobësimin e më pastaj për
suprimimin e plotë të autonomisë së krahinave autonome (Kosovës dhe
Vojvodinës), e për të përqëndruar dhe forcuar pushtetin në Serbinë unike (
sipas paroles: “Serbija iz tri dela, postala cela”/Serbia prej tri pjesësh u bë
një dhe e tërë!), e për mbulimin formal-juridik të veprimeve, janë miratuar një
varg aktesh juridike, në nivel të Federatës jugosllave dhe të Republikës së
Serbisë.
-
Së pari, Kryesia e RSFJ, në mbledhjen e saj të mbajtur më 26-27 shkurt 1989, e
shpalli gjendjën e jashtëzakonshme në Kosovë.
-
Në kushte e rrethana të gjendjës së jashtëzakonshme, Kuvendi i Kosovës më 23 mars 1989, u detyrua të jep pëlqimin në
Amandamentet e Kushtetutës së Republikës së Serbisë, me të cilat ishte
ngushtuar maksimalisht autonomia e krahinave autonome, e shndërruar praktikisht
në autonomi kulturore. Ato amandamente u miratuan (vërtetuan) në Kuvendin e RS
së Serbisë dhe u publikuan në “Sluzbeni glasnik” (Gazetë zyrtare) të RS të
Serbisë”, nr.11/1989, dt. 28 mars 1989. Në bazë të Amandamenteve kushtetuese,
të miratuara në kushte të gjendjës së
jashtëzakonshme, u miratua pastaj Kushtetuta e RS të Serbisë (“Sluzbeni glasnik
SRS” nr.1/1990; me miratimin e asaj Kushtetute, e filluan edhe numrimin rishtas
të gazetave zyrtare te asaj Republike), ndërsa mbi bazën e Amandamenteve të
Kushtetutës së Jugosllavisë, u miratua Kushtetetuta e RSFJ (27 prill 1992).
Duhet
theksuar këtu se miratimi i amandamenteve kushtetuese në kushtet e ekzistimit
të gjendjes së jashtëzakonshme në Kosovë, ishte shkelje e parimeve dhe normave
të shtetit të së drejtës.
Republika
e Serbisë vazhdoi më tutje me rrënimin formal-juridik dhe real-praktik të
autonomisë së Kosovës në të gjitha segmentet e pushtetit. Për të “mbuluar”
veprimet e dhunshme praktike të rrënimit, me akte formalo-juridike, Kuvendi i
Serbisë miratoi ligje e vendime
speciale, të cilat i zbatoi vetëm në Kosovë:
-
Ligji mbi veprimin e organeve republikane në rrethana të posaçme, të cilin e
publikoi në “Sluzbeni gllasnik SR Srbije”, nr.30/1990, dt.26 qershor 1990.
-
Vendimi mbi vërtetimin se në KSA të Kosovës janë krijuar rrethana të posaçme,
të cilin e shpalli në “Sluzbeni glasnik SR Srbije”, nr.31/1990, dt.26 qershor
1990 (shihni fiksionin formal-juridik: numra të ndryshëm të gazetës zyrtare, të
të njëjtës datë!).
5)
Si reagim ndaj rrënimit të autonomisë, deputetët shqiptarë dhe të tjerë
joserbë, në mbledhjën e mbajtur para
objektit të Kuvendit dhe Qeverisë së Kosovës, pasi policia serbe nuk i lejoi të
hynin brenda objektit, më 2 korrik 1990,
miratuan Deklaratën Kushtetuese për Kosovën njësi e pavarur dhe e barabartë në
Federatën (ose Konfederatën) e Jugosllavisë, si subjekt i barabartë me njësitë
e tjera të Federatës ose Konfederatës (Deklarata Kushtetuese u publikua në
“Gazetën Zyrtare të Kosovës”,
nr.21/1990, datë 3 korrik 1990).
6)
Me pretekstin kundër Deklaratës
Kushtetuese të 2 korrikut, Kuvendi i
Serbisë, më 5 korrik 1990, miratoi dhe shpalli Ligjin mbi ndërprerjen e punës
së Kuvendit dhe të Këshillit Ekzekutiv
të Kuvendit të KSA të Kosovës (“Sluzbeni glasnik SR Srbije”, nr.33/1990, dt. 5
korrik 199).
7)
Të njëjtën ditë, Kuvendi i Serbisë, mori vendimet (nr.344; 345; 346) me të
cilat ndërmori “masa të përkohëshme për mbrojtjen të vetëqeverisjes dhe të
pronës shoqërore” në OPPB (Organizata e Përbërë e Punës së Bashkuar)
Radio-Televizioni i Kosovës; në Ndërmarrjen Shoqërore të Përbërë “Rilindja,
gazeta “Rilindja” dhe “Zëri i Rinisë”; dhe në Ndërmarrjen Shoqërore Minierat
dhe Flotacioni “Kishnica dhe Novobërda”. Këto vendime të veçanta, u publikuan
në gazetës zyrtare të Serbisë nr.34, të datës 5 korrik 1990.
Po
atë ditë, më 5 korrik, forca të mëdha të policisë së Serbisë, të armatosura
deri në dhëmbë e të shoqëruara me tanke, okupuan objektin e Kuvendit dhe
Qeverisë së Kosovës, Radiotelevizionin e Kosovës dhe Ndërmarrjen “RILINDJA”,
prej të cilave i përzunë udhëheqësit dhe punonjësit e tjerë shqiptarë.
8)
Më 26 korrik 1990, Kuvendi i Serbisë miratoi Ligjin mbi marrëdhëniet e punës në
rrethana të posaçme (“Sluzbeni glasnik RS”, nr.40/1990, dt.26 korrik 1990;
ndryshimet dhe plotësimet e atij Ligji u bënë dhe u shpallën në “Sluzbeni
glasnik RS” nr.54/1990, dt.27 shtator 1990.
Në
bazë të dy ligjeve të përmendura më sipër: Ligjit mbi veprimin e organeve
republikane në rrethana të posaçme, dhe Ligjit mbi marrëdhëniet e punës në
rrethana të posaçme, nuk mbeti asnjë organ i pushtetit qendror ose lokal dhe
asnjë ndërmarrje ekonomike apo institucion shoqëror pa i futur nën masa të
dhunshme, prej të cilave u ndërrua tërë
strutura udhëheqëse, u suspenduan organet vetëqeverisëse dhe u përjashtuan prej
pune punëtorët shqiptarë, duke i zëvendësuar me udhëheqës e punëtorë serbë e
malazezë nga Kosova, nga Serbia dhe serbë tjerë nga Kroacia, Bosnja, madje edhe
nga Rumunia! Në Kosovë nuk mbeti asnjë serb apo malazez që është i aftë për
punë e të mos jetë i punësuar!
9)
Në ndërkohë, disa muaj më vonë, Kuvendi
i Serbisë mori Vendim mbi shkarkimin e anëtarit të Kryesisë së RSFJ nga KSA e
Kosovës, Riza Sapunxhiu (“Sluzbeni glasnik RS”,nr.15/1991,dt.18 mars 1991), dhe
miratoi
10)
Ligjin mbi ndërprerjen e punës së Kryesisë së KSA të Kosovës (“Sluzbeni glasnik
RS”,nr.15/1991,dt.18 mars 1991).
*
* *
Me
aktet formale-juridike të cituara më sipër dhe me veprimet praktike te
ndërmarra në zbatim të atyre akteve, Serbia shkeli në mënyrën më të vrazhdë
parimet e shtetit të drejtës dhe rendin juridik të ish-RSFJ, sepse një njësi
federale (Serbia) e suprimoi statusin juridik të njësisë tjetër federale
(Kosovës), duke ia uzurpuar kompetencat
dhe autorizime e dhunuar çdo veprimtari institucionale, ekonomike e shoqërore
në Kosovë.
Krahas
formave tjera të injorimit dhe kundërshtimit të atyre ligjeve, vendimeve dhe
veprimeve, disa organe, institucione, shoqata dhe individë patën ngritur
procedurë në Gjykatën Kushtetuese të Jugosllavisë, për vlerësimin e
kushtetutshmërisë së Ligjit mbi veprimin e organeve republikane në rrethana të
posaçme dhe të Ligjit mbi marrëdhëniet e punës në rrethana të posaçme. Nga
Gjykata e Punës së Bashkuar e Kosovës, i kontestuam të dy ligjet, me qenë se të
dyja preknin në funksionet dhe veprimtarinë e Gjykatës. Nga Komuna e Gjakovës e
kishin kontestuar Ligjin e parë, nga Shoqata e Juristëve të Kosovës poashtu i
kontestonim të dy ligjet e përmendura. Po
edhe disa individë tjerë nga Kosova dhe nga republikat e tjera i kishin
kontestuar ligjet e përmendura, nga aspekte të ndryshme të mosoajtimit me
Kushtetutën dhe kundërligjshmërisë ndaj ligjeve federative.
Me
propozimet për vlerësimin e kushtetutshmërisë së ligjeve të përmendura, kishim
vu në spikamë se Republika e Serbisë kishte uzurpuar me dhunë formale-juridike
dhe me veprime praktike kompetencat, të cilat sipas Kushtetutës së Jugosllavisë
nuk i takonin; kishte suspenduar e suprimuar të drejtat vetëqeverisëse të
punëtorëve në ndërmarrjet dhe institucionet; kompetencat, autorizime dhe të
drejtat e organeve dhe bashkësive shoqërore politike (të kuvendeve, këshillave
ekzekutive dhe organeve të administratës); kompetencat e gjykatave e
prokurorive; kishin përcaktuar me ligj
“rrethana të posaçme”, si formë e kamufluar e gjendjes së jashtëzakonshme, në një njësi federative, për të cilat ka
pasur kompetencë vetëm Federata, e jo njëra njësi federative kundër njësisë
tjetër.
Antikushtetutshmëria
e ligjeve të kontestuara ishte e qartë, si nga aspekti formal-juridik, poashtu
edhe nga aspekti material. Në kundërshtim me Kushtetutën federative ishin tri
veprimet e Kuvendit të Serbisë të përfshira në një tërësi: 1) miratimi i Ligjit
mbi veprimin e organeve në rrethana të posaçme; 2) miratimi i Vendimit mbi
vërtetimin se janë krijuar kushte të
posaçme në territorin e Kosovës, dhe 3) Vendimet mbi ndërmarrjën e masave të
përkohshme kundër ndërmarrjeve dhe institucioneve në Kosovë. Në propozimet e
paraqitura Gjykatës, për vlerësimin e kushtetutshmërisë, ishin cituar
dispozitat konkrete të ligjeve të kontestuara, duke iu referuar dispozitave të Kushtetutës dhe ligjeve ligjeve federative.
Gjykata
Kushtetuese e Jugosllavisë, pas një vonese të pakuptimtë dhe të paarsyeshme, e
vonoi shqyrtimin e propozimeve të paraqitura, dhe seancën e shqyrtimit të
propozimeve e mbajti tek më 30 maj 1991. Në atë séancë, propozimet e paraqitura
i përfaqësuan këta pjesëmarrës: Avni Këpuska, në emër të Kuvendit të Komunës së
Gjakovës, Shaban Kajtazi, në emër të
Gjykatës së Punës së Bashkuar të Kosovës, prof.dr.Esat Stavileci dhe
prof.dr.Bardhyl Qaushi, në emër Faukltetit Juridik, respektivsht në emër të
Shoqatës së Juristëve të Kosovës; Nikë Lumezi, sekretar për legjislacion, në
emër të organeve krahinore të Kosovës. Propozimet e tyre i përfaqësonin
edhe persona tjetër jashtë Kosovës:
prof.dr Ibrahim Festiq nga Sarajeva, prof.dr.Dragqn Medvedoviq nga Zagrebi,
prof.dr Boshtjan Markiq nga Lublana. Në emër të Kuvendit të Serbisë, proozimet
e paraqitura i kundërshtonin: Njegovan Klajiq, sekretar për legjislaion i
Republikës së Serbisë, dr.Vlladan
Kutleshiq, këshilltar i kryetarit të Serbisë.
Të
gjithë propozuesit për vlerësimin e ligjeve të kontestuara, ishin të përgatitur
me argumente, kishin vu në pah mospajtimin me dospozitave konkrete të ligjeve
të kontestuara të Serbisë, me
Kushtetutën dhe kundërshtimin me ligjet federative. Por, ishte koha kur
forca e argumenteve nuk vlente as bënte efekt, veçse argumenti i forcës,
prandaj Gjykata Kushtetuese e Jugosllavisë kurrë nuk mori vendimin e vet, as
për kasimin as për vlerësimin e dispozitave të ligjeve të kontestuara. Atëherë,
kryetar i Gjykatës Kushtetuese të Jugosllavisë ishte mr.Millovan Buzaxhiq,
ndërsa raportues i séancës ishte gjyqtari (shqiptar) i asaj Gjykate, Pjetër
Kola.
Kështu,
ligjet speciale të Serbisë, haptas antikushtetuese dhe në kundërshtim me ligjet
sistemore federative, si dhe vendimet e nxjerra dhe veprimet e ndërmarra në
bazë të atyre ligjeve, edhepse formalisht kishin karakter të përkohshëm, mbetën
fuqi dhe vepruan deri në mbarimin e luftës dhe çlirimin e Kosovës nga pushtimi
87 vjeçar (1912 – 1999).
Si
pasojë e atyre ligjeve, atyre vendimeve dhe atyre masave, përveç suprimimit të
autonomisë politike-juridike të Kosovës, u bë uzurpimi, plaçkitja dhe
shkatërrimi i ekonomisë së sektorit shoqëror dhe priivat, përjashtimi prej
punëve i më se 140.000 punëtorëve shqiptarë, të cilët u zëvendësuan me më
se 50 mijë punëtorë serbë e malazezë, me
të cilët u ndërrua tërësisht struktura udhëheqëse dhe struktura e punëtorëve në
organet, ndërmarrjet dhe institucionet e Kosovës dhe pjesërisht edhe struktura
e popullsisë, duke ndërtuar koloni e sjellë kolonë serbë, refugjatët nga
Bosne-Hercegovina, Kroacia, Serbia, Mali Zi, madje edhe nga Rumania!