Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Skënder Hoxha: Rasimi ishte bërë fanar

| E diele, 27.06.2021, 12:02 PM |


SKËNDER R. HOXHA

RASIMI ISHTE BËRË FANAR

(Requiem kushtuar mikut tim të penës Rasim Thaçi)

1.

Mora lapsin dhe hijen

e kujtimeve për ty

të kërkoj mikun e penës

që na iku aq shpejt

pa pritur e kujtuar

oguri i vdekjes e rrëmbeu!

E kërkova

mrizeve të vendlindjes

në Shkarashnik

dhe u ndala në Suharekë

aty më pritën të bëmat

punëndriturat e tua...

Atje ku shpesh ajo që ngulfat mbyt

Ty të shndërroi në vyrtyt!

2.

Emri yt u kalit

Në gazeta e antologji

Libra e revista

Për të rritur e për fëmijë.

Në ditët e lagështa

Në tym e tmerr

U shnërrove

në ngjyrë lapsi

U shndërrove në ylber...

Herët e kishe shaluar ëndrrën

Miku im

Të mos humbet mësimi shqip

Rasimi ishte bërë fanar

Në atë mjegull e tym

Shtëpitë shkolla –

Ishin makthi ynë,

Ishin shpëtimi ynë!

Të gjitha janë si testament

Janë si ngushëllim...

3.

E thërras dhimbjen

Të përfytyroj

Edhe kur heshtja vjell dritë

E nata përtypet për jetë

Për portretin tënd  -

A të shkruaj këto vargje

A të skalis në vinjetë?...

4.

U rendite ndër pinjollët e lirisë

Ndër pinjollët e shkollimit shqip,

Prapa le shembullin e krenarisë

I paharruar në faqe të historisë!

(Pejë, 23 qershor 2021)