| E hene, 01.12.2008, 07:35 PM |
''Me Demirin 40 vjet kënduam''
Demir Krasniqi
Nga Ukshin Zajmi
Në organizim të Drejtorisë komunale për Arsim, kulture, shkencë e teknologji të Gjilanit, përkatesisht të sektorit për kulturë, në vigjilie të Festës së Flamurit, në Gjilan u organizua një koncert i këngëtarit anamoravas Demir Krasniqi, me musafirë të tij, me të cilin u shënua 40 vjetori i krijimtarisë së tij muzikore.
Bografinë e Demir Krasniqit, para publikut që e kishte mbushur sallën e Teatrit profesionist të Gjilanit e shpalosi Hysen Këçiku. Ai më këtë rast tha se, ndonëse Demir Krasniqi ka filluar të merret më muzikë përkatësisht me këngë edhe më herët, ne po fillojmë prej datës 28 nëntor të vitit 1968, kur ai kishte 18 vjet, dhe kur kënga e tij Kushtrim për Skënderbeun, u bë kushtrim në tërë Kosovës.
Dermir Krasniqi ka lindur më 10 Shkurt 1950 në fshatin Tygjec të Dardanës në Kosovë. Shkollën fillore e kreu në fshatin e lindjes, ndërsa shkollimin e mesëm-drejtimin muzikor e keru në Prishtinë. Bazat e para nga kultura muzikore i mori nga mësuesi Rexhep Bunjaku, që kur ishte nxënës i shkollës fillore. Në klasën e gjashtë ai zuri vendin e parë në manifestimin rajonal “Mikrofoni është i Juaji”.
Punoi si mësimdhënës i kulturës muzikore në shumë shkolla të Kosovës, profesion të cilin aktualisht nuk e ushtron. Këngës dhe folkorit deri më sot nuk i është ndarë asnjëherë.
Në opusin e tij krijues, ka më se 1500 këngë e valle origjinale, të thurrura, të komponuara dhe të inçizuara nëpër disqe gramafoni, audiokaseta, videokaseta, CD e DVD. Është mbledhës i folklorit burimor muzikor dhe deri më tash ka grumbulluar mbi 4000 këngë të ndryshme, disa prej të cilave i ka të publikuara, e, që janë deshifruar nga etnomuzikologu Lorenc Antoni në blenet IV, V, VI dhe VII të “Bleni muzikor shqiptar”.
Pos kësaj Demir Krasniqi, deri më tash ka publikuar edhe 15 vepra të sferës muzikore dhe dokumentare.
Ky shënim u përcoll edhe me këngë të kënduara nga vet Demir Krasniqi dhe këngëtarë të ftuar si: Sirije Gagica, Xhemajl Berisha, Rexhep Jashari, Hetem Matoshi, Qazim Hajdari e të tjerë.
Piktori dhe shkrimtari Demir Behluli, në këtë shënim të 40 vjetorit të krijimtarisë muzikore, Demir Krasniqit i dhuroi një portret të tij.