| E hene, 01.12.2008, 11:03 AM |
I verbëri dhe unë
Edmond Shallvariþ
I verbëri më shikon, çfar' unë s'shikoj
Më ndjen gjithshka, që unë nuk e ndjej
Më thotë gjithshka, që unë s'e them dot
Më prek gjithshka, që unë dot s'e prek.
Unë pengohem, kur i sigurt ai ec
Nevrikosem, kur ai është vetë qetësia
Verbohem, kur ai diellin e sheh
Mos vallë vuaj unë nga verbëria?
Për hir
Për hir të harresës
Të sotmen zhurmojmë
Për hir të kujtesës
Zhurmimin qetsojmë.
Për hir të dashurisë
Urrejmë urrejtjen
Për hir të lirisë
Vdesim vdekjen.
Për hir të së nesërmes
Të sotmen mbjellim
Për hir të njerëzores
NJERËZORË mbetshim!
Krenaria ime
Nuk kërkova krenarinë
Rrugëve të botës
As e mbajta përmbi shpinë
Si reklamë të kohës.
Nuk e mbura krenarinë
Me rrahjet e gjoksit
As rrëfeva historinë
Me gjuhë të Ezopit.
Nuk e fsheh krenarinë
Pa çka se ma shajnë
Unë vazhdoj që shqiptarinë
Ta kem mëmë e atë.
S'gjej titull
Hapësirë e stërmbushur
Me boshllëk ngjeshur
Jashtbrenda strukur
Bota e vetpërqeshur.
Hy brenda në dalje
Dal jashtë në brendësi
Serioz deri në tallje
I tallur në madhështi.
Qesh me lot qarje
Qaj me lot qeshje
Botën prej maske
Shkëlqimesh gënjeshtre!
Dhe i lodhur
Dhe i lodhur ti më shlodh
Sa m'i ndal buzët në buzë
Për çudi, kaq më mjafton
Të të sulem siç di unë.
Gurgullon në trup gjaku
Si rrëke nga
Thuaj sa të duash, "Ndalu!"
Ai rrjedh për ku ësht' nisur.
Dhe i lodhur, ti më shlodh
Sa m'i hedh krahët në qafë
Ndalu, moj, se s'duroj dot
Se po ndodhi, dua prapë!
Deri sa...
Shpirtra hibridësh të vetëmbarsur
Që pillni shterpësi dështake
Humnerës mitrore të stërgjakur
Tjetërsuar kurvërisht në piedestale!
Mbetsha ende embrion i kohës
Mes plazmës parajsore krijuese
Deri sa ju fëlliqësira të kohës
Të mbarseni përjetësisht me zhdukje!
O Skënderbe!
Nuk të bëmë ne legjendë
Në gojëdhëna e të shkruar
Mangut mbetesh për çdo penë
Madhështi e pambaruar.
Nuk të bëmë ne hero
Nëpër tituj, dekorata
As që ke nevojë për to
Sa të ndrit në dorë shpata.
Nuk të bëmë ne me emër
Nëpër sheshe, monumente
Kalëruar je Ti vetë
Historia pas të vete.
Nuk po bëjmë sa na the
Se vazhdojmë me principata
Ç'na mungon o Skënderbe
Ç'derdemenë të ndoqën prapa!
Refreni im
Le të zhgryhem, le të ndotem, i përzjerë djersë e pluhur
Të pengohem, të rrëzohem, gjak koriçka në trup mbushur
Nënë dhe a përmbi dhe, i llucuar, i baltuar
Veshurzhveshur, mbathurzbathur, copra arnesh i arnuar!
Ka burime Toka ime, të më lajë e të më shplajë
Në mes pyjesh, në mes malesh, të më ndejë e të më thajë
Peshën e dheut të ma bëjë dhe të rëndë dhe të lehtë
Të më ngrohë në të ftohtë dhe freskojë në të nxehtë.
Mos cënofsha, mos coptofsha, trupin e jetës-shpirtin tim
Mos gabofsha dhe lëndofsha, asnjë qënie me qëllim
Mos gëzofsha, u mallkofsha, nëse shpirtin tjetërsoj
Në parajsë kurrë mos shkofsha, veten ferrit ja dhuroj!
S'ke ç'e do një trup të larë, qelbur brenda nga një shpirt
Për të qeshur, për të qarë, ekzistent më keq se hiç!
I dyti Atdhe
Pavarësi e mbikqyrur
Mbikqyrje e pavarur
Shpinë gjysmëkrusur
Në plotësinë e paardhur.
Më mirë se dje
Më keq se nesër
I dyti Atdhe
Më ke gjak në zemër.
Sikur...
Sikur sytë të shikojnë,
ç'dëgjojnë veshët.
Sikur veshët të dëgjojnë,
ç'shikojnë sytë.
Urtësia e mbetur do ç'mendej
Çmenduria, akoma më shumë.
Sikur zemra të rrahë,
ç'vuan shpirti.
Sikur shpirti të vuajë,
rrahjet e zemrës.
Dashuria do ishte vetë njeriu
Njeriu, dashuri e vetë jetës.
Sikur jeta ta vdesë vdekjen
Sikur vdekja jetën ta jetojë
Bota do dojë më shumë vetveten
Vevetja, më shumë botën do dojë.