| E hene, 14.06.2021, 07:24 PM |
Çukovi
Nga
Edison Ypi
Çukovi
s'kishte asgjë shqiptare. As prej Vermoshi as prej Konispoli. As prej Devolli
as prej Divjake. As prej Gramshi as prej Ndroqi.
Çukovi
ishte si i ardhur nga Azia, nga stepat, trojkat, tajgat, tundrat.
Çukovi
ishte aq i sovjetizuar sa, ta dëgjoje, të dukej sikur po flisje me çunin e
Stalinit ose ndonjë farefis të Leninit.
Për
Çukovin, librat, filmat, industria, teknologjia, ushtria, ekonomia, shkenca,
arti, sporti, dhe gjithçka tjetër mbi tokë e nën tokë, mbi qiell e nën qiell,
nuk ndodheshin kurrkund tjetër përpos nga Uralet në Kamçatkë, në Bashkimin
Sovjetik.
Ndërkohë
që Bashkimin Sovjetik e kishte braktisur kurvi, sovjetizmin e mbante gjallë
Çukovi.
Çukovi
kishte sjellje shoqërore korrekte, nuk imponohej, nuk bërtiste, nuk mburrej,
nuk pretendonte supremaci.
Por
Çukovi lëvizte butë dhe pa zhurmë si kërrmill. Fliste sikur pëshpëriste. Qeshte
mbytur, pa i lëvizur asnjë nerv.
Keqkuptimi
katastrofik i Çukovit me botën dhe jetën më shkaktonte një neveri nakatosur me
mëshirë, por jo urrejtje.
Urrejtjen
e kisha me pakicë. Nuk mund ta shpërdoroja urrejtjen për Çukovin. Çukovi nuk e
meritonte urrejtjen time.
Një
herë na çuan për vizitë te "Muzeumi i Luftës Nacional Çlirimtare" te
"Rruga e Barrikadave". Mezi e mbaja gazin e brendshëm nga emri i asaj
rruge dhe atij far' muzeu. Gjatë asaj vizite, Çukovi na rrrëfeu me ton solemn
se në bodrumet e atij muzeumi që dikur kishte qënë Kuesturë fashistat i kishin
burgosur babain. Partizani trim me fletë, myzeqari i çartun babai i Çukovit,
pasi u kishte thënë rojave se i bëhej shurra, kishte zbritur në bodrum ku
kishte thyer xhamin e dritares së banjës, ishte arratisur dhe kishte vajtur
drejt e te shokët në mal. Urraaaaaa, rroftë Kinostudioja Shqipëria e Re.
Çukovi
urrente Kadarenë.
Çukovi
Kadarenë e kishte gjak në këmishë.
Ndërkohë
që Çukovi shante hapur Kadarenë e kryeveprave botërore si agjent i borgjezisë
dhe armik i betuar i klasës puntore, Çukovit nuk mund ti thoje gjysëm fjale për
Agollin e poeziçkave.
Në
"Institut", kështu quhej godina ku nja njëqint e kusur veta punonin në
rresht si në librat e Orwellit, kërrciste muhabeti.
Një
ditë, kur të gjithë kishin kullufitur "bukën me vete", kishin pirë
nga një litër ujë duke kërrcitur gurrmazin glluk-glluk, dhe kishin gromësitur
thellë duke nxjerrë nga goja ca duhma të lemeritshme nga ato që normalisht
dalin nga bytha, për një asociacion absurd idesh që heraherës ndodhte në kësi
rastesh, dikujt ju tek të kujtojë, hiç më pak se: "Krizën në fizikë",
"zhdukjen e materies", dhe Leninin që asokohe tha: Nuk u zhduk materia.
U zhduk kufiri deriku materien e njihnim.
S'mu
durua. Fola me zë të lartë ta dëgjonin të gjithë:
Për
këto çështje është mirë të dimë ç'ka thënë Ajnshtaini. Lenini është i vjetër.
Ra
në çast një heshtje varri. Të gjithë u fshehën pas teknografave, tavolinave të
vizatimit.
Në
institutin e projektimeve me pesë kate me një laryshi marramendëse spiunllëku,
ku secili kat kishte spiunat e vet të ndryshëm nga njëritjetri dhe nga spiunat
e kateve të tjera, nuk mund të ndodhte ndryshe.
Kaloi
nja një vit.
U
duk sikur brenda vrullit shurdhues të klasës puntore që vazhdimisht tejkalonte
planin me shifra stratosferike, bubullimave të kongreseve, piskamave të
plenumeve, çizmeve të parakalimeve, fizika, kimia, materia, Ajnshtajni, Lenini,
ishin harruar.
Kishte
qënë iluzion.
Babai
im që s'kish qënë kurrë i arrestuar dhe i arratisur nga asnjë bodrum dhe asnjë
muzeum, një ditë vdiq.
Erdhën
për ngushëllim. Mes tyre Çukovi.
Ndërkohë
që ngushëlluesit rrufitnin kafenë, dikush që ishte më i afërt me mua se me
Çukovin, afrohet e më thotë: Dje na bënë një mbledhje për plenumin e kurvit për
"rrufjanin politik". Në mbledhje u ngrit Çukovi, tha: "Rrufjani
politik" për të cilin me të drejtë kohët e fundit është shqetësuar shoku
kurvi nuk ndodhet në qiell. Rrufjani politik është midis nesh. Rrufjani
politik, të cilin sot nuk e kemi mes nesh ngaqë i ka vdekur babai, është Edison
Ypi, ai që para një viti tha se Lenini është i vjetër.
Si
e tha e pse e tha, qysh e tha e kujt ja tha, o Zot o Perëndi, nja pesë a
gjashtë mbledhje kolektivi kushtuar rrufjanit politik Edison Ypi.
Pak
mbi 20 vjeç, sapo isha kthyer nga ushtria ku kisha parë e dëgjuar të tjera
tmerre, nuk fola nëpër ato mbledhje, luajta rolin e leshkos. Lashë kolektivin
ta zbrazte dufin si i desh' qefi:
Për
Marksizëm-Leninizmin ngadhënjimtar armën e pagabuar në luftën kundër armiqve të
jashtëm e të brendëshëm në aleancë me revizionistët e pabesë.
Për
përballimin e bllokadës dhe situatave të vështira përmes syçelësisë së popullit
nën udhëheqjen e partisë dhe të shokut kurvi.
Për
aleancën e fshatarësisë kooperativiste me klasën puntore që na çon nga fjetorja
në fjetore.
Për
ardhjen në vete dhe kalitjen e shkrimtarëve dhe artistave që për të mos zënë
myk duhen dërguar të rrinë gju më gju me popullin mes baltrave dhe zhabave.
Ama
jo të gjithë flisnin kaq përçart. Pati dhe hezitues.
Madje,
Nikoleta, një goc elegante, inteligjente dhe puntore, u ngrit e tha: Edison Ypi
nuk mund të ketë thënë se Lenini është i vjetër. Nuk ka njeri në botë të mos e
dijë se Lenini është i pavdekshëm.
Nikoleta
goditi në shenjë. Pohimi superinteligjent i Nikoletës me Lenin dhe
pavdekshmëri, zbuti egërsinë ndaj meje.
Mbledhje
pas mbledhje, për shkak të një konkurrence se kush e meritonte të shkonte në
Kinë për një vizitë pune, mes polemikave të ndezura "unë apo ti",
"këta apo ata", pakngapak mbledhjet ndërruan drejtim. Lenini,
rrufjani politik Edison Ypi, bashkë me bllokadat, rreziqet, spiunllëqet,
armiqtë, dhe dëngëlat e tjera, u çvendosën nga fokusi i vëmendjes. Elefanti që
kishte hyrë brutalisht nëpër qelqurinat e jetës dhe mendjes time, ndrroi
mendje, u zbut, u zbyth.
Pas
pak muajsh kurvi shpalli luftën kundër burokracisë.
Larguan
më tepër se gjysmën.
Pas
gjithatyre mbledhjeve, largimi im nuk habiti askënd, madje u duk i vonuar.
Ngaqë,
mesa duket, Çukovi e kishte tepruar me sovjetizmin, kolkozet, Pavël Korçaginin,
Juri Gagarinin, qenin Lajka, larguan edhe Çukovin.
Një
hokatar i lezeçëm me papërgjegjësi të shtirur tha: Edisonin dhe Ajnshtajnin i
mori më qafë Çukovi, Çukovit dhe Leninit u prishi punë sovjetizmi. Rroftë Kori
i Ushtrisë së Kuqe që këndon atë këngën lotndjellëse "Stari Drug".
Pas
largimit, Çukovi ndërroi emrin. Ama sovjetizmin, Fadejevin, Si u kalit
çeliku-n, Kazaçokun, Kalinkën, Katjushën, Çukovi as sot e kësaj dite nuk i ka
braktisur.
Meseleja
me sovjetikun Çukov që për pak desh më futi në burg, gjithmonë më është dukur
diçka e padenjë, gjithmonë më ka bërë për të vjellë.
I
edukuar dhe i mbrujtur me vetdijën e palëkundur dhe bindjen e thellë e të qënit
fisnik dhe aristokrat, nuk mund të merresha me një plebej.
Tmerri
se gjatë rrëfimit mund të më shpëtonte ndonjë mburrje sado e vogël, ishte
gjithashtu një pengesë serioze për ta kujtuar ngjarjen e trishtë.
Por,
me gjasa, për të realizuar një lloj katarsisi, a ndoshta për tu bërë një herë
në jetë protagonist i diçkaje, që ky
episod heroik i jetës së tij kur, pavarësisht se s'ja arriti, bëri detyrën për
të futur në burg një rrufjan politik, sovjetiku Çukov do vetë që ky episot të
mos harrohet. Nëse është e vërtetë, ndjehem i lehtësuar që sovjetikut Çukov të
cilit i mungojnë nostalgjikët, dhe nostalgjikëve që u mungon sovjetiku Çukov,
ua plotësova dëshirën.