| E enjte, 10.06.2021, 08:05 PM |
Lamtumirë familjes
tradicionale
Nga
Gjekë Gjonaj
Familjet e gjyshërve tanë kishin dhjetë e më shumë frymë (anëtarë) që jetonin
në një shtëpi. Pleqëria, fëmijëria dhe rinia bashkëjetonin me njëri-tjetrin. Tri
gjenerata (breza): prindërit, fëmijët, madje dhe nipërit jetonin së bashku. Familjarët kishin shumë
respekt, kujdes e solidaritet, dashuri , mirëkuptim e njerëzi për
njëri-tjetrin. Të gjithë sa ishin
shkonin mirë. Marrëdhëniet familjare ishin të qëndrueshme. Nuk kishte konflikte të shumta, dhunë në
familje e shkurorëzime si dukuri masive.
Jeta e tyre ishte e vështirë, por
e lumtur. Kështu ishte dikur, po sot ku ndodhet familja jonë ?
Gjatë
tri dekadave të fundit jemi
dëshmitarë të një transformimi shumë të madh
të familjes tradicionale në Malësi. Ajo që vlen të theksohet është se,
në shoqërinë tonë, familja ka humbur kuptimin që kishte dikur, si diçka
e shenjtë dhe e përjetshme midis anëtarëve të saj. Modernizimi që vijon si
proces, po ia humb rolin familjes sonë dhe, sa më moderne të bëhet shoqëria
shqiptare, aq më shumë familja do të bëhet një institucion problematik
shoqëror. Tranzicioni në shoqërinë
tonë, rrethanat e reja të krijuara në të
gjitha segmentet e jetës ekonomike e shoqërore, presionet e vrazhda
transformuese të realitetit, kanë
ndikuar që familja si formacion themelor, të ndryshojë në strukturë, në përbërje, në koncept dhe të
krijojë fizionomi, tipologji, funksione, moral e (pa)përgjegjësi tjera brenda
familjes. Për fat të keq familja jonë tani
ka humbur dhe po e humb dita-ditës rolin e saj. Prandaj me keqardhje
e dhimbje mund të themi se institucioni
i familjes, sikurse e gjithë shoqëria
shqiptare, po kalon një krizë të madhe,
e cila e ka ndryshuar përgjithmonë fytyrën e
familjes tradicionale malësore (shqiptare). Ndryshimet rrënjësore
sociale e ekonomike, si dhe shndërrimi i shoqërisë, nga një shoqëri
tradicionale( patriarkale) e mbyllur në
një shoqëri më të hapur kanë krijuar një model të ri të familjes, i
cili nuk ngjan pothuajse në asgjë me vite më përpara. Familja po tkurret dhe
zvogëlohet nga njëra anë dhe, nga ana tjetër, po përjeton një proces pothuajse
degradues. Numri i personave për familje ka zbritur nën katër persona, pra çiftet nuk po riprodhojnë as
vetveten.
E
kaluar është tashmë familja ku
autoriteti i prindërit ishte i padiskutueshëm. Po ashtu tashmë është e kaluar
familja me gjysh, gjyshe, kushërinj e kushërira. Në kohët e sotme familja përgjithësisht përbëhet vetëm
nga familja e ngushtë, nga prindërit dhe fëmijët, duke harruar
“familjen e zgjeruar”, pjesë e së cilës janë edhe dajat, hallat, xhaxhallarët,
tezet, kushërinjtë dhe farefisi, të cilët, pavarësisht se shkencat sociologjike
i trajtojnë si pjesë të familjes, ne i kemi përzënë nga parajsa familjare dhe
takohemi vetëm në raste ndodhie. Prej tipit tradicional të familjes, që ishte
një ambient i ngrohtë njerëzor, social, etik, moral dhe edukativ, familja në
masë të madhe është duke u shndërruar në një anarki sociale, arenë konfliktesh,
me tendenca individualiste e pavarësi ekonomike të pjesëtarëve të saj, qofshin
ata edhe vetëm bashkëshortët, pa pjesëtarë tjerë të familjes më të
gjerë.Në ndryshimet e strukturës së
familjes kanë ndikuar
dukshëm disa faktorë, si imitimi
i vlerave të huaja pa seleksionim, zëvendësimi i lidhjeve të vjetra dhe ato të
reja, emigrimet në relacion fshat -qytet, rënia e natalitetit, kriza e vlerave
e cila ka prodhuar krizë të identitetit, largësia në familje, mosrespektimi i
familjes nga fëmijët, mungesa e vizitave të ndërsjella familjare, problemet dhe konfliktet e ndryshme brenda
familjes si rezultat i shkaqeve socio-ekonomike dhe shkaqe të tjera. Karakteristika të krizës që vihen re në familjet e sotme tona
janë edhe zvogëlimi i martesave ,
që nënkupton edhe zvogëlimin e lindjeve,
fillimi i fenomenit të
bashkëjetesës pa kurorë dhe krijimi i
lidhjeve të paqëndrueshme që në disa raste
më shpejt përfundojnë se sa fillojnë. Ana tjetër është se
nëse sot kemi një shoqëri kryesisht të përbërë nga rinia e që
konsiderohet si e ardhmja e jonë , dhe
nuk kemi një familje të shëndoshë, atëherë problemet do të jenë të mëdha.
Nga çfarë u tha mund të përfundojmë se me sa duket familjes sonë
tradicionale i është dhënë lamtumira.
Në
zonën e prapme të Plazhit të Madh janë
evidentuar 22 lokacione ku mbeturinat
hidheshin në mënyrë të paligjshme. Vlerësohet se kjo është një sipërfaqe e
përgjithshme prej 26,670 metra
katrorë nën mbeturina. Ndërsa në zonën e
degës së djathtë të lumit Buna dhe
në Ada
ne kemi janë regjistruar 73 lokacione ku hidhen mbeturina, kryesisht mbetje ndërtimore dhe
mbeturina shtëpiake. Mbeturinat e ndërtimit janë të pranishme në pothuajse të gjitha vendet, ndërsa në
shumicën e vendeve janë mbetje të përziera që përfshijnë mbeturina të mëdha dhe
shtëpiake. Çështja e pastrimit të deponive në pjesën e prapme të Plazhit të
Madh nuk mbulohet nga programi për kryerjen e aktiviteteve komunale në zonën e
të Mirave Detare për territorin e
komunës së Ulqinit, dhe për këtë arsye kostot për heqjen e tyre nuk
parashikohen. Një pjesë e plazheve nuk ka nënshkruar kontrata me Kompaninë e
Shërbimeve Komunale, duke shmangur kështu detyrimin ndaj kësaj kompanie dhe
duke hedhur mbeturinat në deponinë më të afërt ilegale.
Nuk
ka informacion të disponueshim
publikisht se dikush u ndëshkua gjatë depozitimit të mbeturinave në këto
vende nga Inspektimi Komunal ose Policia Komunale, megjithëse nuk duhet shumë
përpjekje për të kapur autorët e krimit. Në zonën e Adës në Bunë dhe rreth degës së djathtë të lumit Buna, nuk
ka mjaft kontejnerë dhe mbledhja e mbeturinave nuk është organizuar. Domethënë
problemi i mbeturinave në këtë
lokalitet është një problem i madh i Komunës së Ulqinit. Për
zgjidhjen e kësaj çështjeje nevojitet
bashkëpunim dhe koordinim ndërmjet institucioneve vendore e qendrore.