| E diele, 06.06.2021, 07:16 PM |
VETËDIJA MITIKE E QENËSISË DHE E QËNDRESËS
Rreth
tregimit “KULLA” të Anton Pashkut
Nga
Anton Nikë Berisha
Asnjë antologji e
tregimit shqiptar, hartuar mbi bazën e kritereve letrare poetike, nuk do të
mund ta linte anash tregimin “Kulla” të Anton Pashkut. Themi kështu duke pasur
parasysh faktin se ky tregim nuk është vetëm ndër më artistikët brenda
krijimtarisë tregimtare të autorit e të prozës tregimtare shqiptare në
përgjithësi, por është edhe ndër më komplekset si qasje e si shtjellim, si
strukturë tekstore dhe si sistem i ndërliqshëm kuptimor, e si rrjedhojë e
gjithë kësaj, edhe krijim me një kontekst poetologjik jashtëzakonisht të pasur,
për shumëçka i papërsëritshëm.
Çka e bën të këtillë këtë tregim?
Shqiptim artistik i mitit të kullës
Në qenësinë e vet
tregimi “Kulla” ngrihet mbi mitin për kullën, që nënkupton mitin për qenësinë,
për ekzistencën dhe për qëndresën e njeriut tonë në rrjedhë të shekujve. Mbi bazën
e përvojës historike, e cila materializohet e metaforizohet në mënyrë të
veçantë në këtë prozë, shqiptohet dhe interpretohet një botë komplekse,
realitet, që në esencë është vetëdije mitike e krijuar në një diakroni të
pafund të ekzistencës. Në tregim nuk jepet as platforma, as modeli i gjallimit,
nuk jepen as përgjigje për problemet e ndryshme e as për shkaqet e krijimit të
mitit të kullës, por shqiptohet qenësia e këtij vetëdijesimi; në të nuk
gjakohet e vërteta e thjeshtë historike – në kohë e hapësirë të veçantë – pra
nuk transponohet realiteti i zhveshur, por perceptohet e shprehet thellësisht
rrafshi metafizik i kësaj ekzistence si dhe padrejtësia metafizike, që u
manifestua në rrjedha të kohës.
Me fjalë të tjera,
në këtë prozë nuk bëhet qartësimi i rrjedhave dhe i fakteve të njohura
historikisht, i personave e i ngjarjeve konkrete, por mbi bazën e përvojës
historike, që lidhet sidomos me dramën, tragjiken, me qëndresën e me
sakrificat, krijohet realiteti i veçantë, i cili, nxitur nga fakti historik,
bëhet qenësi, bëhet fakt i ri, fenomen i realitetit dhe i botës shpirtërore.
Në të vërtetë, kjo
qenësi artistike e krijuar merr funksion të dyfishtë: shpreh qenësinë e së
kaluarës e të tashmes, i bën ato artistikisht të përjetshme, por bëhet edhe
vetë pjesë e pandashme e veprimit, e konkretësisë ekzistenciale; njëherit
krijon bazën e perspektivës së të ardhshmes. Duke shprehur dhe duke bërë
njësimin e kohëve – përmes rrëfimit – tregimi “Kulla”, gjithnjë si projeksion
artistik i vetëdijes, merr përmasën e theksuar mitike. Në esencë shqiptimi i
objektit artistik, mënyra e qasjes dhe e interpretimit të qëndresës së njeriut
tonë në rrjedhë të shekujve, nuk pohohen, nuk shprehen në mënyrë eksplicite,
gjë që është e lidhur ngushtë me mënyrën e shtjellimit të strukturës së tekstit
e të gjuhës së përdorur poetike.
Përkundrazi,
“Kulla” është krijim që ngrihet mbi një bazë që cilësohet me një sistem
jashtëzakonisht të veçantë të të shprehurit thellësor. Po qe se këtë e themi me
termat e gramatikës gjenerative të Çomskit, atëherë gjithë ajo që trajtohet në
këtë prozë, konkretësia e metaforizuar, ngjet në rrafshin thellësor, ku
përqendrohet dhe realizohet thelbësisht gjithë proza e këtij autori (ajo
tregimtare dhe romaneske), por dhe dramat e tij. (Pikërisht kjo thellësi e
perceptimit, e transponimit dhe e trajtimit të çështjeve të ndryshme i ka
shtyrë disa studiues të theksojnë “hermetizmin”, “moskomunikativitetin” e kësaj
proze, të pohojnë se tregimet e tij janë “fantastike”, që shprehin botën
obsesive të autorit, pra janë pa objekt konkret trajtimi, pa bazë reale!)
A. Pashku mitin
për kullën, që në esencë shpreh mitin për qëndresën dhe ekzistencën, nuk e
shpreh dhe nuk e shqipton me gjuhën dhe me stilin që e cilëson mitin si lloj
letrar e si formë e transponimit të fenomeneve të botës metafizike. Tregimit të
vet Pashku nuk i jep përmasën sakrale, me të cilën cilësohet miti, por
sakralitetin e zëvendëson me shumëkuptimësinë, me krijimin e strukturës
tekstore nga e cila del mesazhi artistik dhe krijohet një kontekst poetologjik
i pasur, që është i lidhur ngushtë me gjuhën poetike. Pikërisht gjuha poetike
në këtë tregim, si dhe në prozën e tij në përgjithësi, merr karakter mitik në
kuptimin e forcës shprehëse artistike dhe amshueshmërisë së funksionimit dhe të
ekzistencës së saj.
Rrënimi – zhvendosja e konvencave
Tregimi “Kulla”
nuk ka një objekt artistik të thjeshtë – tradicional, ku do të mund të
ndiqeshin rrjedhat e gradacionit të fabulës (ndodhisë): fillimi, etapat e
zhvillimit, mbarimi. Ai nuk është i ndërtuar mbi një ide qendrore, as nuk
përdor vetëm një formë të rrëfimit, të monologut, të dialogut etj.; objekti i
tij është një shumësi objektesh artistike, një spektër, një mozaik tërësor, ku
pjesët nuk janë krijuar mbi bazën e radhitjes hierarkike, por janë krijuar e funksionalizuar
mbi bazën e krijimit e të forcimit të tërësisë shprehëse e kuptimore, të
tërësisë së ndikimit estetik, duke u lidhur e duke u plotësuar me njëra tjetrën
nga rrafshe e forma të shumta e të ndryshme, qofshin kur ato ndodhen në raport
të ndërsjellë kushtëzues e determinues, qoftë kundërvënës e kundërshtues.
Mënyra e
perceptimit, e shtjellimit dhe e shqiptimit të objektit artistik në tregimin
“Kulla” në esencë shprehet si rrënim i konvencave të prozës së realizmit, pra
në këtë krijim rrënohen – zhvendosen konvencat e fabulimit dhe narracionit
tradicional. Në vend të parimit hierarkik e të kronologjisë, me çka cilësohet
proza tradicionale, në tregimin “Kulla” vendosen lidhje shumëplanëshe
paradigmatike; krijohet një sistem kompleks paradigmatik, që nuk veçohet për
përshkrimin, vlerësimin, shpjegimin, pohimin, por për thellësinë dhe begatinë e
shprehjes, për krijimin e realitetit sa më të ndërliqshëm e të pavarur
artistik.
Ndërtuar mbi
parime të këtilla është krejt e natyrshme që për të depërtuar në strukturën
tekstore e në sistemin kuptimor, që del nga struktura gjuhësore e tregimit,
kërkohet më shumë përkushtim e dije, pra perceptimi dhe receptimi i “Kullës”
është i vështirë. S’do mend se kjo vështirësi nuk nënkupton abstraksionin e
objektit të trajtuar në këtë prozë, por përkundrazi, ndërliqshmërinë,
shumështresinë dhe pasurinë e strukturës gjuhësore tekstore. Pra rrënimi i
konvencave të prozës tradicionale nuk është vlera kryesore e këtij tregimi, por
para se gjithash mënyra origjinale e vrojtimit, e shtjellimit të tekstit
poetik, e ndërtimit të tërësisë shprehëse e kuptimore nëpërmjet të pjesëve, të
cilat shprehin forcën e tyre qenësore në krijimin e tërësisë si kohezion i
përbërësve kryesorë të krijimit letrar-artistik dhe si forcë e ndikimit estetik
te marrësi.
Uniteti i rrafsheve kundërvënëse – kontrastike
Proza “Kulla”
është ndërtuar mbi bazën e dy rrafsheve të ndryshme kundërvënëse, të cilat mu
në raportin kontrastik të tyre shprehin madhështinë e tërësisë, kohezionin e
tyre. Tregimi është perceptuar si një sistem i antitezës poetike, jo për të
theksuar pavarësinë e rrafsheve kundërvënëse brenda strukturës tekstore, por
për ta shprehur, në nivelin sa më të lartë, unitetin shprehimor dhe kuptimor,
që krijojnë mikrostrukturat e krijimit artistik në rrafshet e këtilla
kontrastike. Në këtë prozë, siç theksohet qysh në faqen e parë, çdo gjë që
ngjet – ndodh: fillonte prej dikah thellë në pafundësi dhe mbaronte
diku lart, por gjithashtu thellë në pafundësi.
Në këtë diakroni
të pakufi (skaje të kundërta paradigmatike) nëpërmjet të formave të ndryshme të
shqiptimit, autori fut një varg elementesh të shumësisë së objektit artistik.
Dhe pikërisht raportet e krijuara midis këtyre elementeve, si sistem
mikrostrukturash në raport me makrostrukturën, veçoritë shprehëse e kuptimore,
forca që ato marrin brenda strukturës së tekstit, shprehin disa nga tiparet
kryesore e origjinale të këtij tregimi dhe të Pashkut si prozator.
Rrafshet
kundërvënëse paradigmatike të “Kullës” janë, me një anë: tymi,
errësira, fillimi i natës, heshtja, shikimi i ngrirë, hapësira e përhimtë,
kjasina, rëra përvëluese, lot e tym, galtina, gërmadhat, kulet, kulja e madhe
fantazmagorike, psherëtima, gjaku, hejza, zapullima, thika, thika në sy, zëri i
përvajshëm, pylli (që) ka sulmuar kullën, kasapi (si njollë) më e errët si
errësira, kukuvriqi etj., ndërsa në anën tjetër: kulla, plaka,
bardhoka, tarrabeci, kali, kreu i rrënjëve, delta e lumit, zogjtë, këmbora,
dielli që në ag zinte të flakëronte etj.
Këto dy rrafshe
janë jashtëzakonisht të lidhura e të varura midis tyre; nga aspekti tematik dhe
kuptimor ata nuk synojnë hierarkinë. Në vend të këtij raporti, që shpesh e
ndeshim në krijimet tona letrare, ata varën e kushtëzohen në mënyrë të
ndërsjellë; i cilëson një varësi e brendshme, qenësore, sepse në këtë mënyrë e
bëjnë më të plotë imazhin, ashtu siç ngjet edhe me mesazhin poetik, që del si
rrjedhojë e ballafaqimit dhe e funksionalizimit të tablove, të situatave e të
mendimeve brenda strukturës së veçantë tekstore.
Raporti kontrastik
nuk shprehet vetëm në ballafaqimin e dy rrafsheve, që i përmendem, por edhe
brenda një rrafshi. Kështu, fjala vjen, kjo shprehet me vdekjen dhe jetën e
plakës, e cila është kreu i rrënjëve; për të mësojmë vetëm pas vdekjes; vetëm
pas këtij akti shpaloset esenca e veprimit dhe e simbolizimit të saj; mbas
varrimit ajo përtërihet në kujtesën e njerëzve, sakralizohet simbolika e
rrudhave, e rrënjëve të saj. Ngjashëm ndodh edhe me kullën: ajo ekziston
ndërmjet qëndresës dhe rrënimit – shkatërrimit; atë e mban gjallë dhe e ripërtërin
këmbora, e cila, përkundër pësimeve të kullës, është e pazhdukshme, e
paasgjësueshme.
Pra plaka vdes,
por nuk vdes esenca e qenësisë, e simbolikës, e funksionit të saj, nuk vdesin
rrënjët, siç nuk zhduket e nuk asgjësohet kulla, po prej mbetjeve (gërmadhave,
kuleve etj.) ringjallet, vazhdon ekzistimin dhe qëndresën. Ky ekzistim dhe kjo
qëndresë në tregimin “Kulla” marrin një përmasë mitike, e cila bëhet pjesë e
vetëdijes dhe merr tiparin sakral. Dhe sa më shumë që kulla (bashkë me këtë
edhe qëndresa) pëson, sa më shumë që ndihet prania e kuleve, e gërmadhave, e
kulprave (që kanë veshur gati të gjitha muret e kullës dhe kanë zënë të hyjnë
edhe nëpër frëngji), dega e rrapit (që don të hyjë ndërmjet gurëve të kullës)
etj., aq më tepër ajo bëhet më e qëndrueshme, siç bëhen më konzistent e
shenjëzues kryet e rrënjëve, këmbora, tarrabeci, delta etj., që koekzistojnë
fuqishëm brenda tërësisë; ato varen dhe i japin njëra tjetrës në nivele e
përmasa shumëplanëshe:
“Paj, si të them, më vonë, disi, nuk më pëlqente ta krahasoja (plakën)
vetëm me rrënjë”.
“Por, rrënjët janë të bukura!”.
“Janë, por nuk më duket se kryet e plakës sonë mund t’i ngjante vetëm kreut të
rrënjëve të thella”.
“Kurse mua më duket se mund t’i ngjante vetëm rrënjëve që s’ndahen dot nga thellësitë
e veta”.
Imazh vetëdijsor dhe kohë mitike
“Kulla” nuk është
as prozë fantastike, as e ngritur mbi bazën e ëndrrës, as shprehje e realitetit
të mirëfilltë historik; ajo s’është as realitet i modelit të përrallës, që
shprehet si kundërvënie e realitetit të vërtetë, si mohim i tij. Siç theksuam
edhe më parë, realitetin, faktin historik ky tregim e merr vetëm si bazë, si
nxitje, si motivim, si rrafsh bazor njohës – njohje që nuk është e rastit, siç
nuk është asgjë e rastit në këtë prozë për shumëçka komplekse.
Realiteti i
tregimit “Kulla” qenësisht lidhet me përvojën e historisë kombëtare të popullit
tonë, që është krijuar në vetëdije si refleksion i konkretësisë historike. Ky
realitet, kjo empiri historike, shprehet nëpërmjet një shumësie çështjesh, veprimesh,
situatash, personazhesh, objektesh, shpresash të rrëfimit dialogësh etj.
Nëpërmjet shumësisë së objekteve të trajtuara, krijohet një gjerësi e thellësi,
një unitet i qëndrueshëm e funksional, që e shpreh më plotnisht realitetin,
mundëson, nëpërmjet strukturës tekstore poetike, shqiptim dhe interpretim më
kompleks të tij. Pra kjo shumësi, pos tjerash, shpreh përshtypjet e ndryshme
subjektive të personazheve ndaj realitetit të njëmendtë objektiv (në kohë të
ndryshme), që është qenësore për qasje moderne, sepse në këtë mënyrë shmanget
mundësia e subjektivizmit të një personazhi (sipas Erich Auerbach-it).
Veprohet në këtë
mënyrë për arsye se vetëdija, natyrisht edhe krijimi i veprës letrare mbi bazën
e funksionimit të saj, siç ndodh dhe në tregimin “Kulla”, nuk është e varur nga
rrjedha kronologjike (term i David Daiches), nga ndodhitë, vijimësia e
veprimit, i mendimit etj., por në formë sistemi (zbatohet edhe paralelizmi),
ajo anticipon dhe vepron në retrospektivë. Nëpërmjet aluzioneve dhe
kundërshtimeve të brendshme qenësore, krijohet në vetëdije rrjedha e
ballafaqimit të dukurive në raporte kundërvënëse e kundërshtuese, pra krijohen
të gjitha mundësitë për unifikimin maksimal të rrëfimit, që në kushte të tjera,
të shqiptimit tradicional të realitetit objektiv (bardh-zi, mbi bazën e
varësisë së rrjedhës kronologjike etj.) ose të imitimit të tij kjo do të bëhej
pjesërisht ose nuk do të mund të bëhej fare. Në këtë mënyrë brenda vetëdijes,
rrjedha e ngjarjeve, perceptimi i imazheve, shqiptimi i botës së personazheve
veprojnë pavarësisht nga kategoria e kohës dhe e hapësirës, pra fushëveprimi në
diakroni e sinkroni është i pakufi.
Personazhet në
tregimin “Kulla”, si dhe në gjithë prozën e tij tregimtare madje dhe në romanin
“Oh”, nuk janë asgjë tjetër pos shenja, figura në funksion (term i Gunther
Anders-it), në të vërtetë janë funksione, që brenda strukturës tekstore,
funksionalizohet në tërësinë e sistemit kuptimor, gjë që për A. Pashkun
gjithnjë ka rëndësi të dorës së parë. Kjo tërësi si e tillë pastaj do të
krijojë një nëntekst të veçantë që e bën këtë tregim artistikisht më
konzistent. Mënyra e perceptimit dhe e shqiptimit shumindividual në vetëdije,
shprehimësia e shumëfishtë në vetëdije (term i Auerbach-it) nuk është çështje e
re për letërsitë e tjera.
Mirëpo Pashku
është origjinal në këtë tregim, sikur se në gjithë prozën e tij, sepse nuk
ndjek e nuk imiton asnjë autor që krijon sipas kësaj mënyre, edhe pse prej tyre
ka mësuar në mënyrë kreative. Ai ndryshon prej të tjerëve për këndvështrimin e
problemeve, për kompleksitetin e varësisë dhe të raporteve që i krijon në
strukturën gjuhësore, pastaj për të “folurit e përjetuar”, për “monologun e
brendshëm”, për “sigurshmërinë objektive”. Pra Pashku dëshmon origjinalitetin
pikërisht për funksionet dhe sistemimin e përbërësve brenda tërësisë, brenda
konceptit artistik të krijimit, duke i parë në dritën e empirisë historike
nacionale. (Në qoftë se, fjala vjen, për Kafkën bota në përgjithësi është
objekt i frikës dhe i qëllimit, në këtë tregim bota shqiptohet si raport i
ndërsjellë i tragjikes dhe i qëndresës).
Mënyra komplekse e
perceptimit të botës e të dukurive të saj dëshmohet në këtë tregim edhe me
përdorimin e kategorisë së kohës. Në esencë koha e prozës “Kulla” është kohë që
ngjet në vetëdije; është pjesë e vetëdijes, prandaj ajo është e pakufi; i
përket të kaluarës, të tashmes dhe të ardhshmes. Kjo mënyrë e perceptimit të
kohës i jep asaj përmasën mitike, por njëherit edhe përmasën e objektivimit.
Nëpërmjet të kohës së “jashtme” dhe kohës së “brendshme”, kohës “reale” dhe
kohës “subjektive” zgjerohet mundësia e perceptimit thellësor e kompleks, e
integrimit të shumësive shprehëse e kuptimore, e shpalimit të shumësisë së
shtresave të vetëdijes historike, por edhe të vetëdijes transcendentale,
metafizike.
Duke përdorur
kohën në këtë mënyrë krijohet mundësia për t’u thelluar e për ta kuptuar më
thellësisht realitetin ekzistues, por edhe të perspektivës së kohës dhe të
simbolikës gjithëpranuese të ndodhive (sipas E. Aurbach-it). Kjo formë krijon
mundësinë e projeksionit të të folurit mitik, i cili në këtë mënyrë e krijon
realitetin e ri; nga rrafshi i empirisë historike kalon në vetëdije e prej aty,
nëpërmjet të artit të fjalës, e pasuron atë realitet nëpërmjet rrëfimit që
shndërrohet në shenja dhe si i tillë funksionon në formë të mëvetësishme.
Kështu, plaka, kasapi, tarabeci etj., janë refleksione të realitetit historik,
por nga realiteti “real” janë transponuar në realitetin “subjektiv” i cili në
tregim funksionon si i pavarur dhe i mëvetësishëm, si përvojë e re.
Koha “reale”, e
“thjeshtë” në prozën “Kulla” është fare e shkurtër: nis me fëllimin e natës e
mbaron po ashtu me fëllimin e asaj nate. Ndryshimi midis fillimit dhe mbarimit
të kësaj kohe ekziston. Në fund të tregimit thuhet: “[…] dhe fëllimi i
natës, që përvidhej nëpër frëngji. Më duket se është afruar agu”. Koha
“fiktive”, “subjektive”, e “brendshme” është e pakufishme (diakroni e pafund).
Në esencë gjithë koha – kohësisht shumë e gjatë – e tregimit “Kulla” zgjat në
vetëdije, siç ngjet edhe në romanin “Oh”, por dhe në disa proza të tjera të
këtij autori. Kjo kohë preferohet, përfillet e përdoret nga Pashku për arsye të
krijimit të hapësirës sa më të madhe, të pakufishme për shtrirjen e rrëfimit,
unifikimit të shtresave të tij, për të shqiptuar probleme komplekse të
realitetit jetësor, që manifestohen e koekzistojnë në formë tjetër në vetëdijen
e njeriut, në vetëdijen si qenësi sintetike aktive. Pikërisht shprehimësia e
shumëfishtë e vetëdijes ndonjëherë shkakton hutimin e lexuesit të këtij tregimi
ose krijon përshtypjen se ai është abstrakt, tejet i “ngarkuar”, së këndejmi i
vështirë për kuptim.
Kjo ngjet për
shkak se Pashku në këtë prozë e thyen konceptin e kronologjisë së ngjarjes,
rrëfimit, veprimit, të shqiptimit të karaktereve, të situatave. Ai me qëllim e
përqendron vëmendjen në detaje të “parëndësishme”, por që sugjerojnë dhe
krijojnë kontekst kompleks qenësor, nëpërmjet të të cilëve në mënyrë të
pabesueshme, shprehet dhe vërehet pasuria e realitetit dhe thellësia e secilit
çast që i jepemi pa qëllim (Auerbach). Mbi bazën e perceptimit të këtillë të
çështjeve e të dukurive të ndryshme nga qenësia e përvojës së historisë sonë,
Pashku krijon një realitet artistik të papërsëritshëm. Dhe po qe se në tregimin
“Kulla” ka diçka që ngrihet mbi të tjerat, që synon të mitizohet në mënyrë
konzistente, atëherë ky mitizim shprehet para se gjithash në rrafshin e thënies
artistike, si vlerë gjithëkohor. Nëse në këtë kontekst mund të bëhet fjalë për
krijimin e mitit të prozës shqipe si art, si vetëdije artistike, atëherë Pashku
me tregimin “Kulla” i ka dhënë një nga përmasat më të thella, ka arritur njërën
ndër pikat më të larta.