| E shtune, 05.06.2021, 08:10 PM |
Skënderbeu i Fotaq
Andreas
Nga
Astrit Lulushi
Për
qindra vjet tiparet e fytyrës së tij u tretën, ose u ndërruan deri në
mosnjohje; fotografia nuk ishte shpikur, por njerëzit e mbajtën gjallë duke
kujtuar heroizmat e tij. Si dukej në të vërtetë Skenderbeu? Përgjigjia është
evazive, edhe studiuesit ngrenë supet. Por nga sot e shohim ndryshe këtë Princ
evropian, Kryezotin e Arbërit, Heroin Kombëtar të Shqiptarëve, ashtu siç e
fiksoi drejtpërdrejt piktori Gentile Belini, ulur përballë heroit në vitin 1465
në Venecia. Bëmat e tij dihen, pamja e tij mes shqiptarëve erdhi në fund:
“Skënderbeu” i Belinit, është zbulim i rrallë historik i Ikonografisë, që nga
koha mbi 100 vjeçare kur Konica zbuloi pamje e flamurit. Kjo pikturë
skënderbegiane vjen nga studiuesi me sqimë e virtuozitet Fotaq Andrea. Puna e
tij, dhe e studiuesit Dritan Muka, duke rrëmuar nëpër ankande dhe në arkivat
mesjetare në Europë, nxjerr në dritë nga pluhurat e kohës portretin e
Skënderbeut, krijuar në kohë reale 556 vjet më parë, ndërsa Gjergj Kastrioti
ndodhej për një vizitë pune në Venedik. Piktura me titull “Scander Beco” doli
në ankand në Nju Jork më 2020, dhe sot ndodhet - besojmë - në duart e ndonjë
koleksionisti shqiptar, është nënshkruar nga Gentile Belini, piktor i njohur i
Rilindjes Evropiane, bashkëkohës i Skënderbeut. Fotaq Andrea shkëlqeu përsëri
pas një serie studimesh të shkruara mbi Heroin Kombëtar.