| E enjte, 03.06.2021, 08:49 PM |
Në kuadër të ditëlindjes, këto ditë doli nga shtypi libri i 42-të i shkrimtarit dhe publicistit, Sejdi BERISHA
PESHA E THELLËSIVE
FILOZOFIKE, NGROHTËSIA POETIKE DHE PËRJETËSIA SHENJTËRORE E NJË VEPRE...
(Sejdi
BERISHA: “Lotët e Poseidonit”, -ose, një copë hartë për tokën time- botoi Club
Kultura-Pejë, 2021)
Nga
Lulzim LOGU
...Poeti, kredon e tij poetike, testamentin e tij të parakohshëm
njerëzor dhe poetik, shenjën e brendisë së tij shpirtërore, që vlon në thagmën
e bërthamës së qenies, si një vullkan gati në të shpërthyer dhe herë pas here
flakë përtej saj gaca të shndritshme, lutje fisnike dhe kujtesë krenare për
bashkëkombësit dhe brezin e tij, e shndërron pikërisht në këtë kuptim
shenjtërie, me të cilin identifikohet dhe bëhet që nga fillimi deri në fund të
librit...
_____________
“Një copë hartë për
tokën time”, ky është kuptimi dhe kodi i komunikimit shumëdimensional i
shkrimtarit me lexuesin, me historinë...
Sa
nevojë kemi për krijues-kronikanë të ndershëm, për kronika reale dhe objektive
të çasteve historike, që shkojnë saora dhe nesër marrin trajta të tjera në
përfytyrimin e atyre që vijnë më pas dhe duke dashur të ngrehin bazamentin e
tyre jetësor, duan të njohin të shkuarën e vendit dhe kombit të vet!...
Më
vjen papritur ky mendim, teksa shfletoj me padurim dhe kridhem thellësive të
mistershme dhe joshëse e filozofike, përplot ngjyra dhe tone të forta poetike,
të librit më të ri të poetit Sejdi Berisha, si një ylber që ka pushtuar
fuqishëm horizontin dhe i bën të gjithë kalimtarët të ndalojnë një çast ritmin
e tyre të jetës dhe ta adhurojnë atë, duke u trembur se ai mund të ikën ashtu
pa kujtuar siç u shfaq përballë tyre: “...Në këtë kohë/Që gjithçka po dridh/Ku
ta gjejmë atë njeri/ Që trungun e madhështon/Që kombit dhe atdheut/Kuptim
shenjtërie ti japë...”!
Ndryshe,
poeti kredon e tij poetike, testamentin e tij të parakohshëm njerëzor dhe
poetik, shenjën e brendisë së tij shpirtërore, që vlon në thagmën e bërthamës
së qenies, si një vullkan gati në të shpërthyer dhe herë pas here flakë përtej
saj gaca të shndritshme, lutje fisnike dhe kujtesë krenare për bashkëkombësit
dhe brezin e tij, e shndërron pikërisht në këtë kuptim shenjtërie, me të cilin
identifikohet dhe bëhet që nga fillimi deri në fund të librit...
Një
copë hartë për tokën time, ky është kuptimi dhe kodi i komunikimit me lexuesit,
që tash e pesëdhjetë vite a më shumë e ndjekin pa e tradhtuar në udhëtimin dhe
përpjekjen e tij prej sizifi, duke qenë sendërtues dhe bashkëvuajtës kah e vërteta,
ku Peja është Itaka e tij e adhurueshme, nga e cila duart e rreshkura të nënës
dhe loti i nxehtë i babait i shtruan udhën e përballjes me botën e madhe.
Kosova,
në çdo çast shndërrohet në perspektivën e fundme të këtij udhëtimi, një vend ku
liria do të ketë pambarimisht emrin e merituar dhe kuptimin e vet të paqes,
shenjtëruar në ëndrra të prera para kohe fëmijësh, vaje të pafundme nënash me
gjinj të tharë dhe hirit të nxehtë akoma të tokës, në shtretër eshtrash të
luftëtarëve, që shkuan, ndonjëherë edhe të nëmur prej fatit njëqindvjeçar:
“...Pejë,
Po kush ka
fuqi të na shpalojë historinë
Që është në
një libër të veçantë e të pahapur
Edhe fare të
pashkruar
Kush ka fuqi
të na ndajë ne të dyve...”
Peja,
e ka pasur dhe e ka kronikanin e vetë të ndershëm dhe objektiv, atë që mbanë të
gjallë në “arka” dhe “defterë” të pashlyeshëm kohe historinë e saj, që me
ritmin stinor të Lumëbardhit shkon me të vërtetat e duhura në memorien e
qytetarëve të vetë, të cilët sa herë ndjejnë nevojën e përsiatjes dhe
komunikimit me fatin e tyre historik, e gjejnë sa hap e mbyll sytë, në korpusin
e madh krijues të Sejdi Berishës.
Që
nga peizazhi i mrekullueshëm dhe i papërsëritshëm natyror i saj, pikturuar me
figuracion tronditës dhe dashuri të sinqertë prej biri, tek eshtrat dhe
kujtimet e të parëve, te teatri dhe zejet, te këngët dhe baladat, tek lufta dhe
frika e humbjes, te ringjallja dhe shpresa:
“...Pejë,
Nuk ka si të
mos shkruhet
Për shenjat
e historisë që pak të kanë ngelur
Se nuk i
kemi ruajtur
Pak i kemi
hedhur dritë dhembjes e krenarisë
Si të mos
këndohet për këtë histori
E cila sipër
tokës pak ka gjurmë
Kurse
eshtrat flasin e kuvendojnë
Për ty Pejë
Që Bjeshkët
e Nemuna të rrethojnë
Flasin e
kuvendojnë për Kosovën
Për atdheun
e shkapërderdhur...”
Një
poemë e shkruar natyrshëm gjatë gjithë jetës së poetit, një poemë e pambaruar,
një dhimbje prej lehone në pritje të vazhdimit të saj, një rrokje komplekse e
atdheut në një qasje ambicioze poetike, e cila menjëherë të sjell ndërmend
“Fijet e barit” të Witmanit të madh. Poema ka strukturë të qëndrueshme,
hapësirë të admirueshme tematike, solemnitet të vargut, nostalgji dhe intimitet
artistik, që si një fije e artë e përshkruan fund e krye, duke e shoqëruar
lexuesin, ndërsa identifikohet dhe përpiqet të gjejë veten dhe kontributin e
tij në historinë e mbijetesës dhe krenarisë së vendlindjes. Diku, befasisht
vezullon si tehu i mprehtë i një thike e vërteta realiste e tradhtisë, qielli i
poemës ngryset dhe dhëmb, por bash këtu poeti di të jetë në thelb kronikan i vërtetë
dhe jo i llastuar dhe as manipulues i historisë:
“...Pejë
Më dhemb
edhe tradhtia për ty
Nuk di si të
shpjegohet kjo
Por,
historianët le ta mbledhin mendjen
Le t’i
mprehin lapsat
E dhembshme
është kjo
Por duhet të
thuhet e të ndriçohet...”
E
parë në kompleks, poema “Pejë, dhembja dhe krenaria ime”, është dhe do të
mbetet padyshim preludi i bukur i këtij libri, por edhe tërë krijimtarisë së
Berishës, pavarësisht faktit se në të gjithë librat e tij, Peja dhe adhurimi i
saj ka qenë dhe mbetet detyrimi i tij letrar dhe jo vetëm. Poeti ishte dhe
mbeti një ndër të vetmit poetë shqiptarë, që duke shenjtëruar vendlindjen, por
edhe duke prekur fort të vërtetat e saj të dhimbshme, personifikoi tek ajo
vetveten dhe kombin, si një krijesë ku të dyja nuk bëjnë pa njëra tjetrën, qeshin
dhe qajnë së bashku, dhembin dhe triumfojnë bashkë dhe shpresojnë në të ardhmen
e ndritur. Ashtu, si Poseidoni...!
Refleksioni i fuqishëm,
adekuat dhe intelektual krijues, ku pasqyrohet fati i individit dhe i
shoqërisë, shpesh herë i ngelur në udhëkryq...!
Duke
qenë së pari një njeri dhe intelektual aktiv dhe i spikatur, shkrimtari dhe
publicisti, Sejdi Berisha, jeton kohën e vetë dhe të vendit të tij, duke
përjetuar çdo moment që kalon përmes trandjeve shpirtërore, por jo pa krye dhe pa
rrugëdalje. Poeti përshkruan, ndjen, vuan dhe apelon, duke qenë krah
bashkëqytetarëve, modest dhe krenar dhe di të vendoset pastaj në vendin që i
takon natyrshëm, si prijës shpirtëror, motivues dhe mbështetës i ndjenjave të
thella shpirtërore.
E
dukshme kjo në çastin kur trajton ndikimin e pamohueshëm të pandemisë Covid- 19,
në jetën dhe veprimtarinë e gjithsecilit në veçanti dhe të mbarë komunitetit në
përgjithësi:
“...Tash
askush nuk troket në derë
Oborri rri
pendueshëm
Nuk thotë
gjë për heshtjen
Që e ka
kapluar edhe gjelbërimin
E unë herët
në mëngjes
Ulur në
karrigen e zjarrit
Mundohem ta
frenoj dhembjen
Për pemët
dhe beharin
E kësaj
pranvere të plagosur...”
Tej
dhimbjes dhe pamundësive, humbjeve të shumta dhe tronditjes masive, poeti gjen
dhe hap dritaren e shpresës poetike, me gjuhën e thjeshtë të ditës arrin të
përshkruajë izolimin total dhe të depërtojë me fjalën dhe kontekstin realist me
lexuesin e tij, duke dashur t’i bëhet një mundësi tjetër ëndërrimi nga pranvera
e harruar, ashtu si në një moment delikat, kur mbarë bota u gjet në fije të
perit, artistët hapën kanatet dhe nisen drejt njerëzve të pashpresë mesazhe
mirësie me vargun, këngën dhe meloditë e tyre të interpretuara:
“...Por e
kam një lutje
Të bëhemi
bashkë unë e ti
Dhe sërish
botën ta bëjmë të lumtur
Edhe
njerëzit që janë trembur
Si zogjtë pa
fole...”
Poema
”Qetësohu të lutem e bashkë ta bëjmë lumturinë e re”, është si një vazhdim i
poemës së vendlindjes, i lidh në thelb mbijetesa, vazhdimësia dhe qëndresa, tre
shtylla ku mbahet edhe vetë kombi në këtë kohë, kur e ardhmja po pikëtohet
vuajtjesh dhe dilemash, sakrificash dhe durimi pafund, ashtu siç pikëtohet një
shtëpi e madhe brezash, ku jeta i ka të gjitha llojet e përjetimeve. E pastaj,
shtyllat i çimenton ashtu siç duhet dashuria njerëzore, e cila si lulja e
brishtë e pranverës, çel bash atëherë, kur kujtojmë sa ka humbur dhimbjeve të
dimrit të madh:
“...Kur të
kaplon mërzia
Thur këngë
me vargjet e mia
Ktheji të
gjitha në kujtime
Nëse do edhe
ëndrrat që i kisha
Në
përmallimin e vargut tim
Ndoshta të
gjitha do të kujtohen...
Shfletoji do
libra
Lirisht
këndo për rrugëtimin tim
Por edhe për
kujtimet e tua...”
E veçanta tematike dhe
gjerësia e stilit, madhështia figurative dhe guximi krijues, autorin e kësaj vepre
tashmë e kanë kthyer në ikonë të vendosur në panteonin e merituar të kulturës...
Rrugëtim,
madhështi toke, golgotë dhe shërim plagësh, kaligrafi malli, adhurimi në pragun
e shtëpisë, varret dhe martirët si dhe perdja e mjegullt e moshës që ndihet
paksa tek bie si pa u ndjerë në motivet dhe natyrën e vargut dhe ndjeshmërisë
së poetit, janë përmbledhtas harta poetike e këtij libri, që qëndron rëndë dhe
dinjitoz në kronologjinë dhe ecurinë e krijimtarisë së tij ndër vite.
Universi
poetik i shkrimtarit dhe publicistit, Sejdi Berisha, gjithmonë ka origjinalitet
dhe qartësisht individualitet të veçantë, krahasuar me homologët e brezit të
tij; është pesha tematike dhe gjerësia e stilit, befasia figurative dhe guximi
krijues, mbi të gjitha besimi tek komunikimi me një gjuhë të thjeshtë, e cila
direkt shënon ndjesinë dhe prekjen emocionale të lexuesit. autori i këtij libri
tashmë është kthyer në ikonë e vendosur në panteonin e merituar të kulturës së
Pejës, Kosovës dhe shumë më larg, trojeve të tjera shqiptare.
Në hapësirën e kuvendimit të tij poetik, nuk mungojnë risitë dhe përpjekjet për të qenë në një hap me zhvillimet e shpejta të artit, tek cikli mbi hajkun, të vonuar siç shprehet me sinqeritet dhe dinjitet autori, dallohet dukshëm prirja e pranimit të kësaj lloj poezie në stilin e autorit, vjen e freskët në motive, qasje gjuhësore dhe frymë të ngrohtë emocionale.
Nga
një këndim i “çmendur “ me lotët e Poseidonit, tek peizazhi i butë me motive
natyrore të hajkut, nga ironia therëse, deri në sarkazëm për varret, që flasin
duke kënduar, saga poetike e Berishës të fton ta ndjesh dhe ta ndjekësh me një
lexim të vëmendshëm, duke përftuar mesazhe të thella nga koha dhe interpretimi
i saj, duke shijuar ndjesi të përbashkëta nga jeta e tij, e jotja dhe e qytetit
tënd, ku jeton, një trini që të mban zgjuar deri në vargun e fundit dhe të
duken ndoshta pak 200 faqet e librit, ndërsa shmon me veten, ashtu si autori,
zëdhënës i adhuruar shpirtëror:
“...Kur të
vjen koha për të fjetur
Do përpiqem
të shtrihem ngadalë
E të mos e
lëndoj as shtratin as tokën
As zogjtë të
mos i pikëlloj
Në stinët me
lule dhe në ato me shi
Do përpiqem
të mos i tradhtoj vargjet
Që
nganjëherë dridhen nga malli im...”
E
reja që konstatoj në librin e ri të shkrimtarit dhe publicistit, Sejdi Berisha,
është trajtimi i vetmisë si motiv, nën siglën e pagëzimit të saj si dhimbje
kohe, por me një shikim kompleks, ku autori ka shmangur personalizimin e rëndomtë,
duke i dhënë kësaj konotacion më të madh, që përfshin jo vetëm atë si individ,
por edhe atdheun, dhe ngërthen fatin e tij me vetveten.
Libri
ka larmi stilesh dhe tematike, është simbolikisht hija e rëndë dhe frymëmarrja
e shpeshtuar e poetit, takikardia dhe ndoshta aritmia e tij e vrullshme, ndërsa
pasionet nxjerrin krye, duke rënkuar me dihatje të pandalshme, sikur autori të
ishte në fillimet e veta letrare.
Autori
ka avancim dhe emancipim të vargut të tij, duke ruajtur traditën, por edhe duke
shfaqur tendenca të qarta të kërkimit figurativ dhe gjuhësor, ka një përfshirje
në prozën poetike dhe hajku si dhe shpalos tejdukshmëri dhe delikatesë të
poezisë lirike.
Mbetet
një poet i konsoliduar dhe serioz, një pasuri dhe aset i çdo areali kulturor, i
cili dëshmon që poezia jonë, pavarësisht tronditjeve të kohës, di të adaptohet
dhe të jetë një pasqyrë e dinjitetshme e zhvillimeve historike dhe jo vetëm.
(Maj, 2021)