| E marte, 01.06.2021, 06:43 PM |
Përgatiti:
E.B., Nju Jork
Militant Plakolli
u lind në vitin 1995 në qytetin e Podujevës. Ai është i diplomuar në
Departamentin e Shkencave Politike të Fakultetit Filozofik në Universitetin e
Prishtinës “Hasan Prishtina”.
Militanti ka qenë
një aktivist, vullnetar si dhe participues në aktivitete dhe konferenca të
shumta politike e sociale në nivel lokal dhe nacional. Poashtu, ai ka një mori
trajnimesh të kryera në lobim, organizim, menaxhim, avokim, komunikim dhe
ambientalizëm.
Kontributi i tij i
gjatë në OJQ “EKOVIZIONI”, pastaj
trajnimet e ndjekura nën ombrellën e "Lëvizja Fol", janë disa prej
aktiviteteve kryesore, që e përmbledhin një dekadë punë intensive në përgatitjen
profesionale. Natyra e studimit ka bërë që ai të ketë pasion për kolumnën dhe
analizën politike, veçanërisht për opinionet në kuadër të realpolitikës në
marrëdhëniet ndërkombëtare.
Aktualisht,
Militant Plakolli është në prag të përfundimit të studimeve të nivelit master
në Kolegjin AAB, në Departamentin Administratë Publike dhe Diplomaci.
Si e përkufizoni globalizmin dhe e ardhmja e tij?
Janë disa faktorë
që definicionin e globalizmit e kanë bërë sa të vështirë po aq edhe delikat për
të pasur një përkufizim të qartë dhe shpjegues në forma mirëfilli në lidhje me
këtë fenomen të integrimit të shoqërisë botërore. Disa prej tyre kanë të bëjnë
me aftësitë dhe kapacitetet e shoqërive dhe shteteve kombëtare për të
komunikuar, bashkëpunuar dhe për të ndërvepruar në sajë të interesit të
përbashkët politik, ekonomik, social e kulturor dhe teknologjik e ushtarak,
duke u bashkuar në vlera të përbashkëta dhe universale.
Së pari globalizmi
ka krijuar urat e mëdha që kanë mundësuar që shoqëritë dhe shtetet kombëtare të
ndërlidhen me njëra-tjetrën. Së dyti ka mundësuar që shtetet të shkëmbjenë e të
gërshetojnë ndërmjet vete jo vetëm idetë, kulturat, përvojat dhe njohuritë, por
poashtu edhe të gjitha të mirat materiale dhe ekonomike. Kjo për arsye si
potencial i përbashkët për të arritur deri te synimet dhe qëllimet që duhen të
realizohen, si një megakontribut për interesin qytetar, shtetëror dhe global,
për një botë idealiste. Natyrisht, se nën këto ura të mëdha bashkëpunimi
global, rrjedhin rrëmbyeshëm interesat e superfuqive botërore, që gërryejnë
interesin global dhe shtyjnë përpara interesin e tyre kombëtar nëpërmjet forcës
politike, ekonomike dhe ushtarake.
E ardhmja e
globalizmit varet nga ndryshimet e mëdha politike dhe ekonomike që po bëhen
dita ditës në arenën ndërkombëtare. Pra, të ardhmen e tij e përcakton rrijta e
një superfuqie botërore dhe rënia e një tjetre. Meqë, bota nuk ka një qeveri
botërore që të mbrojë një interes global, atëherë rendi dhe rregulli i saj, me
gjithë të drejtën ndërkombëtare, është një anarki e plotë, ku forca politike
dhe ekonomike e kombinuar me atë ushtarake vendos dhe përcakton rregullat e
lojës dhe pse jo edhe rendin e ri botëror. Në këtë aspekt, globalizmi vetëm sa
transformohet nga një ndikim në ndikimin tjetër. Megjithëkëtë, mund të themi se
e ardhmja e globalizmit qëndron në prishjen ose në vazhdimin e balancës
politike, ekonomike dhe ushtarake të superfuqive globale. Mendoj se globalizmi
në secilën kohë dhe rrethanë ka një të ardhme, cilado qoftë ajo.
Si po ndikon globalizmi në Kosovë dhe si e shikoni të ardhmen e vendit?
Republika e
Kosovës si një shtet i ri nuk ka se si të mos preket nga efekti i globalizmit.
Kosova është në përpjekje të vazhdueshme për të konsoliduar shtetin ligjor dhe
për të avansuar demokracinë e brendshme, e orientuar fuqishëm në integrimet
evroatlantike. Ndikimet janë të jashtëzakonshme, sepse gjysma e popullsisë të
vendit i përket moshës së re, e cila ka energji dhe potencial të madh, sidomos
në fushën e telekomunikimeve, në dimensionet sportive dhe ato kulturore.
Konkretisht, nga
ana e diplomacisë publike me talentin e tyre, rinia kanë arritur t’i sigurojnë
një imazh të ri të shkëlqyshëm për Republikën e Kosovës në arenën
ndërkombëtare. Por, mundësitë prej të vërteti janë akoma të kufizuara dhe
ndonjëherë nuk ekzoistojnë fare. Republika e Kosovës qysh herët ka përqafuar
vlerat më sublime të demokracisë dhe ka qenë e mbështetur dhe e lidhur ngushtë
për Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Unionin Evropian. Influencë e cila ka
mundësuar që vendi të jetë më afër vlerave demokratike dhe liberale, që tashmë
veçse i duhet t’i forcojë dhe t’i shtyjë ato drejt integrimeve evroatlantike.
Liberalizmi i vizave dhe anëtarësimi në NATO janë ndër synimet kryesore të
Kosovës. Një hapje e tillë, me mundësi lëvizjeje dhe qarkullimi për qytetarët
do ishte një dritare e re mundësie për Kosovën.
Cilat janë disa nga sfidat e globalizmit?
Globalizmi është
një proces dhe natyrisht se një proces evoluon dhe çdo gjë që evoluon ndryshon
në dukje, por asnjëherë në substancë. Për të ndryshuar në dukje globalizmi,
fillimisht duhet të sfidohet dhe kur sfidohet, prishen balancat e rendit
botëror. Por globlizmi gjen prehjen në transformimin e tij dhe në përshtatjen
ndaj rrethanave që i vihen para vetës pavarësisht se cila fuqi është në ardhje,
qoftë politike apo ekonomike. Lufta e Ftohtë, terrorizmi dhe recesionet e
vazhdueshme ekonomike, që nga viti 2008 e tutje ishin disa prej sfidave serioze
për globalizmin që akoma janë të pranishme, në forma të ndryshme.
Pandemia Covid-19
ishte sfida më e madhe e globalizmit në 30 vitet e fundit. Kjo bëri që shtetet
kombëtare të kthejnë rëndësinë e tyre dhe të kenë mbi vete vetëm vendosmërinë e
tyre për të ruajtur interesin e tyre kombëtar, kundrejt atij interesit global.
Jashtë çdo qasje globaliste, shtetet kombëtare kthyen rëndësinë e tyre, filluan
të mbyllën, të shtrëngojnë kufinjtë dhe jo shumë kohë më tutje filloi edhe gara
e prodhimit të vaksinave, që mund të kujtonte garën hapsinore në Luftën e
Ftohtë. Intresi kombëtar, rritja e apetiteve të superfuqive botërore për
dominim dhe ndikim si rënia e një fuqie dhe ngritja e një tjetre e sfidojnë
edhe më shumë globalizmin e prirë për të ndryshuar në saje të rrethanave
politike dhe ekonomike që i servohen përpara.
Në lidhje me transformimin e globalizmit, si e shikoni efektin e këtij
fenomeni në nivelin lokal, rajonal dhe global?
Krizat nëpër të
cilat po kalon globalizmi nuk janë fundi i tij, por janë fillimi i një
ri-strukturimi ndërkombëtar. Përderisa, pas Luftës së Ftohtë, Shtetet e
Bashkuara të Amerikës dolën si fuqia e vetme në rendin botëror, sot gjendja në
sistemin ndërkombëtar nuk i takon forcës unilaterale. Një rritje e hatashme
ekonomike dhe ushtarake e Kinës e kombinuar në distancë me forcën politike dhe
ushtarake ruse, kanë bërë që sistemi ndërkombëtar të pësoi një qarje. Nga e
cila çdo ditë e më shumë po vjen aromë përplasjeje, një aromë e një transfomimi
global.
Ashtu siç
parashihet, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Evropa Perëndimore do të jenë
në një aleancë kontinuale, që do të përfshijë edhe Ballkanin Perëndimor, për të
ulur rrezikun e sigurisë dhe ndikimin politik dhe ekonomik të Kinës dhe të
Rusisë. Integrimi evropian i Rumanisë dhe Bullgarisë në Unionin Evropian është
një sinjal i qartë se integrimi evropian i dy këtyre shteteve pa plotësuar
kriteret e nevojshme, ishte për qëllime gjeostrategjike, për të mbyllur një
korridor jo vetëm ideologjik, por edhe një korridor territorial/fizik të Rusisë
me Ballkanin.
Gjithashtu,
integrimi i shumicës së vendeve të Ballkanit në NATO, ka bërë që paktën siguria
të jetë në nivele të qëndrueshme, edhe pse problem serioz mbetet aleanca
ushtarake e Serbisë me Rusinë dhe Kinën. Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë
të interesuara që të frenojnë rritjen ekonomike të Kinës dhe të ndërprejnë
rolin dhe ndikimin e saj të dhunshëm në Detin e Kinës Jugore, duke mbajtur
poashtu nën kontroll edhe tendencat ruse për ekspansione eventuale përgjatë
Evropës Lindore. Në anën tjetër kemi të
bëjmë me rënien e niveleve të demokracive dhe rritjen e sistemeve autoritare
nëpër botë, që kanë për qëllim zvogëlimin e rolit perëndimor në rrjetin e
ndikimit global.
Gjithashtu, kemi
mbi 9 vende që kanë armatim nuklear dhe që disa prej tyre kanë armiqësi të
mëdha me fqinjtë e tyre (vetëm para pak jave pothujase u ndeshën forcat
britanike dhe ato franceze për ca anije peshkimi, dy aleatë që ndajnë të
përbashkëta e aleancë politike e ushtarake për më shumë se nje shekull - pastaj
llogarite se çfarë mund të bëjë Koreja e Veriut (komuniste) kundrejt asaj të Jugut
(demokratike)?).
Po roli i globalizmit dhe integrimit në BE?
Globalizmi është
dëshmuar kaherë për rolin e tij pozitiv në shoqërinë botërore, por gjithashtu
është dëshmuar edhe për larminë e llojeve të tij, përshtatur në bazë të
rrethanave dhe kushteve sociale dhe kulturore që kanë popujt. Unioni Evropian
ka mposhtur kompleksin dhe inferioritetin e vetë evropianëve kundrejt të
tjerëve. Unioni Evropian është një prej formave më unike jo vetëm për nga
organizimi dhe funksionimi i tij, por edhe për nga ana e shpërfaqjes të një
niveli krejt tjetër të një formë të paparë të globalizmit deri më sot. Kjo
formë e globalizmit e udhëhequr nga Unioni Evropian ka rritur ndjeshëm rolin
demokratik e liberal, duke e përafruar edhe më shumë me shtetet e tjera kombëtare
rreth vlerave universale të bashkuar në diversitet.
Shtetet e
Ballkanit Perëndimor, papërjashtim, të gjitha janë të interesuara dhe kanë
shfaqur haptazi dëshirën e tyre për integrim në Unionin Evropian. Po ky lloj
globalizmi nuk është i interesuar vetëm për dëshirën integruese, por që të
gjitha këto që kanë një të ardhme të qartë evropiane, duhet të punojnë në
fuqizimin e dmokracisë dhe në shtetin ligjor, me një ekonomi stabile dhe me
ligje të përshtatura me Unionin Evropian, që të kenë një integrim të shpejtë
dhe të fitojnë sa më shumë nga të qenurit pjesë e një superstrukture shoqërore
e supranacionale sikurse që është Unioni Evropian.