| E marte, 01.06.2021, 07:58 PM |
Dita Ndërkombëtare e Fëmijëve, flasin Margarita Xhepa, Luftar Paja, Bashkim Alibali, Kastriot Tusha, Alida Hisku dhe Angjelina Xhara
I kemi fëmijën në zemër si një diell i vogël
që shkëlqen
Nga Albert
Z. Zholi
1 Qershori është jo vetëm festa e tyre por
edhe dita kur vetë fëmijët ngrejnë zërin për të drejtat e tyre, por në ndryshim
nga të rriturit, protesta e tyre bëhet me lojëra festive. Puna me fëmijët nuk
duhet bërë me fushata. Por me ata duhet punuar çdo ditë, pasi ata janë e
ardhmja. Në të kundërt, do të rrisim një brez mediokër. Ky është apeli që
artistët hedhin në Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve, 1 Qershor. Të pyetur
posaçërisht nga “Telegraf” se çfarë sinjifikon për ta kjo ditë, Margarita Xhepa, Luftar Paja, Bashkim Alibali, Kastriot Tusha,
Angjelina Xhara dhe Alida Hisku. pohojnë se nëse
nuk kujdesemi për ta, për edukimin, për shkollimin për mirërritjen e tyre, pa
dhunë dhe keqtrajtime të çfarëdo lloji, ne kontribuojmë në rritjen e një brezi,
që nuk do të jetë i denjë për ardhmërinë e vet. Një apel ky që hidhet pikërisht
në ditën kur më shumë se kurrë, vendet e botës kujtohen se fëmijët e të gjitha
moshave, duhet të jenë të lumtur dhe ta jetojnë me dinjitet fëmijërinë e tyre.
Kujtojmë se Dita Ndërkombëtare e Fëmijëve u vendos si e tillë në datën 1
Qershor, pasi pikërisht në këtë datë është mbajtur Konferenca Botërore e
Mirëqenies së Fëmijëve në Gjenevë, në vitin 1925. Po në të njëjtën ditë,
koincidoi edhe që konsulli i përgjithshëm kinez në San Francisko mblodhi së
bashku një numër të konsiderueshëm fëmijësh jetimë kinezë të celebronin në
festivalin e “Anijes së Dragoit”. Dhe dy vjet më pas, Festa e 1 qershorit
filloi të festohet në të gjithë botën. Për t’u kthyer edhe në Shqipëri, një rit
që ndiqet për çdo vit dhe përveç festimeve nga më të ndryshmet që
organizohen për fëmijët, konceptohet si një ditë apeli për të gjithë
shtetin se, kujdesi ndaj kësaj shtrese të dashur të popullatës duhet shtuar
vazhdimisht....
Kastriot Tusha, “Mjeshtër i Madh”:
Një festë që duhet t’i kushtojmë shumë
rwndësi. Në këtë ditë, edhe ne duam të bëhemi si fëmijë, të hedhim tej petkun e
babait, dhe të bëhemi si ata, të gëzojmë si ata, të kalojmë çaste fëminore si
ata. Ka nevojë njeriu të dalë nga vetvetja një ditë në emër të dashurisë dhe
lumturisë për fëmijët. Kur i shohim të gëzuar edhe neve na kaplon një ndjenjë
gëzimi dhe lumturie e paditur. Vjen në mënyrë organike për të gëzuar fëmijët
mbesat dhe nipërit. Jo më kot, kjo festë është në ditëndarjen pranverë-verë,
pasi kështu si këto dy stinë duhet të jetë jeta e fëmijëve. Ne nuk e shohim,
por e ndiejmë jetën e re që zhvillohet mes nesh si një oazë, ku freskohemi mes
shkretëtirës që na than, mes vështirësive të përditshme, por që na jep shtysë
të përballojmë sfidat. Kjo shtysë është ai, fëmija ynë, ata fëmijët tanë,
nipërit e mbesat që me hapat e pasigurt, me dhëmbin që sapo i ka dalë, na
tërheq aty ku lumturia nuk njeh skaje e ku lodhja nuk ekziston më, por të hiqet
si me magnet. Nuk mund t’i mbledhim dot belbëzimet e tyre, deri në fjalët e
para, por tani, pas vitesh, na kujtohet që ka qenë melodia më e ëmbël për
veshët tanë. Dhe koha rrëshqet e fëmijët rriten duke që me gëzimin dhe me
buzëqeshjen e tyre na shtojnë ditët e gëzimit dhe ne ditëve tona, me atë
lehtësi që shpërhapen përqafimet e ylbereve me ujëvarat e furishme. Fëmijët
janë kënga e jetës, melodia më e bukur e shpirtit. Do doja që në këtë ditë të gjithë
fëmijët në botë të ishin të gëzuar. Të ishin të lumtur, por ka dhe probleme me
fëmijët në botë, madje shumë. Ndaj kjo ditë, le të jetë një ditë kthese që bota
e qytetëruar të shikojë dhe të zgjidhë problemet e fëmijëve në botë.
MARGARITA XHEPA, “Nderi i Kombit”:
Kjo ditë më lumturon më shumë se çdo festë
tjetër. Tashmë që jam gjyshe shoh se çfarë gëzimi, çfarë emocioni, çfarë
lumturie, çfarë frymëzimi të japin fëmijët. 1 Qershori është Dita Ndërkombëtare
e Fëmijëve, jo vetëm në Shqipëri, Kosovë, por edhe në mbarë botën. Kjo ditë u
kushtohet fëmijëve dhe kudo shohim aktivitete të larmishme. Shumë vende të
botës e kanë pranuar atë si festën e fëmijëve dhe realizojnë festime, të cilat
kanë si qëllim të rrisin vëmendjen në drejtim të mirëqenies së tyre. Kjo ditë i
lumturon fëmijët dhe prindërit e tyre kur shohin se ata me buzëqeshjen e tyre
të ëmbël, u gëzohen jetës, kujdesit dhe arritjeve. Por jo të gjithë
fëmijët janë të gëzuar. Jo kudo është kjo aromë feste. Mes fëmijëve në shumë
shtete ka dhe që nuk janë të lumtur, si nga ana ekonomike, po ashtu dhe me
prindër të divorcuar, apo të patrajtuar mirë. Ka akoma më keq, që fëmijët
shfrytëzohen të lypin në moshë të vogël. Pra, kjo ditë gëzimi, duhet të jetë
edhe një ditë apeli, një ditë kujdesi. Një ditë apeli që fëmijët të gëzojnë, të
rritet kujdesi për ta, të rritet mirëqenia, të rritet dhe të nxitet dashuria
për librin. E kemi fëmijën në zemër si një diell të vogël që shkëlqen dhe
orë e çast na kujton që ka dritë edhe aty ku na i mbyll sytë errësira e problemeve
të punës, shtëpisë, familjes. Fëmijë të Shqipërisë dhe mbarë botës: Drita e
pafajshme që keni në shpirt, ju ndriçoftë si Ylli Polar përtej çdo pasigurie,
me të cilën do të tentojë t'ju trembë e ardhmja në jetë! Rruga juaj e jetës të
jetë plot ngjyra ylberi si qilim i bukur rrezatues. Fëmijët janë aroma e
jetës, lulja më e bukur e jetës, ndaj për çdo ditë duhet të kujdesemi për ta.
Alida Hisku, këngëtare:
Duke jetuar në Gjermani, shikoj se si
trajtohen fëmijët. Kur erdha për herë të parë pashë se çfarë kushtesh u
siguronte shteti fëmijëve në shkolla apo në terrene të ndryshme. Jam befasuar!
Fëmijët janë e ardhmja, për këtë arsye u mblodh një konferencë në Gjenevë më 1
qershor 1925 për mbrojtjen e fëmijëve kundra dhunës. Bota u ndërgjegjësua për
mirëqenien e fëmijëve, sidomos atyre jetimë, që duheshin mbrojtur dhe u duhej
siguruar e ardhmja e lumtur për të mos patur dallim midis fëmijëve, që
rriteshin në familje nga prindërit. Në të njëjtën ditë, në Kinë u bënë
pjesëmarrës në festimet e ‘Anijes së Dragoit’ 200 fëmijë nga jetimorja. Dy vite
më vonë kjo datë mori përmasa ndërkombëtare për të festuar fëmijë nga e gjithë
bota. Fëmijët kanë nevojë për dashurinë tonë dhe mbi të gjitha, për mbrojtjen
tonë kundër abuzimeve, apo përfitimeve kundrejt fëmijëve. Kjo ditë për të
gjithë fëmijët është një festë, dita e tyre e personalizuar, por për prindërit
është dita kur ngrihen të kërkojnë të drejtat e mohuara të fëmijëve dhe ide
sesi mund të përmirësohet jeta e tyre. Në Shqipëri, kjo ditë festohet nga të
gjithë fëmijët pa përjashtim, por edhe konsiderohet si një ditë e dedikuar
ndërgjegjësimit mbi rëndësinë e rritjes së fëmijëve në mënyrë të shëndetshme
dhe të lirë, pa ua ndrydhur atyre ndjenjat ose nismat. Fëmijët janë e ardhmja
dhe ne kemi në dorë të orientojmë të ardhmen e botës duke rritur fëmijë të
shëndetshëm. Çdo fëmijë ka të drejtën të jetojë i lumtur.
LUFTAR PAJA,“Artist i Popullit”:
Kur bëhesh vetë prind e kupton më mirë se çdo
të thotë të rritësh dhe edukosh fëmijë, pra përgjegjësinë dhe dashurinë që
duhet të kesh. Një ditë e rrallë, një ditë që të sjell para syve
përgjegjësitë tona. Sot i shohim fëmijët më të lumtur, më të bukur, më të
ditur, më me vizion, më të edukuar me librin. Kur kujtoj fëmijërinë time dhe e
krahasoj me sot, kaloj një pesimizëm. Nuk i gëzuam lodrat, por varfërinë. Ndaj
sot ndihem mijëra herë më i lumtur që fëmijët e mi, mbesat e nipërit e mi,
sot janë të lumtur të gëzuar dhe ma mbushin zemrën me hare dhe gëzim. Fëmijët
janë dritarja nga ku hyn ajër i freskët në jetën tonë. T’i nisësh në shkollë,
qoftë edhe t’i përshëndetësh ata, është një përgjegjësi e madhe. Fëmijët janë
qielli i lartë i urimeve dhe njëkohësisht “pusi i thellë”, ku prindërit hedhin
monedhat e dëshirave, që presin t’u plotësohen me rritjen e tyre. Jeta
nis me zhurmën e hareshme të fëmijëve, me fytyrën e porcelanit të foshnjës së
sapolindur, që nëna e mban në duar me kuriozitetin e madh në i ngjan asaj, apo
të atit. Dhe jeta vazhdon e rritet në duart tona me shpejtësinë, që shtrihet
mbi tokë agimi i një dite pranvere. Ndaj uroj që gjithë fëmijët në botë ta kenë
gjithë jetën pranverë si dita e 1 Qershorit, e cila është dita më e madhe e
kujdesit për ta. Gëzuar fëmijë, festën tuaj! Sa më të lumtur ju, po aq të
lumtur dhe ne, gjyshërit tuaj!
Bashkim Alibali “Mjeshtër i Madh”:
Ku vjen kjo ditë mendoj fëmijërinë time dhe
hesht për disa momnete. Mendoja se do isha gjithmonë fëmijë. Por erdhi dita dhe
u bëra prind që të kuptoja më shumë forcën dhe magjinë e tyre. Të gjithë flasin
për fëmijët. Të gjithë jemi prindër. Edhe shoqëria, edhe shkolla, edhe
politika, edhe shteti. Të gjithë në planin e parë mendojnë për fëmijët. Por
harrojmë se puna me fëmijët nuk duhet bërë me fushata. Ata janë e ardhmja dhe
kjo është më e rëndësishme. Duhet të kuptojmë, se nëse nuk kujdesemi për ta, për
edukimin, për shkollimin për mirërritjen e tyre, pa dhunë dhe keqtrajtime të
çfarëdo lloji, ne kontribuojmë në rritjen e një brezi, që nuk do të jetë i
denjë për ardhmërinë e vet dhe vendin do ta drejtojnë njerëz mediokër. Me
rastin e festës së 1 qershorit uroj gjithë fëmijët: Gëzuar! Të rriten të lumtur
nën kujdesin e prindërve t’i dëgjojnë ata dhe të bëhen të mirë e të devotshëm
për ta dhe për atdheun.
ANGJELINA XHARA, Skenariste:
Fëmija është vetë perëndia! Çdo njeri bëhet
më i mirë para sinqeritetit të fëmijëve, që reagojnë në çdo çast dhe për
çdo gjë. Mjafton të shikosh sytë e tyre dhe je para provimit më të madh në
jetë. Çdo prind kërkon më të mirën për fëmijën e vet, por nuk duhet ekzagjeruar
dashuria për ta. Në kohët e para, fëmijët kënaqeshin me pak lodra të
sajuara, ndërsa tani prindërit e shoqëria duhet të bashkëpunojnë si t’i ruajnë
fëmijët nga të ashtuquajturat lodra, që i çojnë drejt instinkteve jo
të mira. Në këtë ditë të shënuar unë si nënë, gjyshe e kineaste u
them prindërve: Dhurojuni fëmijëve sa më shumë libra dhe praninë e tyre
të domosdoshme. Kushtojuni kohë dhe vëmendje fëmijëve, sepse që në moshë të
vogël, ata marrin drejtimin në jetë.