| E hene, 31.05.2021, 09:44 PM |
DOM NIKOLLË KAÇORRI
STRATEGU I HARRUAR I PAVARËSISË SË SHQIPËRISË
Nga Frank
Shkreli
Dom Nikoll Kaçorri ka lindur në Krejë të Lurës në vitin
1862, në një familje babai i së cilës ishte katolik, ndërsa nëna i përkiste
besimit musliman.Dom Nikollë Kaçorri mund të ketë qenë i vetmi prift katolik që
festonte Pashkë e Bajram. Siç është
traditë për ata që duan të bëhen priftërinjë në Kishën Katolike, edukata e tij
kishte për bazë studimet teologjike dhe në vitin 1884 mbaroi studimet
filozofiko–teologjike për meshtar dhe u shugurua në Shkodër. Me kalimin e kohës
kryen shkollën e rregullt të gërshetuar me kulturë të lartë perëndimore, duke
mbaruar studimet në vitin 1890 në Zvicër për teologji, politikë, filozofi e
magjistraturë me nota të shkëlqyera. Dom Kaçorri ka shërbyer si sekretar i
Arkipeshkvisë së Durrësit, me qendër atë kohë në Delmnisht të Kurbinit, duke
pasur në administrim edhe kishat dhe famullitë e Kthellës, Selitës dhe Lurës.
Ai është firmëtari i dytë i Deklaratës së Pavarsisë pas Ismail Qemalit dhe
pjesëmarrës në Kongresin e Manastirit dhe në Kongresin Kombëtar të
Elbasanit. Më vonë, numri dy i qeverisë
shqiptare të posa formuar është emëruar famullitar në Durrës. Dom Nikoll
Kaçorri ka ndërruar jetë në sanatoriumin Würth, në Vjenë të Austrisë, më 29 maj
të vitit 1917, pasi kishte vuajtur tre-katër muaj nga një sëmundje e rëndë.
Varrimi i tij u bë më 1 qershor 1917 në varrezat Zentralfriedhof të Vjenës. Ai
është një ndër firmëtarët e Deklaratës së Pavarsisë.
Prandaj me 29 maj kujtojmë këtë burrë të madh të kombit
në përvjetorin e kalimit të tij në amshim -- të Dom Nikollë Kaçorrit, priftit e
patriotit shqiptar, ikonës së Pavarësisë së Shqipërisë, njërës prej figurave
kryesore të lëvizjes kombëtare për pavarësi të shqiptarëve nga pushtuesi
otoman. Nënkryetar i Qeverisë së Vlorës të vitit 1912, dom Nikollë Kaçorri, qe
një personalitet i spikatur i Kishës Katolike të Shqipërisë, me detyra dhe
misione të ndryshme në shërbim të Kishës dhe të Atdheut. Ai dallohej si një
atdhetar i flaktë, që shkriu jetën për liri e pavarësi të popullit e vendit të
vet, por ai la gjurmë edhe si një intelektual i madh që dha kontribut të vyer
në afirmimin e vlerave kulturore, fetare dhe patriotike të kombit shqiptar, në
përgjithësi. Në një homazh të veçant
kushtuar Dom Nikollë Kaçorrit, me këtë rast, Radio Vatikani (RV) shprehet se,
“Atdhedashuria dhe ndjenja e lartë e patriotizmit, e shtyjnë Imzot Nikollë
Kaçorrin që gjatë viteve 1910-1912 të bëhej drejtues i zjarrt i kryengritjes së
Kurbinit me arritjen finale e sublime, të 28 Nëntor-it 1912, kur ai u gjënd në
krah të Ismail Qemalit, në ngritjen e Flamurit në Vlorë. Megjithëse prift, për interesat e Kombit e të
Atdheut, dom Nikollë Kaçorri nuk tërhiqet edhe mbas atij çasti të lavdishëm për
detyrat e tjera që ja kërkon interesi i popullit dhe Atdheut, ndërsa emërohet
nën-kryetar i Qeverisë së parë shqiptare”.
Ai merr pjesë në shumë kuvende kombëtare, sidomos ndër
ato për arsim-kulturë dhe për lëvrimin e gjuhës shqipe. Ishte pjesëtar në
Kongresin e Manastirit dhe përkrahës për hapjen e normales së Elbasanit.
Gjithmonë gjëndej aty ku e kërkonte interesi i Atdheut. Por më në fund,
largohet burrërisht prej detyrave dhe tërhiqet nga politika, vetëm atëherë kur,
me ndërgjegjen e tij të pastër sheh e kupton se në politikën e asaj kohe kishte papastërti e mos
sinqeritet që rrezikonin fatet e popullit e të Atdheut të tij të dashur.
Burrërisht, në rrezik e në pjesëmarrje në mbrojtje të interesave të Atdehut
edhe më burrërisht kur vendosë të largohet nga politika, dom Nikollë Kaçorri
mbetet përgjithmonë një figurë e shquar e Rilindjes shqiptare kombëtare, thuhet
në komentin e RV.
Ndërroi jetë në Vjenë më 29 maj të vitin 1917, pas një sëmundjeje të rëndë në moshën 55 vjeçare. Në muajin shkurt të vitit 2011, eshtrat e Dom Nikollë Kaçorrit u këthyen në Atdhe, dhe me një ceremoni solemne, aty në Kishën e Shën Luçisë në Durrës ku ai kishte shërbyer për 30-vjetë, u rivarrosen eshtrat e tij në vendlindje, 94-vjet pas vdekjes. Me atë rast, i ndjeri Imzot Rrok Mirdita, në atë kohë, Kryeipeshkvi i Tiranë-Durrësit mbajti një fjalim mbi jetën dhe veprimtarinë e këtij gjigandi të Kombit shqiptar. Ndonëse kanë kaluar 10-vjetë, fjalimi i Imzot Rrok Mirditës është një thirrje për reflektim edhe për aktualitetin e sotëm shqiptar politik, shoqëror dhe akademik. Dihet se emri i dom Nikollë Kaçorrit nuk ishte aspak i preferuar gjatë periudhës së komunizmit duke mos i dhënë vendin që meriton në historinë e Kombit -- fatkeqësisht, as atëherë as sot -- këtij kleriku katolik -- në panteonin e figurave më të shquara të kombit shqiptar, prandaj mendova se është me vend që të ta kujtojmë Dom Nikollë Kaçorrin – në këtë përvjetor të kalimit në amshim – nepërmjet fjalëve të të ndjerit Mons. Rrok Mirdita:
*Në këtë përvjetor të vdekjes, ju sjellim pjesë nga
fjalimi i të ndjerit Imzot Rrok Mirdita me rastin e këthimit dhe rivarrimit të
të eshtrave të Dom Nikollë Kaçorrit në Atdhe – pikërisht në Kishën e Shën
Luçisë në Durrës, në shkurt të vitit 2011:
…”Sot kemi para nesh mbetjet mortore të një burri të madh
të Kombit tonë, që gjatë tërë jetës ka kërkuar një Atdhe të lirë dhe i cili ka
vdekur në tokë të huaj. Imzot Nikollë Kaçorri qëndron në themelet e
shtetit shqiptar në të gjitha kuptimet e fjalës themel. Së pari, sepse
ka pasur bindjen e thellë se shqiptarët nuk mund të prisnin më për t’u çliruar
nga sundimi i gjatë osman dhe kjo bindje e ka shtyrë atë të angazhohej për të
përgatitur mendërisht, kulturalisht dhe politikisht, popullin shqiptar për
shpalljen e pavarësisë në Nentor të 1912. Së dyti, sepse priti në Durrës delegacionin
që ishte nisur nga Trieste për të shpallur “Shqipninë e mos varme” dhe, pasi u
vu re se shpallja e pavarësisë në Durrës vihej në rrezik për shkak të
pasigurisë së atij qyteti të kërcënuar nga pretendimet serbe dhe greke, (Dom
Nikollë Kaçorri) bëri të mundur sigurinë e udhëtimit të këtij delegacioni drejt
Vlorës. Së treti, sepse në Vlorë jo
vetëm se hodhi firmën përkrah Ismail Qemalit dhe ishte ndër pesë personat që
valëvitën për herë të parë flamurin e Shqipërisë së pavarur, por u bë edhe
zëvendëskryeministri i parë i shtetit të ri shqiptar. Ai qëndron në themelet
e shtetit shqiptar jo vetëm sepse është njëri ndër gurët e mëdhenj të këtij
themeli, por sepse më shumë se të gjithë protagonistët e tjerë ka mbetur i
fshehur dhe i mbuluar me heshtje nga historia shqiptare si gjatë periudhës
komuniste, ashtu edhe gjatë këtyre njëzet vjetëve. Themelet janë të
padukshme për vetë funksionin e tyre të mbajtjes së godinës që mbështet mbi të,
por, nëse njerëzit që banojnë në atë godinë lejojnë të përjashtohen nga
themelet, gurë të tillë të mëdhenj, rrezikojnë të banojnë në një godinë të
lëkundshme. Përballë kthimit në Shqipëri të eshtrave të Imzot Nikollë Kaçorrit,
më lind vetvetishëm dhe fuqishëm dëshira dhe urimi që i historisë sonë të
hershme dhe të vonë -- me motivin e vetëm -- që kujtesa historike kombëtare të
bëhet një thesar i çmueshëm në Shqipëri të fillojë të bëhet me vërtetësi,
dashuri dhe korrektesë shkencore hetimi nga i cili të mund të nxjerrim mësime
për të tashmen dhe të ardhmen e vendit tonë. Njohja e turbullt e historisë
së shkuar, pa llogaritur pastaj shtrembërimin me apo pa dashje të saj, rëndon
si një perde e errët në horizontin e shpirtit të Kombit, prandaj është detyrë
jo vetëm e historianëve, por e çdo shqiptari, të japë ndihmesën e vet për ta
shthurur fije për fije këtë perde...”
“…Pas shpalljes së
pavarësisë, (Dom Nikollë Kaçorri) gëzoi vetëm për dy vjet shijen aq të
dëshiruar të tokës së vet, sepse barbaria e lëvizjes së Haxhi Qamilit jo vetëm
që e rrëzoi qeverinë ku ai ishte zëvendëskryeministër, por i dogji atij edhe
shtëpinë në Durrës, duke e kthyer në pluhur e hi njërën ndër bibliotekat më të
pasura të Shqipërisë së asaj kohe, që ai kishte mbledhur me pasion. Pas
rrëzimit të qeverisë së Ismali Qemalit, largohet nga Shqipëria për në Austri
dhe atje vdes pas pesë vjetësh, për t’u lënë në harresë. Harresa, megjithatë, nuk rëndon mbi të,
por mi historinë tonë…”.
“Sa herë që mendojmë për politikën, na krijohet ideja se
në politikë hyhet për të fituar, ose, edhe më keq, për të përfituar.
Fatkeqësisht, historia e shtetit tonë, që, pas pak më shumë se një viti, mbush
njëqind vjeç, është e mbushur me shembuj të një politike të ushtruar e të
kuptuar si pushtet dhe përfitim. Fatkeqësisht, jo vetëm forcat e Haxhi
Qamilit dhe jo vetëm egërsia e diktaturës komuniste, por edhe tranzicioni i
stërzgjatur njëzetvjeçar nuk na kanë dhënë një shembull bindës të politikës së
kuptuar, si shërbim ndaj shoqërisë. Ungjilli që sapo kemi dëgjuar na kujton
se në politikë hyhet jo për të marrë, por për të dhënë…”. Imzot Kaçorri, i mbrujtur me fjalën e
Ungjillit, është angazhuar në politikën e Shqipërisë jo për të marrë, por për
të dhënë dhe me të vërtetë ka dhënë gjithçka, deri edhe famën e emrit të vet.
Nga ana tjetër, duhet të angazhohemi ta nxjerrim në pah këtë famë, që të jetë
model jo vetëm për politikanët shqiptarë, por edhe për qytetarët që kërkojnë
frymëzim për vizionin e tyre politik…”.
“…Deri më sot historia e Shqipërisë nuk e ka shpërblyer
Imzot Kaçorrin për kontributin e pamasë që ai i ka dhënë vendit tonë, por ky
fakt nuk na shqetëson ne që jemi mbledhur këtu në emrin e besimit, sepse e dimë
se shpërblimi vjen prej Zotit, prandaj lutemi që Zoti të shpërblejë me lavdinë
qiellore të gjitha vuajtjet e tij. Amen.”
(*Lexuat pjesë të fjalimit të ndjerit Imzot Rrok Mirdita
me rastin e këthimit të eshtrave të Dom Nikollë Kaçorrit në Atdhe – pikërisht
në Kishën e Shën Luçisë në Durrës, në shkurt të vitit 2011.)
Në këtë përvjetor të kalimit në amshim të Dom Nikollë
Kaçorrit kjo është edhe dëshira ime dhe besoj e gjithë shqiptarëve vullnetmirë,
që Zoti i Gjithëfuqishëm t’ia shpërblej të gjitha kontributet historike të Dom
Nikollë Kaçorrit dhe njëkohësisht ai të ketë, eventualisht, edhe mirënjohjen e
të gjithë shqiptarëve, pa marrë parasysh se si janë sjellur me të
bashkakombasit e tij dhe si e ka trajtuar atë historiografia marksiste
sllavo-komuniste, por edhe harresa sot e
këtij burri të madh të Kombit shqiptar nga historiografia e këytre 30-viteve
post-komunizëm!
Mbetet për tu parë se si Akademia e Shkencave e
Shqipërisë do ta trajtojë figurën historike të Dom Nikollë Kaçorrit në të
ashtuquajturin, “botimin e veprës madhore “Historia e Shqiptarëve”, të njoftuar
kohët e fundit. Duke pasur parasysh bindjet ideologjike -- të shfaqura
publikisht me gojë kohët e fundit dhe me shkrimet e tyre gjatë dekadave -- të
disa prej këtyre antarëve aktualë të Akademisë Shqiptare e gjejë shumë të
vështirë të bindëm dhe të jem optimist se diçka për mirë do të ndryshojë. Në atë Akademi ende ka “historianë” të cilët
lëvizjen kombëtare të fillim shekullit të kaluar -- periudhën pra kur jetonte
dhe vepronte edhe Dom Nikollë Kaçorri – e kanë trajtuar sipas “konceptit
marksist”, bazuar në veprat e Leninit dhe të Stalinit. Prandaj, nëqoftse më lejohet të
parafrazojë fjalët e Imzot Rrok Mirditës me rastin e rivarrimit të eshtrave të
Dom Nikollë Kaçorrit 10-vjet më parë në Durrës, harresa historike për arsye
ideologjike e të tjera -- me të cilën ju e kini mbuluar gjatë dekadave
personalitetin dhe kontributin e Dom Nikollë Kaçorrit -- nuk rëndon mbi të, por
mbi ju dhe fatkqësisht edhe mbi historinë e Kombit shqiptar.
Thuhet se edhe në shtëpinë e Dom Nikollë Kaçorrit në Krej
të Lurës na qenka një pllakë që e identifikon atë objekt si “Monument Kulture”
të Republikës së Shqipërisë! S’ka nevojë për koment. Fotografia flet vet.