| E diele, 30.05.2021, 09:59 AM |
ÇFARË BËJMË ME FJALËN
Nga
Prend BUZHALA
Çfarë
bëjmë me fjalën?
Dhe
cila është forca e energjia e saj?
Me
anë të saj ne krijojmë, me anë të saj ne i shqiptojmë mendimet, emocionet,
reagimet në rrjedhën e ligjërimit. Është ajo dhunti që njeriu e trashëgon nga
urtia e shekujve e mileniumeve, dhunti a dhuratë e paçmueshme, e dhënë falas
nga Hyji, gjithsesi, pra, është edhe dhunti hyjnore. Me anë të saj ne krijojmë
edhe rrëfimet për vetveten, për jetën, historinë, kohën...
1.
Thuhet:
fjala është e tillë, çfarë është njeriu. Filozofi i moçëm, Konfuci, thotë:
"Për shkak të një fjale një njeri shpesh konsiderohet i mençur, dhe për
shkak të një fjale shpesh njeriun tjetër e marrin për budalla. Ne, me të
vërtetë, duhet të jemi shumë të kujdesshëm se çfarë flasim."
Ndryshe
ndiejmë, kur na e thotë dikush Fjalën e Mirë, e ndryshe kur na e thotë Fjalën e
Ligë, poshtëruese, fyese. Nëse ajo ka forcë krijuese, gjithsesi ajo ka edhe
forcën shkatërruese, skllavëruese. Me anë të saj, idealistët luftonin kundër
tiranisë, me prometheizmin jetësor të tyre, por edhe me forcën e gjallë të
fjalës i çonin peshë shpirtrat e vuajtur, u jepnin shpresë. Fjalën e kanë vënë
në shërbim të lirisë, ashtu sikundër atë e keqpërdorin për shtypje e dhunë
tiranët, diktatorët, regjimet shtypëse policore-ushtarake, të cilët, me anë të
fjalës, donin të mbillnin frikë, ankth, dhunë, terror.
E
pra, se Fjala ka fuqi skllavëruese dhe fuqi çliruese, mjafton të përmendet një
shembull: kur ishim nxënës në fillore, mësuesit tanë, për të na e treguar
rëndësinë e një presjeje në gjuhë, përmendin fjalinë e një pusulle për njeriun
e dërguar në pushkatim nga mbreti:
"Të
lirohet jo, të pushkatohet" dhe:
"Të
lirohet, jo të pushkatohet."
Në
fjalinë e parë, me të njëjtat fjalë, njeriu lirohet, në të dytën pushkatohet.
Fjala
ka fushën e saj ku mbjell në fushën e mendjes: me ide, me mendime a përsiatje,
me të bukurën a frymëzimin, me zbulimet shkencore a meditimet filozofike e
spirituale. Në këtë fushë kaq të gjerë, fjala mbjell farën e saj, dhe i korr
frytet e saj.
2.
Nëse
filozofët, në shumë epoka e periudha, e kanë përdorë fjalën për ta mbjellë
dyshimin, atëherë ata, asisoj, kanë dashur ta shënjojnë dramën historike e
njerëzore që ndodh apo ka ndodhur.
Porse
koha jonë, e pakursyer nga ankthet e së përditshmes, e kërkon Fjalën e Mirë e
jo mendimet negative, si këto: se nuk qenkemi të mirë në jetë, në familje, në
shoqëri, në arsim, sport, në organizim të shtetit, etj. etj. dhe kësisoj
jetojmë me frikën dhe mendimin e të qenit jo i mirë.
A
duhet t'i pranojmë si të vërteta këto mendime negative për vetveten?
Jo.
Ne
mund ta tërheqim vëmendjen për fenomene negative, por duhet ta forcojmë besimin
për kapërcimin gjendjes. Në mendje, pra, duhet ta mbjellim atë fjalë që forcon.
krijon besim, që e ndryshon realitetin e jetën tonë për të mirë.
Fjalët
e ndryshojnë edhe njeriun. Bie fjala, ai njeri që vazhdimisht ankon të tjerët,
i merr nëpër gojë, përhap. thashetheme pa asnjë fakt e themel; atëherë le ta
shikojë ndryshe të vërtetën në sy, me përvojat e jetës së tij, e jo me sytë e
të tjerëve, të njerëzve me fjalë të liga.
3.
Sa
shumë është përhapur mendimi negativ për moralin e sotëm shoqëror: se vetëm i
keqi, intriganti, dallaveraxhiu fiton dhe ka sukses, kurse njeriu i ndershëm
sfilitet e mezi e siguron jetën dhe nuk arrin sukses!
Sa
herë është shtruar pyetja: a thua, a duhet të flasësh (dhe të shkruash) krejt
çka të bie ndër mend?
Ne
flasim për veten tonë, edhe kur flasim për të tjerët. Ndaj atyre që na bëjnë
padrejtësi, bie fjala, fillimisht, le ta shohim se ç‘problem kemi brenda
vetvetes.
Njeriu,
kur flet nga zemra, i hapur, atëherë edhe të tjerët e kuptojnë më mirë.
Naim
Frashëri ynë, kur ligjëron për fjalën, ai dëshiron që ta edukojë kombin e tij:
Gjuha është
thikë e mprehtë,
plagë e saj nuk
është e lehtë,
shumë njerëz
gjuha mundon,
ca të tjerë
i turpëron.
Do të rrosh me nder
mbi dhe,
me të liq
mos u përzje.
Kur të jesh i zemëruar,
mendja është e
turbulluar,
bëj durim sa të
kullohet,
se njeriu pastaj
pendohet.
Mos e kthe fjalën kurrë,
por qëndro më një si
burrë.
Kësisoj,
thuhet se edhe në fjalët e shprehura depërton virusi i së keqes: unë nuk jam
mirë, nuk kam, prandaj jam i pasuksesshëm. Le ta themi të kundërtën dhe ta
mendojmë të kundërtën: kam aftësi, kam sukses, arrij aty ku duhet. Shkrimtari i
ri amerikan, Patrick Rothfuss, te vepra e tij "Emri i erës",
shprehet: “Fjalët janë hije të zbehta të emrave të harruar. Ndërsa emrat kanë
fuqi, fjalët kanë fuqi. Fjalët mund të ndezin zjarre në mendjet e njerëzve.
Fjalët mund të tërheqin lot nga zemrat më të forta. " Ose Mark A. Cooper:
"Jeta nuk ka telekomandë .... çohu dhe ndryshoje vetë!"
Fjalët
kanë fuqinë e ngushëllimit dhe të shpresës, ashtu sikundër e kanë edhe fuqinë e
frymëzimit dhe të vetëbesimit. Ato kanë fuqinë e frikës, ankthit e hidhërimit,
por edhe të kapërcimit të tyre. Shqip thuhet: "Fjala e mirë hap dyer të
hekurta."
Shkrimtarët
përpiqen që, me anë të fjalës dhe forcës së saj, të an shtyjnë të lexojmë, të
dëgjojmë, të përjetojmë, të ndiejmë, gjithsesi, që të shohim më qartë, të
përqendrohemi te pikësynimet që kemi, të motivohemi për një jetë më të mirë, më
etike dhe më të shëndetshme. E kush prej nesh nuk e paska ndonjë sferë të
jetës, në të cilën nuk u dashkan përmirësime? Në këso rastesh, ne e themi
fjalën e zgjedhur dhe e shqiptojmë mendimin e zgjedhur e me kujdes. Nëse njeriu
nuk e ka guximin t’iu hyjë rreziqeve për të arritur me sakrifica diçka më të
lartë, atëherë nuk arrin atë që dëshiron dhe ëndërron. "Besoni se mund të
bëhet. Kur besoni se diçka mund të bëhet, besoni me të vërtetë, mendja juaj do
të gjejë mënyrat për ta bërë atë. Të besosh një zgjidhje hap rrugën e
zgjidhjes", shprehet David Joseph Schwartz, autor motivues amerikan.
Dhe
fjalët janë ato që na përgatisin t'i besojmë vetvetes dhe jetës.