| E shtune, 29.05.2021, 07:19 PM |
U NDA NGA JETA NOKË SINISHTAJ, NJË POET I MADH MALËSOR
Nga
Dedë Preqi
Më
kujtohet kur takoheshim në kopsht, Noka gjithnjë më dilte para te hymja dhe me
atë stilin e tij malsorqe dhe mikpritës njëherë më tha, edhe këto kopshtet
tjera rreth meje i kanë « bajraqet » e veta, por ky i imi është diçka
i veçantë… po, po i thash, por këtu në Zvicërr, zvicërranëve u intereson
kopshti, bajrakun e lënë rëhat, buzëqeshi dhe më përqafoi e më tha, ju
kosovarët vloni shpejtë, e ftohi ngadal…
Noka
jetonte dhe punonte në Luzern të Zviccres, dhe përveq angazhimeve të tjera dhe
si hobi mirrej edhe me kopsht, të cilin e kishte dikund në periferi të banesës
së tij, aty në një bregore të plleshme, ku sëcili nga komunitetet e ndryshme
mund ta shfrytëzonin me një tarif jo aq të madhe, por e veçanta e tyre ishte se
dallimin e këtyre komunitetëve e bënë flamuri i sëcilit prej tyre, që valon në
shtëpizat e kopshtarëve.
Në
kopshtin e Nokës, kultivoheshin kultura të ndryshme të barishteve dhe pemëve
dhe miqët më të mirë të tij, të pendës dhe të ndejave pritëshin dhe
argëtoheshin në kopsht. Me poetin Nokë Sinishtaj, kemi biseduar shumë herë dhe
për tema të ndryshme, por temat e veçanta ishin rreth poezisë, të cilën e donte
shumë dhe e kishte në shpirt. Noka tregonte edhe hapat e parë të krijimtarisë
që i kishte arritë të shkruaj poezi, përmes shkrimtarit Martin Camaj, i cili
vargun e tij e kishte çmuar dhe kuptuar ndjeshëm, sa që e sygjeron Nokën, të
shkruaj në një frymë të tillë, sepse përveq që keni një dell poetik, i thoshte,
ju shkruani në frymën dhe në gjuhën burimore të malësorëve.
Ksheva
e Malësisë së Madhe, është vendlindja e poetit Sinishtaj, aty ku shpeshherë e
vënë në vargjet e veta dhe nuk e harron kurrë, duke e marrë më vete dhe nëpër
gojë kudo që shkon, atë vend ku thellësia e mallit dhe dhëmbjes së atyre viseve
i mbetët gjithëherë në kujtesë dhe si tingëllimë e brendshme, që prek dhe
gërryen nastalgjinë shpirtërore të poetit Sinishtaj.
Nokë
Sinishtaj, nuk do të ishte vetëm një poet i rastit, shkrimet e tij janë të
mbushura me plot nastalgji, e ndër ato më të preferuara me kujtime nga
atdhedashuria, i cili për një kohë të gjatë largë vendlindjes së vet, ndoshta
edhe deri në vdekje, ai u shkruante shpesh familjarëve të vet, që nga Amerika e
Australia, duke u shkruar në dialektin e të parëve të vet, për një arsye të
vetme, për të mbetur besnik burimeve dhe gjuhës e të parëve të vet malësore.
Janë
sa nastalgjike vargjet e poetit Sinishtaj, kur e zbulon mallin dhe dhimbjen
ndaj atdheut të vet për Kshevën e dashur dhe Malësinë legjendare, ku në mes
tjerash shkruan ;
«Këtu
ska kalimtar as mik
Këtu
s’dëgjohet gota e rakisë,
Të
lehunit e qenit as tymi i shtëpisë »
Nokë
Sinishtaj, krijoi disa vëllime poetike dhe lirike, jo të gjitha në gjuhën e vet
amnore, por edhe në gjuhën kroate dhe gjermane, të cilat edhe i ka shkruar dhe
folë mirë. Vëllimet e tij paraqesin një krijimtari të frytshme artistike, të
jetës intime dhe të rrethanave të kohës, e në veçanti edhe të jetës malësore,
së cilës ia ka kushtuar një pjesë të madhe të jetës dhe veprave, e cila do
mbetët mbresë e veçantë dhe në kontakt me lexuesin e tij dhe dashamirët e
poezisë.
Poeti
Nokë Sinishtaj, përmes poetikës dhe lirikës së tij vuliminoze, të pasur dhe me
plot metafora mbresëlënëse, ka lënë mjaftueshëm, që do të jepte material të
frytshëm edhe për studiusit e lëndës dhe vlerave letrare, ku përmes shprehjeve
dhe metaforave në vargjet e poetit, nuk gjejmë vetëm zbrazje të mocioneve dhe
ndjesive që i mbulon me petka e fjalë të bukura poetike, por poeti Sinishtaj,
fenomenet dhe realitetin i shpjegon pa zbukurime dhe ilustrime, duke gjetë ato
tablo dhe motive që flasin vet, përmes gjuhës së lirë, që ngrejnë në vete
rrëfime e përjetime të vërteta, duke i kombinuar me mjeshtri poetike me
rrjedhën e një intelektuali dhe poeti të madh malësor.
Snishtaj
e kishte gjithmonë brengë zbrazjen e malësorëve të vet nga Malësia e Madhe,
pjesë e sëcilës ishte edhe vet, ai e kishte brengë edhe zbrazjen e gjithë
shqiptarëve nga viset e ndryshme shqiptare, të cilët punojnë punë të mira, por
edhe punë të zeza, dhe mes tjerash kur i shkruante nga Luzerni një miku të vet
dhe i jepte përgjigjen përmes letrave i thoshte, unë jam mirë, punoj edhe në
kopsht, ndër të tjera edhe përkthej në gjuhën gjermane, kur ka te shqiptarët
« faqe të zeza ».
Nokë
Sinishtaj, pak kohë pa u ndarë nga kjo jetë më tha : Vendi i yt është aty
ku kurdoherë që trokasësh, dikush të prêt e ta hap derën, aty ku pushon trupi e
shpirti, përndryshe edhe këtu ku jemi i kemi të gjitha, por plagët e shpirtit
nuk do shërohen kurrë dhe as në shtrat të vdekjes. Miku i im dhe i gjithë atyre
që e njohën Nokë Sinishtaj, iku nga kjo botë, por duke na lënë mbresa të mira
njerëzore e mikpritëse, poashtu edhe
vepra të mira nga vëllimet e tij poetike, një pjesë të të cilave e kam
publikuar dhe paraqitë në shkrimet e mia në B.Sot dhe në Zemrashqiptare.
Për
poetin Nokë Sinishtaj, kanë shkruar edhe plot të tjerë, me një përkushtim të
madh ka shkruar edhe akademiku Gjevalin Shkurtaj, shkrimtari Anton Berisha,
poeti Shaip Beqiri, dr.Anton Paplekaj, poeti Nasho Jargaqi, shkrimtari Fatos
Arapi, shkrimtari Agim Vinca, poeti Dedë Preqi, poeti Bardhec Berisha,
shkrimtari Mark Palnika, publicisti Lekë Mrijaj dhe shumë të tjerë, duke
shkruar për njeriun e pendës, që ndoshta edhe do ta zbulonin se penda e tij nuk
do të vdes asnjëherë.