| E merkure, 26.05.2021, 09:00 PM |
KRISTAQ TURTULLI
LITARI
I MALLIT
Tregim
Klementi
mbështeti dorën në dorezën metalike të derës dhe s’i bëhej të ikte. Era e
këndshme e kuzhinës, kurmi i ngrohtë i gruas e pështjelluan. Jona e tij, qëndron në mes të dhomës, me pizhamet e
pambukta te natës. Zambaku i bardhë, i mrekullueshëm i gjoksit është
kundërmues. I duket sikur s’ ka kohë të mjaftueshme të ngopet me aromën dehëse
të gruas. E cyti mendimi ndërkryer, t’i turrej Jonës, të zhytë kokën si i
panginjur mes sisëve të mrekullueshme. E vështron butë. Ndoshta gruas i kotet
syri për gjumë. I ngjau si një kotele bardhoshe, edhe pse s’e shfaq, ka nevojë
për përkëdheli. Provoi dridhje si elektroshok dhe joshje të ëmbël pupëlore.
Doreza e derës iu duk tmerrësisht e ftohtë.
Cili
qe ai pusht që shpiku turnin e natës!
Përfshiu
me vështrim të shpejtë kuzhinën. Çrregullimi i prag mesnatës; teshat, lodrat e
fëmijëve të flakura rrëmujshëm, iu dukën çuditërisht të pranueshme dhe
familjare. Parapëlqente disiplinën dhe vendosjen e gjithçkaje në vendin e vet.
Doreza e derës e pickoi. E tërhoqi dorën gati me vrull.
Një
ndjesi e çuditshme e shtynte të zgjaste më shumë qëndrimin në ngrohtësinë
marramendëse të shtëpisë dhe afshin përvëlues te gruas. Pas disa bredhjesh
nëpër botë, më në fund u ngul në kontinentin e largët dhe krijoi diçka të
veten, një fole të ngrohtë. Edhe pse i vajti një djall e gjysmë. Çmimet e
shtëpive kanë shkuar në stratosfere. Do t’i duhen njëzet ose tridhjetë vjet ta
shlyejë. Ngushëllimi, ishte si të gjithë qytetarët e tjerë, me borxhe në banka.
Kjo e bënte ta flakte nga mendja marrëzinë e gjithëpushtetshme, monedhë. E cila
po e përziente botën si lesh arapi.
-
Jona, s’po dëgjoj zhurmë nga dhomat e fëmijëve, duhet ti ketë zënë gjumi, -
foli ultas.
Gruaja
hapi pakës gojën e vogël dhe të bukur, i flihej.
-
Më fal, - tha ajo pakës e hutuar: - Fëmijët flenë. Luajnë gjithë ditën, lodhen.
Mezi i mbaj kur ti fle.
-
Ashtu! Shumë mirë,- ia bëri Klementi. Iu ngjit hapja e gojës dhe atij.
Gruaja
luajti kokën ngadalë dhe fshiu me shpejtësi një lot gjumi qe befas i mbiu në
cepin e syrit te majtë. Me shumë vështirësi përmbajti hapjen përsëdyti të
gojës.
Kishte
qenë vërtet një ditë e ngarkuar me punë, me plane dhe shifra. Jonës orët iu
dukën sikur ishin varur pakujdesshëm në çengelin e stresit. Para një muaji ju
prezantua një menaxher i ri, rreth të dyzetave, ngjyrë ezmere të errët, të
zbehtë. Me aksent të bezdisshëm aziatik dhe mbiemër tmerrësisht të gjatë;
Maragaharanathan. Kur i shqiptuan mbiemrin, u duk dikur thyheshin qelqe.
Menaxheri
ri ka një buzëqeshje standarde, si të ngjitur me zamkë në fytyrë. Por shikimin
e ka të mugët, si kohë të vranët dhe tejet gërmues. Vështrimi i tij të
mbërthehet papritmas mbi trup, sikur të shpon mishin dhe të shkakton dhembje të
brendshme. Menaxheri Maragaharanathan ka një vetëkënaqësi të
habitur dhe asnjëherë s‘të vështron në sy. Shikimi i ngrirë, metalik, bredh
lart, përtej, në hapësirën boshe të sallës, shumë pranë tavanit, si të presë me
thikë ajrin e ftohtë të krijuar nga freskuesja, pastaj vështrimi i ndehet
ngadalë, si perde e rëndë mbi kokat e punonjësve. Të gjithëve u hyri frika e
ruajtjes së vendit të punës. Flitet se do bëheshin lëvizje cilësore sipas
mençurisë dhe traditës aziatike.
Ngandonjëherë Jonës i krijohet përshtypja sikur vendasit e
hershëm, të ardhur prej Evrope kanë një naivitet gati fëmijëror...
Koha
këtu vrapon dhe vrapon pa ndërprerë. Shumë më shpejt nga sa ndodh në
vendlindje. Ikën një vit pa u ndjerë dhe befas shfaqet viti tjetër, i njëjtë, i
ftohtë. Me telashe, borxhe të vazhdueshme dhe strese të pafundme. Jona shpesh
provon një frikë të padukshme kur hap kutinë e vogël të postës, sepse pothuajse
gjithmonë detyrime për të paguar do gjejë në të. Rroga zhduket sa hap e mbyll
sytë. Me njerëzit e dashur te familjes, në atdheun e largët zakonisht bisedonin
në telefon ose në skajp. Vrapimin marramendës të kohës e percepton krejt
ndryshe, qëndrimi pranë familjes sipas saj zgjat pothuajse një minutë. Ndërsa
rrëmeti i ditës së punës, një shekull. Me praninë torturuese të menaxherit të
ri, me mbiemrin gërryes Maragaharanathan. Një ditë shikimi i tij i akullt u
mbërthye papritmas mbi gjoksin e saj. U hutua dhe mbërtheu me nxitim kopsën
deri në grykë...
-
Do doja t’i puthja fëmijët, - dëgjoi zërin e butë të shoqit.
-
Të lutem Klement, mos i zgjo,- iu përgjërua Jona:-Ç’të ka hipur sot kështu?!
-Nuk
e di. S’më ikët në punë,- u përgjigj Klementi.
Jona
mblodhi supet. Një muaj të mos punosh do t’u duhet të lidhësh kokën me shami.
Sa e lodhur që ndjehej. Nuk mundi të ndalte hapjen e pavullnetshme të gojës.
Fshiu me nxitim me shpinën e dorës dy bulëza loti në cepat e syve. Menaxheri i
ri i ngarkoi dhe detyrën e një punonjëse që u pushua nga puna një ditë më parë.
Bukën drekës e hëngri me nxitim, gllomka-gllomka pa lëvizur nga vendi i punës,
duke vështruar përreth me frikë mos e shihte kush.
Jona
foli zë të ulët gati si pëshpërimë:
-Gjumi
fëmijët i rrit.
Donte
të shtonte dhe mua gjumi më çlodh kockat. Dreq o gërryes fytyrëzbehtë
Maragaharanathan.
-
Mirë, nuk i zgjoj, - mërmëriti Klementi dhe fërkoi ballin. Vështroi sërish
dhomën dhe shtoi gjithashtu me zë të ulët: - Gjumi është i mrekullueshëm për
fëmijët.
-
Vajza nesër ka konkursin në klasën e baletit, besoj s’do harrosh,- e kujtoi
Jona.
-
Jo, s’do harroj, - tha ai dhe tundi kokën me vrull.
-
Vajza ka besim të fitojë, ndaj duhet t’i blemë disa lule si dhuratë,- tha ajo.
-
Sigurisht do fitojë, - ia bëri Klementi i ngazëllyer dhe shtoi: - Do blej lule
të bukura për të.
Vajza
është shejtane e vogël e mrekullueshme. Ajo bën te gjithë zallahinë në familje,
pastaj se nga gjen ca marifete dhe del gjithmonë pa lagur. Djemtë janë më
ndryshe, më të rritur, më seriozë, por edhe atyre u pëlqen te lodrojnë me
motrën e vogël, e cila ëndërron të behet yll baleti.
Në
muajt e parë të mbërritjes në qytetin e madh te kontinentit të ftohtë, gruaja
ishte e mendimit të nisnin të flisnin në shtëpi vetëm anglisht, në mënyrë ta
përvetësonin sa më shpejt gjuhen e huaj. Ai e vështroi një copë herë pa folur,
pastaj i tha me zë të ulët por të vendosur:
“Jona,
më duket vetja i pavërtetë, të flas në gjuhë të huaj në familjen time. Ambienti
ynë familjar është një copë mëmëdhe.”
Buzëqeshi
lehtë dhe ngriti krahun të shtronte flokët, por ndjeu një sëmbim në gjoks.
Majat e gishtërinjve depërtuan në hapësirën e ngushtë midis dy kopsave të
këmishës dhe fërkoi butë anën e majtë të gjoksit të leshtë. Iu duk sikur një
grerë e padukshme kërceu papritmas dhe i nguli thumbin e nxehtë në gjoks. Si
t’i largonte përfundimisht gjumin.
Fëmijët
le të flinin. Gjumi i rrit. Le të shihnin ëndrra të bukura. Fëmijët gjithmonë
shikojnë ëndrra të trëndafilta. Nesër do blejë lule shumëngjyrëshe për
lepurushën e vogël. Dëshiron me gjithë shpirt të bëhet yll baleti. U përpoq të
risillte ndër mend ëndrrat e fëmijërisë së tij. Ato ishin jashtëzakonisht larg,
si copëra ishuj të vetmuar në përhimë. Kishte qenë vërtet një fëmijëri e
vështirë, dhe ëndrrat thërrmoheshin si rërë.
Rrotulloi
qafën, u ndesh me vështrimin gjurmues së gruas së tij. U përpoq të buzëqeshte
sërish dhe bëri një lëvizje të shkujdesur me dorë.
-
Sot dukesh i çuditshëm, - i foli gruaja dhe tundi shpejtazi kokën. Kaçurrelat e
arta i përkëdhelën ballin e bukur dhe Klementi ndjeu një marramendje.
-
Jam mirë, - foli ultazi. Përshkënditja e dëshirës e tundonte, por s ‘ishte koha
për kësi gjërash. Pavetëdijshëm vështroi orën. Akrepi i madh vraponte
pamëshirshëm, i duhej të largohej. Thumbi e grerës u largua prej gjoksit,
ndjehej më i qetë.
-
Ndoshta s’fjete mirë gjatë ditës, - dëgjoi zërin e Jonës.
-
Jo. Jam mirë. Jam shumë mirë. Jam shkëlqyeshëm, - foli pa pasur mendjen aty.
Vështroi
buzët e plota si dy kokrra qershie të gruas. Nuk mund të mposhtë dëshirën t’i
puthte. Futi dorën në xhepin e djathtë dhe kërkoi çelësat e makinës. Ngrohtësia
e ambientit i shkaktonte përgjumje të lehtë, të ëmbël, çlodhës dhe mbi të
gjitha kurmi gruas së tij...
Përshkundi
kokën, s’është koha të hallakatet, lëshuar veten në krahët provokuese dhe
djallëzore të plogështisë. Akrepi i madh i orës vrapon çuditërisht shumë
shpejt, gati në çmenduri. Vetëtimthi rrëmbeu kokën e bukur të gruas e puthi
fort, nxehtësisht si kurrë më parë dhe eci me hap të madh drejt derës.
-
Ua!- ia bëri Jona e pushpuritur dhe vuri pëllëmbën mbi buzë.
-Ta
kyç derën nga jashtë, - folri Kelmendi.
-
Mirë, - tha gruaja,- mbylle derën me çelës nga jashtë.
Kelmendi
zakonisht kthehet në shtëpi kur ajo ka braktisur teshat e shtratit. Gruaja nuk
e ka marrë akoma veten nga puthja gjithë afsh. Ç’ishte kjo dëshirë e nxehtë, e
pazakonshme në prag të nisjes në punë. I erdhi mirë. Donte ta pyeste, pse jo ti
kthente puthjen, por i shoqi tërhoqi derën mbas vetes dhe rrotulloi çelësin në
bravë.
Përnjëmend
burri iu duk tmerrësisht i brishtë me dëshira të pa shprehura. Klemendi iku në
punë turn i tretë. Le ngrohtësinë e trupit të tij në shtroje dhe ajo
rrotullohet në shtrat, të thithë erën mashkullore që lë pas burri i saj.
Ngandonjëherë Jonën e tremb vetmia në netët e gjata, të ftohta dhe nuk gjen të
ngrohtë. Klemendi ka vite që punon turn i tretë dhe shpesh here takimet bëhen
gati telegrafike. Me puthje në cepat e buzëve, të nxituara, të lehta, si
kartolina poste të varura në pragun e derës. U duhet të sakrifikojnë për
ardhmërinë e fëmijëve.
Burri
zbriti shkallët me nxitim, hapi derën e garazhit dhe me hapa të shpejtë u
drejtua nga makina. Është një makinë ngjyrë portokalli e tipit të vjetër,
motorin e ka të fortë veçse i harxhon shumë gaz. Kur të gjejë kohë të lirë
duhet të shikojë për një makinë disi më të mirë, mbasi gazi po shtrenjtohet
dita ditës.
Ndezi
makinën, doli në rrugën e madhe. Përmes xhamit të përparmë vështroi qiellin e
përmbytur nga yjet dhe hënën të zvogëluar që qëndron diku në cep të qiellit si
një fëmijë i vogël i trembur, i hutuar. Ka përshtypje të mirë për hënën në
muajin pranveror të prillit. Por këtë herë hëna akoma nuk ka shkundur nga supet
dimërimin e gjatë dhe dëborën e madhe që u derdh pa ndërprerje mbi qytetin e
madh. Nuk mbahej mend prej vitesh një dëborë e tillë, por çuditërisht pa reflekse mbasi përlyhej në
çast nga vrapimi i harbuar i makinave. Edhe në qytetin e tij të lindjes bie çdo
vit dëborë, por dëbora atje është krejt ndryshe, e butë, miqësore, lozonjare, e
mrekullueshme, gjithë reflekse, që mund të luash i shkujdesur, si në një
përrallë dimri...
Në
çastin që do të merrte kthesën të hynte në rrugën e madhe, ndjeu së dyti
thumbin e hidhur të grerës në gjoks. Piu disa gllënjka uji nga shishja
plastike. Ku dreqin është kjo grerë që nuk e sheh. Tejet i bezdisur ngadalësoi
shpejtësinë dhe u fut në rrugën dytësore. Mendoi një çast të kthehej në
farmacinë më të afërt, të blinte aspirinë.
Mbasi
e fërkoi gjoksin një copë herë, me lëvizje rrethore, ndjeu një farë lehtësimi.
Gjatë ditës fëmijët bënë zhurmë ndoshta më shumë se zakonisht, a mbase iu duk
atij, sepse nuk mundi të plotësonte gjumin. Me kalimin e viteve duke punuar
turn i tretë, iu reduktua gjumi deri në tre orë. Mund të vërtitej në shtrat në
kërkim të gjumit, por kjo nuk do të thoshte që flinte.
Rruga
dytësore ishte e qetë, pa shumë lëvizje, dhe shtëpitë në të dy anët e rrugës
ishin të zhytura në gjysmë errësirë. Ngandonjëherë shtëpitë i duken si shtëpi
kukulle prej kartoni, të brishta, dhe të vendosura njëra pranë tjetrës me rregullsi
gati lodhëse.
Vite
më parë ai provoi magjinë dhe joshjen e qytetit të madh. Qyteti i kontinentit
te largët befasisht të robëron, të mbërthen dhe të gozhdon me mijëra fije. Ndaj
jo rrallë i duket vetja sikur ndodhet midis dy skajeve të një litari të tendosur
dhe të padukshëm, por që ndjehet edhe në këto dy skaje diçka i huaj. Shumë
gjëra e lidhin me vendlindjen e largët, dhe mbi të gjitha, flokëargjënda, e
mira, e ëmbla, e palodhura, nëna. Po mplaket dhe rrëgjohet nga dita në ditë. Ai
ka pesë vjet që nuk ka mundur të shkojë të vizitojë nënën, të ndiejë mbi flokë
si dikur dorën e rrudhosur dhe të dëgjojë urimin drithërues të nënës.
Dreqi
ta hajë sa shpejt shkasin vitet, si të kesh hipur në një ski metalike dimërore,
e cila zhurmë ndjellëse, shket dhe shket pa u ndalur, mbi ditët, muajt dhe
vitet. Punon pa u lodhur dhe pa ndërprerje duke kursyer të holla për të një folesë të ngrohtë në
kontinentin e ftohtë. Ndërkohë zëri i nënës dëgjohet së largu, më përgjërues,
përcëllues, që përcillet vetëtimthi nëpër hapësirat e pafundme, por që befas
humb nga zhurma dhe rrëmeti i qytetit të madh verior...
Vëllai
theu këmbën në një aksident automobilistik, mbasi atje sinjalet rrugore janë të
tepërta, të pavlera dhe e shoqja e papunë. Sigurisht shtëpia e madhe me shumë
dhoma ka filluar të rrënohet, dhe ata vërtiten vetëm me pensionin simbolik të
plakës.
Djali
i komshiut rrëzoi murin ndarës midis dy shtëpive për të futur makinën e re.
Ishte
hera e tretë që ndodh prishja i murit. Shkatërrimi i parë i murit ndarës ndodhi
në vitet e para mbas luftës së dytë botërore. Atëherë i ati ndërtoi mur të madh
të trashë guri, por familjes se tij i ndalohej të mbante mure ndarës dhe aq më
shumë të lartë. Duhej të ishin vazhdimisht nën vëzhgimin e komshinjve të rinj,
gjithashtu nuk u lejohej të varnin në dritare perde të rënda tyli si dikur.
Kohët ndryshuan dhe shtëpia e tyre e madhe u përmbyt nga qiraxhinjtë provokues
dhe rrëmujaxhinj. Të cilët hynin befasisht nëpër dhoma rrëmonin nëpër sirtarë e
dollapë duke buzëqeshur pa teklif sikur te mos kish ndodhur gjë. Asgjë nuk
ishte pronë e tyre. Në mesin e viteve gjashtëdhjetë i ati ndërtoi një mur të
hollë tulle, por u shemb në mëngjesin e ditës së nesërme me urdhër të këshillit
të lagjes. Gjithashtu familja u dënua me gjobë të rëndë dhe me paralajmërim me
internim afat gjatë. Atëherë mbas rrafshimit te murit, bashkëmoshatari i tij
vërtitej mes pluhurit, bythëjashtë dhe bërtiste në kupë të qiellit:
“
O borgjez, o qymez, i ke brekët me pekmez.”
Klementi
nuk kishte asnjë kuptim të saktë mbi fjalën e tmerrshme “borgjez”, që adresohej
kundër familjes së tij. Atakohej aq shpesh nga komshinjtë dhe pushteti. Duke
zgurdulluar sytë, ngërdheshur fytyrën, dhe përdredhur trupin, si të kishin
përpara një shpirt te vjetër, të
frikshëm. Atëherë ishte tepër i brishtë, drithërohej dhe shpeshherë i
dukej se qenia “borgjez” e ardhur aksidentalit nga thellësia e viteve, i
ngjante një sfinksi të tmerrshëm që i ndiqte ngado e pamëshirshëm, hap pas
hapi, sa i merrte frymën. Ndaj donte të përleshej dhe ta ndëshkonte
bashkëmoshatarin, por i ati ia ndaloi kategorikisht, mbasi të tjerët kërkonin
marana për trahana.
E
mbante mend fort mirë atë adoleshent sherrxhi, djalin e bashkëmoshatarit; ishte
ndër të parët që theu depot dhe, së bashku me të atin vodhën armë dhe thasë me
miell, në ditët e mjegullta të pranverës së hidhur. Ditë më vonë shisnin miell
duke shëtitur me karrocë nëpër rrugët e ngushta te qytetit.
Ka
plot gjëra për të bërë në shtëpinë e vendlindjes. Të zbutë dhembjen e nënës. Të
ngrejë sërish murin ndarës, të bllokojë sykeqin, djalin e komshiut, i cili pi
me shokë dhe dehet majë makinës, ngacmon gruan e vëllait edhe pse ajo është
shumë vjet më e madhe dhe i ka fshirë qyret kur qe i vogël.
“
Ç’e do sakatin, hajde me mua në makinë të shohësh botë, do mplakesh, do mbetesh
shushkë.”
Gruaja
e vëllait qan fshehurazi në kuzhinë. Është grua namusqare, çfarë ka bërë që
malukati i thotë ato fjalë. I vëllai tërbohet duke tërhequr këmbën zvarrë.
Vëllai është tip i vrullshëm dhe nëna trembet mos ndodhë ndonjë hata. Ajo
qëndron mes dy shtëpive, në vendin e prishjes së tretë të murit, merak madhe,
ashtu e imët, flokët e bardhë shpupurishur, si në mesin e dy skajeve te një
litari te padukshëm, të tendosur në vite.
Dërgoi
disa të holla, por u tretën si kripa në ujë. U blenë drutë e dimrit. Plakës iu
hollua gjaku, sepse ka shumë erëra dhe shtëpia e madhe qëndron përherë akull.
Dikur babanë e arrakatit e bëri shok, flaku mërinë. Di vetëm të falë, bile e
ndihmoi te gjejë punë kur u ngeli i papunë, në fillim te viteve nëntëdhjetë.
Më
në fund mundi të mbledhë disa të holla dhe bleu biletat për gjithë familjen, të
shkojë në vendlindje në muajin qershor. Ndoshta mund të shkonte vetëm më parë,
por nëna i lutet vazhdimisht, me zërin drithërues:
“
Biro eja së bashku me fëmijët, të çmallem me ta. Fëmijët e tu të mos harrojnë
gurët e vendlindjes. Guri rëndon në vendin e vet.”
Por
nëna e mirë nuk mund ta kuptojë se rëndesa gurit në lëvizje nuk është si më
parë.
Ndezi
cigaren, e thithi disa herë me vrull. Ka menduar ta lerë duhanin, i behet goja
shafran, e pështyn here mbas here. Cigaret janë shtrenjtuar mjaft, dhe ai është
i detyruar të blejë duhan të lirë të futur pa doganë. Shitësi, një indian i
imët me çallmë blu i jep paketën me cigare kur s’ka njeri. Gruaja nuk e duron
erën e rëndë te duhanit, detyrohet ta pijë jashtë në ballkon. Në vendlindje
asnjëherë nuk bëhet zhurme dhe potere për pirjen e duhanit, do te jetë surprize
për ndonjë që nuk e pi duhan. Kudo tymosej dhe është kënaqësi e hatashme.
Mori
kthesën nga e krahu i majte dhe rrotat fërkuan me shpejtësi asfaltin e rrugës
së gjere. U mbështet tërësisht në ndenjëse dhe riti shpejtësinë.
Në
krahun e djathte të autostradës, në mesin e fushës të rënduar nga errësira
vezullojnë dritat e fabrikës së plastikës. Uli shpejtësinë dhe hyri në daljen e
djathte të autostradës. Ka pesë vjet që punon në fabrikën e plastikës. Fillimi
i vështire, mbasi ndryshon kryekëput me punën qe kryente ne vendlindje, por me
kalimin e viteve u fut në rrjedhën e zakonshme. Mendoi të fillonte ndonjë
shkollë ose kurs, por puna e natës dhe kujdesi ndaj fëmijëve e lodhnin dhe
fillimin e shkollës e shtyn nga dita në ditë. Klementi ka tre fëmijë zhurmëtarë,
të mrekullueshëm dhe ndjen një adhurim te jashtëzakonshëm për ta. Vajza e vogël
është magjia e familjes.
Hyri
ngadalë në oborrin e gjerë te fabrikës, ndjeu sikur dikush e goditi befasisht
me çekan mbas shpine, mu në mesin e shpatullave, aq sa i shkaktoi dhembje të
padurueshme. U drodh i theri, shtrëngoi me gjithë forcën timonin dhe rëndoi
ashpër në pedalin e frenit, makina u shkund dhe kërceu përpara.
Pas
shpine dëgjoi burinë nervoze të një makine. Me ngadalësi hapi sytë, uli xhamin
anësor dhe zgjati kokën jashtë. Dalloi fytyrën ezmere të pakistanezit, kolegu i
punës, kushëriri i pare i përgjegjësit të repartit.
-
Hej lëviz, të zuri gjumi. Kam pesë minuta që i bie borisë. - Zëri i
pakistanezit ishte i paduruar.
Klemnti
me shumë vështirësi drejtoi makinën drejt vendit të parkingut. Pakistanezi
zakonisht mban një fustanelle të bardhë, të gjatë deri në fund të këmbëve te
zbathura dhe një pale pantofla plastiku, kjo është uniforma e tij e përditshme.
Mendoi
të ndizte një cigare të qetësohek, ne çastin po nxirrte çakmakun, ndryshoi
mendje, beri cigaren shuk, e thërrmoi neper gishtërinj dhe e flaku jashtë,
përtej dritares në asfaltin e errët.
-
Hej, - dëgjoi serish zërin lartë të pakistanezit:- Shkoi vonë.
Pakistanezi
nisi vrapin në korridorin anësor dhe gjysme te ndriçuar te fabrikës. Dëgjoi
trokëllimën nervoze të pantoflave prej plastiku dhe mbas disa sekondash
fustanella e bardhë humbi në bërrylin e korridorit. Donte të vraponte, por nuk
mundi. U përpoq te shpejtonte hapin, megjithëse ndjeu vështirësi në
frymëmarrje. Veshtroi orën, ka dhe plot dhjetë minuta derisa të fillonte koha e
punës. Gjithsesi ka mundësi të ndërrohet, pse jo të pijë edhe një cigare, por
pakistanezi si zakonisht është shembullor i kushëririt. Shpëlau fytyrën me ujë
të freskët dhe indiferent u vështrua në pasqyrë, iu duk vetja i zbehtë. Me
siguri është lojë idiote e neonit ngjyrë qumështi të banjës. Nuk mund të
hallakatej si kaqol përpara pasqyrës. Piu një aspirinë, spërkati dhe njëherë
fytyrën, përnjëmend u ndje mirë. Mendoi që ditën e nesërme të vizitohet tek
mjeku i familjes, megjithëse i ka fort për zemër vizitat mjekësore. E bezdis
qëndrimi në radhë dhe vështrimi disi gërmues i mjekut, edhe pse mjeku i
familjes është një kinez trup vogël i qetë, që buzëqesh vazhdimisht,
ngandonjëherë edhe pa shkak.
Përgjegjësi
e pret tek dera e repartit, i hedh vetëtimthi një vështrim të pjerrët,
nëpërmjet syzeve të trasha si xhama kavanozi dhe i flet me ton disi të zvargur:
-
Sot do të mbash dy makina, - dhe shkroi diçka në bllokun e tij të madh.
Klementi
e vështroi me mëdyshje. Shpesh ka pranuar të mbajë gjatë punës dy makina, kur
mungon dikush. Punonjësit e tjerë përtypen të mbajnë dy makina, por për të kjo
ishte më se e zakonshme.
-
Do paguhesh si gjithnjë, një pagë e gjysmë, - dëgjoi zërin e paduruar të
përgjegjësit.
-
E di, - ia ktheu, donte të shtonte që kishte pasur disa shqetësime në zemër,
por aspirina i kishte bërë mirë.
Nuk
mund të kundërshtojë. Askush s’e pëlqen kundërshtimin, sidomos përgjegjësi me
xhama kavanozi, i cili me siguri gjatë gjithë jetës së tij në vendlindje ka
qenë një punonjës me bindje shembullore. Përgjegjësi vazhdon të shkruajë në
bllokun e madh me mbulesë lëkure të zezë që e mban përherë me vete, pastaj ngre
kokën vrulltas dhe flet zë rëndë:
-
Hë!
Luajti
kryet në shenjë pohimi dhe u drejtua me hapa të ngadalta tek vendi i punës.
Gjatë
punës u ndje i plogët, por i duhet të lëvizë pa ndërprerje në dy makina. Herë i
thahet fyti, ose i dhemb trupi. Tre herë iku me nxitim në banjë të bënte ujët e
hollë. Mezi pret pushimin e parë. Edhe pakistanezi, kushëriri i përgjegjësit,
mban dy makina, i cili punon në krahun e majtë.
Nuk
i hapet goja të hajë edhe pse pushimin e priti me padurim. Do vetëm të shtrihet
ose së paku të mbështetet diku. Është hera e parë që ndjehet kaq i dërmuar.
Çfarë të jetë vallë! Gjatë jetës së tij s’ ks ndjerë dhembje të tilla. Në
fëmijërinë e largët pati disa aksidente të vogla, gjatë lojërave të ndryshme,
kur çau këmbën në fabrikën e qelqit në kërkim të xhamave shumëngjyrëshe, ose
kur theu krahun aksidentalisht gjatë një mundje me një bashkëmoshatar.
Ndjeu
që pakistanezi me fustanellë e përgjonte me vështrim. U përpoq të lëvizte nga
vendi i bezdisur. Pakistanezi iu afrua pranë, në cepat e buzëve ka gjurmë
orizi.
-
Nuk jeni mirë?- e pyeti pakistanezi. Brenda hapësirës së bardhë së syve të tij
sheh si gjithnjë ishuj të vegjël ngjyrë gri.
-
Nuk e di, - ia ktheu thatë. Pakistanezi është baba i shumë fëmijëve, ndaj
gëzohet kur dikush mungon në punë, një ditë e gjysmë page e kishte të sigurt:
-Më duket sikur kam peshë të rendë diku këtu në gjoks.
Sytë
e pakistanezit u zgjeruan tej mase, dalloi ishuj të tjerë gri. U pendua që i
tregoi dhembjen, edhe pse punon me të prej disa vitesh. Marrëdhëniet në punë
janë krejt ndryshe nga miqësitë e vendlindjes. Këtu ka vetëm mirësjellje
standarde pune, që treten sa hap e mbyll sytë, në momentin që kapërcen murin e
fabrikës.
-
T’i them përgjegjësit, - dëgjoi zërin e pakistanezit.
-
Jo, - ia preu:- Do të kalojë.
-
Unë i them atij, - këmbënguli pakistanezi:- Ose të marrin në telefon 911.
Klementi
u ndje nervoz dhe i tha shkurt:
-
Jo, faleminderit.
Pakistanezi
luajti kryet i preokupuar, pa e shkëputur vështrimin. Gjurmët e orizit i varen
ne cepat e buzëve.
Nuk
është aq i sëmurë sa të lajmërojë urgjencën. Disa dhembje të panjohura më parë.
Është burrë i fortë. Pushimi iu duk tmerrësisht i shkurtër. Mendimi se duhet të
pijë cigare e torturon, por gojën e ka
të hidhur farmak, por ngandonjëherë shafrani del me shafran. Për t’u shmangur
vështrimit të habitur dhe te pandarë të pakistanezit, shkoi në banjë dhe bëri
për herë të katërt ujët e hollë. Pas kësaj e ndjeu veten më mirë, pa dhembje.
Është vërtet mrekullueshëm të mos kesh
dhembje. Përnjëherësh iu kujtua para se të shkojë në shtëpi duhet të kthehet në
dyqanin e luleve për bubuleshen e dashur. Gjithë shkujdesje tërhoqi derën e
banjës dhe eci me hap të çlirët në korridorin e gjatë të drejtohet tek vendi i
punës. Pakistanezi me siguri ka filluar si zakonisht punën pa përfunduar koha e
pushimit.
Atëherë
kur iu bë sikur dëgjoi zërin e nënës, ndjeu një shkundje të fortë dhe goditje
të tmerrshme midis dy shpatullave. I duket sikur hekuri i nxehtë i shponte
trupin tej përtej dhe ai gremisej nëpër
korridorin e errët. Klementit iu duk sikur diku në mugëtirë, shqoi
trupin e imët të nënës ngujuar mes dy shtëpive, në vendin e murit të prishur,
si midis dy skajeve të një litari të tendosur. Nëna dukej tmerrësisht e zbehtë,
e ligur, e lodhur nga jeta, brengëmadhe. Erërat e forta te halleve e kanë
leqendisur. Hallemadhja qe e kruspullosur aty në mes, rreth e rrotull ka dhera,
gurë, pluhur dhe litari i gjatë i mallit ishte mbështjellë rreth saj.
U
zgjat ta prekë, t’i flasë nënës, ta qetësojë. por vorbulla e rrëmbeu sakaq.
Humbi nëpër terr...
KRISTAQ TURTULLI
Maj 2008- 2020