| E merkure, 26.05.2021, 08:53 PM |
Poezia koloristike e artistit kosovar Hajdar Danjolli shpaloset në Vlorë
Nga
Gëzim Llojdia
1.
Promenade
Gallery me qendër në qytetin e Vlorës me
kurator piktorin Artan Shabani ka nderin
të prezantojë nga datat 30 maj deri në 30 qershor 2021 ekspozitën e parë
vetjake të artistit shqiptar Hajdar Danjolli. Artisti përmes teknikës në
tekstil sjell pjesë nga seritë akuareleve dhe temperave mbi letër, të cilat
prezantohen në një shumëllojshmëri skenarësh, nga veprat për muzeume kombëtare
deri tek printimet origjinale në basma. Këto vepra konsiderohen të rralla dhe
pjesa më e madhe e tyre ekspozohen për herë të parë në një hapësirë ekspozuese.
2.
Thellë
në veten teme flejnë kangët e pakëndueme
te
cilat ende vuejtja as gezimi s'i nxori,
të
cilat flejnë e presin një ditë ma të lumnueme
me
shpërthye, m'u këndue pa frigë e pa zori.
O
kangët që fleni reliktet e mia
q'ende
s'keni prekun as një zemër te huej,
vetëm
unë me ju po kënaqem si femia
unë
djepi juej; ndoshta vorri juej.
(Kanget
e Pakëndueme Migjeni)
2.
Si
kangë të fjetuna në sundukun e artistit zbulojmë si fëmija që takllon në
kapakun e drurit i cili nuk hapej prej kohësh shkruan kuratori Artan
Shabani për ekspozitën e artistit
kosovar .Fëmijës i lëbyren motivet mbi letër si ajo kangë Migjeniane, që me
vargjet e pikturuara kërkon tingujt e honeve dhe të bjeshkëve të Malcis, fëmija
shpërball koloritin familjar me kangët, që flenin në reliket e artistit. Këto
kangë mbi letra "Palladio" vijnë me lulzue në ekspozitën vetjake ''E
kaluara nuk ka kaluar'' (The Past has not Passed) .
3.
Artisti
Danjolli (lindur në Kukës më 1954) është një artist, që i përket të dy
periudhave, ajo e artist të angazhuar dhe periudha mbas viteve '90, ku Danjolli
mban një qasje bashkkohore dhe e vendos trajtimin e tekstilit brenda tablosë,
ku gjen hapësirën e përshtatëshme për të vendosur ritmin e motiveve, të cilat i
vijnë si një mozaik i pasur nga trevat e Shqipërisë.
Në
periudhën bashkohore artisti i sendërton motivet brenda kostumeve dhe madje
edhe në peizazhin e alpeve të veriut, ku shpesh artisti turmirej në ato kulla
alpine. Danjolli i përfundon studimet në vitin 1978, ku dhe diplomohet si
piktor i specialitetit të tekstilit në Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë.
Ai ka qënë i angazhuar në specialitetin tekstil si pedagog në ILA në Tiranë
(Atelje e Tekstilit, 1983-1987) dhe deri pak kohë më parë ka qenë mësues i specialitetit
të tekstilit në Liceun Artistik “Jordan Misja”, Tiranë, ai ka qenë dhe mbetet i
angazhuar në veprimtaritë artistike e kulturore. Të shumta janë ekspozitat dhe
po aq të vlerësuara mbeten prezantimet e kolegëve të tij, të cilët janë
shprehur mbi kërkimin e stërholluar të veprës së tij.
4.
Prof.
Asoc. Dr. Agim BIDO shkruan, Krijimtaria e Danjollit na shfaqet jo vetëm mjaft
interesante në thelbin e përpunimit stilistik, por edhe e pasur në linja
shprehëse vizatimore, kompozicionale e sidomos koloristike. Danjolli arrin të
ndërthurë kompleksitetin etnografik të malësive veriore të trojeve shqiptare,
me një performancë vërtet të veçantë dhe cilësore. Veprimtari e rëndësishme e
piktorit është edhe realizimi i projekteve piktorale të tekstileve me qëllim
plotësim objektesh nëpër muze të ndryshëm historikë dhe etnografikë dhe në këtë
kuadër edhe aranzhimi i atyre muzeve.
5.
Kuratori:
Artan Shabani: Arti i tekstilit është një nga më të pasurit për sa i përket
teknikës dhe larmisë tematike dhe kulturore, historia dhe zhvillimi i këtij
zhanri ështe i lidhur ngushtë me kulturat në të gjithë botën për breza të
panumërt.Artisti e kërkon këtë ngjizje midis të vjetrës dhe së resë. Në 50
vitet e fundit ai ka punuar kryesisht me tekstile, duke i realizuar të gjitha
me dorë. Për Danjollin procesi i bërjes së tekstileve në punën e tij është i
rëndësishëm, sepse ai mendon, se punimi i realizuar me dorë duket se nuk ka
presionin në kohë. Frymëzimet e tij vijnë kryesisht nga përvojat me etnografinë
shqiptare, por edhe nga shumë udhëtime nëpër trevat e vendit dhe veçanërisht
ajo e Gjakovës. Puna dhe jeta e tij janë të përziera më së miri me temat e
tekstileve, është i shtyrë nga ndjeshmëria, misticizmi, heshtja, eksperimentimi
dhe përjetësia. Së pari, krijimi i artit te tektilit për Danjollin është një
nevojë e brendshme për të hyrë në një gjendje uniteti, në këtë gjendje ai
komunikon me botën përreth tij.Karriera e artistit Danjolli, i cili jeton dhe
krijon në Tiranë ka zgjatur për pesëdhjetë vjet, duke demonstruar shkallën në
të cilën ai mbetet i rrënjosur fort në botën e arteve të tekstilit. Puna e tij
është bërë nga miniatura të shumta përgatitore.
Artisti
dhe kolegu i tij, Xhevahir Kolgjini shprehet, Veprat e Danjollit sjellin ma së
shumti nji qëndrim në plan etnografik të zonave shqiptare, të përcaktueme qartë
si veriore e të profilizueme simbas nji tematike e motivesh që shtjellojnë
problematikë të gjanë e të larmishme. Në këtë kandveshtrim, krijimtaria e
Danjollit na shfaqet këtu jo veç e përpunueme stilistikisht, por edhe e pasun
në linja shprehëse vizatimore, kompozicionale e sidomos koloristike. Danjolli
arrin me ndërthurë kompleksitetin etnografik të malsive veriore të trojeve
shqiptare me nji performansë vërtet të rrallë.
6.
Poezia
koloristike e Danjollit ështe si ato këngët të cilat jehonën e kanë në vendin
ku njeriu i ka gdhëndur bashkë me natyrën dhe në ajrin e bjeshkëve shqiptare,
Danjolli ështe një arkeolog i motiveve shqiptare dhe veçanërisht i xhubletës
dhe veshjeve krahinore, ai e ka vendosur në tatuazhin e kulturës kombëtare
emrin e tij, ai e ka realizuar këtë punë me një modesti të cilën e gjen vetëm
nga kultura e dijes, vlen të përmendim edhe punën e shkëlqyer të dokumentuar
dhe të shkruar nga emra të rëndësishëm të kulturës shqiptare, janë shumë studime
për veshjet kombëtare shqiptare në viset etnike, e në veçanti ato në Kosovë,
është shkruar dhe punuar shumë, sidomos nga Rrok Zojzi, Mark Krasniqi, Mark
Tirta, Andromaqi Gjergji, Afërdita Onuzi, Ikbal Bihiku, Maks Velo, Drita
Statovci, Ukë Xhema, Shpresa Siqeca e shumë të tjerë.
7.
Nga
literatura për veshjet kombëtare shqiptare të autorëve të përmendur, se në
viset etnike shqiptare, deri më tash janë të njohura së paku 140 forma të
ndryshme veshjesh popullore, të realizuara në më se 5000 tipe e varianta, të
cilat janë të grupëzuara sipas gjinisë në zona të ndryshme etnografike.
Danjolli mbetet i lidhur shpirterisht me ciklin e Tekstilit, vëzhgon me interes
të veçantë motivet e veshjeve shqiptare dhe i analizon në aspektin struktural,
morfologjik, artistik, funksional, tipologjik e historik. Frrok KRISTAJ
shprehet, se “Historitë e popujve të tjerë gjenden përgjithësisht të gdhendur
në gurë, ndërsa historia jonë është e qëndisur në xhubletë.” Në veprën e
Danjollit historia vjen e pikturuar me një frymë krijuese të pa ndërprerë ashtu
si në poezinë e Migjenit....Prodhimi shqiptar i pëlhurave, si dhe qilima,
dizajni i tekstil dhe lloje të tjera të arteve dekorative, mbeten të lidhura
ngushtë me kujtesën dhe me historinë e artit shqiptar. Në një dimension më të përgjithshëm
është ndikuar ndër shekuj nga ndryshimet e shijes së qytetërimit artistik
shqiptar nga veriu deri ne jugun e vendit dhe për këtë arsye ekspozita e
Danjolli kthen në qendër të vëmendjes një trashëgimi të përbashkët, të
pabesueshme në cilësi dhe sasi - e cila duhet të vlerësohet, promovohet,
mbrohet dhe mbi të gjitha t'u tregohet brezave të ardhshëm.
Punimet
e Danjollit mund të gjenden në koleksionet e përhershme të muzeve të galerive
kombëtare të Kukësit, Tropojës dhe më pas në shumë koleksione publike dhe
private.