| E shtune, 22.05.2021, 05:06 PM |
Ditari i pandemisë - tetëdhjetë ditë në karantinë!
Nga
Ilir SEFAJ
Në një e recension timin të publikuar
në fillim të vitit 2020, për librin Dritë
mbi plagë, të hartuar nga krijuesit Lulëzim Etemaj e Isuf Sherifi, (që me
të drejtë e quajnë, sprovë për antologji), në të cilin i pranishëm me vargjet e
tij është edhe poeti e studiuesi Agim Vinca, ndër të tjera, pata shkruar: “Së
këndejmi, mendoj se libri Dritë mbi plagë
edhe pse brenda tij ka vuajtje, dhembje, varre, uri, dënesje, lot e gjak, është
dhurata më e mirë me të cilën lexuesi ynë do ta fillojë këtë decenie të re, e
cila pa mëdyshje se do të jetë më premtuese se ato që kaluan, e për të cilat
lutemi që të mos kthehen kurrë më”.
Si për inat, nuk u desh të kalonin edhe
shumë ditë që të përmbysej kjo lutje "shpresëdhënëse" të cilën ia
dëshiroja kombit tim të shumëvuajtur. Qysh në javët e para të vitit 2020, madje
edhe më herët, diku kah fundi i vitit 2019, botës mbarë po i përgatitej një
ogur i zi, pandemia COVID-19, e cila edhe tash kur veç po kalon gjysma e vitit
2021, po merr jetë njerëzish e po trazon shpirtrat tanë, por kësaj radhe pa
zgjedhur popujt.
Jo rastësisht e fillova në këtë mënyrë
këtë përqasje timen, meqë target i saj është pikërisht pandemia në fjalë, por e
shikuar nga një perspektivë tjetër. E shikuar nga prizmi i krijuesit, poetit,
shkrimtarit e studiuesit, Agim Vinca.
Në rreth 300 faqe sa i ka libri Ditari i pandemisë, Agim Vinca i ka
regjistruar përshtypjet dhe përjetimet e tij si individ, mënyrën se si e kundroi
ai këtë mynxyrë, këtë zezonë, për plotë 80 ditë të kaluara në karantinë teksa
qëndronte në banesën e tij në Prishtinë.
Profesor Vinca e nis Ditarin e tij me një parathënie
nëpërmjet së cilës ia bën me dije lexuesit se e gjitha filloi “si diçka e vogël, por që ditë pas dite e
javë pas jave, erdhi duke u rritur, ashtu siç rritet topi i dëborës kur niset
nga maja e bjeshkës për të përfunduar në fund si ortek a rrungajë”.
Dihet se teoritë letrare ia njohin
prozës dhe poezisë, por edhe zhanreve të tjera letrare “autonominë” e tyre, dhe
po ashtu nuk janë të rralla krijimet në të cilat hasim hibridizim zhanresh,
sikurse ta zëmë është proza poetike apo poezia
prozaike, e që zakonisht njihen si
forma që dalin jashtë rregullave që lidhen me ecurinë e një proze apo poezie,
mirëpo Ditari i pandemisë i krijuesit
Vinca, është më shumë se kaq, është edhe prozë edhe rrëfim edhe histori.
Në tetëdhjetë ditë sa edhe ka mbajtur
shënime profesor Vinca në Ditarin e
tij, përveç që shpalosë detaje me rendësi nga përditshmëria e tij, telefonatat e
zhvilluara me miq, njerëz të artit e të kulturës, përcjelljen me vigjilencë të
lajmeve që vijnë nga vende të ndryshme të botës, rrëfimet për mënyrën se si
këto vende përballen me virusin vdekjeprurës, ai po me kaq interes i ndjekë dhe
i gjykon edhe zhvillimet politike në Kosovë.
Nëse shtetet e tjera të botës ia kishin
shtrirë dorën e solidaritetit njëra-tjetrës, duke përfshirë edhe Shqipërinë
tonë, e cila i dërgoi rreth 30 mjekë e infermierë në Itali për t'i dalë në
ndihmë shtetit fqinj të dërmuar nga koronavirusi, lufta e ashpër mes taborëve
politikë në Kosovë është në kulmin e saj, anipse pamëshirëshmërinë e tij vazhdon
ta shfaqë hapur virusi enigmatik, i njohur si COVID-19.
Ani pse i diplomuar në Fakultetin e
Shkencave Kompjuterike dhe Telekomunikacionit, neve që kemi zgjedhur ta studiojmë
shkencën e letërsinë, e që e konsiderojmë veten kompetent kur luajmë rolin e “demiurgut”
kundrejt një vepre të caktuar letrare, sikur na bënë xheloz konstatimi i
kryeministrit Kurti, dhënë për librin Ditari
i pandemisë të profesor Agim Vincës: "Përsiatjet
individuale të autorit në kohë izolimi, ndryshimi i detyruar i raporteve dhe
rutinave familjare e shoqërore, virusi në politikë e politika me virusin... Mediet
në Kosovë e Shqipëri me polemikat e panumërta (më shumë dërrmuese sesa shteruese),
librat shqip dhe të huaj që i ka për qejf autori apo që i rebelohen atij nga
përgjumja në kujtesë, ngjeshin radhët e tekstit 300 faqesh të ditarit 80 ditorë
nga pranvera 2020 e Kosovës”.
Studiuesi i shkencave kompjuterike e
lexuesi pasionantë i letërsisë, lideri i Lëvizjes studentore dikur, tash
kryeministër i vendit, kur flet për verbin krijues të profesor Vincës, shton: “Ka libra që nuk mund t'i lexosh për një
ditë. Ka libra që nuk mund të mos i lexosh brenda ditës. I këtillë është Ditari
i pandemisë së Agim Vincës. Po e more në
dorë dhe e hape faqen e parë, s'e shqet dot nga dora deri në faqen e
fundit".
E di që do të ishte ideale që ky vështrim
imi për librin e profesor Vincës të përmbyllej me konstatimin e kryeministrit
aktual të vendit! Megjithatë, kujtoj që nuk është e tepërt nëse themi se pandemia,
ky emër qe është bërë pjesë e përditshmërisë sonë për pothuajse tri vitet e
fundit, pa mëdyshje se një ditë edhe do të kalojë.
Kjo dergjë që trazoi botën, në të
ardhmen e afërt (shpresojmë!), në rastin "më të mirë" do të përmendet
shkarazi. Por, një gjë është e sigurt, kjo situatë makthi me të cilën vazhdon
të përballet edhe më tej njerëzimi, do të jetojë gjatë në memorien tonë, vetëm
se jo edhe aq sa në librin Ditari i
pandemisë, të krijuesit të rrallë, autoritetit të kulturës shqiptare,
profesor Agim Vincës.
Dhe, nëse e parafrazojmë atë që me
modesti e thotë autori i librit, profesori i nderuar, do të thoshim: Le të
mbetet një dëshmi, nëse jo për histori, së paku për jetën e përditshme të njerëzve
të një kohe, të cilët e përjetuan pandeminë COVID-19.