| E shtune, 22.05.2021, 06:22 PM |
Martirët e Karadakut (1846 – 1848) sipas dokumenteve franceze
Nga Don
Lush Gjergji
Një fjalë e urtë
latine thotë kështu: Kundër fakteve nuk vlejnë argumentet. Dhe ashtu duhet të
jetë gjithnjë. Fakti i përndjekjeve të të parëve tanë nën sundimin e egër pesëshekullor
turko – otoman, veçmas gjatë viteve 1846 – 1848 të Stubllës, Binçës,
Vërnakollës dhe Terzijajve, megjithatë duhet ndriçuar, zbërthyer dhe shqyrtuar
nga shumë këndvështrime. Qëllimi është ky: të hyjmë sa më mirë në thelbin e
ngjarjeve, të arrijmë deri te njohuria e motiveve, shkaqeve që i frymëzuan ata
në këtë hap, orientim, përcaktim, qëndrim dhe vendim.
Frymëzimi kryesor
dhe themelor për të parët tanë ishte pa dyshim ruajtja e fesë në Jezu Krishtin,
krishterimi, ana fetare, si dhe ana kombëtare, ruajtja e gjuhës, traditës,
kulturës, shqiptarizmit, me të gjitha konotacionet që përfshihen me këtë
emërtim.
Nëpërmjet fetares –
krishterimit, më së miri ruhej dhe kultivohej edhe ndjenja dhe përkatësia
kombëtare, dhe anasjelltas, gjë kjo që është vërtetuar dhe dëshmuar nga e
kaluara jonë ilire, arbërore dhe shqiptare. Tekembramja kjo ishte edhe përvoja
e madhe e Popullit tonë, rasti, mundësia për t’i mbetur besnik Zotit, Popullit,
vetvetes, ajo që ndër ne shprehet me binomin tashmë të njohur: PËR FE DHE PËR
ATDHE, për t’iu shmangur, aq sa ishte e mundshme, asimilimit dhe asgjësimit
tonë fetar – kombëtar.
“Islamizimi që
është paraqitur nga forcat dominuese, me tatime, keqtrajtime, angari të çdo
lloji, orvatje t’i detyronte e shtynte katolikët shqiptarë në femohim
(apostazi), çka do të thotë t’i turqizonte… Porta e Lartë e ka identifikuar
kombësinë me përkatësinë fetare”. [i]
Pa fe të gjallë dhe
jetësore, besim në amshim, martirizimi do të ishte gjë e kotë, e pamundshme, e
pakuptimtë, çmenduri. Të parët tanë, Martirët e Stubllës, Binçës, Vërnakollës
dhe Terzijajve, u gjeten para zgjidhjes she përcaktimit: ose përndjekja, mërgimi
në Turqi, martirizimi, ose apostazia, femohimi, largimi nga Kisha Katolike,
krishterimi, Jezu Krishti, lashtësia dhe historia jonë mijëvjeçare. Para këtij
udhëkryqi dhe sfide tejet të rëndë, vendimtare, të parët tanë u shpallen haptas
shqiptarë dhe të krishterë, duke u mbështetur edhe në Tanzimatin e lirisë
fetare të vitit 1939. [ii]
Këtë përcaktim dhe
përkatësi të dyfishtë, kombëtare dhe fetare, e kanë shprehur me një fjali
përmbledhëse: “PO, NE ISHIM DHE
JEMI TË KRISHTERË DHE DËSHIROJMË TË VDESIM TË KRISHTERË”. [iii]
Këtu për mrekulli
dëshmohet e kaluara, historia – lashtësie: NE ISHIM, si dhe vendosmëria e tyre
për të tashmen: DHE JEMI, por edhe dimensioni i ardhmërisë, feja, kalimi në
amshim, shëlbimi: DËSHIROJMË TË VDESIM TË KRISHTERË!
Këtë e kanë
dëshmuar para Beu Gjinollit në Gjilan, së pari kryefamiljarët, pastaj edhe të
gjitha familjet e tyre, duke u shpallur botërisht dhe lirisht, vullnetarisht të
gjithë SHQIPTARË KATOLIKË. [iv]
Kjo përndjekje ishte
fetare dhe kombëtare dhe pati për qëllim shkatërrimin e plotë të elementit
katolik dhe shqiptar në trojet dhe viset tona. Këtë e vërtetojnë edhe disa
rrethana tashmë të njohura dhe të pamohueshme: në atë kohë në Letnicë
shumica ishin katolikë koatë, ndërsa në Gërçar dhe në Vërboc, të gjithë ishin
ortodoksë serbë, por ata fare nuk i preku kjo përndjekje.
Prandaj Beu
Gjinolli, edhe më gjerë fuqia turko – otomane, kishin në shënjestër pjesën
shqiptare – katolike, dhe frikësoheshin nga kjo prani dhe përkatësi
kombëtare dhe fetare, për arritjen e qëllimeve që
kishin, e ato ishin: TURQIZIMI DHE ISLAMIZIMI I MBARË POPULLIT SHQIPTAR.
Për identitetin e
tyre fetar dhe kombëtar, të krishterë dhe shqiptarë, kemi mjaft dëshmi dhe të
dhëna historike. Ja vetëm disa: të parët tanë nuk dëshironin më të jenë
laramanë ose kriptokatolikë dhe kriptoshqiptarë, domethënë katolikë dhe
shqiptarë të fshehur nën “petkun” turk dhe mysliman. Shi për këtëvendosen të
gjithë së bashku “që si shqiptarë
publikisht të shpalleshin besimtarë të fesë katolike, të cilën fshehtazi e
ruanin në zemrat e tyre”. [v]
Qëndrimi i tyre
ishte tejet i guximshëm dhe mjaft i vendosur, profetik: “për hir të Zotit jam
katolik, SIÇ ISHIN EDHE ETËRIT TANË”. [vi]
Këtë të vërtetë e
kanë pohuar, vërtetuar dhe dëshmuar kudo, në Gjilan, para qjyqit turk, gjatë
udhëtimit dhe martirizimit prej Gjilanit në Prishtinë, pastaj prej Prishtinës
në Shkup dhe në Selanik, më vonë edhe në Turqi, gjatë dy viteve të përndjekjeve
(1846 – 1848), pa hamendje, lëkundje dhe frikë.
Që kanë qenë dhe
mbeten shqiptarë dhe katolikë, më së miri e kanë dëshmuar me kthimin e tyre në
atdhe, edhe pse në Anadoli patën mjaft premtime dhe rast për në jetë më të
sigurte dhe më të begatshme, së paku sa i përket anës tokësore, financiare dhe
materiale.
Nga kjo që kemi
thënë gjertani vërehet dhe vërtetohet se Martirët e Karadakut,
Anamoravës, gjatë viteve 1846 – 1848 ishin tërësisht të vetëdijshëm që ishin
shqiptarë dhe të krishterë. Po ashtu e dinin fare mirë se paraqitja e tillë do
t’iu kushtonte shumë, deri edhe rrezikimin e jetës. Megjithatë, ata aspak nuk u
hamenden, por trimërisht, me frymëzim dhe përkushtim, me bindje dhe me liri,
mbi të gjitha me fe dhe me dashuri u shpallen dhe dëshmuan shqiptarë dhe të
krishterë.
Edhe në Selanik
regjistrohen si shqiptarë katolikë të përndjekur, Këtë e dëshmon atë Leonardo
VECONDIO duke shkruar kështu: “Më 13. 03. 1846 arritën këtu në Selanik 41
individë shqiptarë nga Binça, Stublla, Vernakolla dhe Karadaku – Terzia,
fshatra që gravitojnë në Gjilan. Më 16 mars arritën edhe gratë e tyre me
fëmijë, që të gjithë së bashku përbënin 115 veta”.[vii]
Këtë e dëshmojnë
edhe shumë dokumente tjera: nga Vjena, nga Arkivi Sekret i Vatikanit, nga
etërit lazaristë, nga Arkivi i Propaganda Fide…, si dhe nga artikujt e
shumtë të asaj kohe. [viii]
Edhe në Filadare,
ku ishte përmendorja dhe rras përkujtimore me këtë mbishkrim, shkruante
kështu: “KY MONUMENT ËSHTË
NGRITUR ME ZELLIN E SHUMË TË DEVOTSHMIT ZOTËRI NAYLET BEJ NË EMËR TË
KATOLOCIZMIT PËR KUJTIM TË SHQIPTARËVE KATOLIKË TË VDEKUR PËR FE. 21 Maj 1846”.[ix]
Martirët e
Karadakut me jetën dhe veprën e tyre edhe një herë treguan dhe dëshmuan
dashurinë ndaj Zotit dhe ndaj Popullit, vetëdijen e lartë fetare dhe kombëtare,
fuqinë dhe përcaktimin që vëllazërisht dhe bashkërisht të ballafaqohen me
rrethana shumë të ndërlikuara dhe tejet të rrezikshme. Të tillë ishin dhe
mbeten në jetë dhe në martirizim – në kalim në amshim. Të frymëzuar nga feja
dhe atdhedashuria përballuan edhe përndjekjen, vdekjen dhe me gjakun e tyre e
vulosen përcaktimin e lartë dhe të guximshëm: TË VDESIM PO, TË TRADHËTOJMË JO!
Binomi fetar –
kombëtar te Martirët e Karadakut shkëlqeu me ndriçimin e fesë, rrezakton dhe
frymëzon me porosinë e historisë, fton dhe qorton me fuqinë e dashurisë. Mu për
këtë martirizimi dhe flijimi janë gjithnjë aktual.
Motra e Vogël
Odette MARQUET, albanologe, hulumtuese, arkiviste, historiane, publicistë
e njohur, këto ditë botoi studimin kushtuar Martirëve tanë me titull “Le dèportation des familles
albanaises en Antolie au XIX siècle dans les Archives françaises”, Le editiondu CERF, Paris, 2019,
f. 253 (Deportimi i familjeve shqiptare në Anadolli në shekullin XIX sipas
arkivave franceze), që mundëson njohjen e kësaj tematike edhe botës, ku gjejmë
besnikërinë e dyfishtë të të parëve tanë: ndaj Zotit, Kishës katolike,
krishterimit, si dhe ndaj rrënjëve tona ilire, arbërore dhe shqiptare.
Risia e këtij
botimi ndër të tjera është hulumtimi sipas arkivave franceze, ilustrimet apo
faksimilet e letrave, shkrimeve, dokumenteve diplomatike, por edhe kishtare, si
për shembull letra Papës Piut IX, f. 220 -221; relacionet nga
Kostantinopoja e JulienMarieHillereau, f. 222 – 246; të motrës Sofia
Sopi, f. 246 -253.
Motra Odette
Marquet, është ambasadore e mirëfilltë e historisë, traditës, kulturës,
krishterimit tonë, përkthyese nga gjuha frënge në shqip dhe anasjelltas,
sidomos njohëse dhe studiuese e figurës së Imzot Pjetër Bogdanit, “Pjetër Bogdani, Letërkëmbim,
Ipeshkëv i Shkodrës dhe Administrator i Arkipeshkvisë së Tivarit (1660 – 1670), përgatitur nga Odette Marquet,
Botimet IDK, Tiranë, 2016, f. 211./drita.info
(Fjala nga promovimi i botimit mbi Martirët e Stubllës, Binçës, Vërnakollës dhe Terzijajve, Paris, 17 tetor 2019).
—————————-
[i]Gjergj Gjergji – Gashi, Martirët
shqiptarë gjatë viteve 1846 – 1848, DRITA, Ferizaj, 1994, f. 46 – 47.
[ii]Krh. Gjergj Gjergji – Gashi, vep. e
cit. f. 58 -63.
[iii]Po aty, f. 63;
Imzot Mark Sopi, Martirët e Karadakut, DRITA, 1986, f. 40.
[iv]Krh. Gjergj Gjergji – Gashi, vep. e
cit. f. 63; Imzot Mark Sopi, vep. e cit. 22.
[v]Imzot Mark Sopi, vep. e cit. f. 34.
[vi]Po aty.
[vii]Imzot Mark Sopi,
vep. e cit. f. 62-63.
[viii]Lexo: Gjergj
Gjergji – Gashi, vep. e cit. f. 105 -127.
[ix]Gjergj Gjergji – Gashi, vep, e cit. f.
205.
http://www.drita.info/