| E merkure, 19.05.2021, 08:45 PM |
Duke lexuar librin “Dallimet programore midis LPK dhe LDK”
(Pjesë
nga shënimet dërguar autorit Dilaver Goxhaj)
Nga
Gjokë Dabaj
E lexova me një frymë librin tënd. Kam
bërë shënime gjithandej nëpër tekst dhe sërish nuk po arrij t’i them të gjitha
ato që po më vijnë nëpër mendje.
Po t’i dërgoj disa nga mendimet, se
ndoshta të hyjnë në punë. Sigurisht, s’ke pse i merr si mendime kategorikë,
sepse as unë vetë s’i kam “pjekur” aq sa duhet.
…Ibrahim Rugovën e ka përkrahur, për të
mos thënë vendosur në atë post, zbulimi amerikan, në koordinim me Vatikanin,
sigurisht edhe me Sërbinë… Me të njëjtën mënyrë siç ka përkrahur (vendosur) në
krye të Sërbisë edhe Sllobodan Millosheviqin. Me të njëjtën mënyrë siç ka
vendosur edhe Bin Ladenin në krye të një lëvizjeje arabe antiamerikane… I ka
vënë dhe i ka përdorur deri sa i janë dashur.
Është veprim krejt i natyrshëm dhe
krejt i përligjur… Një bari, midis dhjetë a pesëmbëdhjetë deshve që i ka në kopé,
zgjedh dashin më të përshtatshëm për t’i vënë këmborën. S’ka gjë se ai dash i
sulet me brirë edhe vetë bariut. Mjafton që ta çojë kopenë andej nga i duhet
bariut… Më vonë, në një ditë feste a dasme, bariu ia heq këmborën (edhe kokën)
atij dashi dhe ia vë një dashi tjetër.
Sigurisht, as ti nuk do të kishe shkuar
atje ku shkove, pa një lloj miratimi a orientimi nga dikush. Aty, mendoj unë,
kanë luajtur rol vendimtar sidomos dy vlera të tuat: Ke qenë i specializuar për
aviacionin dhe ke njohur shkëlqyeshëm gjuhën angleze.
Po këshu edhe ideja ime e “Përkujdesjes
Gjithshqiptare” do të mund të vihej në jetë vetëm
atëherë kur SHBA-ja ta kuptonte që ky projekt nuk shkon në dëm të interesavet
të saj. Përkundrazi, zbatimi i këtij projekti do t’i krijonte terren gjithnjë e
më të përshtatshëm pranisë amerikane ndër shqiptarët. Jo vetëm këtu, në të dy
apo dy e gjysmë shtetet shqiptarë, por kudo ku jetojnë shqiptarët e sidomos në
Turqi e në Greqi. Me 1000 “Fjalëmira të Gjuhës
Shqipe” në Turqi e në Greqi, Turqia e Greqia,
nëpërmjet nesh, do të mbeteshin përjetësisht të lidhura me interesat e SHBA-së
dhe të BE-së.
Të lidhura me interest e SHBA-së dhe të
BE-së, sepse ne, si komb, jemi ekzistencialisht të lidhur me SHBA-në, si dhe me
pjesën vërtetësisht proevropiane të BE-së. Them vërtetësisht, sepse duhet
të dimë që ndër politikanët e Evropës ka shumë nga ata që punojnë kundër
Evropës.
…Kur flasim për kapitullimin pa kushte të 700 mijë shqiptarëvet në
Kosovë, është e domosdoshme të përmendet edhe përkrahja që i dhamë ne SHBA-së
këtu në Republikën e Shqipërisë në vitin 1990, pa kushte! Mijëra flamuj amerikanë e pritën Bejkerin në “Sheshin
Skënderbej” dhe ai hoqi këpucët e u fut në xhami.
Ky ish një keqpërdorim krejt i gabuar (nga ana e zotit Bejker) i besimit që ne
po manifestonim ndaj SHBA-së.
Ti, përse ua ze për të madhe 700 mijë
shqiptarëvet të Kosovës, të cilëvet iu tha se kështu do të çliroheshin nga
Sërbia dhe ata e besuan?! E besuan, sado që edhe njeriu më naiv duhet ta dijë
që liria nuk fitohet me të lypur.
Murgesha Terezë, të cilën ti e
anashkalon në libër, është e njëjta “monedhë” si Ibrahim Rugova. Ajo erdhi në ata vite në Republikën e
Shqipërisë. Sigurisht i pa fabrikat që po rrënoheshin, por nuk tha asnjë fjalë.
I pa tokat që po mbeteshin djerr, por nuk tha asnjë fjalë. I pa spitalet, ku njerëzit shtroheshin
e mjekoheshin pa pará, por sot spitali me emrin e saj paguhet. Madje, paguhet
aq kripur, sa një shumicë shqiptarësh nuk mund, as të shtrohen, as të mjekohen
atje!.. E vetmja brengë e saja ishte që komunizmi “s’e kish lejuar” të
vinte e t’i vizitonte prindët. Ata prindë që ajo vetë i kish braktisur!... Murgesha
Terezë shkoi edhe në Shkup, por nuk tha asnjë fjalë për faktin që sllavët e
kishin zaptuar Shkupin në mbi 80 për qind të territorit... Me gjithë këto, ne i
ngritëm përmendore murgeshës Terezë në sheshet kryesorë të pothuaj të gjithë
qytetevet tanë. A vetëm 700 mijë kosovarët u dalldisën pas kësaj gruaje të
fishkur, e cila kurrë s’kish bërë asgjë për kombin e vet?! Kush ia dha asaj çmimin
Nobel, në një kohë kur shtatoret e Enver Hoxhës po i shembnin adhuruesit
somnambulë të Terezës?! Somnambulë të trullosur, se ashtu i do
sot njerëzit njerëzimi!
Nëse gjykojmë që
pacifisten Terezë nuk na e ka prurë Sërbia, atëherë s’ka pse mendojmë as për
pacifistin I. Rugova që ta ketë instaluar në krye të LDK-së vetëm Sërbia.
Koordinim, pajtim interesash të çastit është e besueshme të ketë pasur, por
ideja ka qenë e tjetërkujt. Ndoshta e amerikanëvet, Vatikanit, NATO-s... Përse
u duhej amerikanëvet dhe NATO-s pacifikimi i popullit tradicionalisht
kryengritës të Kosovës?! Është shumë e thjeshtë për t’u kuptuar: Në qoftë se
shqiptarët e Kosovës do të çliroheshin vetë, si do të justifikohej hyrja e
forcavet të SHBA-së dhe NATO-s në atë vend?!
...Në krahun
tjetër të Shqipërisë, në Jugun shqiptar, që Evropa ia ka falur Greqisë, jo një
Sebastiani, por dhjetëra Sebastianëvet, bashkëkombasit tanë po ua puthin
veladonët, duke mos guxuar as Zotit t’i luten në gjuhën shqipe! Madje, mbasi u
duket se kanë mbaruar punë me atë pjesë të Shqipërisë Jugore, grekët kanë
sjellë mu në Tiranë një Millosheviq të vetin (me emrin Janullatos) dhe po
llogaritin e po punojnë për ta bërë edhe pjesën tjetër të Shqipërisë Jugore, Himarën,
Gjirokastrën, Përmetin, Ersekën, Korçën, ashtu siç i kanë bërë, Janinën, Margëlliçin,
Prevezën, Konicën, Follorinën...
Dhe më thuaj: Kush
nga shqiptarët e kësaj pjese të Shqipërisë po bën diçka që greku të mos veprojë
kështu siç po vepron?!.
Në shtetin grek
kanë shkuar me mijëra shqiptarë, i kanë duruar si skllevër shkopinjtë e
policisë dhe kanë pranuar deri edhe emrat t’i ndërrojnë, shumë më keq se ata
600 mijët që u qorrollepsën pas Ibrahim Rugovës!.. (Por, për këto gjëra, që
janë plagë po aq të rënda sa ato të Kosovës, ti ndoshta e ke në plan të shkruash
në të ardhshmen.)
...Ibrahim Rugovës
i ngrejnë monument në Kosovë, Ahmet Zogut i ngrejnë monument në Burrel e në
Tiranë. Azem Hajdari vihet në të njëjtin rrafsh me Adem Jasharin, duke u
ngritur monumente, si njërit, ashtu edhe tjetrit. Madje këtij të dytit,
Leonidhës së sotëm të Termopilevet, ia ngrejnë monumentet si me rezerva, ndërsa
Azemit, me plot mburrje!..
...Prekë Cali
vihet në Shkodër krah për krah me Isa Boletinin, ndërsa shtatoret e Heronjvet
të Vigut, aleatë lufte me Anglinë, Amerikën e Bashkimin Sovjetik, i degdisin në
periferi të Dobraçit, atje ku hidhen edhe plehrat!
...Dil e thuaj, po
munde, që Prekë Cali, duke vrarë në grykat e Pecajvet, mbi njëqind partizanë
shqiptarë, nuk po “luftonte” kundër sllavëvet dhe kundër atyre që “po u
shërbenin” sllavëvet!..
... Dil e thuaj,
po munde, që komunizmi ka lindur në Gjermani, Angli e Francë e pastaj ka shkuar
në Rusi!.. Kujt do t’i mbushet mendja?! Jo se s‘është kështu, por sepse një
kategorie njerëzish nuk i intereson të mendojë e aq më pak të thotë të
vërtetën. Shtirja dhe trullosja kanë arritur deri aty sa, cilindo kapitalist,
kunërshtari i tij politik mjafton ta etiketojë si komunist dhe... e ka rritur
numrin e votavet si me magji!
...Asnjëri prej
kësaj kategorie “të mençurish” nuk do të pranojë që Stalini u eliminua,
pikërisht sepse nuk ishte sllav dhe sepse, duke mos qenë sllav, po e pengonte
ringjalljen e idealit rusomadh në Rusi. Ideal, i
cili sot po i kundërvihet aq rrëzikshëm SHBA-së!
Që të gjithë janë mjaftësisht “të mençur
e të ditur”, për ta mbushur krejt ambientin me pamençuri dhe me padituri!
…Ka dallim të madh në mënyrën si është
pritur, këtu në Shqipërinë e 13-ës, ushtria italiane më 1939-n dhe si u prit
ushtria e NATO-s më 2021-shin. Më 1939-n u ndodhën, një Mujo Ulqinak dhe disa
shqiptarë të tjerë, për t’u thënë italinanëvet që, jo të gjithë shqiptarët janë
si Ahmet Zogu. Ndërsa sot, 28 mijë efektivë të ushtrivet të huaja, mirëpriten
pa as edhe një kërkesë kolektive kombëtare ndaj atyre ushtrive.
Të paktën të mos ish hequr shërbimi i
zakonshëm ushtarak një ose dyvjeçar dhe ne të kishim sot edhe ushtrinë tonë,
për t’i pritur ushtarët e huaj amerikanë dhe evropiano-perendimorë, jo si
garantues të lirisë sonë, por si aleatë dhe bashkëmbrojtës prej rrëziqesh të
përbashkët!
Të paktën të mos ishin prishur tunelet
e bunkeret, në mënyrë që kjo ushtri aleate të kish ku të fuste kokën, duke u
ndjerë këtu më e sigurtë se në çdo vend tjetër të botës!
Nuk po them që Oltë Xhaçka t’i kish
pritur ushtritë e NATO-s si Hibe Palikuqi apo si Zonja Çurre. Është kohë tjetër
dhe janë marrëdhënie të tjera. Por jo edhe të mos i përmendë askush ato dy
heroina, të paktën për të bërë dallimin midis dy epokave.
Dhe, në qoftë se oficerët e NATO-s do
të ishin vërtet ushtarakë vlerash të larta, ata duhej që, në ditën kur shkelën
në tokën shqiptare, ta kishin çuar një kurorë me lule edhe te varri i Enver
Hoxhës! Do të qe nder i madh për ta!
…Në këtë vazhdë gjykimi, ne shqiptarët
duhet të sqarojmë një problem shumë të madh, që lidhet drejtpërsëdrejti me
jetën a me vdekjen tonë. Me rrëzikun e shuarjes totale të kombit shqiptar!
Ta zëmë se SHBA-ja e humbi luftën
përballë Rusisë edhe Kinës! (Fjala nuk sjell mort, themi ne shqiptarët.) Ç’do
të ndodhë me popujt e këtyre hapësirave, në qoftë se SHBA-ja e humb luftën
përballë Rusisë dhe Kinës?!
Kombet e Evropës do të tërhiqen që të
gjithë me bisht ndër shalë dhe do të lidhin aleanca të reja me rusët dhe me
kinezët! Kombet e gadishullit tonë, sërbët, bullgarët, sllavo-maqedonët,
malazezët, grekët, jo vetëm s’do t’i gjejë asgjë e keqe, por do të fërkojnë
duart: “Lum ne që na u hoq qafet SHBA-ja!” …Në vitin 1945, shkinat e Ulqinit (ardhur aty nga Mali i Zi),
këndonin: “Piva patka, pliva guska, eto nama dogje ruska!” (“Noton pata, noton
rosa, qe dhe ne na erdh’ Rusia!”)
…Kombi shqiptar, ndërkaq, nëse e humb
luftën SHBA-ja, do të jetë i rrëzikuar për t’u zhdukur i tëri! Të gjithë do t’u
sulen shqiptarëvet! Në radhë të parë sërbët, por edhe grekët, edhe bullgarët,
dhe do ta bëjnë këtë vend copa-copa! Nëse në luftën e parë borërore shpëtuam
disi, falë edhe konjuktuarvet, nëse në luftën e dytë botërore shpëtuam, falë,
midis tjersh, edhe largpamësisë së Enver Hoxhës me shokë, këtë herë, nëse e
humb luftën SHBA-ja, do të jetë tepër vështirë të shpëtojmë pa u shfarosur.
Këtë të vërtetë, këtë rrezik real, në
radhë të parë duhet ta kuptojnë vetë shqiptarët, por duhet ta kuptojnë edhe
politikëbërësit e SHBA-së, si dhe Italia, Spanja, Franca, Gjermania, Polonia
etj. Të gjithë këta, nëse janë të vetëdijshëm ç’po ndodh dhe ç’mund të ndodhë
në planetin tonë, duhet ta kuptojnë që forcimi i gjithanshëm i kombit shqiptar
është një domosdoshmëri rajonale jetike. Ashtu siç është domosdoshmëri rajonale
jetike për gjithë këta shtete edhe forcimi i Izraelit në Lindjen e Mesme.
SHBA-ja dhe Evropa Perendimore (shtetet
që i përmenda), do të duhet ta forcojnë kombin shqiptar në radhë të parë në
fushën e kulturës nacionale, për t’i
frymëzuar këtij kombi krenarinë e ekzistencës. Në radhë të dytë kombi shqiptar
duhet forcuar ekonomikisht. Në qoftë
se amerikanët, kudo që shkojnë, mundohen të përfitojnë ekonomikisht, këtu ata
duhet të investojnë, në mënyrë që ne të mund të bëhemi zot i vetëvetes këtu ku
jetojmë. Forcimi ekonomik i shqiptarëvet ka të njëjtën vlerë me forcimin
ekonomik të cilitdo shtet përbërës të SHBA-së dhe po kështu edhe për Evropën:
Sa më e fuqishme ekonomikisht të jetë Shqipëria (krejt Shqipëria!), aq më e
sigurtë (strategjikisht) do të jetë ekonomia italiane, franceze, spanjolle,
gjermane, polake… Ndërkaq, në fushën ushtarake
Aleanca Atlantike duhet të synojë që, jo ta mbrojnë të tjerët kombin shqiptar, por
të aftësohet ky komb për të mbrojtur vetëveten me të gjithë llojet e armëvet.
Për t’ia arritur këtij qëllimi, shumë të rëndësishëm për aleatët tanë, hapi i
parë i NATO-s (dhe i dy shetevet tanë), duhet të jetë rivendosja e detyrimit
ushtarak për djemtë shqiptarë dhe stërvitje speciale për sa më shumë vajza
shqiptare. Vetëm kështu shqiptarët do të mund të bëhen partner i denjë midis të
gjithë anëtarëve të kësaj Aleance dhe kështu, duke pasur shqiptarët një ushtri
të fortë, i gjithë ky krah i Evropës do të jetë më i siguruar dhe njëkohësisht
askush rrotull nesh nuk do të jetë i rrëzikuar.
SHBA-ja dhe BE-ja kanë bërë
budallallëkun më të madh që e kanë lejuar shkatërrimin ekonomik dhe ushtarak në
Republikën e Shqipërisë. Aq më keq nëse kanë qenë vetë subjekt i atij
shkatërrimi. Në të ardhshmen, nëse qeveritë e atyre vendeve nuk i vënë gishtin
kokës, ai shkatërrim do të bjerë keqas mbi kurrizin e vetë BE-së e SHBA-së,
sepse një shtet shqiptar i shkatërruar, apo dy shtete shqiptarë të shkatërruar,
janë për BE-në dhe SHBA-në, barriera mbrojtëse të shkatërruara. Barriera mbrojtëse! S’po di sa e kuptojnë sot
politikanët e veçanërisht strategët e BE-së e të SHBA-së, që kombi shqiptar
përbën për ‘ta një barrierë mbrojtëse, një ledh, i cili, sa më i fortë e solid
të jetë, aq më e sigurtë nga vërshimet do të jetë hapësira në krahun
adriatiko-jonian të këtij ledhi.
Por unë po e shoh me keqardhje, që bota
e sotme perendimore nuk po ka strategë të mençur e largpamës. Ç’mund të bëjmë
ti dhe unë në të këtilla rrethana?! Asgjë!
…Tani le të shohim edhe pak punët tona
të brendshme.
Në Kosovë, Dilaver, u përdhunuan 20
mijë femra shqiptare dhe ky është turp i përjetshëm, që bie në radhë të parë
mbi moralin e kombit sërb! Sërbëvet, atdhetarëvet të vërtetë sërbë, duhet t’u
vijë turp kur të takojnë diku, qoftë edhe rastësisht, një shqiptar apo një shqiptare!
Mirëpo, nga Republika e Shqipërisë, në
vitet 1990 e këndej, thuhet se u shndërruan në prostituta mbi 30 mijë femra shqiptare!
Ato shkuan vetë në Itali e në vendet e tjerë të Evropës Perendimore dhe iu
dorëzuan vetë marokenëvet apo dikujt tjetër, për t’i shkërdhyer! (Nuk kam pse
kërkoj ndjesë për shprehjen!) Po për këtë dukuri, kaq poshtëruese për ne, kujt
duhet t’i vijë turp?!
…Në luftën e fundit (të fundit deri më
sot), që po e quajmë Lufta e UÇK-së, shkove edhe ti, Dilaver, dhe e nderove, jo
vetëm Labërinë, por krejt Republikën e Shqipërisë. Bashkë me ty dhe krahas
teje, sado që nuk arritën të gjithë dhe s’kish pse të arrinin deri në krye të
Shtabit Qendror, luftuan edhe jo pak bashkështetas tanë. Mirëpo, a guxon dikush
të bëjë krahasime dhe a ka arsye të bëjë krahasime me numrin e luftëtarëvet që
patën shkuar nga Republika e Shqipërisë, në fund të vitit 1944 dhe në gjysmën e
parë të vitit 1945, për të çluruar ato krahina të Shqipërisë së përtejkufirit?!
Rugovistët sigurisht që do të flasin
ndryshe dhe do të nxjerrin gjithfarë bishtash. Por e vërteta historike është se
kalimi i brigadavet të ushtrisë nacionalçlirimtare shqiptare nga Republika e
Shqipërisë në ato pjesë të Shqipërisë që Evropa ia kish falur dhe sërish do
t’ia falte Sërbisë, bëri që numri i ushtarëvet të atjeshëm antifashistë të
arrinte në 35 mijë!
Në atë mënyrë u bë e mundur që asaj
pjese të Shqipërisë të mos i ngjitej përgjithmonë epiteti “bashkëpunëtore e nazifashizmit”, siç kishin dëshiruar dhe punuar natë
e ditë sërbët, malazezët e sllavomaqedonët, por të pranohej që jo vetëm
jugosllavët, por edhe shqiptarët kishin luftuar kundër të njëjtit armik.
Unë kam bindjen që, po të mos kishin
pasur shqiptarët e Kosovës e Rrafshit të Dukagjinit një ushtri prej 35 mijë
luftëtarësh, falë shkuarjes së brigadavet të Republikës së Shqipërisë atje,
atyre as që do t’u ish njohur autonomia! Meritë e drejtpërdrejtë që, të paktën
Kosmetit iu njoh ajo autonomi, sado e cunguar, pa asnjë dyshim, ka qenë e Enver
Hoxhës! A do t’ia njohë këtë meritë kaq të madhe Enver Hoxhës historiografia
shqiptare e të dy shteteve?!.
…Kam këtu, Dilaver, edhe shumë shënime,
nxitur nga asociacioni me ato që i lexova në librin tënd, por nuk po zgjatem më
shumë.
Shpresoj që gjithsesi, këto që shkrova,
do të të shërberjnë sado pak në krijimtarinë tënde të mëtejshme.
Të uroj gjithë të mirat dhe suksese, në
punët e tua shumë të guximshme!