| E marte, 18.05.2021, 07:24 PM |
Në vend të In memoriam
AGIM
MATO YNË I MADH
“Intelektualët
e vërtetë, qi me vetëdije të detyrës s’vet, ushtrojnë profesín e letrave janë
syni i kombit; nji sy qi merr dritë nga vuejtjet e gzimet e kalesës, qi e
forcon at dritë në përvojë të së tashmes dh’e flakron si rreze terr-shporuese
kah ardhmenija e palindun. Pá veprën dritëpërhapëse t’intelektualvet të
njimendët, nji komb âsht si i verbti mbi nji udhë plot gropa e çarravína të
rrezikshme”. ERNEST KOLIQI
NGA
ANTON NIKË BERISHA
Nuk është thënë
rastësisht se poetët (shkrimtarët) e mëdhenj nuk vdesin; në çastin kur pushojnë
së frymuari, këmbehen vetvetiu me poezinë e tyre, me atë që na e kanë krijuar
dhe na e kanë lënë trashëgim. Pra – fjala e tyre poetike – vazhdon të jetojë dhe të komunikojë me
lexuesin e të ndikojnë estetikisht në ta, edhe pse ata nuk janë në mesin e
tyre. Ndodh kështu për arsye se poezia që kanë përftuar shpreh shpirtin, ngjiz
emrin e tyre dhe lexuesi edhe pse s’ka mundësi ta takojë fizikisht poetin, e
takon poezinë e tij dhe kjo e mban lexuesin të pa shkëputur me të.
Këtu, pos të tjerash,
qëndron rëndësia e poetëve të mëdhenj; e fjalës së tyre poetike që vazhdon të
jetë e gjallë e të komunikojë me atë që e lexon dhe njësohet me të. Duke folur
për rëndësinë e artit Karl Gustav Jung-u thoshte “[...] arti përfaqëson një
proces vetërregullimi shpirtëror në jetën e kombeve dhe të epokave.”
Pikërisht për këtë
fakt arsyetohet shprehja se poetët janë hyjnorë për artin e tyre, për ndikimin
estetik që kanë bërë e vazhdojnë të bëjnë me veprat e tyre. Poeti ynë arbëresh,
De Rada, thoshte se poezia është si profecia, ndërsa Poradeci theksonte se
poezia është hyjnore, i tillë është çdo varg dhe çdo fjalë për arsye se brenda
saj është shkrirë shpirti i poetit.
Gjithë kjo që thashë
lidhet ngushtë me poetin e Sarandës, Agim Maton, i cili këto ditë u nda
fizikisht nga ne; lidhet me poezinë e tij dhe me vlerat që e cilësojnë atë.
Agimi vuajti për
poezinë, e pësoi për poezinë, po ajo ishte dhe kënaqësia e tij, frymëmarrja e
tij shpirtërore. Këtë e përligjin më së miri poezitë e tij.
Në sistemin e
komunistëve ai e pësoi nga poezia, si ndodhi dhe me shumë sivëllezër të tij
krijues në Shqipëri, që, po ashtu, e pësuan rëndë:
U
ndesha me censorë që sterilizonin shpirtrat e poetëve
në
dobi të ca perëndive të rreme që kishin populluar dhunshëm planetin.
Për
shumë kohë penën ma sekuestruan
si
një armë të paligjshme që nuk më takonte ta baja.
Për
shumë kohë: “Sus!... sus!”, më ndëshkonin
dhe ngela pa zërin tim, pa gjuhën time, pa
librat e mi.
(Ti libër)
Mirëpo, pikërisht
dashuria ndaj artit të fjalës, ndaj poezisë, e bëri Agimin jo vetëm t’i
përballojë vështirësitë, po dhe të ndjejë atë kënaqësinë e pazakonshme që ajo
mund t’i shkaktojë poetit: poezia u bë
etje dhe ngushëllim shpirtëror, që u përligj dhe u njësua në shprehjen
poetike të tij, sa të mëvetësishme, po aq të pasur. Kështu u vlerësua nga
studiuesit shqiptarë dhe nga studiuesit italianë.
Tridhjetë vite jetoi
me dashurinë e fshehur për poezinë, të fshehur thellë në qenien e tij dhe kur
mbërrin çasti i pritur aq gjatë ndodhi diçka e rëndomtë:
Kur
zbrita sërish pas tridhjetë vjetësh në minierën
e
braktisur të poezisë
e
po çapitesha në galeritë e lëna përgjysmë,
duke
kërkuar arin e fshehur nëpër guva,
veglat
e mia të punës
të
shpërndara pa kujdes në çaste zemërimi
me
perënditë,
ngurova
papritur dhe ashtu fluturimthi
bëra
të ngjitem lart, ku prej kohësh përgatitesha për
salltanetin
e madh të vdekjes (Mea
culpa)
Agim Mato nuk qe
vetëm poeti i parë i Sarandës me trojet përreth, po dhe frymëzuesi dhe nismëtari
i shumë veprimtarive letrare. Ai, bashkë me Timo Mërkurin, Bardhyl Maliqin e me
të tjerë, e ngritën në nivele të larta bashkëkohore “Klubin të krijuesve jonianë” (Agimi për
shumë vite ishte kryetar i këtij klubi). Klubi u bë i njohur sidomos për takimin tradicional të quajtur “Trirema e poezisë
Joniane”(ide e Agim Matos), në të cilin vite me radhë morën pjesë krijues nga:
Maqedonia, Bullgaria, Greqia, Spanja, Italia etj. Saranda ishte i vetmi qytet
në Shqipëri që e nxiti një bashkëpunim të përmasave të këtilla me poetët e huaj
dhe e vuri në komunikim letërsinë tonë shqipe me letërsitë e tjera.
Natyrisht, merita më
e madhe për këtë, i përket Agim Matos.
Me një fjalë, në
rrafshin letrar e kulturor Saranda u njësua mirëfilli me emrin e Agim Matos, po
edhe ai u njëjtësua me qytetin e tij: organizoi shumë takime letrare, po edhe
nxiti krijuesit e qytetit e të rrethinës që të shkruanin e të botonin.
Për t’u ndihmuar
atyre, e themeloi dhe shtëpinë botuese “Milosao”, që u bë vatra kryesore e
botimeve të veprave letrare të shkrimtarëve të hapësirës joniane. Mirëpo, ai e
kaloi dhe ketë kufij: botoi dhe vepra të autorëve të tjerë: të shkrimtarëve
arbëreshë, të shkrimtarëve të Kosovës dhe të
shkrimtarëve italianë.
Falë aftësisë dhe
këmbëngulësisë së Agim Matos, u krijuan marrëdhënie me disa shkrimtarë të huaj,
sidomos me shkrimtarët italianë të Barit, të Leçes, të Tranit, të Formia-s,
Gaeta-s etj.
Duhet të përmend
sidomos bashkëpunimin shumë të frytshëm me grupin e shkrimtarëve italianë që
janë të bashkuar rreth revistës letrare “La Vallisa” (që botohet rregullisht
tash mbi 40 vite), të prirë nga prof. Daniele Giancane (Xhankane).
Këmbimi i përvojave
me shkrimtarët italianë si dhe botimi i poezive dhe i antologjive në dy gjuhë
(shqip dhe italisht), siç është vëllimi Na bashkon një det. Antologji me
poetë italianë dhe shqiptarë të jugut (Milosao, Sarandë 2016), është punë
që lidhet pandërmjetësisht me emrin e Agim Matos.
Më duhet të përmend
këtu edhe qëndrimin vëllazëror të Agimit përballë shkrimtarëve kosovarë, një
fisnikëri e pafund. Edhe ata ia kthyen këtë të mirë: “Ars klubi Beqir Musliu” i
Gjilanit, i drejtuar nga shkrimtari Sabit Rrustemi, e ftoi në Gjilan dhe
shkrimtarët vendorë e vlerësuan lart poezinë e tij; shtëpia botuese “Faik
Konica” e Nazmi Rrahmanit, i botoi vëllimin me poezi të zgjedhura “Shkretëtirë
harrimi” (Prishtinë 2018), ku janë përfshirë poezitë e tij artistikisht më të
ngritura.
Dhe Agimi ynë i madh
bëri dhe punë të tjera për të mirën e letërsisë sonë e për qytetin e vet,
Sarandën. Bëri pikërisht atë që e thotë Ernest Koliqi për intelektualin në
mendimin e vënë jo rastësisht në krye të këtij shkrimi, që i përgjigjet
mirëfilli poetit Agim Matos.
E kam thënë në një
shkrim tjetër se kur vdes një shok i shtrenjtë vdes dhe një pjesë e jotja,
ndërsa kur vdes një shok dhe poet i madh, vdes një pjesë më e madhe e jotja.
Agim Mato ishte një
poet dhe një shok për shembull.
Mendoj që krijuesit
jonianë të Sarandës duhet t’i vënë emrin e Agim Matos klubit të tyre. Me këtë do ta nderojnë klubin dhe do ta nderojnë
emrin e poetit të tyre e tonin. Kjo do të jetë punë e parë që duhet të bëjnë
ata dhe qyteti i tyre për të vazhduar edhe me nisma të tjera.
Prishtinë,
12 maj 2021