| E marte, 18.05.2021, 08:38 PM |
LIRIA DHE VETËPROJEKTIMI I LIRISË
(eskiz)
Nga
Agron Tufa
Pyetja
“A jemi të lirë?” – është një kërkesë e formuluar paarsyeshëm, me pretendime
absurde për të marrë “përgjigje”, sepse as pyetja dhe as përgjigja nuk janë të
dhëna njerëzore. Për më tepër është një pretendim i një rendi absurd, i
barazvlefshme me pyetjen pa pikë takti e pa pikë etike - “A ekziston Zoti?”. Të vjen të thuash: “Po si
kujtove ti more tyryfil? Kur ekziston ti, pse të mos ekzistojë dhe Zoti?”
Megjithatë,
rikthehemi tek pyetja që e dëgjojmë shpesh të shtrohet: “A jemi të lirë?”
Pyetja është aq e madhe, sa të zë gojën, të bllokon, sapo merr t’i përgjigjesh
- çka do të thotë se dështon qysh në rreshtin e parë. Sepse nuk e dimë ç’është
liria që të mundemi, mandej, t’i përgjigjemi. Më së shpeshti nocionin e lirisë
e lidhin me raportet e saj përballë së Vërtetës. Por dhe e Vërteta është një
nocion po aq abstrakt sa ç‘është Liria. Sepse ne nuk e njohim të Vërtetën, jo
vetëm pse ajo nuk është gjithëherë një e dhënë jo e njëjtë dhe jo vetëm pse ajo
ka dy anë, por edhe pse në rrethana të ndryshme ajo është relative: ajo që për
një rrethanë ka qenë e vërtetë, nuk është më e tillë për një rrethanë tjetër.
Gjuha shqipe nuk ka, me sa di unë, një sinonim tjetër ku e vërteta e rëndomtë
njerëzore e përditshmërisë të mund të dallohej nga e Vërteta Absolute, ajo që
është në instancë të fundit – një dhe e paluajtshme. Ajo që shkapërcën të
vërtetat tokësore dhe nuk mund të vihet në dyshim nga askush.
Pra,
puna ndërlikohet edhe më fort nëse flasim për të Vërteta të Epërme dhe për të
vërteta tokësore: të parat, nëse i ndeshim, janë të papërballueshme dhe na
shkatërrojnë, ndërsa të dytat – i manipulojmë në varësi të interesit, frikës
apo të kontradiktës së papranueshme për ne. Atëherë pyetja “Ç’është liria”? –
shndërrohet pashmangshëm në çështje të qartësisë që kemi ne në raport me të
Vërtetën, që vetëm mandej të mund të hetojmë marrëdhëniet e
pranueshmërisë/papranueshmërisë karshi saj.
Po
nëse qenka kështu, atëherë “papranueshmëria e së vërtetës” a nuk shënon vallë
vetvetiu zgjidhjen e “qartësisë” në lidhje me të Vërtetën, përderisa
pozicionimi kundra saj është bërë tashmë, duke demonstruar me këtë akt një
shkallë të përcaktuar lirie? Më duket se këtu kemi të bëjmë me një nocion
tjetër që quhet zgjedhje dhe se për të bërë qartazi zgjedhjen, duhet
demonstruar vullnet. Edhe në rastet kur liria jote përdoret kundër të vërtetës,
ajo është liri (e demonstruar me zgjedhjen e vullnetshme të pozicionit). I bie
që, sipas kësaj formule, liria të zgjidhë çështje të ndërgjegjegjes, si p.sh.,
“dëshiron të kesh ndërgjegje – kij; nuk dëshiron – mos kij”. Me këtë akt, në të
dyja rastet, shprehet vullneti i të qenit i lirë dhe pyetja “a jemi të lirë”,
gjen zgjidhje të shumëllojshme subjektive. Kësodore, demonstrimi i vullnetit
pro/kundra lirisë kompromentohet me Lirinë si mjet që favorizon
varësinë/ndërvarësinë tënde nga veta, persona, rrethana – të gjitha –
mbështjella atmosferike e ekuilibrave të ekzistencës: të një pale që e
favorizojnë, dhe të tjera që e disfavorizojnë. Dhe njeriu është i lirë të
sillet përballë të Vërtetës vetëm në atë mënyrë, që rezultati i pozicionimit
mos ta çojë në të kundërt të ekzistencës së vet, përndryshe, nëse nuk do ta
bënte këtë, herët a vonë, të gjithë do të konfrontoheshin me të vërtetën dhe se
lirinë nuk do të kishte më kush ta përdorte, thjesht, sepse nuk do të mbetej
frymë e gjallë njeriu që të fliste për të.
Ka
dhe një lloj të veçantë të lirisë, e cila, sado paradoksale, është një koncept
i antipodit të saj, i mosshterrimit të limiteve të saj: është liria si
mosprojektim dhe mosrealizim i vetvetes. Diçka si bllokimi i shtysës së
vetëprojektimit. Kjo e përkundërt është veçse koefiçent i rregullimit të
ekuilibrit, pa të cilën çdo liri gllabëron vetveten në turrin e potencialit të
saj vetështerrues. Shpesh ka natyra apo temperamente, potenciali i të cilave i
tejkalon limitet e vetveteves, duke u shndërruar paralelisht në një lloj “arkivoli” për personalitetet që e bartin
këtë potencial. Një ilustrim të famshëm përbën në këto raste arketipi i
natyrave si Ivan Karamazovi i Dostojevskit me tezën e tij “Gjithçka është e
lejueshme”, pas së cilës hapet një hon përpirës për bartësin e devizës dhe të
tjerët përreth. Rreziku i kthimit të idesë së lirisë në absurd është vënia në
jetë e tezës së Karamazovit. Sepse ne e dimë, si konstrukt logjik, pa i hyrë
një interpretimi moral, që kjo tezë prodhon jo rregull, jo rend, por shtjella
dhe shtëllunga të dendura kaosi. Nëse mbretërimi i kaosit tejkund është
shprehja maksimale e lirisë individuale apo kolektive, atëherë dyert janë të
hapura për çdo arbitraritet – nga perversionet e gjithëmundshme deri tek krimet
më të përbindshme. Duke e refuzuar idenë e lirisë së paskaj, më e drejtë është
t’i afrohesh konceptit të lirisë pikërisht si një koncentrim të madh kufizimi
dhe vetëpërmbajtjeje, kontrolli dhe zotërimi të vetvetes, ngase vetëm në këtë
mënyrë liria do të mund të shndërrohet në një stihi krijuese, në një energji që
ndërton, parasheh dhe vetëprojektohet si botë me ligjësi jokontradiktore.
Abuzimet e frymëzuara apo të provokuara nga mungesat e lirive dhe shfrimi dehës
me idenë e saj, deri dje të tabuizuar, shprehet në shoqëritë post-totalitare,
të ngjashme me një strofë të poetit postmodernist rus Dmitrij Prigov:
Na kërcënon liria,
Liria e paanë,
Pa hyrje dhe pa dalje,
Pa nënën, pa babanë...”
D.m.th.,
liria e privuar prej çdo autoriteti moral, ligjor, shtrëngues e kreativ. Kaosi
që dyndet pas saj është tamam “kërcënim”, pikësëpari sepse shkonturon çdo lloj
profili individual e, rrjedhimisht, kolektiv. Me terma biblikë, do të kishim
një “Sodomë e Gomorrë” shumëplanëshe dhe universale.
Prandaj
le ta lëmë pa e hapur çështjen e Lirisë dhe pyetjen “a jemi të lirë?”, sepse
edhe nëse mund të kuvendohet në këtë temë, duhet folur për të veçse brenda
konstruktit të logjikës së kulluar, jashtë varësisë sonë nga ajo dhe e vërteta.
Sepse është një e dhënë e mendjes, e pazbatueshme, prandaj dhe mjet arbitrar
shantazhi, manipulimi, apeli për rekrutim etj.
Po
nëse ndokush nuk është dakord (çka do të ma kishte qejfi shumë), atëherë le të
na flasë vetë: a ndjehet ai i Lirë? Në raport me çka dhe cila është ajo Strehë
që na bën të ndjehemi të tillë e të mundemi të reflektojmë masën tonë të
vullnetit për t’iu përkushtuar? Vetëmse të na flasë jo për metafizikë të
kulluar morali, jashtë zbatueshmërisë së jetës njerëzore, duke i kuptuar qysh
më parë dëshirat e kujtdoqoftë për t’u përmbyllur në të ashtuquajturën “jetë e
mendjes”... Liria është tendencë, është ide me me mure të pakapërcyeshme për
masën tonë të rëndë e banale prej mishi, është projeksion apo horizont joshës
nga priremi, nga na e tërheq ana, por, ajme, nuk ia kemi takatin. Andaj
ëndërrojmë dhe i përafrohemi, ndonjëherë idealisht, me mendje, por pa e
shijuar, sepse nuk arrijmë të banojmë, të shkelim, të mishërohemi në këtë ide
abstrakte, të kushtëzuar nga një radhë e pafundme konditash. Liria relative po,
është ajo që na bën të ëndërrojmë ngrohtë dhe herë pas herë të ngrefosemi kinse
na duket vetja etalon lirie.
2004