| E hene, 17.05.2021, 09:06 PM |
"Historia e shqiptarëve për të huajt"?! Çfarë do të thotë kjo?
Nga
Prof. Asoc. Dr. Enver Bytyçi
Qeveria
e neo - socialistëve në Shqipëri ka planifikuar miliona dollarë amerikanë për
të shkruar një histori të shqiptarëve, siç e quan ajo, në tri volume, prej
antikitetit e deri në rënien e diktaturës komuniste në vitin 1990. Sipas deklarimeve kjo histori do të shkruhet në tri
volume dhe do të adresohet për studiuesit e huaj. Edhe Ramiz Alia në vitet e
qeverisjes së tij në vitet 1980 inicoi dhe realizoi një tekst të Historisë së
Shqipërisë në katër volume, por pa e specifikuar si destinacion për të huajt.
Duket se ideologjizimi nis që në momentin kur një punim shkencor realizohet me
qëllime propagandistike. Ndryshe nuk kishte kuptim nocioni "Historia e
Shqiptarëve" për të huaj. Ndërkaq është e ditur se studiuesve të huaj nuk
ua imponon askush çfarë referimesh të kenë në kërkimet e tyre shkencore!
Nuk
kam dashur të paragjykoj asgjë për një iniciativë të tillë. Por debatet e
zhvilluara këto kohët e fundit për realizimin e një projekti si ky i kanë
shtuar dyshimet në sensin e dilemës, nëse do të kemi përfundimisht një histori
reale e jo të njëanshme të popullit shqiptar. Historianët e ngarkuar për
realizimin e këtij projekti edhe pse të njëanshëm nga përkatësia nuk do të
kishte sens t'i paragjykonim thjesht për këtë shkak. Në fund të fundit secili
ka të drejtën të mendojë e të besojë atë që dëshiron.
Megjithatë
diskutimet në studiot televizive na japin përshtypjen se këta historianë janë
historianë të llogoreve. Shumica prej tyre qëndrojnë fort në llogoren e
pozicionit doktrinar të diktaturës së komunizmit. Ndonjë prej tyre madje në
konflikt interesi në raportin që ka me vetë familjen e diktatorit. Edhe pse i
kualifikuar për historinë e mesjetës, një historian i tillë nuk ngurron të
flasë p.sh për "nacionalizmin e diktatorit Hoxha"! Ndërsa një bashkëkoleg
i tij e ndan historinë e diktatorit në dy pjesë e në dy ngjyra, bardh e zi,,
gjë që nuk ka ndodhur dhe nuk ndodh në asnjë vend të botës. Ndërkohë ngurron
haptazi të ridimensionojë historinë e Mbretërisë Shqiptare!
Në
vend që të diskutohet metodologjia e hartimit të këtij projekti për historinë e
shqiptarëve, diskutohet përmbajtja ende pa nisur të skedohen dhe sistemohen të
dhënat që ekzistojnë. Dhe ende pa nisur puna, grupi i historianëve që do ta
shkruajë "historinë" ka formuluar qëndrimin për epokat dhe personalitetet
kombëtare shqiptare të historisë. Ajo që
bie në sy në debatet televizive lidhet sidomos me përpjekjet për të justifikuar
krimet e diktaturës komuniste dhe për të rënduar pozitën e Mbretit Zog me
deklarata politike të kohës?! Shkurt, "historianët" e indoktrinuar do
të bëjnë "historinë e paanshme"! Dhe se këta historianë janë të tillë
na njoftuan ende pa nis puna përmes studiove televizive. Na thanë se kjo
histori nuk do të ketë asnjë ndryshim përmbajtësor me tekstet e kaluara.
Për
mua një tekst i Historisë së Shqipërisë është i vonuar. Realizimi i një vepre
të tillë është domozdoshmëri, ashtu si edhe pastrimi i teksteve shkollore dhe
universitare nga indoktrinimi dhe ideologjia e së majtës ekstreme. Një histori e tillë nuk ka pse të cilësohet
si "Histori për të huajt", siç u paraqit projekti në studiot
televizive! Asnjë vend i botës nuk ka dy histori, një për të huajt dhe një për
vendasit! Vetë koncepti "Histori për të huajt", është dëshmi e
politizimit ose njëanshmërisë së këtij punimi. Nëse e pranojmë këtë tezë,
atëherë duhet pranuar se grupi i punës do të bëjë një histori të modelit
komunist, me të cilën t'i paraqesë shqiptarët para botës si njerëz , të cilët
"Në gojë të ujkut hedhin valle"!
Nga
ana tjetër thuhet se kjo do të jetë "Historia e Shqiptarëve" dhe jo
"Historia e Shqipërisë"! Por askush nuk e di se si do të trajtohet
kjo histori! Çdo të thotë "Histori e Shqiptarëve" dhe çfarë është
"Historia e Shqipërisë"?! Nëse deri në vitin 1913 historia e shqiptarëve
ishte e njejtësuar, kjo nuk do të thotë se territoret shqiptare në Ballkan deri
në këto kohë nuk i korrespondonin së paku si njësi gjeografike edhe Shqipërisë!
Nëse pretendohet që të trajtohet si e tillë historia e Shqipërisë pas shpalljes
së pavarësisë së saj e deri sot, në kushtet e vendosjes së sundimit serb në
Kosovë dhe territoret shqiptare përtej kufijve, atëherë kjo histori është e
ndarë në pikëpmje të zhvillimeve politike, demografike, deri diku edhe
kulturore, përveçse zakonore e gjuhësore. Si do të bëhet kjo? A ka historianë të
Kosovës dhe shqiptarë të Maqedonisë të inkuadruar në këtë projekt? Apo
historianët e Tiranës do t'u imponohen atyre në Prishtinë e në Shkup?! Kush do
të merret me Kosovën, me historinë e shqiptarëve të Maqedonisë, atë të Luginës,
shqiptarëve të Malit të Zi dhe me Çamërinë?!
Pa
pretenduar të bëja një punim shkencor në këtë rast për këtë temë, mua më
shqetëson gjithashtu fakti se cila do të jetë metodika e hartimit të kësaj
historie! Do të jetë një kronologji ngjarjesh? Do të jetë një histori vetëm
politike e nacionale, apo edhe me studime në fushën e kulturës, demografisë,
ekonomisë, mirëqenies, besimit fetar për çdo epokë? Historiani i ideologjizuar
do të shkruajë edhe zhvillimet dhe shkallën e emancipimit shoqëror e kulturor,
apo do të ketë studiues të fushës përkatëse?!
Po për strukturën e shoqërisë do të shkruhet?
Dhe
jo vetëm kaq, por në studiot televizive kërkojnë përgjigje disa momente kyçe
gjithashtu. P.sh si do të zhvishet historia jonë nga mitet politike e
historike, të cilat pengojnë të thuhet e vërteta?! A do të flitet për kulturën
në qytet e kulturën në fshat, për arsimimin dhe krijimin e elitave, për
kriminalitetin dhe banditizmin, kur fenomene të tilla e kanë zotëruar sjelljen
e shqiptarëve, për lëvvizjen e popullsisë dhe migracionin, si dhe shkaqet e
tij, duke filluar nga mesjeta e këtej. A do të zenë vend modeli familjar,
reformat e shumta nga antikiteti e deri sot, tradita e zejtarisë dhe
proto-industrializimit, çeshtjet e mentalitetit dhe sistemit ekonomik, ato të
urbanizimit, civilizimit dhe socializimit, si dhe ruralizimit?! Si do të
trajtohet oksidentalizmi dhe antioksidentalizmi në psikologjinë, marërdhëniet
shoqërore, kulturore dhe politike? Çfarë vendi do të zejë raporti midis
mangësive akademike dhe zhvillimeve në këtë fushë, ose ai midis kulturës së
përgjithshme dhe kulturës së lartë të elitave?!
E deri te ajo se cila është shkalla e kulturës politike dhe e
organizimit shoqëror në çdo fazë të zhvillimit historik të vendit! Cili është
(ishte) modeli kushtetues dhe ligjor gjithashtu!
Tri
volumet do të shtrihen deri në vitin 1990, kur u shemb deiktatura komuniste.
Ndërkaq mbeten të palëvruara tri dekadat e fundit. D.m.th do të ketë përsëri
një histori të paplotë. Do të mungojnë në të ndryshimet kushtetuese,
strukturore, ekonomike, politike të post diktaturës. Nuk do të njohin ende
shqiptarët shkaqet dhe pasojat e anarkisë së vitit 1997. Nuk do të mësojnë për
proceset integruese në strukturat euro-atlantike. Nuk do të plotësojnë dijet e
tyre me zhvillimet në Kosovë ose në Maqedoni e e gjetkë ku jetojnë
shqiptarët. Do mungojë historia e
krijimit të shtetit paralel në Kosovë, historia e luftës dhe e bombardimeve të
NATO-s për çlirimin e saj, historia e krijimit të shtetit etj. Pse? Sepse
qeveria dhe Akademia e Shkencave janë në dilemë: - Nuk duan të ndajnë fajet dhe sukseset me të
të tjerët!
Askush
nuk e di gjithashtu, nëse kjo histori do të ketë referenca krahasuese me
fqinjët ose jo si në sistemin politik ashtu dhe në qëndrimet dhe formulimet
politike, në zhvillimin ekonomik e të mirëqenies, në zhvilimin arsimor e
kulturor, në urbanizim e deri te aleancat!
Pra,
do të ketë përsëi një histori skematike me ngjarje dhe personazhe politike e
ushtarake të saj, apo do të kemi një histori gjithëpërfshirëse?! Për t'u dhënë
përgjigje të gjitha këtyre dilemave, që duken proçeduriale e metodike, por në
fakt formësojnë përmbajtjen e punimit, duhet një ekip, i cili të ishte i
zhveshur nga paranojat, konceptet dhe ideologjitë e njëanshme dhe i pandikuar
nga politika ditore! Pikërisht këto i mungojnë këtij projekti shumë të
rëndësishëm për të hartuar një "Histori" të pretenduar për shqiptarët
dhe jo për Shqipërinë!