| E diele, 16.05.2021, 09:00 PM |
NDRYSHIMI I HISTORISË SHPIE NË PËRSËRITJEN E SAJ
Nga
Prof. Xhelal Zejneli
Historinë
duhet ta rishikojnë, jo shqiptarët e sunduar, por sunduesit turq; pra, jo i
sunduari, por sunduesi!
Autoritetet
e sotme të Ankarasë kërkuan prej shqiptarëve të riinterpretojnë historinë
kombëtare që ka të bëjë me periudhën osmane. Me fjalë të tjera, ata kërkuan
prej shqiptarëve ta ndryshojnë historinë e vet. Këtë kërkesë turqit e bëjnë nga
pozicioni i forcës.
Krahas
shqiptarëve, në gadishull jetojnë edhe popuj të tjerë. Një kërkesë të tillë
Turqia, të paktën publikisht, nuk ia ka bërë asnjë populli tjetër të rajonit,
si për shembull grekëve, rumunëve, serbëve, bullgarëve etj. Një kërkesë e tillë
popujve të sipërthënë as që mund të paramendohet.
Korrigjimin
e historisë, autoritetet turke ia kërkuan edhe kryeministrit të Maqedonisë – Vllado
Buçkovskit (1962-), gjatë vizitës së tij në Ankara dhe në Stamboll në vitin
2004. Në konferencën për shtyp në Ankara të kryeministrit turk Rexhep Taip
Erdogan-it (1954-)dhe atij sllavo-maqedonas Buçkovskit, kryeministri turk
deklaroi se me homologun e tij, përpos tjerash ka biseduar edhe për korrigjimin
e historisë.
Historinë
e vet - nën trysni - e ndryshojnë vetëm popujt e parëndësishëm. Shqiptarët nuk
bëjnë pjesë në këtë kategori popujsh. Janë popull i lashtë dhe rrënjës në
gadishull, në brigjet e Jonit dhe të Adriatikut. Janë racë ariane,
indoevropiane. Prej popujve të tjerë i dallon gjuha, e cila është mu në rrënjë
të trungut gjenealogjik të gjuhëve indogjermane (indoevropiane). Rrjedhimisht,
janë populli më i rëndësishëm i rajonit.
Periudha
osmane e historisë së popullit shqiptar është hartuar dhe është shkruar me
kritere shkencore, nga dijetarët më eminentë të kombit. Në të nuk mund të gjesh
as edhe një fyerje të vetme ndaj pushtuesve dhe sunduesve osmanë.
Ata
që parapëlqejnë rishikimin e historisë i referohen edhe një kërkese të
Komisionit Evropian për ndryshimin e gjuhës së urrejtjes në Ballkan.
Është
e vërtetë se Bashkimi Evropian sugjeron dhe parapëlqen që popujt e kontinentit
të mos i përfshijnë në tekstet shkollore të historisë ato njësi mësimore që
mund t’i ndezin ndjenjat nacionaliste dhe të mbjellin urrejtje ndaj një populli
të caktuar.
Mirëpo,
një kërkesë e tillë vlen në radhë të parë për vendet që janë anëtare të BE-së.
Ndërkaq, për vendet që nuk janë anëtare të Unionit, ndonëse synojnë integrimin,
një kërkesë e tillë nuk mund të jetë detyruese.
Përveç
kësaj, Bashkimi Evropian prej vendeve anëtare kërkon të kenë kujdes sidomos për
periudhat historike të kohës më të re, p. sh. për Luftën I Botërore dhe për
Luftën II Botërore. Me fjalë të tjera, Brukseli nuk kërkon revidimin e
historisë së shekujve të kaluar.
Revidimi
i historisë së shekujve të kaluar, më parë se karakter shkencor, ka karakter
politik. Pra, kërkesa e dy ministrave turq, Prof. Dr. Omer Dinçer-it
(1956-) - për Arsim dhe Prof. Dr. Ahmet Davutoglut (1959-) - për
Punë të Jashtme, nuk është veçse kërkesë politike.
Kërkesa
e Ankarasë nënkupton revidimin e historisë, që nga periudha luftërave të Gjergj
Kastriotit, e deri në shpalljen e pavarësisë. Kjo paraqet çhistorizimin
e popullit shqiptar dhe zhveshjen e tij nga një pjesë e madhe e historisë së
vet kombëtare. Të kërkosh prej një populli të ndryshojë një histori
pesëshekullore, do të thotë ta lësh atë popull pa histori. Një popull që do të
pranonte ta ndryshojë historinë e vet pesëshekullore, mbetet pa histori dhe çhistorizohet.
Duke
qenë se as Shqipëria, përkatësisht Kosova dhe as Turqia nuk janë anëtare të
BE-së, atëherë del se sugjerimet e Brukselit për ta zbutur historinë, nuk janë
detyruese për shqiptarët.
In ultima linea, nuk kanë qenë
shqiptarët pushtues dhe sundues të Turqisë. Përkundrazi, është Perandoria
Osmane ajo që e pushtoi Shqipërinë - madje pas një qëndrese çerekshekullore.
Dhe
nëse duhet ndokush ta ndryshojë apo ta riinterpretojë historinë, këtë duhet ta
bëjnë turqit dhe jo shqiptarët. Këtë pra, duhet ta bëjnë ata që kanë pushtuar
toka të huaja dhe që kanë sunduar mbi popuj të tjerë. Dhe jo të sunduarit –
shqiptarët. Kjo i ngjan rrëfimit të ujkut dhe të qengjit: “Mos ma turbullo
ujin” – i thotë ujku qengjit!
Për
qëndresën heroike antiturke të shqiptarëve, sidomos në shekullin XV flet edhe
orientalisti austriak Joseph von Hammer (1774-1856) në veprën “Geschichte
des Osmanischen Reiches”, I-III, 1836. (Përkthimi në gjuhën kroate, Joseph
von Hammer, Historija turskog / osmanskog carstva, 1-3, Zagreb,
1979. Vëllimi I: 1-536 f.; vëllimi II: 5-553 f.; vëllimi III: 5-571 f.
Epoka
osmane e historisë së popullit shqiptar shquhet për dy periudhave të lavdishme:
- e
para, periudha zulmëmadhe e luftërave të popullit shqiptar nën udhëheqjen e Gjergj
Kastriotit (1405-1468) kundër pushtuesve osmanë, që në letërsinë dhe në
artin shqiptar është quajtur moti i madh;
- e
dyta, periudha e Rilindjes Kombëtare Shqiptare, që fillon në vitet dyzet të
shekullit XIX.
Pa
epokën e lavdishme të Gjergj Kastriotit, populli shqiptar nuk do ta kishte
periudhën e Rilindjes Kombëtare. Ndërkaq, pa periudhën e Rilindjes Kombëtare,
shqiptarët nuk do ta kishin pavarësinë. Arritje e rilindësve shqiptarë është
pavarësia e Shqipërisë (1912), d.m.th. shteti shqiptar.
Shteti,
gjëja më e shtrenjtë dhe më e shenjtë e një populli. Me fjalë të tjera, epoka e
Kastriotit në shekullin XV, periudha e Rilindjes Kombëtare në shekullin XIX si
dhe shpallja e pavarësisë në fillim të shekullit XX, janë tri verigat kryesore
të zinxhirit historik të popullit shqiptar për t’u çliruar nga zgjedha osmane.
Pa
Gjergj Kastriotin shqiptarët nuk do ta kishin as Rilindjen Kombëtare; pa
Rilindjen Kombëtare nuk do të kishin as shtet. Shqipëria do të shlyhej nga
harta politike e Ballkanit. Si disa popuj të tjerë pa shtet, edhe shqiptarët -
të përbuzur - do të endeshin udhëkryqeve të botës.
Një
popull që është çliruar nga sundimi i huaj, historinë e shkruan ashtu si do
vetë dhe jo si ia diktojnë të tjerët. Aq më pak – pushtuesit dhe sunduesit.
Natyrisht, duke u bazuar në argumente shkencore.
Kërkesa
turke për ta riinterpretuar historinë, një ditë do të shtrihet edhe në rrafshin
e letërsisë dhe të artit. Letërsia shqiptare e periudhës së Rilindjes
Kombëtare, sikundër edhe e popujve të tjerë të gadishullit, ndërlidhet
ngushtësisht me synimet për t’u çliruar nga sundimi osman. Romantizmi në
letërsinë shqiptare, që lindi me figurën më të shquar të lëvizjes kombëtare
shqiptare Jeronim De Radën (1814-1903) në vitet ’30 të shekullit XIX
ndër arbëreshët e Italisë, trajtoi temat që janë tipike për këtë drejtim
letrar dhe artistik, siç janë: tema e historisë, tema e së kaluarës së
lavdishme, e lashtësisë së popullit, e prejardhjes, e figurave historike, e
gjuhës, e traditave dhe e virtyteve të popullit. Figura qendrore e letërsisë
shqiptare të drejtimit letrar të romantizmit është ajo e Gjergj Kastriotit. Ky
personalitet vigan i historisë së popullit shqiptar ka qenë burim frymëzimi për
studiuesit dhe për krijuesit artistikë shqiptarë, që nga humanistët shqiptarë
në qindvjeçarët XV-XVI e deri në ditët tona.
Ç’nënkuptojnë
turqit me revidimin e historisë së popullit shqiptar?! Të hiqet përmendorja
monumentale e heroit të tyre kombëtar nga fortesa e Krujës legjendare që
përjetoi tre rrethime (1450, 1466, 1467) në të cilat morën pjesë vetë Sulltan
Murati II (1404-1451) dhe Sulltan Mehmeti II i njohur si Mehmeti
Ngadhënjyes (Fatih Sultan Mehmed, 1432-1481), pushtues i Kostandinopojës. Të
hiqet kryetrimi kombëtar nga sheshi i Tiranës, i Prishtinës, i Shkupit dhe i
Dibrës?! Të shmanget antemurales i qytetërimit perëndimor nga
sheshet anembanë metropoleve të Evropës?!
Ç’do
të thotë ndryshim i historisë?! Të digjen si në mesjetë, sipas Index
librorum prohibitorum - poemat e letërsisë shqiptare që kanë për
protagonist qendror figurën e kryezotit të mesjetës?! Figura e Gjergj
Kastriotit është trajtuar artistikisht nëpër shekuj edhe nga krijues letrarë
dhe artistikë të huaj. Por, ndikimi i Ankarasë nuk shtrihet deri atje.
Luftërat
antiosmane të shqiptarëve për liri u trajtuan në mënyrë artistike nga poetë,
romancierë, dramaturgë, piktorë, skulptorë. Sot, kur ish-sundimtarët e kanë
marrë veten, a duhet vallë që edhe veprat e krijuesve artistikë të asgjësohen?!
Ministri
turk i Punëve të Jashtme – Ahmet Dautoglu thotë se historia e shqiptarëve duhet
të riinterpretohet për arsye se qenkësh shkruar sipas urdhrave të Enver
Hoxhës (1908-1985) dhe të Josip Broz Titos (1892-1980)!
Po
letërsia dhe arti shqiptar i periudhës së viteve 1836-1944, që prej “Këngëve
të Milosaos”, (Napoli 1836) e këndej, që midis tjerash trajton artistikisht
edhe temën e qëndresës antiosmane të popullit shqiptar – pa diktatin e Enverit
dhe të Titos – a duhet vallë të ndryshohet, të ndalohet, të seleksionohet dhe
të asgjësohet?!
Ankaraja
duhet të dallojë në mënyrë të qartë marrëdhëniet politike ndërmjet dy vendeve:
Shqipërisë, përkatësisht Kosovës, në një anë dhe Turqisë, në anën tjetër - nga
raportet historike të të dy popujve: popullit shqiptar dhe atij turk. Pa një
dallim të këtillë, Ankaraja nuk ka për të qenë në ndihmë të shqiptarëve.
Po
qe se shqiptarët, me kërkesën e Ahmet Davutoglut, e ndryshojnë historinë,
ndërkaq popujt e tjerë të Ballkanit nuk e bëjnë një gjë të tillë, atëherë
shtrohet pyetja: “Në ç’pozitë bien shqiptarët, përballë fqinjëve të tyre
ballkanikë”?!
Dikur
historianët serbë dhe grekë shkruanin: “Gjatë sundimit të Perandorisë Osmane
në Ballkan, shqiptarët kanë qenë në shërbim të Stambollit. Si të tillë, ata nuk
kanë luftuar për t’u çliruar nga zgjedha e turke”.
Shkrimet
e tilla të historiografisë serbe, greke dhe ruse inteligjencia shqiptare për
një i konsideronte si tendencioze dhe thellësisht antishqiptare. Historianët
shqiptarë ndërkaq, shkrimet e tilla i hodhën poshtë në mënyrë shkencore.
Ç’ndodh
sot?! Po ndodh diçka absurde dhe e pabesueshme!! Disa historianë shqiptarë të
specializuar për periudhën osmane të popullit të vet (osmanologë) ngulmojnë se
kjo periudhë për shqiptarët nuk ka qenë sundim por administrim. Sot, vetë
shqiptarët i konfirmojnë shkrimet kuazi-shkencore të studiuesve
sllavo-bizantinë për periudhën osmane të historisë së popullit shqiptar
Tash
e tutje, kundër interesave jetike të shqiptarëve, s’ka nevojë më të shkruajnë
serbët, grekët dhe rusët. Kështu sepse, këtë e bëjnë me devotshmëri vetë
shqiptarët. Janë i vetmi popull i rruzullit që lufton kundër vetes e që vë në
lojë identitetin e vet.!! E paparë kjo, në historinë e botës!! Me pikëpamjet
kundër vetvetes, shqiptarëve do t’ua kishin zili edhe akademikët serbë.
Në
këtë dance macabre bën pjesë kolona e pestë: kuislingët,
mercenarët dhe shqiptarët e ndershëm të llojit të sejdo-bajramoviqit
(“përfaqësues” i Kosovës në Kryesinë e RSFJ-së në kohën e Sllobodan
Milosheviqit*). Ndër ta ka edhe klerikë, analistë politikë, drejtues të
mediumeve, veprimtarë të shoqatave humanitare, pseudo-historianë. Kuptohet –
edhe politikanë të shitur për pesë para. (Emra të tjerë “shqiptarësh të
ndershëm” nuk përmendim në shenjë konsiderate ndaj familjeve të
tyre, që u distancuan prej bijve dhe vëllezërve të vet).
Shënim: Sllobodan Millosheviqi (1941-2006)
ishte jurist. Babai i tij quhej Svetozar, nëna Stanisllava. Prindërit u
shkurorëzuan pak vite pas lindjes së Sllobodanit. Babai ishte prift i Kishës
Ortodokse Serbe. Më 1962 bëri vetëvrasje. Nëna Stanisllava ishte
mësuese shkolle. Më 1974 vrau veten duke u varur.
* * *
Ka
që thonë se gjatë periudhës osmane shqiptarët zinin poste të larta perandorake.
Turqit, elitën shqiptare e shpërblenin me favore dhe privilegje. Gjatë
shërbimit në pushtetin otoman, shqiptarët shquheshin me zellin, devotshmërinë
dhe luajalitetin. Nga dinastia e familjes me famë të Qypryllinjve
(me prejardhje shqiptare), gjatë shekujve XVI-XVII dolën pesë kryevezirë.
Gjatë pesë shekujve të Perandorisë Osmane dhjetëra vezirë (rreth 47 sish) kanë
qenë me origjinë shqiptare.
Shënim: Vezir ka kuptimin ministër, guvernator
krahine, kryetar vilajeti; Vezir i Madh ose kryevezir – gradë më
e lartë e qeverisjes në Turqinë e kohës së sulltanit.
* * *
Është
më se e qartë se qeveritarët e Perandorisë, me prejardhje shqiptare, nuk i
sollën popullit të vet ndonjë të mirë të veçantë.
Mirëpo,
historinë e popullit shqiptar nuk e krijuan ata që i qëndruan besnikë Portës së
Madhe edhe pas shembjes së saj. Histori krijuan dhe në histori hyrën ata
që kishin ideale të larta dhe që u flijuan për kauzën e madhe. Vepra historike
nuk krijojnë ata që luftojnë për interesa meskine, por ata që kanë ideale madhore.
Për
kuazi-historianët, sundimi osman mbi shqiptarët nuk ka qenë pushtim dhe sundim,
por administrim dhe shpëtim. Mirëpo, shumë shqiptarë që nuk e pranuan fenë
islame, për arsye të ndryshme u detyruan t’i lënë vatrat e stërgjyshërve. Pa i
llogaritur shqiptarët që u shpërngulën në Itali pas vdekjes së Gjergj
Kastriotit, shumë shqiptarë kërkuan strehim në Greqi, në Rumani, në Bullgari,
në Ukrainë, në Zarë të Kroacisë, në Vojvodinë (fshatrat Nikinci
dhe Hërtkovci të themeluar nga fisi Kelmendi që u
shpërngulën nga Kosova pas luftës austro-turke të vitit 1683-99;
duke qenë se banorët ishin të fesë katolike, radikali serb
Vojisllav Sheshel (1954-), më 1993 fshatrave ua vuri flakën, duke e dëbuar
popullsinë për në Kroaci).
Shumë
shqiptarë u vendosën edhe në vende të tjera të botës. Po qe se sundimi osman
mbi shqiptarët paska qenë administrim dhe shpëtim, atëherë çka i shtyri
shqiptarët që në periudha të caktuara të çohen në kryengritje antiosmane?! Cila
e mirë i shtyri t’i lënë vatrat stërgjyshore?!
A ka
qenë prania osmane sundim ose jo, këtë e kanë ditur më së miri ata që janë
ballafaquar me formacionet e ndryshme të ordive perandorake, si dhe me
pushtetin perandorak. Frang Bardhi (1606-1643) është autor i fjalorit të
parë shqiptar “Fjalor latinisht-shqip” (Dictionarium latino epiroticum,
Romë 1635). Kjo është e para vepër në gjuhën shqipe pa përmbajtje
fetare të drejtpërdrejtë. Ndërmjet tjerash, vepra përmban edhe 113
proverba dhe fjalë të urta (e para përmbledhje e tillë). Një prej fjalëve
të urta, përkatësisht sentencave që e ka thënë populli shqiptar para rreth 400
vjetësh, thotë: “Tek shkel turku, nuk mbin bar”.
Kalvari
i popujve, i shkaktuar nga bajonetat e ushtrive të huaja, nuk mund të
përjetohet nga ex-katedrat e akademikëve. Në të kaluarën, për t’iu përshtatur
sistemit të pushtuesit, d.m.th. për t’u integruar në shoqëri dhe për t’u
asimiluar, një populli i nevojiteshin dekada, në mos dhe shekuj. Faza e
integrimit ka qenë e dhimbshme.
A
mund ta përfytyrojë ndokush sot eksodin biblik nëpër Adriatik dhe
Jon të arbëreshëve pas vdekjes së Gjergj Kastriotit - drejt
Kalabrisë dhe Sicilisë?! Një perandori, për t’u konsideruar dobiprurëse për një
popull që ka qenë pjesë e saj, duhet që pas shpërbërjes, populli i sunduar (apo
edhe i administruar):
- të
ketë ruajtur njësinë tokësore;
- të
ketë ruajtur gjuhën;
- të
ketë ruajtur fenë e të parëve të vet;
- të
ketë ruajtur folklorin dhe etnografinë e vet;
- të
ketë ruajtur kujtesën historike;
- të
ketë krijuar klasë dhe elitë intelektuale;
- të
ketë krijuar klasë dhe elitë politike;
- të
ketë krijuar determinantë historikë dhe sociologjikë;
- të
ketë shënuar zhvillim ekonomik;
- të
ketë ruajtur vetëdijen kombëtare;
- të
ketë ruajtur identitetin kombëtar;
- të
ketë ndërtuar institucione kombëtare.
Në
çastin e shpërbërjes së perandorisë, populli që i ka ruajtur apo që i ka
krijuar vlerat e sipërthëna, ka mundësi të rezultojë si subjekt politik i
mëvetësishëm.
Pas
zhbërjes së perandorisë, populli që ka qenë pjesë e saj, e që nuk i ka ruajtur
apo që nuk i ka krijuar kategoritë e mësipërme rezulton: i asimiluar;
pjesërisht i asimiluar; pa subjektivitet politik ose me subjektivitet politik
të pjesshëm. Në rast të tillë, për popujt e asimiluar, pjesërisht të asimiluar,
pa subjektivitet politik ose me subjektivitet politik të pjesshëm perandoria
konsiderohet pushtuese dhe sunduese.
Gjatë
sundimit të Perandorisë Osmane:
-
shqiptarët nuk krijuan institucione kombëtare;
- në
zona urbane të caktuara, në vend të gjuhës shqipe, mbizotëroi turqishtja;
-
një pjesë e shqiptarëve u konvertuan në fenë islame;
- në
rajone të caktuara u godit rëndë kujtesa historike e shqiptarëve;
-
shqiptarët nuk arritën të krijojnë klasë dhe elitë intelektuale relevante;
-
shqiptarët nuk arritën të krijojnë klasë apo elitë politike nacionaliste që do
të mund të ishte në krye të përgjegjësisë historike;
- në
shekullin e kombeve (shek XIX), për dallim nga popujt e tjerë të Ballkanit,
shqiptarët nuk patën elitë politike nacionaliste;
-
shqiptarët nuk arritën të krijojnë determinantë sociologjikë dhe historikë që
do të ishin promotorë të proceseve politike;
- u
rrezikua edhe vetëdija kombëtare e shqiptarëve;
- u
rrezikua edhe identiteti kombëtar i shqiptarëve;
- në
kohën kur Turqia e humbi luftën ballkanike (1912) dhe Shqipëria pas
kryengritjeve të përgjithshme antiosmane (1909-1912) u shpall e pavarur,
shqiptarët nuk ia dolën të ruajnë tërësinë tokësore.
Nga
kjo rezulton se periudha osmane për shqiptarët ka qenë pushtim dhe
sundim. Në faza të caktuara, perandoritë dobësohen. Gjatë luftërave me fuqitë e
tjera, ato humbin edhe territore. Gati si rregull, fuqive ngadhënjyese ua
dorëzojnë provincat e perandorisë, d.m.th. tokat e huaja. Por, kur ishin në
pyetje tokat turke të Perandorisë, Stambolli luftonte deri në pikë të fundit.
Përkundër
kësaj, ka mercenarë dhe kuislingë që thonë se Perandoria Osmane s’paskësh qenë
sundim por administrim, madje edhe çlirim!! Individë dhe grupe shoqërore të
popullit të sunduar, për interesa vetjake kanë qenë të integruar në shoqërinë e
pushtuesit dhe të sunduesit. Rrjedhimisht, ata kanë qenë edhe në shërbim të
tij. Po të jesh sot në shërbim të ndonjë pushtuesi apo sunduesi, shpallesh
tradhtar.
Ngecja e shqiptarëve në shekullin e kombeve - Kah mesi i shekullit
XIX, kur serbët dhe grekët hartonin projektet e tyre - “Naçertanien”
(1844), përkatësisht “Megali idenë” (1844) për t’i formuar shtetet e
veta kombëtare, Naum Veqilharxhi (1797-1846) mezi ia doli të përpilojë
një abetare tetëfaqëshe (“Ëvetari”, 1844). Ëvetari i Naum Bredhit
shënon fillimin e pranverës shqiptare drejt lirisë. Në agimet e historisë
politike të kohës më të re të popullit shqiptar në Ballkan lindi edhe qarkorja
e tij.
Në
shekullin e kombeve popujt e Ballkanit: grekët, rumunët, serbët, malazeztë,
bullgarët arritën të fitojnë pavarësinë nga Perandoria Osmane. Shqiptarët
ndërkaq, nuk ia dolën. Nuk kishin një elitë politike kombëtare që do të ishte
në krye të përgjegjësisë historike.
Dhe
në këtë mes, vetvetiu shtrohet pyetja: Në shërbim të kujt kanë qenë qeveritarët
e Perandorisë Osmane - me prejardhje shqiptare?! Një popull që ndryshon
historinë e vet mohon veten, punon kundër vetvetes, manifeston krizë identiteti
dhe vë në dyshim qenien kombëtare.
Përshtatja
e historisë objektivave turke do t’i konfirmonte pohimet serbe dhe greke se
shqiptarët janë përçues të interesit turk në rajonin e krishterë dhe në Evropën
katolike e protestante. Në fund të fundit, Ankaraja nuk duhet të brengoset
gjithaq për rishqyrtimin e historisë së popullit shqiptar. Kështu sepse
shqiptarët, edhe pa këtë rishqyrtim, nuk e dinë sa duhet historinë e vet.
Sikur ta dinin, një kërkesë e tillë nga pushteti turk as që do të shtrohej.
Me
ardhjen e turqve në gadishull, u ndërpre në lule të moshës veprimtaria e
humanistëve shqiptarë - Gjon Gazullit (1400-1465), Marin Barletit (1450-1512),
Mikel Marulit (1453-1500), Leonik Tomeut (1456-1531), Maksim
Grekut (1480-1556), Marin Beçikemit (1468-1526).
Sundimi
osman mbi shqiptarët e ndërpreu edhe traditën e shkrimit shqip të filluar nga Gjon
Buzuku (shek.. XVI), Lekë Matrënga (1567-1619), Pjetër Budi (1566-1622),
Frang Bardhi (1606-1643), Pjetër Bogdani (1630-1689). Lidhjet e
shqiptarëve me botën perëndimore – u ndërprenë.
Sipas
përfaqësuesve të mendimit politik shqiptar, islamizimi i shqiptarëve paraqet
për ta aksident historik që:
- e
ndërpreu zhvillimin e shqiptarëve në frymën perëndimore;
- e
vështirëson riintegrimin e shqiptarëve në familjen perëndimore.
Përkundër
kësaj ndërprerjeje, do të ishte johistorike ta projektosh pozitën e shqiptarëve
jashtë gjirit perëndimor.
Gjatë
sundimit osman shqiptarët u asimiluan, jo vetëm në pikëpamje fetare por edhe në
atë kombëtare. Deri vonë ke mundur të hasësh shqiptar i cili pyetjes: Ç’je me
kombësi? i përgjigjej: “Turk, elhamdulilah!” Ndonëse, me përjashtim të
huazimeve, nuk dinte asnjë fjalë në gjuhën turke. Me fjalë të tjera, feja
islame identifikohej me kombësinë turke.
Shkrimtari
serb apo boshnjak i cili deklarohej serb, Mesha Selimoviq (1910-1982)
thotë: “Asgjë në histori nuk ka mundur të ndodhë ndryshe përpos siç ka
ndodhur”.
Duke
qenë se gjatë sundimit osman u shlye edhe kujtesa historike e popullit
shqiptar, këtij populli iu desh një rilindje kombëtare.
Tragjizmi shqiptar arriti kulmin në Londër
(1912-1913), kur trojet e Arbërisë u ndanë në katër copa: në
gjysmë-Shqipëri, në Greqi, në Serbi dhe në Mal të Zi. Më vonë edhe në dy copa
të tjera: në Kosovë Lindore dhe në Maqedoni. Gjithsej gjashtë. Si asnjë popull
tjetër në botë.
Për
këtë tragjedi të popullit shqiptar, autoritetet turke duhet t’u kërkojnë
shqiptarëve falje dhe jo riinterpetim të historisë. Tragjizmi shqiptar troket
në ndërgjegjen e Ankarasë së sotme.
Të
vonuar në histori dhe pa potencial intelektual dhe politik të duhur, shqiptarët
as që mund të pritnin diç më shumë nga gërshërët londineze. Nuk mund të
krijohej Shqipëria etnike duke ndenjur – deri në momentin e fundit - në
parlamentin turk. Nga kolltukët e atij
parlamenti, mund të krijohej jo më shumë se një gjysmë-Shqipërie.
Përsëri
shtrohet pyetja: Kujt i shërbyen qeveritarët me prejardhje shqiptare të
Perandorisë Osmane?!
Edhe
në kohën e Josip Broz Titos ka pasur shqiptarë që kanë qenë në maje të
piramidës së shtetit të sllavëve të jugut – Jugosllavisë federative. Mirëpo,
gati të gjithë u varrosën në Novo groble (Varrezat e reja) të Beogradit.
Në dheun e Kosovës, për ta s’pati vend. Të tillët nuk e krijuan historinë e
Kosovës. Duke qenë turpi i Dardanisë, ata u shndërruan në metaforë të tradhtisë
së lartë dhe mbetën në anën e kundërt të historisë.
Popujt
e Evropës vërtet kanë bërë ndryshime të caktuara në tekstet shkollore të
historisë, por këtë e kanë bërë në mënyrë të ndërsjellë. Francezët dhe
gjermanët tri herë kanë luftuar ndër vete. Për të ndërtuar një kontinent të
qetë dhe me perspektivë, brezat e ri i edukojnë në frymën e bashkëjetesës dhe
jo të të kaluarës së përgjakshme. Historinë duhet ta rishikojnë, jo shqiptarët
e sunduar, por sunduesit turq. Pra, jo i sunduari, por sunduesi.
Gjatë
historisë së kohës më të re, Serbia dhe Greqia kanë kryer gjenocid ndaj
shqiptarëve. Prej luftës ruso-turke më 1877 e deri në ditën e çlirimit
të Kosovës më 1999, serbët ndaj shqiptarëve kanë bërë krime përmasash të mëdha.
Të njëjtën ndaj shqiptarëve e kanë bërë edhe andartët grekë dhe zervistët.
A
thua një ditë, edhe serbët dhe grekët, me sugjerimet dhe me kërkesat e
Brukselit, do të kërkojnë prej shqiptarëve që ta riinterpretojnë historinë?!
Për pajtimin e popujve kolonizues me popujt e kolonizuar, më parë se rishkrimi
i historisë, nevojiten veprime të tjera. Serbët dhe grekët, në radhë të parë
duhet t’ua kthejnë shqiptarëve tokat e pushtuara, t’u paguajnë zhdëmtim dhe t’u
kërkojnë falje.
Si
mund ta riinterpretojnë historinë myslimanët (boshnjakë) me mbi 100 mijë të
vrarë, përfshirë edhe masakrën e Srebrenicës?! Një ditë serbët mund t’u thonë
shqiptarëve: “Në Jugosllavinë federative, sidomos pas Kushtetutës së vitit
1974, i keni gëzuar të gjitha të drejtat. Shqiptari ka qenë: nënkryetar i
Kryesisë së RSFJ-së, kryetar i Kryesisë së RSFJ-së, kryetar i Kuvendit të
RSFJ-së, kryetar i Komitetit Qendror të LKJ-së (Lidhjes së Komunistëve të Jugosllavisë),
kryetar i Lidhjes së Rinisë Socialiste të Jugosllavisë, sekretar
(ministër) federativ. Keni qenë ambasadorë në shumë vende prestigjioze të
botës. Keni pasur shkallën më të lartë të autonomisë; keni pasur qeveri,
parlament, universitet në gjuhën amtare, akademi shkencash dhe artesh,
veprimtari kulturore; keni qenë element përbërës i federatës…Dhe përsëri thoni
se keni qenë të pushtuar, të robëruar, të kolonizuar, të eksploatuar!! Dhe
gjithmonë jeni rebeluar!!”
E
vërteta është se prej vitit 1877 e deri në vitin 1999 Serbia i pushtoi tokat
shqiptare dhe ndaj tyre ushtroi gjenocid. Që nga dita e pushtimit, shqiptarët
kanë pasur një synim të vetëm: çlirimin nga zgjedha e huaj dhe kthimin në
gjirin e vendit amë – Shqipërisë.
Historinë
e shqiptarëve nuk e krijojnë shqiptarët që u ngjitën në majën e piramidës së
shtetit të sllavëve të jugut në të cilin dominonin serbët, por ata mbi të cilët
ideologjia garashaniniste qëndroi si shpatë e Demokleut,
ata që ecën tehut të shpatës dhe liri kërkuan ndër shekuj, duke qëndruar të
patundur - si një mal i vetmuar.
Historia
e dëshmon se popujt që kanë qenë nën sundimin e perandorive, rëndom janë
asimiluar. Gjuha e tyre është bërë gjuhë e vdekur. Me shpërbërjen e
perandorive, popujt që kanë mbijetuar, i kanë formuar shtetet e veta kombëtare.
Ndryshimi
i periudhës osmane të historisë së popullit shqiptar mund të ketë reflektim
negativ, të brendshëm, por edhe të jashtëm:
- e
para, shqiptarët janë popull që u përkasin tre konfesioneve: katolike,
ortodokse dhe islame. Shqiptarët e fesë katolike dhe ata të fesë ortodokse,
kërkesën e Ankarasë do ta hidhnin poshtë në mënyrë të prerë;
- e
dyta, përmbushja e kërkesës turke për rishikimin e historisë do të ndikonte në
prishjen e harmonisë fetare, duke shkaktuar ndër shqiptarë edhe përçarje mbi
baza fetare;
- e
treta, fuqitë historike të kontinentit të vjetër dhe qendrat politike të tyre
si: Roma, Berlini, Vjena, Parisi dhe Londra, përkundër kërkesës së Brukselit
për shmangien e gjuhës së urrejtjes nga faqet e historisë, përmbushjen e kërkesës
turke nga shqiptarët, nuk do ta shikonin me sy të mirë. Dhe do të thoshin:
Shqiptarët janë pro-turq.
Rishikimin
e periudhës osmane të historisë së popullit shqiptar Ankaraja e kërkoi edhe
prej autoriteteve të Kosovës. Duhet ditur se kjo periudhë e historisë së
popullit shqiptar, që nga çasti i pushtimit të Shqipërisë nga turqit më 1479 e
deri në ditën e shpalljes së pavarësisë (1912) është histori e përbashkët dhe e
pandarë e kombit shqiptar në Ballkan. Është një histori.
Me
fjalë të tjera, pa pëlqimin e Tiranës, Kosova nuk ka të drejtë t’i qaset
rishikimit të periudhës së sipërthënë të historisë së popullit shqiptar.
Shqiptarët në Ballkan dhe në diasporë flasin një gjuhë, kanë një histori dhe
janë një komb. Po qe se autoritetet e Prishtinës do ta zbatonin kërkesën turke
për rishqyrtimin e historisë, kjo do të shkaktonte përçarje edhe ndërmjet
Shqipërisë dhe Kosovës.
Çështja
e rishikimit, e rishkrimit dhe e riinterpretimit të historisë së një populli
nuk është çështje politike, por shkencore. Me historinë duhet të merren
historianët dhe jo politikanët. Rishikimi i historisë së një populli është e
drejtë dhe detyrë e institucioneve shkencore të një kombi, siç janë Akademia e
Shkencave, institutet përkatëse, katedrat e universiteteve, nën premisën që të
jenë jashtë ndikimeve politike.
Natyrisht,
shqiptarët për çdo dështim të vetin gjatë historisë dhe sot, nuk duhet ta
fajësojnë Turqinë. Në mesjetën e hershme, serbët dhe bullgarët i krijuan
mbretëritë e tyre. Shqiptarët jo. Atëherë mbi shqiptarët nuk sundonin turqit.
Nga kjo shihet se shqiptarët nuk posedojnë kapacitet të mjaftueshëm shtetformues
dhe shtetndërtues. Ndryshimi i historisë shpie në përsëritjen e
saj.
Kurdistani është një rrafshnaltë dhe rajon malor në
Lindjen e Mesme, në jug të Kaukazit. Në të hyjnë vise të Turqisë, të Irakut
verior, të Iranit perëndimor, të Sirisë lindore, të Armenisë dhe të
Azerbajxhanit. Prej shekujsh ka qenë atdheu tradicional i popullit kurd.
Krijimi i një shteti të veçantë të Kurdistanit u propozua nga Aleatët pas Luftës
I Botërore, por ky propozim u braktis më 1923 kur Turqia ripohoi pushtetin
territorial mbi këtë rajon. Ndonëse zyrtarisht nuk njihet si shtet, banorët e
quajnë rajonin Kurdistan.
Kurdët
janë popull mysliman arian kryesisht baritor, që flet një dialekt të persishtes.
Sipas burimeve britanike, janë afro 20 milionë dhe prej 3000 vjetësh (Sipas
disa burimeve, në Turqi jetojnë 10,4 deri 14 milionë kurdë). I kanë ruajtur
gjuhën dhe traditat e veta kulturore, por kurrë nuk janë bashkuar nën një
sundimtar të vetëm.
Në
shekullin XIX lëvizjet kombëtare kurde vepruan të veçuara nga njëra-tjetra në
secilin nga vendet që përfshin Kurdistani. E para kryengritje e madhe kurde ka
ndodhur në Turqi më 1925, por vetëm kur u themelua ilegalisht Partia
Demokratike Kurde në Turqi më 1967 nacionalizmi militant përfshiu të pesë
provincat juglindore të Turqisë. Më 1984 kryengritjet e kurdëve në Turqi u
ripërtërinë. Ankaraja i quan terroristë. Në vitet ‘60 dhe në fillim të viteve
’70 të shek. XX kurdët organizuan kryengritje kundër qeverisë së Irakut.
Pas
revolucionit iranian (1979) pati një rritje të disidencës kurde në Iran.
Vëmendja ndërkombëtare u përqendrua te kurdët më 1988-89, kur Iraku nisi
zbatimin e politikës së shpopullimit të zonave kurde në kufi me Turqinë, dhe më
1991 kur, pas Luftës së Gjirit, qeveria e Irakut rifilloi fushatën e vet kundër
kurdëve në Irakun verior. Ali “kimisti” përdori ndaj tyre edhe helme kimike. Më
pas, për kurdët e Irakut verior u vendos “hapësira ajrore e sigurt”.
Të
supozohet se një ditë do të krijohet shteti i kurdëve. Kryengritjet e tyre
përballë Turqisë, Irakut dhe Iranit të shuara në gjak, do t’i shënojnë në
historinë kombëtare të vet.
Shtrohet
pyetja: A do të kërkojnë autoritetet e Ankarasë, të Bagdadit dhe të Teheranit
prej kurdëve riinterpretimin e historisë ku përshkruhen bombardimet, tanket,
burgjet, dënimet drakonike dhe helmet e Ali “kimistit:?!
Për
të kërkuar riinterpretime të historisë, pushtuesit dhe sunduesit problemet e
popujve që aspirojnë lirinë duhet t’i zgjidhin me dialog dhe jo me politikën e
forcës. Nuk burgoset një popull i tërë. Aq më pak në shekullin XXI.