| E marte, 11.05.2021, 09:40 PM |
Blerim Latifi:
Kjo
dashnia e papërmbajtur e disa kosovarëve për Palestinën është edhe trashëgimi e
Titos, pra jugonostalgji. Më së paku ka të bëj me dhimbjen për viktimat e
pafajshme të konfliktit izraelito-palestinez. Lexoni artikujt e Rilindjes të
viteve '60 e '70 dhe do ta shikoni sesa janë të ngjashëm me këta tipat e sotëm
që dënojnë Izraelin dhe mbështesin organizatën terroriste, Hamasin. Qysh ka
qenë ajo parulla pas vdekjes së Titos: I posle Tita, Tito! Edhe pas Titos,
Tito!
________
Vjen
një ditë një pushtues i egër nga larg dhe ta merr tokën, atdheun dhe shtëpinë e
trashëguar nga të parët. Një ditë ti nuk duron më dhe ngrihesh në kryengritje
kundër pushtuesit. Ai është më i fuqishëm se ti dhe reagon në mënyrë mizore
ndaj revoltës tënde. Ta djeg shtëpinë, tempullin dhe të detyron të largohesh
njëherë e përgjithmonë nga toka e babës. Kalon kohë e gjatë dhe ti rropatesh
nëpër dyert e botës, i nëpërkëmbur, i përbuzur dhe i keqtrajtuar nga të tjerët
që të quajnë të huaj dhe për hallet e tyre të bëjnë fajtor ty. Një ditë ti
vendosë të kthehesh në tokën prej të cilës të dëbuan dikur moti. Ditën që
kthehesh e sheh se mbi gërmadhat e shtëpisë tënde, fqinji yt ka ndërtuar
shtëpinë e tij dhe mbi rrënojat e tempullit tënd e ka ndërtuar tempullin e tij.
Ti i afrohesh, nxjerr tapitë e lashta për t’i treguar fqinjit se shtëpinë e tij
e ka ndërtuar mbi themelet e shtëpisë tënde dhe mbi rrënojat e tempullit tënd e
ka ndërtuar tempullin e tij. Fqinji yt të shikon shtrembër dhe të thotë : Ti
kurrë nuk ke qenë këtu dhe ik nga erdhe! Ti nuk tërhiqesh nga e drejta jote
historike, e as fqinji yt nga pretendimi i tij. Ti ia përplas fytyrës tapitë e
tua të lashta, ai ty tapitë e tij të reja. Dhe kështu fillon urrejtja dhe
lufta. Ti je hebreu, e fqinji yt është arabi. Skena e dramës është Jerusalemi.