| E hene, 10.05.2021, 08:28 PM |
TRIUMVIRATI YNË I COCA-COLA-s
Nga
Agron Tufa
...Një
pasditë shtatori të vitit 1990, kur bateria jonë kishte mbaruar stërvitjen e
zakonshme me topat 120 m.m fushorë, shokun tonë, Paulinin, e thirrën jashtë
rrethimit në takim me familjen. Isha shtrirë në krevatin tim të merrja një sy
dhe madje po dremisja një surrogato gjumi, kur ndjeva shkundjen e kujdesshme të
Paulinit. Sa hapa sytë ndesha fytyrën e tij të përkulur aq afër e me gishtin
nër buzë, sa u binda për rëndësinë e ndonjë sekreti.
-
Hajde, më hap bibliotekën, - tha. – Kam sjellë një gjë të çuditshme, - shtoi me
pëshpërimë.
-
S’të priste puna që vjen e më prish gjumin kështu, pa teklif? – i thashë tek
ngrihesha prishaqefas.
-
Hajde, hajde se kam me t’kallxue diça... po dhe due me shestu nji mende. Veçse
kadalë, pa ra fort në sy!
-
Heu! Pa ta shohim, - thashë nëpër dhëmbë dhe kaluam qetësisht përmes kapanonit,
dolëm në koridor e fill mandej, nxorra çelsat e bibliotekës, mbyllëm derën dhe
Paulinin menjëherë hapi çantën ushtarake të krahut.
Qeshë
mësuar si përgjegjës biblioteke që t’u ruaja ushtarëve edhe sende të çmuara
personale, ndonjë shishe pije, rroba civile e para, prandaj nuk ndjeva
kurrëfarë kurreshtjeje të veçantë. Por Paulini qe i emocionuar. Nxorri disa
rroba, kryesisht Bluza, një palë xhinse – që të gjitha rroba të huaja – dhe më
në fund, ç‘mbështolli prej një gazete “Puna” një shishe plastike të madhe e të
çuditshme, përplot lëng të errët brenda. Në etiketën e saj – me shkrim elegant
dore në ngjyrë të kuqe shkruhej “Coca-cola” si dhe të dhëna të tjera në
anglisht, të cilat ne, mjerisht, nuk i kuptonim.
-Kush
ta solli mër gamor, - e pyeta duke imituar grupin e tironsave tanë.
-
Nigio si asht puna, - ftilloi ai. – Kanë kenë për vizitë dajat e nans teme prej
Ameriket. Kanë pru dhurata për gjithkend, tesha ma shumë, po i kët shishe ua
kishin mbajt n’doganë. Ata kanë ika ka i javë e shishja u kishte ardhë dje
nadje. Vllau ma dha se vetë kishte pas frikë me e çilë pse thot se asht drogë.
Edhe pse ma dha m’porositi mos me e çilë... Si po ia bajmë? A thue me e provue?
Thaç mos mer erë ti... noshta e njeh ma mirë se je i lexuem... A menjimend asht
drogë?
-
Me sa di unë, drogë është... ma e rrezikshmja...
-
Nuk e di... vendose vetë, ja ta hjedhim mbas repartit, n’trapin n’mjedis
t’shegve t’egra, ja ta provojmë. Si thue?
-
Ta provojmë?
-
Po mor, po drogohena edhe na i herë, nami u baftë!
E
shkunda fort shishen që shkumëzoi firrishëm sikur të ndrynte brenda shtatqind
shejtanë. Masandaj i thashë Paulinit se “asht dam” me e flakë dhe në qoftëse e
provojmë, të thërrasim shokët më besnikë që dinë ta ruajnë sekretin. E gjykuam
si kohën më të volitshme orën njëmbëdhjetë të natës, kur komanda dhe kapanonet
e ushtarëve janë në pikë të gjumit. Sipas planit do të dilnim në skaj të
rrethimit me tela, larg, ku qenë ngrehë dy mullarë me bar të thatë.
Ishte
ora njëmbëdhjetë e gjysmë dhe grupi i konspiracionit tonë përbëhej prej gjashtë
vetësh, prej të cilëve te mullarët qemë veç tre. Tre të tjerët qenë vendosur
roje të përforcuara – njëri tek dritaret e zyres së komandantit. Ky me të
diktuar se ngrihet komandanti, do të lajmëronte rojen tjetër që qëndronte më
tutje në dyert e kapanoneve dhe ky, nga ana e tij, do të lajmëronte të tretin
që qëndronte në distancën midis kapanonit dhe mullarëve. Me të marrë sinjalin,
roja i fundit do të vinte rrufeshëm të na lajmëronte në kohë. Përndryshe, siç
mendonim ne, secili e kishte të sigurtë burgun. Te mullarët kishte mbetur grupi
i provës: unë, Paulini dhe Hekurani nga Gramshi. Vetëm pasi ta provonim ne, do
të ndërronim të tjerët që dhe ata ta provonin Coca-colën, nëse me ne gjithçka
do të shkonte mirë. Por nëse gjithçka do të shonte keq, të tre shokët tanë të
ngushtë në rojë, gjithësesi do të vinin pas gjysëm ore dhe do të kujdeseshin
për ne dhe do të na qëndronin pranë gjersa të na kalonte efekti i drogimit, i
cili, siç mendonim, nuk do të zgjaste më shumë se 24 orë.
Kështu,
të gjendur pështetur pas mullarëve, natën, nën pingërrimën e këngës së
bulkthave, nën hijen shtypëse të majës së Sheldisë që ngrihej thikë përpjetë,
me kupat e syve që na zienin nga misteri, përpiqeshim, pa e tradhëtuar veten,
t’ia ngecnim provën e parë njëri-tjetrit. I kishim shtrydhur deri dhe pikat e
fundit të dijeve tona mbi drogat dhe efektin e tyre, të cilat, gjer në atë
moment përmblidheshin në pesë lloje: Doping (këtë e dinim falë thashathemeve të
futbollit), Hashash, Heroinë, kokainë dhe Coca-cola. Por se cila ishte më e
forta dhe më e rrezikshmja, ne e dinim mirë dhe ishim të gjithë të një mendje:
Coca-cola!
-
Luej vendit, Agron! Hajde jepi se tesh s’kena ça t’menohena ma...- tha Paulini.
– Hiqja tapën!- tha gati me urdhër.
-
Pse s’e bëjmë me short? Kujt t’i bjerë shorti, ta provojë i pari, - propozova
unë.
-
Ja e provon njitesh, ja e treta si granatë n’jedis shkorretit, pasha shpirtin e
babës! – dha ultimatumin Paulini.
-
Pse s’e provon vetë, meqenëse ty ta kanë dhuru! – u ankova unë.
-
Shikjo, hiqja at tapë e provoje se boll besa po lutna... ke lexu i qerre libra
pa na tutesh si me kenë çikë!
-
Ça ben ore ça ben dhe ti... Jepi o t’u mbylltë, dy gllenjka gurmazit... aq, -
dha zemër Hekri. Ai madje ia mori shishen Paulinit dha ma la me vendosmëri ndër
duar.
E
hapa. Zhurma dhe presioni i gazit bëri të gufojë lëngu jashtë grykës dhe të më
lag duart. Ishte një ndjesi e çuditshme e asaj substance të lagësh e të huaj në
lëkurën time, thuajse të më qe përhapur një acid gërryes nëpër pore. Pa pikë
turpi, anipse me drojë të madhe, lëpiva trinën e dorës me gjuhë. Ndriste hëna,
por rrezet e saj nuk na kapnin, për shkak se i pengonte maja trekëndëshe e
Sheldisë, mu si një piramidë e lashtë. Sytë e shokëve më ishin qepur gacë.
Mandej me të shpejtë ngrita grykën e shisheshes, i trimëruar nga një ide e
pakufijtë dhe absurde heroizmi: e rrëkëlleva gjatë në gurmaz lëngun misterioz,
duke ndjerë një djegësirë të ëmbël, thjesht ngase m’u duk poshtëruese ta pija
mu sikur një mace e trembur lag gjuhën pakëz. Ma hoqi shishen Hekri dhe heshtën
t’u flisja i pari.
-
Hë? – thanë të dy njëherësh. – Si t’u duk?
-
Hiç.
-
Si hiç? A nuk të vjen për të fluturuar? Thonë se me drogë
fluturojnë...-belbëzoi Hekri.
-
Fantastike! Ngjan pak me aranxhatën, por shumë më madhështore.
Hekri
nxitoi dhe ia la shishen Paulinit. Ky e mori dhe para se ta rrëkëllejë, pa
anash dhe përreth, mandej na u drejtua me një ton melodramatik:
-
Të rrnojë Partia burra! – tha dhe u dëgjua se si i këndoi lëngu në gurmaz.
-
Për besë edhe mue m’u duk si aranxhatë, - konfirmoi ai, duke ia përcjellë
shishen Hekrit. Por Hekri prap ma la mua në dorë. Unë prapë rrëkëlleva disa
gëllënjka dhe vrisja mendjen se me çfarë ngjante, si do të dukej efekti. Kur e
provoi dhe Hekri, unë prapë e ngrita. Kisha përshtypjen sikur mullarët
lëkundeshin. U përpoqa që të mos shoh asnjë objekt. Kur pimë edhe disa herë të
tjera i pyeta: - a ndjeni gjë?
-
Ja, ti, për shembull, më dukesh dy, - tha Hekri, duke lëshuar një gromësirë të
thershme dhe duke më zgjatur shishen.
-
Për triumviratin! – shpalla dhe e rrëkëlleva prapë.
-
Ha-ha-ha! - qeshi me një gaz artificial Hekri. – Iku ky!
Piu
dhe Paulini.
-
Sikur s’kenka gja kjo Koka e Kolës more burra, - psherëtiu i zhgënjyer Paulini.
-
Prit o prit, se s’i dihet. Tani do fillojë efekti.
-
Leshi! – Tha Paulini.
Ndërkaq
u ndien hapa dhe ne kaluam pa bëza pas mullarit. Ishin shokët tanë roje, për të
cilët s’na kishte rënë mendja t’i zëvendësonim për t’i bërë pjestarë të asaj
darke të fshehtë.
Kur
qe tharë krejt shishja, e mbuluam rrëzë mullari me kashtë, a thua ishte një
kufomë. Mandej tinëzisht, si pas një vrasjeje, rrëshkitëm si hije nga pas
kapanonëve për në fjetore.
U
shtriva në krevat dhe, me pëllëmbë në rropulli, ndjeja se si bashkëpunonte
brenda meje me gjakun socialist eliksiri i Europës borgjeze.