Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Fritz Radovani: Bamirësia ishte hija e tij

| E enjte, 06.05.2021, 07:24 PM |


Nga Fritz RADOVANI: (Pjesa e XVI)

BAMIRËSIA...ISHTE HIJA E TIJ...

Më tregonte një mik...

Në një mbramje vonë, natën e Shën Tomës, Pader Mëshkalla, bashkë me një shok të vetin, mbërrijnë tek një derë e vogël ku banonte Tom Leci. Toma aso kohe ishte i paralizuem dhe jetonte me nanën e vet plakë, e cila me shpirt ndër dhambë mbërrijti me e pritë këte djalë derisa doli prej burgut.

Porsa hapi derën, Pader Meshkalla pau Tomën, që me njenën dorë që mund ta lëvizte, po fërkonte drrasat me tel, ndërsa nana i mbushte ujë dhe i shpërlante ato. Prej derës, Pader Meshkalla menjëherë, me zâ pak të naltë, i tha: “Mjaft, Tomë, mos vazhdo, ndërsa, ti nanë ulu aty!”. Nana u ul në një karrigë aty afër, ndërsa në tjetren urdhnoi me u ulë Toma. Ai vetë u ul tek një stol i vogël dhe hoqi këpucët, çveshi çorapët, shpërvjeli pantallonat, mori telin dhe ia dha shokut të vet që ishte ma i ri në moshë, ndërsa Ai vetë, e mori rragun dhe me té fshinte drrasat që lanin, mbasi thithte ujin delte në krye të sokakut dhe shtrydhte rragun... Aty nga mesnata shtëpia e Tomës ishte e gatëshme me pritë vizitat e ditës së emnit...

Ky, pra, ishte Pader Mëshkalla ndër shtëpijat e të sëmurëve!..

Mund t’ ju duket e pabesueshme...

***

Më ka tregue një grue, që një ditë ndodhi tek dera e oborrit e shtëpisë së saj në Gjuhadol perballë shtëpisë së Prelejve. Ishte tue kalue rrugës Dava, një murgeshë që ka shkue ndër dyert e të gjitha hetuesive, burgjeve dhe kampëve të shfarosjes së komunizmit, mbasi ndër të gjitha e gjithnjë kishte priftën.

Ajo lypte ndihma nga të vorfnit për me ushqye të uritunit...

Në kthesë të rrugës ajo takon Pader Mëshkallën dhe i tregon se mbas pak ditësh donte me shkue në një kamp pune, mbasi kishte grumbullue paksa të holla e ndonjë plaçkë...

Pader Mëshkalla, menjëherë, i thotë Davës me e pritë një minut aty dhe drejtohet nga plaka që ishte në derë të oborrit... Ajo habitet për një çast, kur Ky hyn mbas kapakut të derës që nuk hapej, i jep asaj xhaketën me ia mbajtë, çveshë një xhup që kishte të veshun dhe mbi këmishë veshë xhaketën, e ashtu në atë natë të ftohtë vjeshte del e drejtohet nga Dava, tue i thanë: “Sa mirë që të takova para se me ikë ti atje, na këte xhup e nepja X, se ai nuk ka shka me veshë e po afrohet dimni!..”

Dava e mori xhupin dhe e dergoi në kampin e punës...

Bamirësia ishte hija e Tij... që nuk Ju nda për asnjë çast, ashtu si vorfnia... një lëkurë e vërtetë e Tija, që lindi me Té e nuk iu çvesh kurrë, asnjëherë, deri ditën që Ai i la të gjitha!..

Vetem ata që e kanë njoftë afer mund të besojnë veprat e Tij.

Pader Mëshkalla, me vedi mori vetëm një brilant...Shpirtin!

E PAPRITUNA PREJ MEJE...

Një ditë, kur po bisedonim e ishim zhytë në një diskutim plot pasion, e kjo gja asht krejt e kuptueshme prej vetë mënyrës si fliste e natyrës tërheqëse të Pader Mëshkallës, kur papritë, Ai ndërpreu bisedën, shikoi orën dhe më tha: “Duhet me më falë, mbasi më duhet me shkue në shtëpi...”. Unë mendova për ndonjë çeshtje ore të caktueme të shërbesave fetare që kryente .., por, jo! Ai më tregoi se do të ndiqte në radio turneun çiklistik të Francës (Le tour de France)... Unë u qesha, por edhe e vështrova me habi.., po, jo! Ai ma përforcoi mendimin që kishte tue me shpjegue se, gjithmonë e kishte ndjekë me radio tue e shoqnue me hartë rrugën çiklistike.

Në kohën e rinisë së Tij, në Austri, ishte marrë edhe Ai vetë me këte sport aq të dashtun për Té...

E them të drejtën, për mue kjo ishte dishka e papritun!..

Ai Padër Mëshkalla, Ai, Meshtari i Madh!..,ishte edhe sportist! Ma vonë me kanë tregue se si luente futboll në oborrin e jezuitëve me nxanësit e vet. Nuk pritonte në çdo kohë me arbitrue ndeshjet e studentëve. Fushat sportive për jezuitët kanë kenë gjithmonë terrene grumbullimi për edukimin fizik e moral të rinisë. Ai oborr edhe sot ruen kujtime...

Ata punonin për një rini të dijtun dhe të shëndetëshme.

Shenim nga F.Radovani: Besoj se ishstudentët e asaj shkollë e kujtojnë me nderim dhe respekt, Yllin e futbollit Shqiptar të Ndjemin Loro Boriçi, një nga ma të shkelqyeshmit Qytetar të Shkodres...

E sa, ishin si Ai ?!

Melbourne,  15 Prill 2021.