Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Neki Lulaj: Në lulishten e vargjeve për atdheun

| E hene, 03.05.2021, 03:51 PM |


NË LULISHTEN E VARGJEVE PËR ATDHEUN

Nga Neki Lulaj - shkrimtar, Gjermani

Ditë më parë në postën time elektronike më erdhi befasia e radhës. Ishte dorëshkrimi poetik me titullin “Kosova, bajrak i fjalës” i autorit Namik Selmani. Ky libër është një prurje e re poetike dhe shumë simbolike për Dardaninë antike.E cila doli mag shtypi në Tiranë.

Poeti pa bujë ka gatuar me frymën e shpirtit qënien më të ndieshme për atdheun tonë, i cili me temën që e shtjellon do të mbetet gjatë në mendjen e lexuesit.

Ky libër ndez kënaqësinë dhe zgjon ndjesi të bukura shpirtërore, sepse në tharmin e tij poetik është individualiteti i prekshëm në këtë kapërcyell shekulli.

Në gamën e gjërë të përjetimeve të subjektit lirik, poezitë e tij tërheqin duke shprehur variacione idesh dhe emocionesh. Në të është shprehur qartë gama e tabanit kombëtar pa iu shmangur të djeshmes dhe të sotmes.

Namik Selmani në këtë libër ka dhënë shumë dritë shpirti dhe përjetime drithëruese, të cilat nuk i zbeh asnjëherë koha. - Temat e trajtuara janë si një arë e mbjellë me lule oser, si një Park botanik. Ato vazhdimisht shpërthejnë gonxhe të bukura dhe, kur gjendesh mes tyre është e vështirë të zgjedhësh një poezi më të bukur se tjetra.

Gjithëçka në jetë mund të zbehet dhe plaket, por heroizmi i luftëtarit dhe poezia e poetit duken si feniksi. Ato rilindin dhe rindezin zjarrin e jetës dhe të kujtimeve nëpër breza. Poeti mbarëkombëtar Namik Selmani me përmbledhjen poetike “Kosova, bajrak i fjalës” ia ka vënë vetes një “shall rreth qafës”. Me këtë gjerdan brezash dhe duke hyrë në të gjitha portat e Dardanisë me urtinë e tij të rrallë, me sjelljen e tij shembullore, me fjalën e tij të mençur , me interiarin e tij krijues ai ka skalitur bukur pikturën e shekullit 21. Këtë e ka bërë edhe me një përvojë artistike duke i lënë vetës gjurmë e kolorit shkëlqyes dhe shumë të qëndrueshëm.

Poeti ka skalitur me mendjen e tij të hollë heronjtë, poetët, piktorët, nënat heroike, këngëtarët, sportistët dhe çdo gjë të bukur për artin. Ai ka skalitur bukurinë e Dardanisë antike, natyrën piktoreske, mikpritjen bujare të traditës, sofrat shqiptare duke qenë nikoqir në pjesët e ndryshme të qyteteve shqipëtare këndej kufirit dhe jashtë kufirit të Shqipërisë. Me plot të drejtë mund të themi se shumica e këtyre poezive në këtë libër mund të bëhen tekste baladash dhe këngësh. Poeti i dëshiron gjithkujt për ta jetuar e gëzuar jetën sipas dëshirës dhe mënyrës së vet. Imazhet poetike të kësaj përmbledhje kanë një forcë shpresë magjepse por edhe një mesazh. Këto poezi janë shkruar me një gjuhë dhe stil poetik tejet të përpunuar duke lehtësuar komunikimin me lexuesin e mirëfilltë. Kjo prurje e begatë e poetit çam shumë e larmishme dhe shumë e spikatur në kuadrin e poezisë bashkëkohore shënon një etapë shumë të rëndësishme. Kjo panoramë ose ky peisazh magjik i poezisë sjell vlera të mirëfillta në gjuhën shqipe duke mbetur ndër shekuj në mendjen e lexuesve. Ky botim është një shkollë e re për poetë, shkrimtarë, piktorë, skulptorë dhe historianë.

Me imazhe kristalore përcjell kumtesa mbresëlënëse për dashurinë dhe respektin krejt origjinal në këtë temë universale. Kjo antologji vetjake është versioni pikant i përmbledhjes së vjershave të Namik Selmanit dhe njëri nga botimet më ekskluzive për Dardaninë. Thelbi i librit përmban poezi frymëzimi gjatë qëndrimit dhe vizitave të kohë paskohshme që autori i ka pasur nëpër të gjitha trevat shqiptare jashtë kufijve aktualë të Shqipërisë. Është poezia e tabanit kombëtar. Ky brumë i bluar, i hartuar dhe i situr në mendjen e poetit me një duf frymëzimi shpreh në mënyrë të fildishtë përshtypjet dhe çastet që i ka pasur vet autori. Në një pjesë e madhe e këtyre poezive janë të shprehura rrethanat e përshtypjeve shoqërore edhe të tragjedive që përjetoi gati një shekull populli vëlla nga diktatura e urryer sllave. Ky libër na jep shumë mësime edhe nga e kaluara që nuk guxon të përsëritet kurrë edhe nga heroizmi, edhe nga tradita, edhe nga mikpritja që është taban i pazbehur i atij populli që jeton mbi atë tokë të mbjellur me eshtra e dhembje. Sigurisht lexuesit do të nxjerrin edhe më shumë mësime dhe përfundime kuptimplote që përmbajnë në vete këto poezi me mbresa të gjalla nga kjo dëshmi e vërtetë er shekullit të kaluar me shumë katrahura e mizori.

Autorit Namik Selmani i dëshiroj jetë të gjatë dhe i përkulem deri në përjetësi. I ul kësulen për mundin e bërë dhe për kohën që ka gjetur të na dhurojë këtë libër me vlera të mëdha kombëtare.

Speyer/Gjermani, prill 2021